Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 7 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

7 prill 1993

Lajmet kryesore:

Lordi Ouen i përgjigjet letrës së dr.Rugovës

Universiteti i Prishtinës organizon protesta deri në lirimin e rektorit

Konferencë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

Konferencë për shtyp e Partisë Popullore Shqiptare të Kosovës

Në Isniq të Deçanit policia serbe arrestoi disa qytetarë

Policia ishte në punktin e shkollës “Ali Sokoli”

Në Has u shënuan lëvizje të sërishme të ushtrisë serbe

Kinkel: Ka ardhur koha për sanksione masive kundër Serbisë

Bill Klinton: Millosheviqi – i ngjashëm me Sadam Hysenin

Shtypi britanik për Kosovën dhe shqiptarët

U burgos truproja e Sulejman Uglaninit

 

 

7 prill 1994

Lajm i plotë: Koment i “Bujkut” për gjendjen e gazetave dhe të revistave në Kosovë

Në një vështrim të botuar sot në gazetën “Bujku”, analizohet gjendja në fushën e botimit të gazetave dhe revistave në gjysmën e dytë të vitit 1990 dhe gjendja e tashme, kur pas një kohe sërish filluan të botohen “Fjala”, “Shkëndija”, “Kosovarja” dhe “Pionieri” si revista të trungut të “Rilindjes” dhe revistat “Zëri”, “Koha” dhe “Forumi” si botime të shoqërive aksionare. “Botimi i këtyre revistave kryesisht bëhet në shtypshkronjën e “Rilindjes”, tash nën masa të dhunshme, dhe me emërtimin e dhunshëm “Graçanica” e shpërndarjen e tyre e bën komercialja e “Rilindjes”, e cila, po ashtu është nën masa të dhunshme serbe. Përkohësisht tash vepron dinari ‘stabil’ i Avramoviqit. Për të është bërë edhe një lloj sponzorimi i jashtëm në formë të ndihmës me letër dhe mjete të tjera materiale. Për dallim nga shpalosja jonë e parë me gazeta gjatë vitit 1990 dhe 1991, tash është ndërruar tema. Revistat dhe gazetat e trungut të “Rilindjes” zunë t’i kthehen fizionomisë së vet të parë në shkencë, art kulturë dhe arsim. Ndërkaq, botimet e shoqërive aksionare zunë më pak të rroken me temat e fizionomisë së vet të parë të kaluarës sonë, të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, të ndikimit të faktorit të jashtëm dhe ndërkombëtar në fatin e Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve, të shprrallosjes së politikës hegjemoniste militante dhe kolonizuese të Serbisë, etj.

Temat dominante të këtyre botimeve tash janë marrëdhëniet politike brendashqiptare!

Dimensionet e kësaj qasje mëtojnë sensacionalizëm, nuhatje të përçarjes që arrin deri në shkallën e shprrallosjes sonë të brendshme. Në kushtet e një shoqërie të mirëfillt demokratike e të pushtetit të institucionalizuar mbi bazën e demokracisë së tipit të Perëndimit dhe përgjithësisht në kushtet e Kosovës së lirë, edhe kjo qasje mbase do të kuptohej si luftë për tregun. Mirëpo, në kushtet çfarë mbretërojnë në Kosovë dyshojmë në qëllimin e mirë të kësaj qasje. Nuk mëtojmë mbylljen e këtyre temave, larg qoftë, por mbylljen e hallakamës dhe dimensioneve që merr zhurma kur bëhet për interesa komerciale personale, apo të grupeve të caktuara ideologjike, mbase edhe revanshiste.

E keqja më e madhe e kësaj shpalosje të tashme me gazeta, që mund të quhet edhe shprrallosja, është se po bëhet në sytë e okupatorit dhe në qastet kur mund të ndodhin të papritura më të mëdha në Kosovë dhe rreth saj. Po, nëse e patën sa për komercializëm, do të shohim së shpejti se a do ta mbijetojnë këto gazeta fazën e ardhshme inflatore. Dyshojmë, aq më keq, se do ta kenë pasur vetëm për këtë.

 

Lajme të tjera:

Kryetari Rugova i dërgoi letër Konferencës Ndërkombëtare për Ballkanin në Stamboll

Gjykata e Mitrovicës i filloi hetimet edhe kundër tetë shqiptarëve

Një të riu nga Deçani policia me thikë ia vizatoi kryqin në gjoks

Represioni në Kosovë

Policia serbe urdhëroi që të mbyllen lokalet e Degës së LDK-së në Kodrën e Trimave

Një i ri u dërgua me dhunë në burgun ushtarak në Nish

Gjashtë muaj burg për “veprimtari armiqësore”

“The Times”: Lufta në Maqedoni evitohet me avancimin e të drejtave të shqiptarëve

Gjenerali serb Perishiq qëndroi disa ditë në Kosovë

Dy shqiptarë u arrestuan për “shticung” me deviza

 

 

7 prill 1995

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e LDK-së

Parlamenti Evropian dënon shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë

Dje e tërë Prishtina mbeti pa ujë

Problemin e ujit e shkaktoi puna jorpofesionale dhe organet e dhunshme serbe

Tre shqiptarë nga Maqedonia u caktuan konsuj në Bon, Bernë e Bruksel

Aktakuzë kundër Nevzat Halilit

U hoq përmendorja e viktimave të Kampit të Prishtinës

Në Gjykatën e Qarkut në Pejë vazhdoi gjykimi i ish-punëtorëve të SPB të Kosovës

“Politiken”: Statusin e Kosovës do të duhej ta siguronte një forcë policore ndërkombëtare

Zvogëlohet numri i azilkërkuesve në Gjermani

Të rinjtë e Gllogovcit thirren për rekrutim

Dhuna e përditshme në Kosovë

Të arrestuarve në Gjilan iu caktua paraburgimi

Shemsedin Mustafa u dënua me 20 ditë burg

Në Gjakovë policia konfiskoi tekste shkollore me vlerë prej 25.000 DM

 

 

 

7 prill 1997

Lajmet kryesore:

Fillon takimi shqiptaro‑serb në New York

Në Nju Jork u shënua përvjetori i 86 i luftës së Dedë Gjo Lulit

Fehmi Agani: “Opcioni për pavarësi është produkt i Kosovës”

Reagimet e shtypit serb për tryezën e rrumbullakët në Nju-Jork

Zyra amerikane për ndihmë shteteve të rrezikuara akordoi ndihma humanitare për Kosovën

Në Gjenevë fillon sesioni i komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut

Në ditën botërore të Shëndetësisë: Kosovës i nevojitet ndihma e OBSH-së

 

 

Lajm i plotë: Tre të vrarë në Vlorë

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme bën të ditur se në qytetin e Vlorës gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 3 persona dhe janë plagosur disa të tjerë, njoftoi dje ATSH.

Kështu, pardje në mbrëmje, në lagjen “Pavarësia”, tek shkolla industriale, nga shkëmbimi i zjarrit midis dy grupeve të armatosura ende të paidentifikuara, u vranë shtetasit Xhevahir Muraj dhe Sofor Ribaj, që të dy nga Vlora.

Edhe në fshatin Trevllazër, nga një sulm mes dy grupeve rivale të armatosura, ka mbetur i vrarë një person ende i paidentifikuar, si dhe janë plagosur disa shtetas të tjerë.

Ndërkohë, po këtë ditë, në Gjirokastër persona të armatosur, ende të paidentifikuar, kanë grabitur dhe shkatërruar plotësisht 8 zyrat e kadastrës së rrethit. Këta persona, pasi kanë grabitur dhe shkatërruar tërë dokumentacionin dhe gjithçka që gjendej aty, i kane vënë zjarrin asaj.

Gjithashtu, në Gjirokastër, persona të armatosur, ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri ndërtesën e komisariatit të policisë së rrethit, përfshirë edhe zyrën e shefit të ketij komisariati.

Policia ende e paorganizuar mirë në këto komisariate, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre krimeve të rënda, njofton ATSH.

 

Lajme të tjera:

Gjendja në Berat nën kontrollin e policisë

U arrestuan 2 grekë që kishin blerë armë në Shqipëri

Nga e enjtja në Itali nuk ka mbërritur asnjë anije me refugjatë shqiptarë

Turqia do të ndihmojë Shqipërinë me 50 milionë dollarë

U mbyt me thikë një refugjat shqiptar në Gjermani

Për shkak të shqiptarëve, Qeveria Greke lëshon pe për emrin e Maqedonisë

Vërshime të mëdha në Llap

SHMT “Hasan Tahsini” në Obiliq shënoi ditën e shkollës

Podujevë: Thirrje në polici me pretekst të armës

 

 

7 prill 1998

 

Lajm i plotë: Gjashtë viktimat në morgun e spitalit të Prizrenit

Gjashtë viktimat që u gjetën dje buzë rrugës Rahovec-Malishevë, te vendi i quajtur Carefc, rreth orës 14 e 30 minuta policia serbe i ka dërguar në morgun e spitalit të Prizrenit. Morgu i këtij spitali dje pasdite ruhej nga forcat e policisë, njofton gazeta “Bujku”.

Në njoftim thuhet se aty janë gjetur të vdekur: Sali Berisha (48), pronar i pompës së benzinës në fshatin Kijevë të Klinës, Avdyl Bajrami, Ibrahim Zogaj (1940), Ramdan, Fadil dhe Salih Ibrahimi, të gjithë qytetarë të komunës së Klinës.

Sipas policisë serbe në Prizren, në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 30 gëzhoja të pushkëve automatike. Po sipas këtij burimi, këta persona gjoja janë rrëmbyer para tri ditësh në shtëpitë e tyre, ndërsa rrëmbyesit e paidentifikuar kanë qenë të armatosur, të maskuar dhe të veshur me uniforma të ushtrisë së Republikës së Shqipërisë.

Hollësi të tjera rreth këtij rasti ende të pasqaruar nuk dihen. Pritet që ekspertët e mjekësisë ligjore nga Prishtina do ta bëjnë sot obduksionin e trupave pa jetë.

 

Lajm të tjera:

Kryetari Rugova priti të deleguarin special të OKB-së për të drejtat e njeriut

Kryetari Rugova priti diplomatë amerikanë

Sot në Kosovë u kremtua festa e Bajramit të Vogël

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhur në bazë të sistemit proporcianal dhe përfaqësimit nacional

Të enjten në Prishtinë mbahet protestë mbarëpopullore kundër dhunës e terrorit serb në Kosovë

Kryesia e LDK në Skënderaj konstatoi se nuk ka shenja të tërheqjes së forcave policore

Forcat serbe granatuan dje fshatin Kopiliq

Në disa fshatra të Lipjanit u dislokuan ushtarakë serbë

Po bëhet përgatitje për luftë kundër shqiptarëve të pambrojtur

 

Foto: Vlora

Continue Reading

Vendi

UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës

Published

on

By

Fakulteti i Arkitekturës në UBT, i njohur për standardet e larta akademike dhe qasjen inovative, ka bërë një hap të madh drejt fuqizimit të studentëve të tij duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK).

Ky partneritet strategjik synon të forcojë lidhjen mes edukimit akademik që ofron UBT dhe kërkesave rigoroze të tregut profesional. Përmes kësaj kornize, studentët e UBT-së do të kenë një qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit profesional dhe avancimin e standardeve etike e bashkëkohore në fushën e arkitekturës.

Marrëveshja e nënshkruar krijon një platformë afatgjatë që do të fokusohet në disa shtylla kryesore; avancimi i standardeve profesionale në arkitekturë; përgatitja e studentëve për tregun profesional dhe proceset e integrimit në profesion; shkëmbimi i njohurive dhe përvojës ndërmjet akademisë dhe profesionit; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; bashkëpunimi në zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në edukimin profesional të vazhdueshëm (EVP).

Për Fakultetin e Arkitekturës në UBT, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm dije teorike, por edhe mundësi konkrete për t’u bërë pjesë e elitës profesionale.

Bashkëpunimi me OARK-në shërben si një platformë që nxit zhvillimin e arkitekturës moderne në vend, duke i dhënë zë gjeneratave të reja të arkitektëve.

Oda e Arkitektëve, gjithashtu shpreh gatishmërinë që përmes këtij partneriteti me UBT-në, të kontribuojë në ndërtimin e një profesioni të fortë dhe bashkëkohor, duke siguruar që dija akademike të përkthehet në zgjidhje praktike për mjedisin e ndërtuar në Republikën e Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Një muaj paraburgim për ish-policin serb të dyshuar për krime lufte në Kaçanik

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për A.D., ish-pjesëtar i MPB-së së Serbisë, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Kaçanikut gjatë marsit të vitit 1999.

Sipas Prokurorisë Speciale, i dyshuari në bashkëkryerje me forcat serbe mori pjesë në dëbimin e dhunshëm të banorëve të fshatit Ivajë dhe djegien e shtëpive të tyre. Ai gjithashtu akuzohet për torturimin brutal dhe trajtimin çnjerëzor të 13 civilëve shqiptarë brenda stacionit policor në Kaçanik.

Ndërsa autoritetet në Serbi e kanë cilësuar arrestimin si “politik”, drejtësia në Kosovë ka intensifikuar kohët e fundit ndjekjen e krimeve të luftës, ku vetëm gjatë muajit mars u dënuan dy ish-pjesëtarë të tjerë të forcave serbe me 15 dhe 7 vite burgim. Prej përfundimit të luftës, ku u vranë mbi 13 mijë civilë, dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

Continue Reading

Rajoni

Rama: Kush thotë se sot ka më shumë korrupsion, flet përçartë

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pretendimet për rritje të korrupsionit në Shqipëri janë të pabaza dhe nuk përkojnë me realitetin.

Gjatë një aktiviteti për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, kreu i qeverisë theksoi se vendi i ka shpallur luftë korrupsionit si asnjëherë më parë, falë reformave që kanë garantuar pavarësinë e drejtësisë.

Sipas Ramës, raportet e ndryshme ndërkombëtare që bazohen në anketime shpesh kanë boshllëqe, ndërsa i vetmi dokument që bën një analizë rigoroze është ai i Komisionit Evropian. “S’mund të ketë korrupsion në rritje kur ka shumë më shumë përfitues nga garat publike.

“Këto janë fakte,” u shpreh kryeministri, duke shtuar se forca qeverisëse ka udhëhequr procesin që i ka çliruar duart institucioneve ligjzbatuese.

Continue Reading

Lajmet

Policia konfiskon mbi 1200 palë xhinse në Banjskë

Published

on

By

Një aksion i përbashkët i Policisë dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar me konfiskimin e një sasie të madhe të mallit të kontrabanduar në zonën e fshatit Banjskë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, njësitet policore kanë vënë në ndjekje një automjet pa targa që lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugët malore, i cili më pas është gjetur i braktisur nga personat e dyshimtë.

Brenda veturës, policia gjeti 32 thasë me gjithsej 1217 palë pantallona xhins dhe mbi 300 rripa, të cilët po transportoheshin ilegalisht.

Përveç mallit, në automjet u gjetën edhe një palë targa të Serbisë, një radiolidhje dhe një kanistër me naftë.

Malli i konfiskuar i ka kaluar Doganës së Kosovës, ndërsa me udhëzim të prokurorit, rasti po vazhdon të hetohet.

Continue Reading

Të kërkuara