Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 20 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

20 prill 1993

Lajmet kryesore:

Grupe serbësh nga Krushevci “vizituan” fshatin Petrovc të Kamenicës

Autoritetet serbe u kërcënohen zejtarëve shqiptarë në Malishevë

“Der Spigel”: Aeroplanët serbë përgatiten për “operacionin e frontit të Jugut”

Në Tielt të Belgjikës mbahet java kushtuar Kosovës

Colombo kërkon intervenim ajror në caqet ushtarake të serbëve në Bosnjë

Lëvizje të shtuara të ushtrisë

 

 

20 prill 1994

Lajm i plotë:

Klintoni paralajmëron ashpërsimin e sanksioneve kundër Serbisë

Kryetari i SHBA-ve Bill Klinton, pas një mbledhjeje me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ku u diskutua lidhur zhvillimet më të reja në Bosnjë e Hercegovinë, sidomos në Gorazhdë, paralajmëroi se SHBA-të do të angazhohen për bombardime të pozicioneve serbe në Bosnjë dhe për ashpërsimin e sanksioneve kundër Serbisë.

 

Lajme të tjera:

Forcat serbe me të shtëna armësh shqetësojnë banorët e Dumoshit e Batllavës

Greqia e vetmuar vazhdon të përkrahë politikën serbe

Komunistët maqedonas kundërshtojnë praninë amerikane në Maqedoni

Represioni në Kosovë

Valë e re represioni kundër shkollës shqipe në Deçan

Policia serbe ishte edhe në SHF “Emin Duraku” në Likovc të Skënderajt

Serbia aplikon taktikën e marrjes së kalasë nga brenda edhe në sportin e Kosovës

Filluan garat e sezonit pranveror të Ligës Republikane të Kosovës në futboll

U caktuan pjesëmarrësit për turneun e lojës shtesë në ping-pong

 

 

20 prill 1995

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova u takua me ministrin Serreçi

Kosova në bisedimet në mes delegacionit të Këshillit të Evropës dhe autoriteteve të Beogradit

Uashingtoni parasheh izolimin e Serbisë për 30 vjet

Dy deputetë shqiptarë u nisën për Lisbonë

Ministria e Arsimit njofton se këtë vit nuk do të ketë pushim pranveror

Prokuroria serbe filloi hetimet kundër 12 funksionarëve lokalë në Kaçanik

Dje në Pejë filloi edhe një proces i montuar politik

Në Korishë të Prizrenit policia arrestoi tre të rinjë shqiptarë

Në Prizren u përurua ambulanca e dytë e SHHB “Nënë Tereza”

Dhuna e përditshme në Kosovë

Selim Krasniqi u lirua nga burgu

Policia ndërpreu turnirin në futboll të vogël

 

Lajm i plotë:

Në Gjilan sërish u shty gjykimi kundër policëve që vranë Zejnullah Rashitin

I riu Zejnullah Rashiti nga fshati Velekincë i Gjilanit, u vra më 15 dhjetor të vitit 1991 nga një patrullë e policisë serbe në Livoç të Ulët.

Policët kanë thënë se e vranë këtë të ri për shkak se ai nuk kishte pranuar t’i nënshtrohej legjitimimit.

Për dje qe caktuar seanca e dytë në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, për shkak se në seancën e parë më 23 mars të këtij viti, mungonte njëri nga të akuzuarit, Nenad Llakiçeviq nga Baçka Topolla, i cili mungoi edhe dje.

Gjykimi u shty sërish për datën 18 maj të këtij viti, përkundër vullnetit të anëtarëve të familjes Rashiti dhe avokatit Hasan Hoti, i cili sërish qëndroi pranë kërkesës për zgjerimin e hetimeve edhe ndaj policit tjetër Dobrivoje Periq nga Ranilluku, për tentim vrasjeje, sepse ai ishte i pari që plagosi në këmbë të ndjerin Zejnullahu. Prokurori e ka refuzuar këtë kërkesë të mbrojtësve.

 

20 prill 1998

Edicioni i parë (Ora 15:30)

Lajm i plotë: 

Gjendje dramatike në Deçan e rrethinë

Nënkryetari i Degës së LDK-së në Deçan, Sali Cacaj, dhe kryetari i Komisionit për Informim, Osman Cacaj, i thanë sot QIK-ut se gjendja në komunën e Deçanit është dramatike dhe se të gjitha shenjat flasin për parapërgatitjet e një sulmi masiv të forcave serbe kundër shqiptarëve.

Nënkryetari i Degës thotë se tash e disa ditë ushtarët serbë po përforcohen në vendin e quajtur Podi i Gështenjave, që gjendet mbi Shtëpinë e Shëndetit në Deçan. Në këtë vend më parë vendoseshin vëzhguesit e Kosovës.

Dëshmitarët thonë se tash te Podi i Gështenjave janë vendosur forca të mëdha të ushtrisë serbe, disa qindra ushtarë me maska në fytyrë dhe me rroba të larme si edhe armatime të shumta, duke përfshirë edhe topa të kalibrit 200 milimetra.

Podi i Gështenjave është një vend i ngritur, prej të cilit shihet si në shuplakë të dorës pjesa rrafshinore, respektivisht mund të vëzhgohet një hapësirë e gjerë e territorit të Rrafshit të Dukagjinit, nga Klina deri në Gjakovë. Vendosja e ushtrisë në këtë vend është pjesë e taktikës së njëjtë që u përdor në Bosnjë e Hercegovinë para fillimit të agresionit të armatosur serb.

Osman Cacaj, kryetar i Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Deçan, thotë se afër ushtarëve te Podi i Gështenjave janë vendosur edhe disa qindra serbë që u larguan nga shtëpitë e veta nga fshatrat e Deçanit. Civilët serbë janë vendosur në ish-pushimoren e fëmijëve të Kosovës, afër manastirit të Deçanit.

Pavarësisht se çka flitet e shkruhet në mediumet serbe, banorët malazezë e serbë nuk kanë pasur kurrëfarë presioni nga fqinjët e tyre shqiptarë. Në këto anë ka dominuar gjithmonë një kujdes dhe njerëzi ndaj fqinjëve serbë e malazezë, pavarësisht se ata kanë ardhur si kolonistë. Vlerësohet se largimi i tashëm i malazezëve e serbëve nga shtëpitë e veta dhe vendosja në ish-pushimoren e fëmijëve është bërë me urdhërin e regjimit serb.

Civilë malazezë dhe pak serbë ka në qytetin e Deçanit. Llogaritet se ata brenda pak minutash mund të strehohen në ish-pushimoren e fëmijëve.

Në funksion të krijimit të psikozës së sulmit serb janë edhe disa pohime që u referohen malaziasëve nga Deçani. Ata u kanë sugjeruar personave shqiptarë me lidhje familjare me malazezët, që t’i evkuojnë fëmijët, ngase pritet sulm i shpejtë kundër vendbanimeve shqiptare. Thuhet se fëmijët e disa familjeve shqiptare të përziera nuk po i vijojnë qe disa ditë mësimet në shkollat shqiptare si deri më tash.

Gjendja në Deçan dhe në rrethinë u ashpërsua në mënyrë dramatike pas sulmit serb në fshatin Glloxhan më 24 mars, kur u vranë tre të rinj të këtij fshati e disa të tjerë u plagosën.

Për shkak të akteve të pandërprera kriminale të policisë serbe, përmes bastisjeve të shtëpive, keqtrajtimeve e torturimeve më të tmerrshme të njerëzve në prani të familjes, në rrugë e në stacionet e policisë, për shkak të marrjeve në polici dhe të mbytjes me torturë, siç ndodhi me Ismet Gjocajn, sidomos pas sulmit masiv nëpër shtëpitë e Glloxhanit, vrasjes së tre të rinjve të këtij fshati, deçanasit frikësohen se edhe ata mund ta masakrohen si bashkëfshatarët e tyre në Glloxhan ose bashkatdhetarët e tyre në Drenicë.

Në emër të qytetarëve të kësaj komune, Dega e LDK-së dhe degët e partive të tjera u kanë bërë shumë apele faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë urgjentisht për të shmangur një sulm të ri të forcave serbe dhe terrorin e përditshëm.

Në mungesë të masave konkrete për të parandaluar një masakër të ri, deçanasit kanë kërkuar dhe kërkojnë mënyra për t’u vetorganizuar me qëllim që të evitojnë vetë pasojat e një masakre dhe të një sulmi serb, i cili paralajmërohet tash e një kohë të gjatë.

Vlerësohet se forcat serbe e zgjerojnë me qëllim konfliktin nga pjesa qendrore e Kosovës në komunën e Deçanit, që gjendet në kufi me Shqipërinë. Ky mjedis ka përvojë të hidhur gati njëshekullore me masakrimet e forcave serbe. Mirëpo, edhe të vjetrit rrëfejnë se forcat e sotme serbe po ua kalojnë me mizori të gjitha regjimeve dhe të gjitha xhandarmërive serbe të deritashme.

Në Deçan, thonë ata, janë bërë masakrime të popullsisë qysh prej hyrjes së ushtrisë serbe më 1912. Masakrat e krimet kishin për qëllim shfarosjen e një pjese të popullsisë dhe dëbimin e pjesës tjetër. Në këtë anë janë kryer aktet më mizore të terrorit, duke përfshirë edhe përpjekjet për konvertimin e shqiptarëve në fe ordotokse serbe. Nga kujtesa nuk mund të shlyhen tmerret nga fushatat për dëbimin e shqiptarëve në Turqi para Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet pesëdhjetë, aksionet e torturimit të shqiptarëve me pretekst të kërkimit të armëve para Luftës së Dytë Botërore, pastaj më 1956 dhe së fundi prej vitit 1981 e deri më sot, marrja e tokës dhe kolonizimi serb, e tjerë. Deçani me 55. 000 banorë ka qenë në shënjestër të terrorit serb edhe në vitet e fundit. Vetëm prej vititi 1989 forcat serbe kanë vrarë në këtë komunë 21 shqiptarë, kryesisht të rinj.

Drejtuesit e Degës së LDK-së në Deçan thonë se pas shumë masakrave në Kosovë, sidomos muajt e fundit në Drenicë dhe në Glloxhan, ku forcat serbe tentuan të likuidonin familje shqiptare, dhe pas njoftimeve se në Kosovë operojnë edhe banda të ndryshme paramilitare serbe, në këtë komunë sundon një gjendje frike. Megjithëse të njohur për punën e tyre të madhe në bujqësi e kopshtari, sivjet fare pak shqiptarë kanë punuar tokën. Pasi kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e vet, njerëzit po mendojnë se si mund të organizohen për të pakësuar pasojat e ekspeditave serbe.

  1. Sali Cacaj thotë se Kryesia e Degës së LDK-së në Deçan është në gjendje mobile qysh nga sulmi i forcave serbe në Glloxhan. Në këtë komunë veprojnë edhe degët të disa partive të tjera dhe të asociacioneve. Te gjitha këto, menjëherë pas masakrës serbe në Drenicë, kanë formuar Këshillin e Krizës, mirëpo këshilli nuk ka mundur të tubohet më pas sulmit serb në Glloxhan.

Drejtuesit e Degës së LDK-së thonë se kanë informuar vazhdimisht dhe për të gjitha zhvillimet Kryesinë e LDK-së dhe kanë kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemeve e situatave të rënda, shpesh dramatike, me qëllim që të evitohet masakrimi i popullsisë dhe eskalimi i situatës.

Nga biseda me drejtuesit e Degës së LDK-së në Deçan fitohet përshtypja se politika e Kosovës nuk ka kërkuar dhe nuk ka ende përgjigjje për këtë situatë dhe për zhvillimet që pritet të ndodhin.

Ndërsa, në një sulm serb, pasojat në Deçan do të jenë të tmerrshme, thonë bashkëbiseduesit e QIK-ut. Dendësia e popullsisë dhe e shtëpive në këtë komunë është shumë e madhe, prandaj pasojat e sulmeve mund të jenë të tmerrshme, thonë ata.

Në fund, drejtuesit e aktivistët e Degës së LDK-së në Deçan përsërisin apelin drejtuar faktorëve ndërkombëtarë, udhëheqjes së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë që të bëjnë krejt çka duhet dhe çka është e mundur për të penguar eskalimin e gjendjes në këtë komunë.

 

Lajm të tjera:

Forcat serbe granatuan sërish dje Burojën, Kopiliqin e Turiqecin

Forca të mëdha ushtarake edhe në anën e Dushkajës së Gjakovës

Ushtria serbe rrethoi sërish dje fshatin Ponoshec

Në Shtime janë stacionuar forca të mëdha të ushtrisë serbe

Lëvizje të shtuara të forcave ushtarake në Gjilan dhe rrethinë

Në Suharekë parakaluan forca të ushtrisë serbe

Edhe në Prizren parakaluan forca të mëdha të ushtrisë serbe

Dy policë serbë janë plagosur në stacionin e policisë në Rahovec

Shetitjet protestuese në ditën e njëmbëdhjetë

Një delegacion i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Në Bruksel mbahet konferenca “Kosova, perspektiva dhe politika”, e organizuar nga ELDR

Kosova, temë e komentatorëve evropianë

Persona të panjohur, për katër ditë rresht, ndezën malet në Barilevë

Një person i maskuar qëlloi me thikë një vajzë 20- vjeçare

Enver Makolli u mbajt 7 orë në polici dhe u keqtrajtua rëndë

U plaçkitën udhëtarët nga Austria

A i rrahu dikush me të vërtetë tre serbë nga fshatrat e Deçanit?

Istog: Një i ri shqiptar shpëtoi falë gjeturisë nga likuidimi

Lipjan: Një qytetar u keqtrajtua dhe iu mor pasaporta

Nëpër Kijevë parakaloi një konvoj i ushtrisë serbe

Ministri i mbrojtjes Bullatoviq pohon se “ushtria jugosllave” po përforcon pozitat në kufirin Kosovë-Shqipëri

“Trepçën” vitin e kaluar e braktisën 1060 punëtorë

Shtërpcë: Gjendje e rëndë dhe me shenja të përkeqësimit

Presion në familjen e Hafir Shalës

Prizren: Të burgosurve shqiptarë u ofrohen për nënshkrim listat e referendumit serb për Kosovën

 

 

Edicioni i dytë (Ora 19:00)

Lajmet kryesore:

U arrestua Rifat Bejta, anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Skënderaj

“Albania”: Majtistët e Kosovës më në fund e pranojnë pluralizmin

Tanksat e ushtrisë serbe shkuan nga Ferizaji në Shtime

Lëvizje e shtuar e ushtrisë serbe në Klinë

Forcat ushtarake serbe u vendosën në kompleksin e Radoniqit

Radioja e Beogradit njoftoi për një “incidentin kufitar”

Mbrëmë u sulmua kolonia Baballoq me refugjatë serbë afër Deçanit

Infermieret shqiptare kërcënohen nga serbët

Të shtëna të vazhdueshme mbi fshatrat Resnik dhe Jelloc

Të rinjtë shqiptarë u keqtrajtuan në vendkalimin kufitar në Suboticë

Gjatë javës në Ferizaj u keqtrajtuan në forma të ndryshme nëntë persona

Drejtoritë e dhunshme penguan mësimin në shkollat fillore të Mitrovicës

Forcat policore serbe ndaluan dhe keqtrajtuan qytetarët shqiptarë

Foto: Deçani

Continue Reading

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara