Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 8 mars, nga viti 1993-1999

Published

on

8 mars 1993

Lajmi kryesor: Filloi zia treditëshe në Kosovë (Pas tragjedisë së aeroplanit të udhëtarëve në afërsi të Shkupit, ku shumica e 81 të vdekurve janë shqiptarë nga Kosova e viset e tjera etnike shqiptare, sot në Kosovë fillon zia treditëshe e shpallur nga kryetari i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova).

Lajme të tjera lidhur me tragjedinë: U identifikuan 68 viktima (Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, shpalli emrat e 68 viktimave që u identifikuan pas tragjedisë.); Telegrame të shumta ngushëllimi.

 

Lajme të tjera:

U vra mikja e madhe e shqiptarëve Berit Backer (Merret vesh se në Norvegji, u vra Berit Backer, veprimtare e shquar për të drejtat e njeriut dhe mike e madhe e shqiptarëve. Merret vesh se vrasjen mizore e bëri një shqiptar i emigruar nga Kosova.);

Dr.Ejup Statovci u dënua me 15 ditë burg pse vizitoi Shqipërinë;

Universiteti i Prishtinës nënshkroi marrëveshje me Universitetin e Leçes;

Rreth 100 shqiptarë nga Sarajeva arritën në Tiranë;

Butros Gali kërkon ndihmë nga Gjermania;

ANSA: Klintoni kërkon izolimin e Serbisë;

Shtypi serb i quan delegacionet parlamentare dhe humanitare “agjentë të spiunazhit”;

 

8 mars 1994

 

Lajmi kryesor:

Faik Maloku u varros dje në fshatin Krushevc (Faik Adem Maloku, që u vra të dielën në kafene “Lokomotiva” në Fushë Kosovë nga polici serb Sllavisha Nikoliq, u varros dje në fshatin e lindjes në Krushevc të Obiliqit.

Faik Adem Maloku (1938) ishta baba i katër fëmijëve.

Ai u vra në një çajtore të Fushë Kosovës pa kurrëfarë shkasi.

Mirret vesh se Xhevat Bejzaku (20) që u plagos nga të shtënat e policisë, gjendet në spital.)

 

Lajme të tjera: Kryesia e LDK-së dënoi vrasjen në Fushë-Kosovë; Policia serbe e vërtetoi se Faik Malokun e vrau milici Slavisha Nikoliq; Represioni i policisë serbe në Kosovë; Në Gjykatën për Kundërvajtje në Rahovec u ftuan udhëheqësit e LDK-së; Intelektualët danezë protestojnë kundër sekuestrimit të objektit të ASHA të Kosovës; Reagimet e masmediumeve gjermane rreth dëbimit të 200 mijë refugjatëve nga ish-Jugosllavia;

 

8 mars 1995

 Lajmet kryesore: Manifestime të shumta me rastin e Ditës së Mësuesit; Gjykata e Përhershme e Popujve: Popullit të Kosovës t’i mundësohet ushtrimi i lirë i të drejtave të veta; Shoqata e Juristëve të Kosovës kërkon ndërprerjen e dhunës dhe të kolonizimit të Kosovës; UNPROFOR-i nga Kroacia mund të vendoset në Maqedoni; Policia burgosi një profesor të shkollës së mesme në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë; Në Kaçanik – 163 thirrje për rekrutim të dhunshëm në ushtrinë serbe; Gjykata ushtarake e Nishit dënoi dy oficerë shqiptarë; Avokati Balaj: Nait Hasani mohon akuzën serbe se është terrorist; Nait Hasani ngarkohet se ka formuar “UÇK-në”.

 

8 mars 1997

Lajmet kryesore: Kryetari Rugova mori pjesë në takimin me degët e LDK-së; Deklaratë e Presidencës të Bashkimit Evropian për Shqipërinë; Demaçi: SHBA-të duhet t’i kuptojnë tendencat për libanizimin e Shqipërisë; Deklaratë e komunitetit shqiptar në Amerikë mbi situatën në Shqipëri; Gjendja në Vlorë vazhdon të keqësohet; Leka i Parë apelon për dorëzimin e armëve në Jug të Shqipërisë; Vdiq prof. dr. Hajredin Ukelli; Nga pasojat e torturave Bedri Halimi mjekohet në spital;

Dhuna e përditshme në Kosovë: Malishevë: – Më 25 shkurt, Ahmet Sopaj (1949) u ndalua në vendkalimin kufitar në Han të Elezit dhe u keqtrajtua për disa orë nga policia. Ai ishte nisur për në Shkup dhe kishte dokumentacion të rregullt. Policia e ndaloi atë me pretekst se gjoja ndodhej në listën e personave të kërkuar nga policia. Policët kufitarë e keqtrajtuan atë rreth një orë dhe pastaj e dërguan në stacionin e policisë në Han të Elezit ku ai u mor në pyetje rreth dy orë dhe u maltretua sërish. Më vonë atë e dërguan në stacionin e policisë në Kaçanik ku sërish u maltretua dhe u lirua si i pafajshëm vetëm pas orës 14.

Më 27 shkurt, policia shkoi në shtëpinë e Xheladin Krasniqit dhe kërkoi djemt e tij Dautin, që tash disa vite ndodhet në Shqipëri dhe Sejdiun, ish-drejtor i Sh.F. “Bajram Curri” në Drenovc dhe aktivist i LDK-së i cili gjithashtu ndodhet jashtë Kosovës. Policët shkuan në këtë familje më 1 mars dhe kërkuan Sejdiun. Ata gjithashtu i lanë thirrjet djalit tjetër të Xheladinit, Jakupit që të paraqitet në polici, ku ai më 3 mars u pyet për vëllezërit e tij dhe u maltretua mbi dy orë.

Prishtinë: – Më 7 mars, katër civilë me një veturë të policisë serbe ndërhynë dhe bastisën për rreth dy orë shtëpinë e Sylejman Ahmetit, anëtar i Kryesisë së Degës së III të LDK-së në Prishtinë me pretekst se gjoja donin të vërtetonin nëse në shtëpinë e tij banonin studentë. Ata legjitimuan anëtarët e familjes dhe bastisën të gjitha dhomat, por u larguan duke mos gjetur gjë dhe duke mos marrë gjë me vete.

Sylejman Ahmeti ishte sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës. Më parë ai është mbajtur një kohë të paraburgim dhe gjykata serbe i ka shqiptuar atij një dënim me burg me kusht.

Salih Mehmeti nga Prishtina u keqtrajtua pardje rëndë nga policia serbe në stacionin I të policisë serbe në Prishtinë. Rreth orës 10, derisa po bartte bërllog me traktorin e tij, ai u ndalua nga një person që u paraqit si inspektor serb. Më pas erdhën dy policë dhe e dërguan në stacionin policor, ku e keqtrajtuan deri në alivanosje. Në gjendje të rëndë ata e kthyen atë sërish në vendin ku i kishte mbetur traktori dhe e detyrojnë ta drejojë atë deri te ndërtesa e inspeksionit komunal serb. Ndërkohë atë e vërejti babai i tij, i cili e dërgoi traktorin në këtë inspeksion serb.

Për shkak të lëndimeve të pësuara Salihu kërkoi ndihmën e mjekut, i cli konstatoi lëndimet e shumta të pësuara nga rrahja dhe qëndroi 24 orë i shtrirë në spital. Edhe pas daljes nga spitali gjendja e tij është e rëndë.

Mitrovicë: – Dje në orën 15:10, rreth 20 policë e inspektorë të SPB-së së Mitrovicës shkuan në lagjen Tavnik në shtëpinë e Fazli Hasanit (70) dhe e bastisën atë me pretekst të kërkimit të armëve. Pasi nuk gjetën asgjë, policët bastisën edhe tri shtëpi të djemve të Fazliut, Xhevatit (42), Muratit (39) dhe shtëpinë e Bashkimit (32). Pasi nuk gjetën asgjë, policët morën me vete Xhevat dhe Murat Hasanin. Ndërkohë, Murati u lirua pas një ore, ndërsa Xhevati ende mbahet në arrest. Babit të tij që u interesua për fatin e djalit, në polici i thanë se Xhevatin e kanë dërguar në Prishtinë ku ende ndodhet në arrest.

Gjilan: – Më 5 mars u muar në “bisedë informative” në policinë e Gjilanit, Agim Mustafa (1952), jurist i diplomuar, veprimtar i KMDLNJ-së, Nënkëshilli në Gjilan.

Në polici Agimi u mbajt mbi një orë dhe u pyet për aktivitetin e Nënkëshillit të KMDLNj-së në Gjilan, për anëtarët e kryesisë së Nënkëshillit, mbledhjet e Nënkëshillit, mbledhjet e KMDLNJ-së, në Prishtinë, dërgimin e informatave etj. Ai gjithashtu u pyet edhe për ekzistimin e të ashtuquajturës “UÇK”, për Shoqatën e Pavarur të Jursitëve, Dega në Gjilan, si dhe çështje tjera të aktualitetit politik në Kosovë e Shqipëri.

 

 

8 mars 1998

Lajmet e mesditës: Prekazi dhe Llausha mbahen ende të rrethuara; Të arrestuar të shumtë në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skënderaj; Nga Banja në drejtim të Pejës u dërguan 50 refugjatë serbë; Pesë tonë miell për banorët e Drenicës; Protestë e grave të Prishtinës para Zyrës Amerikane në Prishtinë; Në Podujevë protestuan 5.000 gra; Protesta të grave edhe në qytete të tjera të Kosovës; Thuhet se organizatat humanitare i janë afruar nga Prekazit; 7 të gjallë nga lista e të vrarëve e publikuar nga KMDLNJ;  Nga Fabrika e Municionit u liruan 50 shqiptarë; Në Prekaz jeta e fëmijëve mbrohet me sopata e me revole; Pesë të vrarë në Llaushë nuk mund të varrosen për shkak të snajperistëve serbë; Ollbrajt: Duhet ndërmarrë masa për të detyruar zgjidhjen e problemit me dialog; Riza Thaçi (67), i plagosur, ndodhet në spitalin e Pejës; Lëvizje të civilëve serbë; Ekspeditë policore në Obrançë të Podujevës; Regjimi serb i shpall të vrarë njerëzit e gjallë;

 

Lajmet e pasdites:  Kryetari Rugova kërkon që të ndërpritet menjëherë aksionet e forcave serbe; Një ekip i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq u pengua nga policia të hyjë në Drenicë; Pas 10 ditësh çështja e Kosovës vëhet në Këshillin e Sigurimit; Inspektorët serbë myllën 32 dyqane në Prishtinë.

 

Lajmet e mbrëmjes: Sulme të reja të forcave serbe në Jashanicë, Açarevë e Brojë;

Nesër protesta masive në Prishtinë dhe në të gjitha qendrat komunale; Policia rrahu besimtarët që po dilnin nga Kisha Katolike e Pejës; Prani e madhe e policisë në rrugën Komoran – Gllogoc; Snajperistët serbë shtinë në kryetarin e Nëndegës së LDK-së në Klinë të Epërme; Lëvizje të forcave serbe nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt; Policia konfiskoi të hollat e grumbulluara për Drenicën; Dr. Zejnullah Rrahmani: Të bëhen përgatitje për fillimin e mësimit më 11 mars; Mbrëmje pa krisma në Skënderaj e rrethinë; Deçan: Të ruhemi nga dezinformatat; Mobilizime të serbëve në Ferizaj; Dy persona të paidentifikuar shqetësuan lagjen “Tusha” të Kaçanikut; “Panorama” serbe dhe “Koha ditore” refuzuan shtypjen e “Bujkut”.

 

 8 mars 1999

Lajmet e mesditës:

Forcat serbe po i granatojnë fshatrat e Hanit të Elezit; Në brezin kufitar Kosovë-Maqedoni forcat serbe plagosën 2 shqiptarë; Avni Neziri nga Ferizaj u soll me plagë të rënda në spitalin e Prishtinës; Forcat serbe granatuan disa fshatra të Vushtrrisë dhe përtej maleve të Qyqavicës; Mbrëmë për më se tri orë rresht u granatuan disa fshatra të Mitrovicës; Forcat serbe granatuan drejt disa fshatrave shqiptare të komunës së Podujevës; Një konvoj i forcave serbe shkoi në drejtim të fshatrave të Kaçanikut; Në Han të Elezit e Seçishtë forcat serbe kanë thyer disa dyqane shqiptare; Prishtinë: Lagjja “Emshiri” po mbahet e rrethuar nga forcat e policisë serbe;

Ferizaj: Stacionime të forcave serbe mbi Pleshinë të Epërme; Në Glloboçicë të Kaçanikut ushtria serbe bastisi 5 shtëpi shqiptare; Gjendje e tendosur në komunën e Podujevës; Në Mitrovicë arritën forca të reja të ushtrisë serbe; Prishtinë: Në shtëpinë e një shqiptari, në hyrje të qytetit, janë vendosur dy snajperistë serbë; Fisher e Van den Bruk arrijnë sot në Prishtinë; Udhëheqësit e UÇK-së shqyrtojnë sot projekt-marrëveshjen për Kosovën; Hashim Thaçi: Do të nënshkruajmë me kohë;

Robin Kuk shprehu kënaqësi për mundësinë që shqiptarët ta nënshkruajnë marrëveshjen; Paskal Milo kërkon vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë; Grupi i Kontaktit dhe ndërmjetësit për Kosovën takohen të mërkurën në Londër; Millutinoviq e Markoviqi u shkruajnë ministrave të vendeve të Grupit të Kontaktit; Klinë: Naile Kalludra vdiq në postbllokun e policisë; Gjakovë: Në morgun e spitalit të qytetit policia solli një trup pa jetë; Afër fshatit Rezhinë është gjetur trupi i një personi të paidentifikuar; Prizren: në Gorozhup u plagos një e re shqiptare; Gjakovë: Inspektorët serbë keqtrajtuan një anëtar të Kryesisë së Degës së FR të LDK-së; Prizren: Policia serbe arrestoi dy të rinj shqiptarë; Në gjykatën serbe në Pejë dy shqiptarë u dënuan me 4 vjet burg; Në Mitrovicë po mbretëron gjendje e rëndë humanitare; Kërkohet Ragip Shala nga Akrashtica.

 

Lajmet e pasdites:

Kryetari Rugova priti ambasadorin e Holandës; Vushtrri: Forcat serbe po granatojnë fuqishëm fshatrat përtej Qyqavicës; Në Softaj të Ferizajt u plagos një dhe u arrestuan 4 shqiptarë; Prishtinë: Në shtypshkronjën “Eurograf”, policia serbe keqtrajtoi dhe arrestoi tre punëtorë shqiptarë; Në Ferizaj arritën forca të reja të ushtrisë serbe; Obiliq: Defilime të forcave serbe e keqtrajtime të qytetarëve shqiptarë; Prishtinë: Një shqiptar u qëllua nga një veturë dhe pësoi lëndime; Vushtrri: Policia dogji dy shtëpi dhe zuri tre të sëmurë në Druar; Dyshohet se një shqiptar është vrarë nga shpërthimi i minave në kufi me Maqedoninë; Vazhdojnë sulmet drejt fshatrave të Kaçanikut; Të shtëna e detonime në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri; “Evropa e lirë” fillon emetimin e emisionit gjysmëorësh në gjuhën shqipe.

 

Lajmet e orës 18:00:

Joshka Fisher qëndroi sot në Prishtinë; Havier Solana: NATO e gatshme të intervenojë nëse dështon Konferenca e Rambujesë; l.5 milion DM për shëndetësi në Kosovë; Vazhdojnë granatimet e fshatrave të Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

19 shtator 1994

 

The Guardian: Serbët terrorizojnë shqiptarët etnikë

 

Shtypi botëror vazhdon të shkruajë në mënyrë të gjithanshme për Kosovën dhe gjendjen e rëndë në të. Pas publikimit të një Raporti të organizatës ndërkombëtare Amnesty International për gjendjen në Kosovë, gazetat autoritative britanike “The Guardian” dhe “The Independent” në numrat e tyre të sotëm (19 shtator) sjellin dy artikuj të gjerë, në të cilët përfolet Raporti i fundit i Amnesty International i publikuar po ashtu sot.

Iën Trejnor, korrespondent i “The Guardian” nga Vjena, shkruan në artikullin e tij me titull “Serbët terrorizojnë shqiptarët etnikë” se “terrori policor serb dhe dhuna kundër shumicës shqiptare në krahinën jugore të Kosovës po ushqejnë shkallën eksplozive të tensioneve etnike në rajon”. Artikulli në vazhdim bën fjalë për raportin e publikuar sot të organizatës Amnesty International dhe citon: “Mijëra shqiptarë e kanë përjetuar dhunën policore serbe në lëkurën e vet… Rrahjet brutale me kërbaç janë forma të zakonshme të dhunës, ndërsa edhe shoku elektrik përdoret shpesh”. “The Guardian” shkruan se “derisa kryetari serb Slobodan Milosheviq, autor i luftërave në Bosnjë dhe në Kroaci, pret zbutjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Serbisë si shpërblim për ‘rolin e tij konstruktiv’, dhuna policore në Kosovë vazhdon papengueshëm”.

Në vazhdim të artikullit në “The Guardian” jipen dëshmi të Amnesty International për dhunën serbe në Kosovë. “Inspektorët e policisë shprehin urrejtje etnike ndaj viktimave të tyre. Një rast në veçanti brutal ishte ai kur një polic gdhend një simbol serb në gjoksin e një shqiptari 18-vjeçar”. Në raportin e Amnesty International thuhet se “policia serbe ka vrarë një amvise shqiptare, derisa po qëndronte në ballkonin e saj në Deçan.

“Marrëdhëniet ndërmjet komunitetit shqiptar, i cili numëron 2 milionë në Kosovë dhe autoriteteve serbe kanë qenë të tendosura me dekada. Tendosja është rritur në mënyrë dramatike nga fundi i viteve ’80, kur Milosheviqi përdori çështjen e Kosovës për të ngjallur nacionalizmin serb. Milosheviqi ka bllokuar përpjekjet ndërkombëtare për përfshirjen e Kosovës në negociatat për ish-Jugosllavinë. Vitin e kaluar ai përzuri ekipin vëzhgues të KSBE-së”.

Në fund artikulli bën fjalë për mundësinë dhe gjasat e një dialogu shqiptaro-serb dhe transmeton shtypin e Beogradit të ketë cituar kryetarin Rugova “se është i gatshëm të bisedojë me Milosheviqin”, por kërkesa e tij për ndërmjetësimin e palës së tretë në këto bisedime do të refuzohet nga Milosheviqi, i cili këmbëngul se Kosova është një çështje e ‘brendshme e Serbisë'”.

Gjithnjë në këtë frymë, edhe artikulli me titull “Amnesty dënon terrorin në Kosovë” i botuar në “The Independent” të sotëm (19 shtator) denoncon, në saje të Raportit të fundit të Amnesty International-it, dhunën e autoriteteve serbe në Kosovë.

“Autoritetet serbe e kanë shtuar në mënyrë të ndieshme shtypjen e shqiptarëve etnikë në krahinën jugore të Kosovës gjatë këtij viti”, thuhet në artikull, i cili në vazhdim citon pjesë të Raportit të Amnesty International-it, të cilat në mënyrë ekzemplare pasqyrojnë dhunën serbe në Kosovë.

“Amnesty beson se policët serbë janë posaçërisht të vrazhdë gjatë bastisjeve për armë në shtëpitë shqiptare… Ato janë shtuar në mënyrë dramtike gjatë vitit të kaluar… Bastisjet për armë janë të përditshme, ndonëse shqiptarët kanë hequr dorë nga përdorimi i forcës në lëvizjen e tyre për vetëvendosje”, thuhet në mes të tjerash në artikullin e Toni Barberit në “The Independent”.

19 shtator 1995

 

Kolonët ngrisin tensionin në Ferizaj

 

Më 18 shtator, duke filluar nga ora 19:00 e deri në orët e pasmesnatës, nga kazerma ushtarake e Ferizajt, janë vërejtur lëvizje të mëdha të automjeteve dhe qytetarëve serbë. Gjatë kësaj kohe ata këndonin këngë shovene raciste e sidomos antishqiptare, duke fyer posaçërisht personalitetin e nënës shqiptare si dhe kryetarin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe atij të Shqipërisë dr.Sali Berisha, njofton KI i Degë së LDK-së në Ferizaj.

Gjatë kësaj kohe, policia serbe vetëm qëndroi anash dhe nuk ndërmorri asgjë ndaj veprimit të grupit të qytetarëve serbë, që përbëhej nga kolonë dhe nga serbë vendës dhe ndaloi e maltretoi shqiptarët, të cilët kalonin me vetura nëpër atë pjesë të qytetit.

Po ashtu, edhe më 19 shtator, në kazermën ushtarake serbe në Ferizaj janë vërejtur lëvizje të qytetarëve serbë.

Ndërsa sot ata nga kazerma dolën edhe të armatosur me rroba civile dolën nëpër qytet deri rreth orës 12:00.

Provokimet e djeshme dhe të sotshme si dhe informata e djeshme për ekzistimin e një grupi të “paramilitarësh”, kanë shkaktuar pezm dhe shqetësim tek popullata shqiptare dhe tërheqin vëmendjen për ndonjë ekces më të madh të mundshëm.

Ndërsa nga palestra sportive “Rinia” në Ferizaj, mirret vesh se gjatë javës së kaluar, kolonët serbë janë transferuar në lokacione të tjera në qytet, si në lokalet e shkollës së mesme “Zenel Hajdini”, në hotelin “Luboteni”, në barakat e punëtorëve, etj., njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Nga Ferizaji janë larguar 5 kolonë të pakënaqur me kushtet dhe kanë shkuar në Maqedoni.

Bëhet me dije se në Ferizaj po mbahet edhe një grup i paramilitarëve serbë nga Kroacia.

Sipas disa shënimeve mund të konkludohet se deri tash në Ferizaj janë vendosur 185 kolonë serbë, ndërkohë që organet e instaluara serbe deklarohen se janë të gatshëm të pranojnë edhe 100 kolonë të rinj.

 

 

 

19 shtator 1997

 

Në Baballoq të Deçanit u vendosën 122 familje refugjatësh serbë nga Shqipëria

 

Dje në lokalitetin Baballoq afër Deçanit u vendosën 122 familje refugjatësh serbë nga Shqipëria. Atje kishte shkuar vetë ministri serb i të ashtuquajturës federatë serbo-malazeze, Mirosllav Ivanisheviq, për t’ua dorëzuar çelsat. Ai u kishte premtuar refugjatëve të tjerë serbë se do të ndërtohet një lokalitet i ri me 66 shtëpi.

Krahas shtëpive në pronësi të përhershme, refugjatët serbë kanë marrë edhe dy deri më katër hektarë tokë të uzurpuar nga regjimi serb.

 

 

19 shtator 1998

 

 

Podujevë: Nuk dihet për fatin e së paku 9 vetave

 

Pas sulmit mbi fshatin Dobratin të Podujevës, prej ku forcat serbe granatuan edhe fshatrat e Shalës së Bajgorës, në fshat u gjetën dy të vrarë, Fetah Sefer Behrami (i masakruar) nga Kaçanolli dhe Maksut Islam Rekaliu nga Dobratini.

Fshati gjithashtu është dëmtuar në masë shumë të madhe, janë plaçkitur e janë djegur shtëpitë.

Por, përmasat e plota të këtij sulmi ende nuk dihen, pasi deri tash nuk ka njoftime për fatin e disa banorëve.

Sipas njoftimeve të KI të Degës së LDK-së në Podujevë, nuk dihet për fatin e Jashar Fetah Behramit (26), Ramadan Behramit (60), Muhamet Fazliut (36), Rrahim Ramadanit (16), Ejup Sejdiut (36), Beqir Lepajës (26), Rrahim Lepajës (28), Haki Rekaliut (35) dhe Xhafer Ajvazit.

Nuk dihet gjithashtu as për fatin e tetë fëmijëve të tjerë të të ndjerit Fetah Behrami, të cilit edhe i është djegur shtëpia.

 

 

Shtime: 23 të vrarë, 20 të plagosur, 11 fshatra të djegura

 

Gjatë ofensivës së forcave serbe në fshatrat e Shtimes, që nga 14 qershori e deri sot, janë vrarë 23 shqiptarë dhe janë plagosur 20 të tjerë.

Sipas shënimeve të KI të Degës së LDK-së në Shtime, janë vrarë:

Sabri Ahmeti (65), nga Carraleva, i vrarë më 17 qershor, Nesret Abazi (22), nga Belinci, i vrarë më 25 korrik, Ruzhdi Salihu (34) nga Zborci, i vrarë më 26 korrik, Osman R. Halimi (48), nga Belinci, i vrarë më 30 korrik, Feriz Sabit Xhema (37) nga Carraleva, i vrarë më 27 korrik, Xhemë Sabit Xhema (45), nga Carraleva, i vrarë më 9 gusht, Selim Rexhepi (85), nga Petrova, i vrarë më 2 gusht, Arsim LimanHysenaj (15) nga Petrova, i vrarë më 10 gusht, Mejreme Liman Hysenaj (2), nga Petrova, e vrarë më 10 gusht, Haki Ilazi (85), nga Zborci, Skënder Salihu (25) nga Mollopolci, Jalldyze Asllani (65), Halide Asllani (37), Ajshe Asllani (27), Burim Asllani (13), Lumni Asllani (11), Ejup Asllani (9), Luljeta Asllani (7), Shpend Asllani (5), Xhafer Asllani (3), Antigona Asllani (1), Albiana Asllani (6-muajshe), të gjithë nga fshati Rancë dhe të vrarë më 23 gusht, si dhe Zeqir Asllani (95) nga fshati Rancë, i vrarë më 29 gusht.

Janë plagosur: Isak Asllani (40), Musa Asllani (27), Bekim Asllani (20), Mevlude Kadriu (47), Nazmi Dauti (28), Sabit Nuredini (33), Ibrahim Ibrahimi (47), Haxhi Komorani (53), Bedri Maksuti (21), Arsim Hasami (20), Mehdi Limani (39), Zaim Selmani (36), Nesret Zymeri (12), Ajshe Pajaziti (17), Nexhmije Hysenaj (47), Fatmir Duga (15), Halit Luma (13), Bujar B. Beqaj (15), Abedin Beqaj(12), Osman Guri (60).

Po gjatë kësaj periudhe në fshatrat e kësaj komune janë djegur 11 fshatra, janë granatuar 6, në të cilat janë djegur 799 e janë granatuar 379 shtëpi.

Nga fshatrat e sulmuara të kësaj komune janë zhvendosur 14.200 banorë.

Continue Reading

Lajmet

Protesta në Prishtinë vazhdon edhe në mbrëmje kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Mijëra qytetarë po vazhdojnë të qëndrojnë në sheshet e Prishtinës edhe gjatë orëve të mbrëmjes, në shenjë proteste kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e organizuar nga OVL-UÇK pason aktgjykimin ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Pjesëmarrësit po vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Policia e Kosovës po vazhdon të jetë prezente në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa situata në kryeqytet po vijon e qetë dhe pa incidente.

Continue Reading

Lajmet

United Hospital hap dyert për ekspertizën ndërkombëtare: Dr. Yoel Har Even sjell përvojën e tij në radiologji

Published

on

By

United Hospital po zgjeron bashkëpunimin me profesionistë ndërkombëtarë me përvojë dhe reputacion të afirmuar në fushën e mjekësisë, me synim forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe ngritjen e mëtejshme të standardeve të shërbimeve shëndetësore.

Në kuadër të kësaj qasjeje, United Hospital ka pritur sot Dr. Yoel Har Even (Ph.D), figurë e njohur në mjekësinë ndërkombëtare dhe në menaxhimin e krizave shëndetësore. Sipas njoftimit të spitalit, raporti i tij me Kosovën daton që nga misionet e para mjekësore humanitare, ndërsa tashmë ai shpreh interesimin për të kontribuar edhe në vend si mjek radiolog.

Vizita në ambientet e United Hospital u përqendrua në diskutime profesionale lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve diagnostikuese, aplikimin e praktikave bashkëkohore në radiologji dhe iniciativat e ardhshme të institucionit.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor, kur Dr. Har Even do t’i bashkohet sërish ekipit të United Hospital në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.

Gjatë kësaj periudhe, eksperienca e tij profesionale pritet të vihet në shërbim të aktiviteteve që synojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta.

United Hospital

Hapja e dyerve për kuadro ndërkombëtare me përvojë të dëshmuar paraqet një tjetër dimension në strategjinë e United Hospital për të sjellë ekspertizë të specializuar dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me profesionistë të mjekësisë nga jashtë Kosovës.

Me këtë qasje, institucioni synon që njohuritë dhe përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë të ndërthuren me kapacitetet e stafit vendor, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve moderne diagnostikuese dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt pacientit.

United Hospital e përmbyll mesazhin e tij me një thirrje për më shumë kujdes, parandalim dhe ndërgjegjësim për shëndetin.

Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Lokacioni: M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Kanë mbetur edhe pak ditë kur ekipi i Kosovës do të niset për të përfaqësuar vendin në skenën botërore të robotikës. Në mesin e ekipeve më të mira nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon të Koresë së Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation”. Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e zjarreve të egra dhe ndikimit të tyre në natyrë, biodiversitet e komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës i është besuar ekipit të UBT-së, i cili përbëhet nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj.

Duke folur për përgatitjet intensive teknike e strategjike që po bëhen, mentorja e ekipit Elita Hajrizi theksoi përkushtimin e nxënësve.

“Ekipi ka filluar me përgatitjet që prej qershorit dhe përgatitjet e fundit po vazhdojnë edhe këtë javë. Që nga fillimi, ekipi ka treguar një angazhim, vullnet e pasion të madh për punën dhe besoj shumë se rezultatet e kësaj pune do të shihen edhe në garë në Kore. Sigurisht, synimi ynë kryesor është përfaqësimi i denjë i Kosovës dhe fitorja është pjesë e këtij synimi”, shprehet Hajrizi.

Përfaqësimi i këtij edicioni vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar në Panamá, ku Elita Hajrizi u vlerësua me çmimin “Best Mentor” në nivel botëror. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, UBT vazhdon të mbetet lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM dhe në promovimin e potencialit të të rinjve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Të kërkuara