Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 3 mars, në vitet ‘90

Published

on

3 mars 1993

Lajmi kryesor nga politika:

Kryetari Rugova përkrah qëndrimin e kryetarit amerikan Klinton

Kjo është përmbajtja e lajmit: “Kryetari i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova, përshëndeti qëndrimin më të ri të presidentit të SHBA-së Bill Klinton, lidhur me situatën represive në Kosovë, drejtuar kryetarit serb Millosheviq. Zoti Rugova, tha se ky është hap konkret, për ndërprerjen e dhunës dhe parandalimin e konfliktit në Kosovë. Gjithashtu, është përkrahje rezistencës paqësore të popullit të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari Rugova, presidentit amerikan Bill Klinton, i dërgoi letër falënderimi”.

Lajme të tjera: Dr.Ibrahim Rugova i dha një intervistë gazetares frënge Emanuel Rezhy. Theksoi:  Jam për pavarësinë e Kosovës

Lajmet pasqyrojnë dhunën e përditshme ndaj shqiptarëve.

Titujt: Të rinjtë shqiptarë dërgohen me dhunë në kazerma ushtarake; Në Llaushë të Podujevës policia serbe arrestoi një veprimtar; Një grup huliganësh pengon mësimin në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kodrën e Trimave; Dy të rinj të plagosur në kufirin Shqipëri – Kosovë; Në Hoqë të Madhe ushtrojnë civilë serbë

Njoftohet gjithashtu se në Prishtinë do të ndërtohen 300 shtëpi për profesorët serbë të Universitetit të Prishtinës.

 

3 mars 1994

Të pashmangshme lajmet për dhunën serbe ndaj shqiptarëve. Njoftohet për lëvizjet e ushtrisë serbe në fshatra të Prishtinës e të Podujevës.

Në Istog, forca të mëdha të policisë serbe bllokuan tregun e gjelbër

Në Podujevë, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe bastisi familjen e Kadri Fazliut në Llaushë të Podujevës. Bastisje pati edhe në fshatin Obrançë. Ndërsa, dy persona të panjohur thyen dyert e shkollës fillore “Naum Veçilharxhi” në Llapashticë të Epërme

Në Prishtinë, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi familjen e Abdyl, Sylejman dhe Ferat Berishës në fshatin Siçevë.

Në Mitrovicë u bastisën familjet e Muhamet, Brahim, Shahin e Adem Sadikut, si dhe atë të Nazmi Osmanit në fshatin Rushan. Gjatë bastisjes, policët rrahën brutalisht, Muhamet Sadikun.

Në Obiliq, policia serbe bastisi familjet e Azem dhe Salih Krasniqit në fshatin Sibovc.

Në Viti, policia serbe arrestoi vëllezërit Milazim dhe Naser Hasani në fshatin Radivojc, ndërsa

arrestoi edhe Xhavit Avdylin në fshatin Beguncë.

Në Skënderaj, në mungesë të Muharrem Veliqit u mor peng i vëllai.

 

3 mars 1997

Lajmi kryesor vjen nga Shqipëria, ku Parlamenti i Shqipërisë vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë Shqipërinë për shkak të pasojave të dhunës së përdorur nga grupe të ndryshme të armatosura në disa qytete të jugut të Shqipërisë.

Po në këtë ditë, Sali Berisha u rizgjodh president i Shqipërisë.

Ndër lajme të tjera, njoftohet se tre shqiptarë u kthyen prapa në Gjermani nga aeroporti i Prishtinës, si dhe se një serb nga fshati Pogragjë i Klinës vrau dy pleq serbë dhe ua plaçkiti 30 mijë marka.

 

3 mars 1998

Lajmi kryesor: Dhjetë anëtarë të familjes Ahmeti dhe dy mysafirë viktima të terrorit shtetëror serb në Drenicë.

Përmbajtja e lajmit: Sot definitivisht u mor vesh se gjatë ekspeditës terroristike kundër shqiptarëve të disa fshatrave në Drenicë, forcat serbe kishin masakruar dhe pastaj kishin vrarë më 28 shkurt në Likoshan 10 anëtarë të familjes Ahmeti dhe dy mysafirë të kësaj familjeje.
Nga morgu i spitalit të Prishtinës që administrohet nga serbët e instaluar, ku ishin mbajtur kufomat prej datës 28 shkurt, sot u morën trupat e Ahmet Ahmetit (1948), Gani Ahmetit (1952), Elmi Ahmetit (1954), Hamëz Ahmetit (1954), Driton Ahmetit (1975), Naim Ahmetit (1976), Lumni Ahmetit (1978), Shemsi Ahmetit (1979), Basri Ahmetit (1979), Elhami Ahmetit (1982) që të gjithë nga Likoshani dhe të Behram Fazliut (1948) e Shaban Mujës (1967) nga Gradica.

Lajmet e tjera: Forcat serbe kanë ndalur një kolonë që është nisur për varrim në Qirez; Ndalohen gazetarët në Komoran; Përforcime të policisë në Podujevë; Në ditë zie, policia urdhëron të lëshohet muzika; Në drejtim të Skënderajt shkuan forca të mëdha policore; Mbi 150 të lënduar kërkuan ndihma në klinikat private në Prishtinë; Përforcime në stacionin policor në Kliçinë; Të shtëna enigmatike në Ratish të Deçanit: Igballe dhe Artan Tahirajt të plagosur, një serb i vrarë.

Lajmi kryesor nga politika: Dr. Rugova kërkon urgjentisht nga SHBA-të dhe BE-ja hapa preventivë në Kosovë.

Jepet edhe një Deklaratë e Stejt Departamenti Amerikan për ngjarjet e fundit në Kosovë.

Njoftohet se Britania e Madhe kërkon sanksione të reja kundër Beogradit. Gjithashtu, se

Qeveria franceze dënon dhunën në Kosovë gjatë ditëve të fundit.

Nga terreni, njoftohet se forca të mëdha policore kanë shkuar drejt fshatit Ratishë e Poshtme e Deçanit.

Gjithashtu, njoftohet se në Pejë, policia rrahu disa qytetarë, ndërsa në Podujevë mbrëmë u dëgjuan  të shtëna armësh rreth një orë e gjysmë

Në Klinë, policia po keqtrajton qytetarët, ndërsa në Vushtrri ka forca të shtuara të policisë.

Edhe në Prizren policia ndalon qytetarët.

Ndërkohë, bëhet me dije se policia pengoi shkuarjen e delegacioneve të partive dhe gazetarët në Qirez.

Në edicionet e lajmeve të pasdites janë edhe këto lajme: Pesë mijë shqiptarë protestuan në Shtutgrad; NATO: Kosova është problem ndërkombëtar; Policia keqtrajtoi sot babë e bir në lagjen Kurrizi në Prishtinë; Krisma të pasqaruara në Kçiq të Madh; Policia keqtrajton në Shipol secilin kalimtar; Në Suharekë policia shpërndau defileun e nxënësve; Pikëllim e revoltë në mesin e studentëve për vrasjen e dy kolegëve të tyre në Qirez e të tjera.

Në kushtet e vështirësive të mëdha për sigurimin e lajmeve nga terreni, në mbrëmje u njoftua se në Qirez u varrosën 24 viktima të terrorit serb.

Një njoftim thuhet: ‘Në praninë e disa qindra mijëra qytetarëve nga Drenica dhe anë të ndryshme të Republikës së Kosovës, në Qirez sot u varrosën: katër vëllezërit, Beqir Sejdiu, Bekim Sejdiu, Bedri Sejdiu e Nazmi Sejdiu, bashkëshortët Xhemshir Nebiu e Rukije Nebiu, Muhamet Islam Gjeli (70) dhe djali tij Naser Gjeli (37), Rexhep Ajet Rexhepi, që të gjithë nga Qirezi, Ahmet Ahmeti (1948), Gani Ahmeti (1952), Elmi Ahmeti (1954), Hamëz Ahmeti (1954), Driton Ahmeti (1975), Naim Ahmeti (1976), Lumni Ahmeti (1978), Shemsi Ahmeti (1979), Basri Ahmeti (1979), Elhami Ahmeti (1982) që të gjithë nga Likoshani dhe Behram Fazliu (1948), Shaban Muja (1967) nga Gradica.

Dje në vendlindjen e tij u varros Bekim Beqir Deliu (16), i vrarë pardje nga të shtënat nga snajperi në Skënderaj.

Emrat e dy viktimave të tjera nuk janë njoftuar ende.

Në varrim morën pjesë mbi njëqind mijë njerëz”.

 

3 mars 1999

Lajmet kryesore kanë të bëjnë me zhvillimet në terren:

Vushtrri: Forcat serbe granatuan Oshlanin; Mitrovicë: Forcat serbe granatuan mbrëmë pozicionet e UÇK-së; Prizren: Pothuaj çdo ditë gjendet nga një i vrarë; Kaçanik: Ende nuk dihen pasojat e sulmeve serbe ndaj fshatrave shqiptare; Të rinjtë serbë sulmuan nxënësit shqiptarë në Mitrovicë;

Klinë: Gjatë ofensivave serbe janë shkatërruar gjysma e vendbanimeve shqiptare; Edhe sot ka pasur të shtëna drejt fshatrave të Hanit të Elezit; Forcat serbe granatuan disa fshatra të Vushtrrisë e Mitrovicës; Gjakovë: Policia serbe varrosi me dhunë Shani Thaçin nga Rogova; Gjakovë: Në Trakaniç u gjet një i vrarë; Policia serbe po arreston dhe po i keqtrajton qytetarët në disa fshatra të Obiliqit; Prishtinë: Policia serbe arrestoi një të ri shqiptar; Në Osek Hylë u varros Sylejman Bajrami; Kërkohet i riu Ramiz Zymberi.

Lajmet e pasdites ishin këto: Mitrovicë: Dy shqiptarë u gjetën të mbytur; Në periferi të Rahovecit u gjet i vrarë Gani Hajda; Vazhduan mitralimet drejt Pustenikut të Hanit të Elezit; Gjendje parashpërthyese në Skënderaj dhe rrethinë; Në Gjakovë mbërrijti një konvoj i forcave serbe; Sot në Gjakovë varroset Albesian Mataj;

Në Bishtazhin policia serbe arrestoi dy shqiptarë; Pejë: Një shqiptar u dënua me 3 vjet e gjysmë burg; Han i Elezit: Dje u vra një rreshter i ushtrisë jugosllave; Ferizaj: Në Koshare policia serbe arrestoi një shqiptar nga Mollopolci; Në Ferizaj arritën dy autobusë me policë serbë; Obiliq: Në Milloshevë policia serbe konfiskoi 5 metra kub dru të SHHB “Nënë Tereza”.

Në mbrëmje u publikuan edhe këto lajme: Han i Elezit: Në Bush të Epërm forcat serbe granatuan e dogjën 13 shtëpi shqiptare; Istog: Një serb nga Vitomirica e Pejës kidnapoi një shqiptar nga Duboviku i Deçanit; Në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq u gjetën dy shqiptarë të vrarë.

Continue Reading

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara