Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

10 shtator 1993

 

Perfekti i Nju-Jorkut kërkon angazhim të OKB-së në Kosovë

 

Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Butros Gali, Prefekti i Nju-Jorkut Dejvid Dinkins shkruan se Kombet e bashkuara duhet të kërkojnë rikthimin e forcave neutrale vëzhguese në Kosovë.

“Një krizë me përmasa të papara po i kanoset Ballkanit”, thotë Dinkinsi, duke shtuar se ai dhe komuniteti shqiptar i Nju-Jorkut janë thellë të brengosur për problemin e Kosovës.

“Dy milion shqiptarët e Kosovës të cilët edhepse përbëjnë mbi 92 për qind të popullësisë së saj, janë të nënshtruar nga regjimi ushtarak i beogradit. Me përzërjën e Misionit të KSBE-se nga regjimi i Milosheviqi, shqiptarët e humben edhe mbështetjen e tyre të fundit për t’i dëshmuar shkëljet që po u behen atyre.

Prandaj, ju lus që të përdorni autoritetin tuaj moral të bëni atë që është e mundur t’a pengoni një konflikt të ri në Ballkan”, thuhet mes tjerash në lëtrën që i dërgoi Prefekti i Nju-Jorkut, Sekretarit të Përgjithsjën të OKB-së Butros Butros Galit.

 

 

10 shtator 1994

 

Në Bruksel shfaqen shtatë filma shqiptarë

 

Organizatorët e Festivalit Mesdhetar të Filmit, organizuan një konferencë shtypi, në të cilën zyrtarisht paraqitën titujt e filmave që do të merrnin pjesë në Festivalin e sivjetshëm si dhe emrat e mysafirëve të ftuar.

Brukseli është djepi i civilizimit perëndimor dhe ven dorigjine për shumë emigrues, pellgu meshdetar që nga agimi i kohëve, çerdhe e kreativiteteve të ndryshme dhe është vendkryq në mes veriut dhe jugut, një zonë osmoze mes civilizimit evropian dhe Lindjes, – janë fjalët e ministrit Didier Gosuin .

Rëndësia e kulturës mesdhetare në një qytet kosmopolit siç është Brukseli, na ka shtyrë që të organizojmë Festivalin Mesdhetar të Filmit. Filmi është mjet i shprehjeve të mendimit të lirë, tejet i rëndësishëm në epokën tonë, por nuk është i veti dhe për këtë arsye Festivalit ia kemi shtuar edhe ekspozitën e pikturave, të fotografisë, muzikën dhe kuzhinën me qëllim që të krijojmë një festë të madhe që do t’i përfshijë Deti Mesdhe” të gjithë ata fëmijë të afërt e të largët, tha në konferencën e djeshme Filip Pre (Filippe preux), organizator i Festivalit Mesdhetar.

Në këtë Festival marrin pjesë 54 filma nga 14 shtete mesdhetare, kurse kinematografia shqiptaer do të prezentohet me pesë filma nga Shqipëria dhe me dy filma nga Kosova. Prilli i Thyer i Lirie Begesjës, Qind për qind i Artan Minarollit dhe Petrit Rukës, Zemra e detit i Besnik Bishës, Nekrologji i Fatmir Koçit, Proka i Isa Qosës dhe filmi dokumentar – artistik Kosova është gjaku ynë që nuk falet i Alma Sahitajt.

Duke pasur parasysh se filmi Kosova është gjaku ynë që nuk falet është realizuar nga regjisorja më e re e këtij Festivali, Filip Pre bëri veçmas një vështrim special për regjisoren dhe filmin e saj.

Alma Sahitaj, e pasionuar për film, karrierën e saj e filloi si asistente në filmin Kosovë, shqiponjë e robëruar dhe me vullnetin e saj të hekurt ajo nënshkroi më 1994 filmin e vet “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”, Alma është një regjisore e re përplot talent, për të cilën Festivali ynë hapi perdet. Filip Pre, gazetarëve të pranishëm, ua sqaroi në pika të shkurtra edhe sinopsisin e filmit të Almës.

Bruksel. Në një njeri vritet në timonin e veturës së tij. Një aksident i thjeshtë? Jo, është një atentat! Ky njeri është Enver Hadri. Viktimë e angazhimit politik e kulturor, Enver Hadri simbolizon luftën e popullit shqiptar të Kosovës për të fituar të drejtat dhe lirinë. Një trashëgim prej gjenerate në gjeneratë i përcjellë në gjakun e çdo shqiptari, cilido qoftë brenda në Kosovë apo i mërguar duhet të veprojë për atdheun e tij. Fragmente nga historia, nga biografia, intervfista, takime dhe dëshmitarë, Kosova është gjaku ynë që nuk falet, kalon suazat e një filmi të thjeshtë dokumentar, andaj ky është një film politiko-artistik mbi jetën dhe kushtet dhe tragjedinë e një populli. Filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet” u bë në bashkëpunim me ne, me Festivalin Meshetar dhe me sa di unë, ky është filmi i parë nga Kosova në kooproduksion me një shtet evropian, njofton “Bujku”.

 

 

10 shtator 1995

 

 

Vazhduan punimet në heqjen e eksponateve nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit

 

Menjëherë pas skadimit të afatit të dhënë nga organet e instaluara serbe në Prizren, për heqjen e fotografive dhe eksponateve nga kompleksi memorial i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, filloi puna në largimin e eksponateve dhe në përgatitjen e objektit për vendosjen e kolonëve serbë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Prizren njofton se edhe gjatë ditës së shtunë këto punime vazhduan me intensitet të shtuar, gjë që tregon qartë se organet e instaluara serbe, përkundër reagimeve të shumta, nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga qëllimi i tyre.

 

 

 

10 shtator 1997

 

 

“Frakfurter Algemajne Cajtung”: Kthimi masiv keqëson gjendjen në Kosovë

 

 

Dje në gazetën gjermane “Frakfurter Algemajne Cajtung”, u botua artikulli me titull: “A janë vërtetë të sigurtë në vendlindjen e tyre shqiptarët e Kosovës të kthyer nga Gjemania”.

Në këtë shkrim theksohet se “ndër azilkërkuesit që ndodhen në Gjemrani, gjenden shumë shqiptarë nga ish-republika federative e Jugosllavisë. Megjithëse ata përbëjnë reth 90 për qind të popullsisë që shtypen nga serbët sundues, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti, vetëm turqit dhe irakianët kanë kërkuar më shpesh azil se sa shqiptarët nga Kosova, ndërsa nami i shqiptarëve nga Kosova është i keq, ndërsa kanë shkaktuar incidente me armë zjarri, tregti droge, vjedhje, etj. , mirëpo, vetëm pasi Boni dhe Beogradi në fund të vitit të kaluar ranë dakord për nkë marrëveshje kthimi të rreth 120 mijë shqiptarë nga Kosova. “RFJ” u zotua se do t’i merrte në mbikëqyrje nënshtetasit e tyre me banim në Gjermani. Meqë nga Beogradi nuk mund të kërkohej kthimi i të gjihtë shqiptarëve nga Kosova, ranë dakord që kthimi të bëhej proporcionalisht brenda një afati prej 3 vjetësh dhe siç theksohet në nenet 1 dhe 2 të marrëveshjes, duke i respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e personave që kthehen. Deri tash ekspertët e Komisionit që do të kontrollonin mbarëvajtjen e marrëveshjes është mbledhur dy herë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, deri më 1 gusht janë kthyer 1. 794 shtetas jugosllavë. Veçanërisht konsekuent në kthimin e shqiptarëve janë zyrtarët e Bavarisë dhe Badenvytenbergut. Në fund të gushtit në Shtutgard me avionë për në Prishtinë u dërguan 72 shqiptarë nga Kosova, ndër ta edhe 4 keqbërës, ndërsa avioni, piloti dhe personeli shoqërues ishin serbë. Me asnjë grup tjetër azilkërkuesish nuk veprohet në mënyrë kaq konsekuente. as me grupin tjetër, atë të boshnjakëve nga ish-Jugosllavia. Në Shtutgard janë të kënaqur, pasi gjatë kësaj kohe janë kthyer 490 shqiptarë nga Kosova ndër ta edhe 45 keqbërës. Ministri i Brenshëm, Shojble deklaroi se edhe më tej do të veprojë kështu. “Ne duhet t’i kthejmë dhe do të këmbulim që kthimi të bëhet vullnetarisht. Aksionet tona të kthimit duhet ta bëjnë të qartë se Badenvurtenbergu në rast nevoje do të vërë në jetë me detyrim kthimin, ndërsa aksionet tjera janë të paevitueshme”, tha ai.

Megjithatë, Shojble tha se gjendja në Kosovë është e vështirë, mirëpo konfliktet mes autoriteteve serbe e shqiptare nuk kanë të bëjën krejtësisht me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania. Edhe në Ministrinë e Brendshme në Bon janë të kënaqur me kthimin. “RFJ”, përpiqet të ndjekë marrëveshjen dhe t’i respektojë të drejtat njerëzore të atyre që kthehen. Ka raste kur ka pasur shkelje të të drejtave njeërzore, ndërsa Boni nuk e quan të vlefshme kritikën, pasi autoritetet jugoslalve e shtynë kthimin për t’i mbajtur sa më gjatë jashtë vendit shqiptarët e Kosovës të urryer prej tyre. Në Minsitrinë e Brendshme, merret vesh se në Beograd do të hapen vende të tjera për të bërë përpunimin e kërkesave për kthim nga Boni. Megjigjatë është në pikëpyetje nëse një kohë e parashikuar prej tre vjetësh vërtetë do të kthehen të gjithë azilkërkuesit e refuzuar nga Kosova. Regjimi serb që sillet si pushtues në Kosovë po i shkon për shtati ikja e sa më shumë shqiptarëve. Shumë kanë ikur në vitin 1989, 1990, ku Beogradi nën udhëheqjen e Milosheviqit shpërndau faktikisht institucionet e Kosovës, i largoi nga institucionet drejtuese shqiptarët etnikë dhe zhvilloi mësimin sipas planeve mësimore serbe. Nga forcat politike udhëheqëse të Kosovës, si Lidhja Demokratike e Kosovës, dëgjohet se nuk janë dakord që refugjatët të paguajnë 5. 000 deri 6000 marka për të ardhur në Gjermani dhe pastaj këtu t’i kalojnë ditët kot dhe pa punë, meqë ata i nevojiten vendlindjes. Gjermania duhet të ushtrojë presion mbi Beogradin me qëllim që të zgjidhë shpejtë çështjen e Kosovës.

Jo vetëm përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, por edhe shumë organizata për të drejtat e njeriut, theksojnë se refugjatët e kthyer nga Gjermania merren hollësisht në pyetje nga autoritetet serbe, pastaj vidhen, fyhen dhe disa herë edhe maltretohen. Që në aeroportin e Prishtinës, një pjesë e madhe pyeten për aktivitetet politike në Gjermani, ndërsa u mbahen pasaportat dhe dokumentet e lëshuara. Të kthyerit lirohen me kusht që pas disa ditësh të paraqiten sërish në policinë lokale, ndërsa atje i presin rrahjet dhe maltretimet. Shumë të kthyer, menjëherë pas kthimit fshihen te të afërimt e tyre, ndërsa deri tash janë regjistruar dhjetëra raste torturash e maltretimesh disa ditë pas kthimit.

Për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin e personave të kthyer, kërkohet ngritja e një zyreje me vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë në Prishtinë. Komesariati i lartë për refugjatë UNHCR, ka konstatuar para pak kohësh se shtypja policore në Kosovë është arbitrare dhe mund të prekë parimisht çdo shqiptar. Kthimi masiv i azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar sipas organizatave mund të çojë në keqësimin e gjendjes në Kosovë, andaj për UNHCR mekanizmat për kontrollin e të kthyerëve janë shumë të dëshirueshme, thuhet në fund të artikullit të gazetës gjermane “Frakfurter Algemajne Cajtung”.

 

 

10 shtator 1998

 

Në komunën e Rahovecit u gjetën trupat e pajetë të 5 burrave dhe 4 foshnjave shqiptare

 

Nazmi Muçaj, sekretar i KKNE, i tha KI për Informim të Degës së LDK-së në Prizren se në komunën e Rahovecit forcat serbe kanë vrarë edhe 5 burra dhe një foshnjë, ndërsa nga pasojat e katastrofës humanitare kanë vdekur edhe tri foshnja të tjera shqiptare.

Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë Isuf Berishën (25) nga Polluzha, Mark Sopjanin (42) nga Dobidoli dhe foshnjën dymuajshe të Hysen Kabashit.

Në fshatin Postosel, forcat serbe kanë mbytur me torturë e pastaj i kanë hedhur në puse edhe trupat e pajetë të Himë Krasniqit (58), Ismet Krasniqit (41) dhe atë të Beqir Krasniqit (80).

I njëjti burim bën të ditur se gjatë qëndrimit nën qiellin e hapur, kanë vdekur edhe tri foshnje të tjera shqiptare, emrat e të cilave ende nuk dihen.

Dyshohet se numri i shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në komunën e Rahovecit është i madh.

 

Prizren: Në Kushtendil u gjetën dhe u varrosën trupat e pajetë të tre shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

 

Dje në fshatin Kushtendil të Vërrinit, u gjetën trupat e pajetë të Refki Gani Shalës (35), Milaim Xhemajli Thaçit (28) dhe Tamil Beqir Shalës (43), të cilët janë vrarë gjatë ofensivës së fundit serbe më 1 shtator të këtij viti.

KI i Degës së LDK-së në Prizren njofton se trupat pa jetë të tre shqiptarëve të vrarë janë varrosur në vendlinjen e tyre në Kushtendil.

 

Sulm i ri mbi refugjatët – tre të vrarë e 26 të plagosur

 

Zëdhënësi i Zyrës së Komesariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë Del Mundo i tha gazetares së “Dojçe Veles” në Prishtinë se sipas fjalëve të një mjeku, forcat serbe kishin vrarë tre refugjatë dhe kishin plagosur 26 të tjerë gjatë një sulmi mbi ta derisa po largoheshin nga fshati Prapaçan i Deçanit.

Continue Reading

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara