Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 26 mars, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

26 mars 1993

Lajmet kryesore:

Serbët bëjnë gara me ekstremizëm ndaj Kosovës;

Dr.Sali Berisha: Kosova të vihet nën mbikëqyrjen e NATO-s;

Diplomatët bullgarë në Prishtinë;

Prani e ushtarakëve serbë në Llazicë të Malishevës;

Nga Norvegjia në burgun serb!;

U mbyll manastiri i Deçanit;

PEN Qendra Daneze organizoi debat me temën: “Çka pas Jugosllavisë?”;

Dejvid Ouen: Problemi i Bosnjës nuk mund të zgjidhet pa presion ushtarak kundër Serbisë;

Ushtria serbe mbajti tubim taktiko-teknik në Pejë;

Bullgaria i frikësohet luftës dhe pret ndihmë nga Turqia.

 

26 mars 1994

Lajmet kryesore:

Dr.Ibrahim Rugova: Kemi legjitimitetin e popullit dhe jemi të detyruar ta mbrojmë vullnetin e tij;

Serbët e lanë Kosovën sot pa gazetën “Bujku”;

Një delegacion i Dumës ruse u kërcënohet shqiptarëve në Kosovë;

Shaip Beqirit iu vërtetua dënimi prej dy muajsh burg;

KMDLNJ proteston kundër dënimit të Shaip Beqirit;

Si njoftojnë gazetat serbe për dënimin e Shaip Beqirit;

Dr. Zekeria Cana nxirret përsëri në gjyq të hënën;

Reagim i KMDLNJ kundër torturimit të të burgosurve shqiptarë në Burgun e Qarkut në Mitrovicë;

Akademik Rexhep Qosja u ndëshkua me marrje të pasaportës për 3 vjet;

Gjykata ushtarake në Nish dënoi Blerim Sejdiun me 5 muaj burg;

Në teatrin “Dodona” shfaqet premiera e filmit artistik “Era e mollës”;

Amnesty International: Jugosllavia – shqiptarët etnikë – gjykimet me kërbaç.

 

 

 

Represioni i policisë serbe në Kosovë

Vushtrri: – Më 24 mars, rreth orës 17, një ekspeditë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Fehmi, Fadil dhe Faik Maxhunit dhe atë të Halim Aliut në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë. Policia serbe në shtëpinë e Fehmi Maxhunit gjeti një revole, ndërsa personat e lartëshënuar i urdhëroi që të paraqiten në stacionin e policisë në Vushtrri dje në orën 8.

Dje, policia serbe ndërhyri në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri me ç’rast ndërpreu përvjetorin e ditës së shkollës, kurse të gjithë arsimtarët i futën në një koridor. Policia mori me vete drejtorin e kësaj shkolle, Izet Morinën të cilin e dërguan në Gjykatën komunale serbe në Vushtrri, me ç’rast e fyen në baza kombëtare.

Dje policia serbe arrestoi Isak Pllanën (33), kryetar i Aktivit të LDK-së në Balinc të Vushtrrisë. Isak Pllana po mbahet ende në arrest.

Podujevë: -Pardje rreth orës 11, një ekspeditë e polcisë serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Ali Jupollit në fshatin Shajkovc të Podujevës. Policia mori në rrugë disa kalimtarë të rastit, të cilët i detyroi që të hapin gropa në oborrin e Aliut, gjoja për t’i zbuluar armët e fshehura.

Pas dy orë bastisjeje, policia mori me vete Ali Jupollin, i cili ende gjendet në arrest.

Obiliq: Tash tetë ditë, Vehbi Mjeku nga Grabovci i Epërm i Obiliqit, po mbahet në Burgun e Qarkut në Prishtinë. Vehbi Mjeku u arrestua më 18 mars rreth orës 16, ndërsa Gjykata e instaluar serbe në Prishtinë, ende nuk ka dhënë kurrfarë shpjegimi lidhur me arrestimin e tij.

Dje, rreth orës 6 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Tahir Krasniqit nga fshati Shipitullë i Obiliqit. Pas bastisjes policia mori me vete djalin e tij, Muhamet Krasniqin dhe ai ende po mbahet në arrest.

Istog: Pardje, prej orës 8 deri në orën 9.40, policia serbe në Istog mori në pyetje Hazbi Bajrajn, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Istog. Policia u interesua të dijë nga Hazbiu se kush e organizoi kontrollin mjekësor të nxënësve të kësaj komune, qeveria apo LDK.

Gjakovë: – Më 22 mars, rreth orës 5 të mëngjesit, forca të mëdha të policisë serbe rrethuan dhe bastisën familjen e Bajram Sh.Bajramit (63), Xhemë Rrustemit dhe ato të Idriz e Qazim Shabanit, në fshatin Babaj i Bokës të Gjakovës.

Pas bastisjes, personat e lartëshënuar u mbajtën mbi 30 orë në stacionin e policisë në Gjakovë dhe bëhet me dije se janë rrahur brutalisht.

Gllogovc: – Tash tre ditë, nën pretekst të dorëzimit të armëve po mbahet në polici, Istref Cakiqi nga fshati Tërstenik i Gllogovcit.

Dje, rreth orës 10, u mor në pyetje në stacionin e policisë në Gllogovc, Hajredin Gashi nga Vërbovci, nga i cili policia serbe kërkoi që të dorëzoi armë.

Skënderaj: – Sot rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe, bastisi familjen e Shaqir Hamzajt në Runik të Skënderajt. Në shtëpinë e Shaqir Hamzajt policët gjetën një revole.

Pas bastisjes, policia mori me vete vëllezërit Elmi dhe Ejup Hamzaj, të cilët ende po mbahen në arrest.

Pardje, në fshatin Plluzhinë të Skënderajt, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Musli Sylës, Mehmet Bilallit, Rexhë Ferizit dhe Hasan Tahirit. Të lartëpërmendurve policia ua la ftesat që të paraqiten në stacionin e policisë në Skënderaj.

Bëhet me dije se bastisje nën pretekst të kërkimit të armëve pati edhe në fshatin Obri, me ç’rast u bastis familja e Halil Asllanajt, kurse në Makermal familja e Shaqir Asllanit.

Viti: – Pardje, rretrh orës 12, policia serbe bastisi familjen e Zylfi S.Agushit në fshatin Smirë të Vitisë. Meqë Zylfiu dhe bashkëshortja e tij nuk i shin në shtëpi, policët bastisën shtëpinë vetëm në praninë e fëmijëve të tij, me ç’rast thyen dhe demoluan shumë orendi, si dhe rrahën vajzën 9-të vjeçare Malësore Agushin, gjoja për të treguar se ku gjendet automatiku i babait të saj. Bëhet me dije se Malësorja dhe fëmijët tjerë të Zylfi Agushit kanë pësuar trauma nga dhuna e policisë serbe, si dhe nga mungesa e prindërve të tyre.

Të njëjtën ditë u bastis e dhe familja e Gani Agushit në të njëjtin fshat, me ç’rast policia serbe edhe në shtëpinë e tij theu e demoloi shumë orendi.

Mitrovicë: – Këto ditë në vendkalimin kufitar në Han të Elezit, policia serbe ia plaçkiti 2.300 marka gjermane, Bedrije Kurtajt nga Mitrovica.

Pardje, rreth orës 10, policia serbe hyri në shkollën fillore “Hivzi Sylejmani” në Mitrovicë, dhe kërkoi nga drejtori i kësaj shkolle, Isuf Maliqi që të paraqitet në stacionin e policisë në Mitrovicë në orën 11, së bashku me shtëpiakun e kësaj shkolle, Ferat Vidishiqin.

Dje rreth orës 12, policia serbe ishte në shtëpinë e Sejdi Bekës në fshatin Kçiç i Masdh, për të kërkuar Mexhid Bekën, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Kçiç të Madh. Policia mori me vete Mexhid Bekën, me ç’rast e mori në pyetje rreth një orë dhe atë e liroi me kusht që të lajmërohet sërish në stacionin e polcisë në Mitrovicë më 28 shkurt në orën 8.

 

26 mars 1995

Lajmet kryesore:

Tubime madhështore të shqiptarëve në disa vende evropiane dhe në Australi e Kanada;

Fatmir Sejdiu: Tubimet e shqiptarëve flasin për këmbëngulësinë tonë për liri e pavarësi.

 

 

26 mars 1997

Lajmet kryesore:

Aktorja e njohur Liv Ulman rreth vizitës në Kosovë;

Avokates N. Kelmendi nuk iu lejua të vizitojë në burg Shukrie Rexhën;

Shtypi amerikan: Perëndimi nuk po e vëren grushtshtetin tinzar komunist;

Kamionët nga Shqipëria sërish dëmtojnë rrugët dhe infrastrukturën në Anë të Malit;

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë u takua me komandantin e Flotës së gjashtë amerikane;

Tiranë: Policia arreston të ikur nga burgu dhe kryes të vrasjeve;

Ndërpritet vërshimi i refugjatëve shqiptarë në Itali;

UP dhe Universiteti i Trieshtës nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim;

BI e Kosovës apelon të mos blehet oborri i medreses “Alaudin”;

Reagim i organeve dhe institucioneve të Gjilanit kundër ngritjes së kompleksit të qendrës tregtare.

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Podujevë: – Më 20 mars, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpitë e Sahit S.Gashit e Bajram H.Gashit në Dobërdol, si dhe kërkoi për të tretën herë në shtëpinë e tij në Dumnicë Ilmi Rexhepin.

Më 25 mars, në biseda informative u morën Nazlie, Skender, Ilir e Fatmir Haxhiu dhe Sadri Hoxha. Në polici ata u pyetën rreth rastit të plagosjes së pasqaruar të një polici serb që ndodhi të premtën e kaluar në Podujevë. Fatmiri u keqtrajtua fizikisht. Rreth këtij rasti në pyetje u mor edhe Rexhep Hoti nga Bradashi ndërsa, më 24 mars, me të njëjtin pretekst u keqtrajtua rëndë Ajet Rexhepi (19).

Më 25 dhe 26 mars, në bisedë informative u mor Bekim Restelica nga Podujeva.

Më 26 mars, u urdhërua që të paraqiten në polici Ismet e Fehmi Gashi dhe Mevlan Jusufi që kanë dyqanet në afërsi të vendit ku ndodhi plagosja e policit serb.

Më 25 mars, për herë të pestë u mor në pyetje nga inspektorët serb në Prishtinë, Mentor S.Sylejmani nga Sfeçla. Atij iu morën leja e njoftimit dhe pasaporta dhe u urdhërua që sot të paraqitet në polici së bashku me Avni Islamin nga Dumnica, i cili edhe më herët është marrë në pyetje dhe është keqtrajtuar.

Mentori dhe Avniu janë studentë të Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik në Mitrovicë.

Mitrovicë: – Më 23 mars, policia serbe mori në shtëpinë e tij Isuf Barkun (20) në fshatin Vaganicë. Ai në stacionin e policisë në Mitrovicë u mbajt rreth tri orë dhe u keqtrajtua rëndë, me pretekst se një vijë e ujit që kalon përmes oborrit të tij e ka dëmtuar asfaltin.

Obiliq: – Po këtë ditë, policia serbe bastisi shtëpinë e Sadullah Zymberit në fshatin Bakshi për të kërkuar Hilmi Zymberin, i cili gjendet në botën e jashtme.

 

 

Në Siqevë afër Klinës u vranë dy shqiptarë e u plagos një tjetër

 Dje pasdite afër fshatit Siqevë të komunës së Klinës nga prita me pushkë automatike persona të panjohur vranë Isuf Halitajn dhe Fehmi Hazirajn, kurse plagosën Mehmet Gashin, shkruan gazeta serbe “D.telegraf”. Sipas kësaj gazete dy të vrarët dhe i plagosuri gjoja na qenkan të njohur si qytetarë lojalë të Serbisë dhe se atyre me muaj u janë kërcënuar “terroristët” me likuidim, sepse i paskan shpallë tradhtarë të popullit.

Sulmi u krye në një rrugë të fshatit afër Klinës nga pusia në të dy anët e rrugës. Në makinën që po kalonte u shtie me armë nga të dy anët dhe në vend mbetën të vdekur I.Halitaj dhe F. Haziraj, njofton kjo gazetë.

Burimet shqiptare në Klinë nuk kanë njoftuar asgjë për këtë rast. Përkujtojmë se disa javë më parë mediumet e Beogradit, duke u mbështetur në organet e instaluara serbe e patën shpallë si qytetar lojal ndaj Serbisë një person të vrarë në rrethana të pasqaruara në një fshat të Skënderajt. Kundër kësaj dezinformate, patën reaguar me sqarime familja e të ndjerit dhe aktivistët e LDK-së në fshat, duke e cilësuar atëherë dezinformatën si përpjekje për të futur përçarje në mesin e shqiptarëve.

 

Foto: Klina

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara