Lajmet

Ditari: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 12 maj 1993-1998?

Published

on

Lajmet e datës 12 maj pasqyrojnë jetën reale në Kosovë, në këtë periudhë shumë të rëndë. Nga represioni  përditshëm në fillimvitet e nëntëdhjeta deri te lufta e vitit 1998

 (Në foto: Emisari amerikan Riçard Hollbruk)

Lajmet kryesore të datës 12 maj 1993:

Kryetari Rugova priti anëtarët e Misionit të KSBE-së;

Klintoni planifikon dërgimin e trupave në Maqedoni;

Në Prishtinë u mbajt Mitingu i Poezisë;

Konferencë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës;

Përfaqësuesi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq vizitoi KMDLNJ;

Lëvizje të ushtrisë serbe në Sllatinë të Madhe dhe në Ferizaj;

Në Prishtinë u formua shoqata “Mjekët e Kosovës për Paqe”;

“Jedinstvo” shkruan rreth trakteve të LKÇK-së;

“Le Soir”: Në Kosovë dy qëndrime që nuk përputhen dhe që nuk dëgjohen fare;

“The Financial Times”: Beogradi i lodhur qëndron prapa Milosheviqit.

 

12 maj 1994:

Presidenti Berisha: Jemi për dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit;

Manovra të ushtrisë serbe në Kosovë;

Përfaqësuesit e disa partive dhe të KMLDNJ-së pritën diplomatin grek;

“Borba”: Dr. Agani nuk beson se do të ndalohet puna e LDK-së;

  1. Cimerman: Nëse vazhdon represioni, do të rishqyrtohet politika amerikane rreth Kosovës;

Xhinë Kirkpatrik: Millosheviqi nuk ndalet pa u ndeshur me forcën;

Kongresmenët amerikanë dënojnë dhunën serbe në Kosovë;

Në vitin e ardhshëm akademik 5.871 studentë në Universitetin e Prishtinës;

Ekonomistët e Kosovës rreth shkatërrimit të ekonomisë nga Serbia;

Kosovës i arritën vaksinat BCG;

Në Kosovë shumë të sëmurë nga zgjeba;

Bakteriet e salmonelës rrezikojnë foshnjet e posalindura në Prishtinë;

Represioni serb në Kosovë;

Mediumet serbe: Surroi kundërshton Rugovën;

Prishtina – Flamurtari 1:2;

“Shkëndija” gjysmëfinaliste për Kupën e Republikës së Kosovës në futboll.

 

Lajm i plotë:

Ushtari Shaban Bajrami nga Kapiti i Medvegjës ishte vrarë me dy plumba në gojë

Këshilli për Informim i Degës së PVD-së në Medvegjë na e dha këto ditë një njoftim lidhur me vrasjen e Shaban Bajramit nga fshati Kapit i Medvegjës dhe situatën e rëndë të popullatës shqiptare para kësaj vrasjeje, e sidomos pas saj.

Ky njoftim nxjerr në shesh disa të dhëna që përjashtojnë mundësinë që Shaban Bajrami të ketë qenë vrasës i dy ushtarakëve serbë. Njoftimi poashtu hedh poshtë mundësinë që Shaban Bajrami të jetë “likuiduar” në zabelin e fshatit Ratare të Smederevska Pallankës, siç njoftonin organet ushtarake serbe.

Duke u mbështetur në deklaratat e anëtarëve të familjes KI PVD bën me dije se Shaban Bajrami ishte vrarë me dy plumba në gojë! Këtë e dëshmoi babai i të ndjerit që e kishte parë kufomën e të birit, kur kishte shkuar për ta marrë në Beograd të shtunën e kaluar.

Nga fshati Kapit bëhet poashtu me dije se Shaban Bajrami kishte qëndruar në një pushim të shkurtër me leje në shtëpi vetëm një javë para se të kumtohej lajmi për kinse vrasjen e dy ushtarakëve serbë në Mlladenovc.

Anëtarët e familjes thanë se ai nuk ishte ankuar në asnjë rast në ushtarët serbë, ndërsa nuk kishte folur mirë për eprorët ushtarakë.

Ky këshill njofton poashtu se Shaban Bajrami ishte dërguar me dhunë në ushtrinë serbe në Jakovë para katër muajsh, e pastaj në Mlladenovc. “Policia erdhi dhe e mori me dhunë në shtëpi dhe e dërgoi në ushtri. Familja dhe ai vetë ishin të befasuar, pasi sipas një vendimi të komisionit mjekësor për rekrutim, ai nuk do të dërgohej në ushtri edhe dy vjet”, thuhet në njoftim.

Familja e të ndjerit dhe fshati Kapit iu nënshtrua një represioni të egër të forcave serbe, pasi u dha lajmi për kinse krimin në Mlladenovc.

Fshati u rrethua, ndërsa babai e vëllezërit, Ruzhdiu dhe Arifi janë rrahur në shtëpinë e tyre. Të dy vellëzërit janë marrë në stacionin të policisë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Ata u rrahën me pretekst se e dinin ku gjendej, ose nën akuzë se edhe ata janë “kriminelë” si vëllai i tyre.

Rrethimi i fshatit u hoq vetëm pasi u dha lajmi se Shaban Bajrami ishte vrarë.

Shpenzimet për arkivol dhe transport, në një shumë 1.200 DM i pagoi familja e të ndjerit.

Kjo vrasje dhe presioni i fortë i forcave serbe lidhur me të pasojnë represionin e filluar nga marsi i këtij viti kundër fshatrave shqiptare në komunën e Medvegjës, ku shqiptarët përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë.

Për shkak të kushteve të vështira dhe të represionit të vazhdueshëm serb, prej viteve 60 e deri më tash nga kjo komunë janë shpërngulur një shumicë e popullsisë shqiptare.

Gjatë marsit e prillit, si në Kosovë, filloi aksioni i torturimit të njerëzve, nën pretekst të mbajtjes së armës pa leje. Janë keqtrajtuar deri më tash rreth 30 familje. Nën këtë pretekst, në gjysmën e prillit, është bastisur edhe familja e Shaban Bajramit.

Për shkak të këtyre aksioneve, e sidomos pas vrasjes së inskenuar të Shaban Bajramit, të dhjetë fshatrat shqiptare të Medvegjës: Kapiti, Tupalla, Svirca, Gërbaci, (etnikisht të pastra) dhe Llapashtica, Gjylekari, Dediqi, Sijarina, Ramabaja dhe Starabaja( në të cilat jetojnë edhe serbë) gjenden ngjitas me fshatrat shqiptare të komunës së Kamenicës në Kosovë, janë të shqetësuara edhe më shumë pas vrasjes së Shaban Bajramit.

Nga fshati Kapit edhe tre të rinj janë dërguar me dhunë në ushtri, ndërsa nga fshatrat tjera nja 20, thuhet në mes të tjerash në njoftimin e KI të Degës së PVD-së në Medvegjë.

Dëshmitarët që duan të mbesin anonim i thanë QIK-ut se jeta në këto fshatra është shumë e rëndë. Banorët njoftohen për zhvillimet në mesin e tyre, si edhe në Kosovë e në botën shqiptare vetëm përmes Radio Tiranës e “Zërit të Amerikës”. Edhe vrasja e Shaban Bajramit ishte një dëshmi se kjo pjesë është ngapak e harrruar, thonë ata dhe e vërtetojnë këtë me faktin se as fshatin, as komunën, e as familjen Bajrami nuk e vizitoi qoftë një gazetar shqiptar.

 

Më 12 maj 1995, lajmet kryesore ishin: Konferencë për gazetarë e Kryetarit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova; Kryeministri Bukoshi u prit nga Hans Van Den Bruk; Kryetari i KMDLNJ-së priti diplomatin anglez Dejvid Ostin; Të gjithë të akuzuarit në Gjilan mohojnë akuzën serbe;  Pushteti serb uzurpon lokalet e SHF “F. Greiçevci” në Shipol të Mitrovicës; I riu Avni Sahiti u dërgua me dhunë në ushtrinë serbe; Në Gjakovë gjatë një muaji u bastisën 21 familje; Rektori Statovci priti një delegacion grek; Përfaqësuesja e “Helsinki Citizen Assembly” në KMDLNJ; Reagim i kryesisë së PLK-së kundër marrjes në polici të Gjergj Dedajt; Më 18 maj mbahet takimi i përfaqësuesve të “Avioimpeksit” me familjet e viktimave të aksidentit ajror të Ohrit; Në Pejë inspeksioni serb i tregut mbylli 16 objekte.

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Hani i Elezit:– Më 4 maj, në stacionin e policisë në Kaçanik u mor në pyetje Qamush Krasniqi nga fshati Paldenicë nga i cili policia kërkoi që të dorëzojë një revole. Meqë ai nuk kishte çka të dorëzonte, policia atë e urdhëroi që të paraqitet sërish të nesërmen në polici, së bashku me vëllaun e tij Afet Krasniqin. Nga të dy vllezërit, policia kërkoi që të dorëzojnë një pushkë dhe një revole. Ata u urdhëruan që të paraqiten në polici më 8 maj së bashku me vëllezërit Shefket, Hysni dhe Enver Krasniqi.

Vëllezërit Krasniqi u paqitën të hënën në polici, ndërsa inspektorët serbë nga ata kërkonin që të pranojnë se kanë armë dhe kinse armët i ka marrë nga LDK-ja.

Junik: – Më 10 maj, një ekspeditë e policisë serbe bastisi 8 familje në Junik. Njoftohet se policia bastisi familjen e Ramë Krrekut dhe i morën djemtë e tij Salih dhe Ismet Krrekun, të cilët u keqtrajtuan fizikisht. Policia mori edhe Sherif e Ramiz Gaxherrin, të cilët gjithashtu u keqtrajtuan. Njoftohet se janë bastisur edhe shtëpitë e Qamil, Ismet, Çaush, Beqë dhe Muharrem Gaxherrit. Bëhet me dije se është bastisur edhe shtëpia e Xhafer Krasniqit nga Juniku.

Kamenicë: – Më 9 maj, inspektorët e sigurimit serbë në Gjilan morën në pyetje Hevzi Kekën, nënkryetar i Kuvendit komunal në Kamenicë. Rreth katër orë sa u mbajt në polici, Hevziu u pyet rreth veprimtarisë së Kuvendit komunal, ndërsa merret vesh se ai edhe është keqtrajtuar rëndë. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici.

Po këtë ditë, policia serbe në Gjilan mori në pyetje Latif Ismailin, anëtarë i Kryesisë së Qeverisë komunale në Kamenicë. Ai u mor në pyetje rreth 11 orë dhe u keqtrajtua fizikisht.

Sot thirrje për t’u paraqitur në polici mori edhe Ismet Hoda, drejtor i shkollës fillore “Abdullah Krashnica” në Koretin të Kamenicës. Shkaku i kësaj thirrje tash për tash nuk dihet.

Më 10 maj, policia serbe e Kamenicës mori në vendin e tij të punës Sefedin Vranjën, veprimtar i KKF-së në Kamenicë. Ai në pyetje u mor rreth 4 orë, si dhe u keqtrajtua fizikisht nga inspektorët e sigurimit serb Momçillo Trajkoviq dhe Goran Stamenkoviq. Njoftohet se Sefedin Vranja është urdhëruar që të parqitet edhe dje në stacionin e policisë. Pas paraqitjes së tij në polici, atij i thanë që të paraqitet sërish në orën 8:00.

Mitrovicë:- Më 11 maj, dy policë shkuan në shtëpinë e Beqir Kajtazit në fshatin Shipol dhe kërkuan djalin e tij Burimin (1970), ish- punëtor i SPB-së, i cili aktualisht gjindet në Danimarkë. Burimin, i cili ka punuar dy vjet si polici, policët serbe e patën ndalur në rrugë në qendër të Mitrovicës, ia patën shkyer letërnjoftimin dhe e patën rrahur. Më vonë policia atë e kërkoi disa herë në shtëpi dhe ai për këtë arsye u detyrua ta braktisë Kosovën.

Njoftohet se policia disa herë ka shkuar në këtë shtëpi dhe ka kërkuar nga familja e Burimit që ta thërrasin atë që të kthehet sepse duhet patjetër të shkojë në shërbimin ushtarak.

Podujevë: – Më 10 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpitë e Idriz Cakiqit dhe Ismail Ismailit në Podujevë. Meqë ata nuk kishin armë, policia i urdhëroi që të paraqiten në stacionin e policisë në Podujevë.

Prishtinë: – Më 10 maj rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe bastisi shtëpinë e Ramadan Hajrullahut në rr. “Durmitori” në Prishtinë. Policia gjatë bastisjes, kërkonte djemtë e Ramadanit, Rahim e Arsim Hajrullahut, të cilët tash një kohë punojnë në botën e jashtme. Gjatë bastisjes policia u soll me vandalizëm.

Suharekë: – Më 9 maj, në “bisedë informative” u mor Hava M. Bytyçi nga Suhareka. Në polici ajo u pyet për vëllanë e saj Murat Bytyçin, i cili ka dy vjet që ndodhet në arrati, për të cilin anëtarët e familjes nuk e dinë gjë për të.

Sipas urdhëresës, në polici, më 10 maj, u paraqit Avdi Ibrahimi nga Suhareka. Nuk ka njoftime për pretekstin e marrjes së tij në polici.

Viti: – Më 11 maj, policia, në orët e hershme të mëngjesit, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Mejdi Fazliut, Hasan Limanit, Nezir e Abdullah Hazirit dhe Beqir e Abedin Halilit në Tërpezë të Vitisë. Pasi gjatë bastisjes nuk gjetën asgjë, policët ua lanë atyre ftesat që të paraqiten në stacionin e policisë në Viti.

(Kronika e dhunës u sajua në bazë të njoftimeve të KI të degëve të LDK-së)

 

Lajmet e 12 majit 1998 janë gjithsesi të rënda.

Lajmi I mëngjesit është ky:

Policia serbe vrau së paku dy shqiptarë në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë

Gjatë një rrethimi që i bënë kuartit Lagja e Muhaxherëve në Prishtinë sot herët në mëngjes forcat serbe, policia vrau në oborrin e shtëpisë së vet Isuf Hajdarin, rreth 55 vjeç. Ai u qëllua pas orës 04:00 në momentin kur ishte nisur për të shkuar në punë. Trupin e tij e ka marrë policia.

Njoftohet se në këtë lagje është vrarë edhe një person rreth 30 vjeç, jo i kësaj lagjeje. Komisioni për Informim i Aktivit të LDK-së në këtë lagje njofton për shumë të burgosur. Mes tjerësh është arrestuar në shtëpinë e vet Jahir Gashi me të dy djemt, Fatmirin dhe Farukun. Dr. Zekeria Cana, veprimtar i të drejtave të njeriut tha se janë arrestuar edhe tre studentë nga Drenica me emrat Ilir, Agron dhe Naim. Ai tha se është arrestuar edhe Ilir Tahir Januzi.

Forcat e mëdha serbe e kanë mbajtur nën shtetrrethim këtë lagje prej orës 03:30 deri në orën 10:00.

Disa banorë të këtij kuarti i thanë QIK-ut se herët në mëngjes në këtë lagje ka pasur të shtëna me armë dhe aksione të policisë serbe. Thuhet se janë arrestuar shumë studentë, që banojnë në këtë lagje me qira.

Burimet serbe deri më tash nuk kanë njoftuar për pretekstin e këtij aksioni të forcave serbe.

 

Lajmet e tjera:

Hollbruk e Gelbard arritën në Prishtinë

Deklarata për gazetarë të Kryetarit Rugova dhe emisarit Hollbruk

Isuf Hajdari u vra nga policia serbe në oborrin e vet (shtesë e lajmit të parë)

Dy studentë nga Verboci i Gllogocit janë arrestuar në Prishtinë

Forcat serbe po shtijnë drejt Ratkocit të Rahovecit

Jetë e paralizuar në Deçan – mbrëmë dhe gjatë natës pati të shtëna drejt Baballoqit

Në Deçan arritën ndihmat e para në ilaçe

Vazhdon gjendja e rëndë në komunën e Gjakovës

Ende nuk dihet për fatin e dr. Hafir Shalës

Në shumë shkolla të Gllogocit nuk mbahet mësimi

Avni Binaku, i kthyer nga Gjermania, mbahet në burg

Dje pati të shtëna të policisë në banorët e Kijevës që punonin në ara

Xhejms Rubin: Hollbruk e Gelbard bëjnë përpjekje për të zgjidhur konfliktin e Kosovës

  1. Solana: “NATO-ja nuk përjashton asnjë opcion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”

Bashkimi Evropiano-Perëndimor zgjidhjen e krizës në Kosovë ia lë NATO-s

Edhe 12 shtete evropiane përkrahin ngrirjen e fondeve jugosllave

Folke Rye: NATO do ta shqurtojë seriozisht ndalimin e fluturimit të avionëve mbi Kosovën

Ministri grek i Mbrojtjes tha se kriza e Kosovës është më e rrezikshme se ajo në Bosnjë

  1. Vestendorp: Trupat e NATO-s nga Bosnja mund të vendosen në Kosovë

Këshilli Republikan i Protestave fton të gjitha grupet që të marrin pjes në protesta

Në manifestimin protestues në Prishtinë morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë

Për shkak të pjesëmarrjes në protesta u mor në polici

Në udhëkryqin e fshatit Shipitullë policia po i legjitimon kalimtarët

Kaçanik: Policia serbe keqtrajtoi rëndë një të ri shqiptar

Edhe mbrëmë forcat serbe shtinë drejt fshatit Llapushnik

Në Sllatinë dje shtinë eprorët dhe policët për të penguar dezertimin e ushtarëve

Svetozar Maroviq: “Të rinjtë nga Mali i Zi nuk duhet të vdesin në Kosovë”

Në Ankara u themelua Komisioni i Informimit për Kosovën

Policia keqtrajtoi në Llabjan një qytetar nga Podujeva

Sinan Arif Bashota: “Përkrah çfarëdo veprimi që është në interes të popullit shqiptar”

 

Lajmet e orës 20:00:

Së paku dy shqiptarë të vrarë e katër të plagosur gjatë sulmit serb në fshatrat e Rahovecit

Elmi Binak Morina (50) nga Vranjaka dhe Melaim Isa Krasniqi (31) prej fshatit Postosellë u vranë sot gjatë sulmit të forcave serbe në fshatrat Vranjakë, Pustosellë, Ratkofc dhe Bratotinë të Rahovecit. Komisioni për Informim i LDK-së në Rahovec njoftoi se janë plagosur edhe katër shqiptarë, dy nga fshati Ratkofc dhe dy nga fshati Drenoc. Nuk janë njoftuar ende emrat e tyre. Druhet se numri i të vrarëve dhe i të plagosurve është më i madh.

Në orën 19:00 sulmi kundër fshatrave Ratkofc, Vranjakë e Bratotinë po vazhdonte. Këto fshatra po gjuhen me granata nga Kramoviku i Gjakovës, ku është një postbllok policor, dhe nga fshati Malësi e Vogël. Popullsinë e ka përfshirë paniku, ndërsa shumë fshatra janë boshatisur.

Sulmi i sotëm masiv serb flloi në orën 9:30. Për shkak të bllokadës së plotë të pjesës së sulmuar, nuk dihet me saktësi preteksti i sulmit. Aktivistët e Degës së LDK-së në Rahovec kanë informacione se sulmin e shkaktuan serbët e fshatit Bratotin, të cilët kishin sulmuar fshatarët shqiptarë të fshatit Vranjak, e pastaj kishin kërkuar edhe ndihmën e policisë. Supozohet se shqiptarët e vrarë e të plagosur janë viktima të civilëve serbë.

Fshatrat e sulmuara gjenden rreth 15 kilometra larg Rahovecit. Rruga për në këto fshatra ndahet nga rruga Rahovec – Gjakovë, te Ura e Shejtë, afër Xërxës.

Burimet serbe njoftuan në mbrëmje se në Ratkoc ka ndodhur një sulm i armatosur i shqiptarëve kundër policëve serbë. Sipas këtyre burimeve, një polic është vrarë, kurse dy të tjerë janë plagosur.

Gjatë një sulmi sot herët në Prishtinë, policia serbe vrau në oborrin e shtëpisë së tij Isuf Hajdinin dhe supozohet të ketë vrarë edhe një shqiptar tjetër.

Politika serbe ka kremtuar sot me shumë pompë përvjetorin e sigurimit serb, duke vënë në plan të parë aksionet e policisë serbe në Kosovë.

Grupi i Kontaktit dhe shumë organizata të tjera botërore kanë kërkuar që ekspertët ndërkombëtarë të hetojnë masakrat serbe në Kosovë, sidomos gjatë muajve të fundit.

 

Lajmet e tjera:

U granatua një shtëpi në Leshan të Pejës – një i plagosur rëndë;

Persona të panjohur shtinë me armë në shtëpinë e sekretarit të Degës së LDK-së në Pejë;

Keqtrajtim, me pretekst se ka vënë 4 bomba në autobus;

Një shqiptar u arrestua dhe disa të tjerë u keqtrajtuan në kuartin “Qafa” në Prishtinë;

Dyfishim i policëve serbë në Gjilan;

Gjilan: Për shkak të pjesëmarrjes në protesta një i ri u dënua me 40 ditë burg;

Mijëra pjesëmarrës në manifestimet protestuese në Gjilan e Prizren;

Prizren: Në drejtim të Gorozhupit shkoi një konvoj ushtarak serb;

Serbët bartin pajisjet e dokumentacionin nga fakultetet teknike;

Liderë të UE-së dëshirojnë që NATO dhe SHBA-të ta zgjidhin krizën në Kosovë;

Përmasa të gjera të dhunës kundër qytetarëve në Pejë e rrethinë;

Lëvizje të shtuara të policisë në Istog e rrethinë;

“Evropa e lirë”: Shumica e serbëve e malazezëve deklarohen se nuk do të shkojnë të luftojnë në Kosovë;

BBC: Kosova po kthehet në një kortezh të gjatë funerali;

Futbollistët shqiptarë në Belgjikë organizuan një turne për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutojnë cilësinë, qëndrueshmërinë dhe inovacionin në ditën e dytë të Kongresit EOQ 2026

Published

on

By

Në kuadër të ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), që po mbahet në UBT, u zhvilluan diskutime dhe prezantime mbi rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, qytetet e mençura, mjedisin e ndërtuar dhe qëndrueshmërinë ekonomike e financiare.

Sesionet bashkuan ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe drejtues të sektorit financiar, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë që sjellin transformimi digjital, inovacioni dhe zbatimi i standardeve të cilësisë në sektorë të ndryshëm.

Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar Sesioni “Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar” u udhëhoq nga Prof. Dr. Visar Hoxha. Diskutimet u përqendruan në planifikimin hapësinor, ekonominë qarkore, infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e hapësirave urbane të qëndrueshme.

Gjatë sesionit u prezantuan këto tema:

Valbone Dushi – “Cilësia dhe qëndrueshmëria: rritja e përgjegjshme, ekonomia qarkore dhe kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG)”.

Prof. Dr. Visar Hoxha, UBT – “Cilësia në patundshmëri dhe mjedisin e ndërtuar: krijimi i vlerës së qëndrueshme në qytetet e mençura”.

Prof. Dr. Alban Kuriqi, UBT – “Uji, klima dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës: zbatimi i standardeve të cilësisë inxhinierike për sisteme të qëndrueshme”. Dr. José Pedro Teixeira Domingues, nënkryetar i Shoqatës Portugeze për Cilësi (APQ) dhe përfaqësues i Universitetit të Minhos – “Cilësia në një pikë kthese: ndërlidhja e kulturës, qëndrueshmërisë dhe inovacionit digjital”. Prof. Dr. Binak Beqaj, UBT – “Cilësia e hapësirave, sistemet urbane dhe mjedisi i qëndrueshëm i ndërtuar”.

 

Prezantimet theksuan rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë në planifikimin urban, zhvillimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e mjedisit, duke synuar krijimin e hapësirave funksionale, të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv në cilësinë e jetës.

Në kuadër të programit të Kongresit u trajtuan gjithashtu tema që lidhen me cilësinë financiare, besimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, me fokus në stabilitetin e sistemit financiar, transformimin digjital të bankave, menaxhimin e rrezikut dhe zhvillimin e shërbimeve financiare inovative.

Në këtë kuadër u prezantuan këto tema: Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv i BKT Kosova – “Cilësia, inovacioni dhe shërbimet bankare të orientuara drejt klientit”. Prof. Dr. Shpresim Vranofci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe moderator i forumit – “Inteligjenca artificiale, teknologjia financiare (FinTech) dhe sigurimi i cilësisë në të ardhmen e shërbimeve financiare”.

Continue Reading

Lajmet

Forcimi i cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive në qendër të Kongresit të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Në kuadër të punimeve të Kongresit të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), dita e dytë ka sjellë në fokus sfidat, perspektivat dhe inovacionin në arsimin e lartë dhe zhvillimin e aftësive për një shoqëri në ndryshim të vazhdueshëm.
Sesioni paralel i kësaj dite, i kushtuar sigurimit të cilësisë, njohjes ndërkombëtare dhe aftësive të së ardhmes, ka bashkuar ekspertë të shquar, vendimmarrës dhe akademikë, të cilët kanë paraqitur pikëpamjet dhe vizionin e tyre për ngritjen e standardeve në sistemet arsimore.
Sesioni, i moderuar nga Prof. Dr. Besnik Skenderi, trajtoi tema kyçe që lidhen me qeverisjen e cilësisë, transformimin digjital, arsimin dual dhe lidhjen e ngushtë mes universiteteve, industrisë dhe shoqërisë. Në hapje të punimeve, deputeti dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, theksoi rëndësinë e forcimit të cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive si shtyllë kryesore për zhvillimin e shoqërisë.

Diskutimi u pasurua nga z. Shkëlzen Gërxhaliu, drejtor i Departamentit për Post-akreditim dhe Monitorim, i cili u ndal tek qeverisja e cilësisë në arsim dhe ndërtimi i sistemeve mësimore transparente, inovative dhe të orientuara nga teknologjia.

Në vijim, Prof. Dr. Avni Berisha, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, solli në vëmendje sfidat e njohjes ndërkombëtare dhe të ardhmes së sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Ndërsa znj. Mimika Dobroshi, udhëheqëse e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, prezantoi ndikimin afatgjatë të projekteve evropiane në sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e aftësive të reja.

Pjesë e rëndësishme e sesionit ishin edhe praktikat ndërkombëtare dhe modeli i arsimit dual. Assoc. Prof. Dr. Gordana Nikolić, eksperte e arsimit dual nga European University, elaboroi lidhjen mes universiteteve, industrisë dhe aftësive të së ardhmes.

Aspekti i digjitalizimit u trajtua nga Prof. Dr. Kozeta Sevrani nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, e cila foli për transformimin digjital dhe cilësinë në menaxhimin dhe arsimin e lartë. Për rëndësinë e kërkimit shkencor foli Prof. Dr. Anila Hoda, sekretare shkencore, duke u përqendruar te përsosmëria shkencore dhe bashkëpunimi në sistemet e njohurive. Ndërsa znj. Efka Heder, ish-drejtoreshë e SEECEL dhe përfaqësuese e Universitetit Mondragon, solli shembuj të arsimit të lartë të zbatuar dhe lidhjes së institucioneve me shoqërinë.

Kornizën shkencore të këtij sesioni e pasuroi Assoc. Prof. Dr. Cengiz Çesko nga UBT, i cili prezantoi punimin me titull “Quality, Productivity and Sustainable Value Creation in Food and Industry: Polyphenol Oxidase: From Biochemistry to Industrial Quality”. Në ligjëratën e tij, ai elaboroi kontrollin e PPO-së si një levë strategjike të cilësisë, duke sjellë para të pranishmëve qasjet bashkëkohore shkencore, mekanizmat, aplikimet praktike dhe integrimin e tyre me standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e tregut.

Në mbyllje të këtij blloku, Prof. Dr. Besnik Skenderi nga UBT prezantoi pikëpamjet mbi cilësinë, kompetencën dhe arsimin profesional, duke dëshmuar rolin kyç të UBT-së në ndërtimin e aftësive për punësim dhe performancë më të lartë në tregun e punës.

Ky sesion i Kongresit të EOQ-së konfirmoi angazhimin e përbashkët të institucioneve, akademisë dhe ekspertëve për të adresuar sfidat aktuale dhe për të çuar përpara standardet e cilësisë dhe inovacionit në arsim.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Qeverisja dhe cilësia institucionale në fokus të EOQ Congress 2026 në UBT

Published

on

By

Përfaqësues të institucioneve publike, diplomacisë, mediave dhe akademisë diskutuan në UBT për qeverisjen e mirë, besimin publik dhe standardet e cilësisë në shërbimet publike.

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi, 67th European Organization for Quality Congress 2026, në kampusin inovativ të UBT-së u mbajt sesioni “Government, Public Services & Institutional Quality”, ku u trajtuan çështje me rëndësi për funksionimin e institucioneve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e besimit të qytetarëve.

Sesioni u moderua nga Prof. Dr. Ylber Kryeziu dhe mblodhi folës nga institucionet e Kosovës, Shqipërisë, India dhe bota akademike evropiane, të cilët prezantuan perspektiva të ndryshme mbi rolin e cilësisë në qeverisje, diplomaci, media dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, prezantoi temën “Quality in Local Governance: Strengthening Municipal Services, Inclusion and Institutional Coordination”, duke vënë në fokus rëndësinë e shërbimeve komunale, përfshirjes dhe koordinimit institucional në qeverisjen lokale.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, trajtoi temën “Quality in Public Diplomacy and International Cooperation: Strengthening Institutional Trust and Global Partnerships”, me fokus cilësinë në diplomacinë publike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar si elemente të rëndësishme për forcimin e besimit institucional dhe partneriteteve globale.

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri, prezantoi temën “From Good Governance to Institutional Excellence: Quality, Trust and Resilience in Public Services”, duke trajtuar lidhjen ndërmjet qeverisjes së mirë, cilësisë institucionale dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve publike.

Nga perspektiva e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, Dr. Asif Iqbal, president i Indian Economic Trade Organisation (IETO) dhe India Africa Trade Council, prezantoi temën “Quality, Competitiveness and Institutional Trust”, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë, konkurrueshmërisë dhe besimit institucional.

 

Cilësia e informacionit dhe përgjegjësia e mediave në epokën digjitale ishin në qendër të dy prezantimeve të tjera. Drejtori ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës, Niman Racaj, trajtoi temën “Quality of Information: Media Ethics, AI and Public Trust”, ndërsa kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi temën “Media Quality, Accountability and Trust in the Digital Age”. Të dy temat sollën në vëmendje rëndësinë e etikës, llogaridhënies dhe besimit publik në një mjedis mediatik që po transformohet nga zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale.

Perspektiva evropiane u përfaqësua nga Prof. Dr. Nikos Panagiotou nga Aristotle University of Thessaloniki, i cili prezantoi temën “Quality, Public Value and Institutional Resilience: A European Perspective”, duke e vendosur cilësinë në raport me vlerën publike dhe qëndrueshmërinë institucionale.

Sesioni “Government, Public Services & Institutional Quality” ishte pjesë e programit të gjerë të EOQ Congress 2026, i cili në UBT bashkoi ekspertë dhe përfaqësues institucionesh për të shkëmbyer përvoja dhe perspektiva mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror.

Continue Reading

Lajmet

Evropianët janë ngopur me rritjen e çmimeve, protesta në shtatë vende

Published

on

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve

 

Në tetor, besimi i konsumatorëve në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në pesë muajt e fundit, sipas një sondazhi të Komisionit Evropian.

Qytetarët janë gjithnjë e më të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po gërryen fuqinë e tyre blerëse. Ndërkohë, në disa vende evropiane janë zhvilluar protesta për shkak të rritjes së çmimeve, si dhe për çështje që lidhen me sektorët e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Indeksi që mat pritjet e konsumatorëve në Eurozonë ra me 1,1 pikë në tetor krahasuar me shtatorin, duke arritur në minus 17,9 pikë, tregon raporti mujor i Komisionit Evropian, raporton KosovaPress.

Një rënie u regjistrua gjithashtu në të gjithë Bashkimin Evropian, ku indeksi ra me 1,2 pikë, në minus 17,3 pikë. Kjo tregon se besimi i konsumatorëve është larguar sërish edhe më shumë nga mesatarja afatgjatë e BE-së, vëren Komisioni.

Qytetarët janë veçanërisht të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po ul fuqinë e tyre blerëse.

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve.

Për shkak të rritjes së çmimeve, krizës së banesave dhe infrastrukturës së amortizuar në arsim dhe kujdesin shëndetësor, qytetarët kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Austri, Spanjë, Greqi, Itali dhe Portugali.

Komisioni Evropian kreu një sondazh midis 1 dhe 21 tetorit në 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Estonisë.

Sondazhi mbulon 99,8 për qind të konsumit total përfundimtar në BE dhe në Eurozonë.

Komisioni do të publikojë një raport gjithëpërfshirës mbi pritjet ekonomike për Bashkimin Evropian dhe eurozonën në fund të muajit.

Continue Reading

Të kërkuara