Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 20 mars, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

20 mars 1993

 Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti këshilltarin e Ministrisë së Jashtme të Francës;

Këshilltari i Ministrisë së Jashtme të Francës bisedoi me përfaqësues të partive politike të Kosovës;

Uoren Kristofer: SHBA-të do të veprojnë vendosmërisht në rast të agresionit në Kosovë e Maqedoni;

Manfred Verner: Konflikti në Kosovë rrezikon paqen ndërkombëtare;

Pjesë nga komenti i ATSH-së rreth luftës propagandistike serbe;

Pesë refugjatë të Kosovës pësuan në Itali;

Në fshatin Llazicë të Malishevës u stacionuan rreth 100 ushtarakë serbë;

Edhe në Klinë parakalime të ushtrisë serbe;

Në Gjilan vazhdon arrestimi i veprimtarëve shqiptarë;

Nga shkolla e mesme teknike “Fan S.Noli” të Podujevës u konfiskuan rreth 20.000 litra naftë;

Në Torinë të Lipjanit u bastisën gjashtë familje;

“Die Presse”: Austria veçmas do të ndihmojë arsimin shqiptar;

Nënkryetari i Bosnjës thotë se sulmi serb në Kosovë vjen mbas rënies së Bosnjës;

Kryeministri i Serbisë paralajmëron aksion energjik në Kosovë;

Arkani – personifikim i klasës politike të gangsterëve në Serbi;

Policia e Malit të Zi i dëboi emigrantët që kishin ardhur nga Shqipëria;

Policia serbe thekson se zuri një bandë vjedhësish të veturave;

Francezët ofruan ndihmë profesionale ndërmarrjeve të dhunshme serbe në Kosovë.

 

 

Dr.Ibrahim Rugova: NATO-ja do të na mbrojë

 Presidenti i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova pas turneut diplomatik në SHBA, Bruksel, Paris, Romë dhe Tiranë, i dha një intervistë revistës “Zëri” të Prishtinës.

Pas kontakteve që patëm me administratën e re amerikane, tha dr.Rugova, u vërtetuam se ajo ka një disponim mjaft të mirë ndaj çështjes së Kosovës dhe një interesim të shtuar për rajonin. Ne kërkuam nga SHBA-të të parandalojnë konfliktin në Kosovë, sepse po të ndodhë konflikti atëherë mund të jetë vonë. Deklarata e presidentit amerikan Klinton është një mbrojtje për Kosovën dhe një inkurajim për shqiptarët, që të qëndrojnë në rezistencën e tyre.

Duke folur për konfliktin e mundshëm në Kosovë, kryetari Rugova tha se shqiptarët nuk mund të fillojnë konflikt në Kosovë, sepse janë tërësisht të paarmatosur dhe janë populli më i pambrojtur, ata mund të revoltohen dhe Serbia mund ta përdor këtë si alibi për të intervenuar, prandaj mendimet e tilla se shqiptarët po inkurajohen nga Amerika për të hyrë në luftë janë joserioze. Brengën e SHBA-ve për Kosovën duhet ta shprehin edhe evropianët.

Në Kosovë mund të ketë grupe që janë më radikale në kërkesat e tyre, pra fjala është për një radikalizëm verbal, por askush nuk ka mundësi të organizojë mbrojtje. Ne kemi kontroll mbi popullin, por nëse nuk gjejmë zgjidhje në bazë të referendumit dhe kërkesave politike, atëherë radikalizimi do të shënojë rritje.

I pyetur të komentojë planin e tij paqësor, kryetari Rugova tha se është fakt se preventivë e vetme e sigurt, që të mos ndodhë konflikti në Kosovë, është vendosja e Kosovës nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara. Kjo ide po depërton gjithnjë më shumë edhe në qarqet shtetërore diplomatike të Perëndimit dhe në vet OKB-në. Para nesh e shtrojnë çështjen e legalitetit të zgjedhjeve tona por ne ishim pjesë e ish-Jugosllavisë, e cila po ashtu nuk është legale, madje as vet Serbia nuk e ka njohjen ndërkombëtare. Po ashtu nuk mund të harrohet se Kosova ishte pjesë e ish-Federatës, kështu që ka legalitetin dhe legjitimitetin e vet edhe sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë por edhe sipas atyre ndërkombëtare. Ideja e protektoratit do të ishte vërtetë zgjidhje që do të çonte kah një zgjidhje fatlume.

Duke folur për pritjen që iu organizua kryetarit Rugova në Itali, ai tha se Italia është zgjuar dhe ka zënë të interesohet më shumë për shqiptarët dhe për Ballkanin. Ajo e njeh më së miri çështjen shqiptare dhe Ballkanin në tërësi, ishte pak a shumë anash deri tash dhe tani dëshiron të inkuadrohet në këto çështje si anëtare e BE-së, e NATO-s dhe si fuqi në rajon. Ndoshta, Italia interesohet më shumë për këtë zonë edhe me mandatin e OKB-së, tha Rugova dhe vazhdoi se mund të jetë që Italia të ndërmjetësojë midis shqiptarëve dhe serbëve, por po ashtu ajo interesohet edhe për shkak të lidhjeve ekonomike në rajon.

Kryetari i Republikës së Kosovës foli edhe për rolin e NATO-s në Ballkan dhe shtoi se ajo po merr një rol të ri në Evropë, por jo më si në kohën e luftës së ftohtë. Aksionet e NATO-s i shikoj si preventivë në këtë pjesë të Ballkanit… NATO do të jetë mbrojtëse dhe stabilizuese në rajon.

Lidhur me marrëdhëniet e NATO-s me Shqipërinë, Rugova tha se Republika e Shqipërisë do të bashkëpunojë ngushtë me NATO-n dhe sigurisht do të bëhet edhe anëtare e saj, por dihet se janë edhe disa kushte të cilat duhet t’i plotësojë një anëtare e këtij pakti. Sidoqoftë, tha dr.Rugova në intervistën dhënë “Zërit”, është me rëndësi që Shqipëria është ndër vendet e para të Lindjes që bashkëpunon në mënyrë intensive me NATO-n.

 

 

20 mars 1995

 Lajmet kryesore:

Ministri Serreqi: Statusi i Kosovës është çështje e bisedimeve në prani të palës së tretë;

  1. Zhulali: Të aftë për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit;

Kultura shqiptare në Festivalin XII të Emigracionit në Luksemburg;

Eksodi ndërpritet me shembullin personal;

Dhjetëra shqiptarëve nuk iu lejua hyrja në vendkalimin kufitar në Suboticë;

Dhuna e përditshme në Kosovë;

Mbledhja e Këshillit Profesional të Festivalit Kombëtar të Komedisë në Preshevë;

Shtypi serb për veprimtarinë private në Kaçanik.

 

 

20 mars 1997

Përmirësohet gjendja në Durrës

Balla: Përmirësohet furnizimi me artikuj të domosdoshëm në Tiranë

Ministria e Shëndetësisë bën apel për vazhdimin e vaksinimit të fëmijëve

Katër të vrarë gjatë ditës së djeshme në Shqipëri

 

Prishtinë, 20 mars (QIK)

Katër veta u vranë me plumba gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, njofton AFP, duke cituar burime të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Këta persona u vranë në Pukë, Korçë dhe Fier dhe në Tiranë, ndërsa pesëmbëdhjetë persona ishin vrarë një ditë më parë.

Këto viktima të reja e çojnë në më se 115 veta numrin e të vdekurve, që nga 28 shkurti.

 

Lajmet kryesore:

U rihap Aeroporti i Rinasit;

Banorët e Gjirokastrës kërkojnë mbrojtje prej bandave;

Shpëtoi nga përmbytja një anije me 350 shqiptarë;

Sovraniteti i Maqedonisë mbështetet mbi sovranitetin e qytetarëve;

Parlamenti i Maqedonisë miratoi deklaratën për marrëdhëniet ndëretnike.

 

 20 mars 1997

Lajmet kryesore:

Komiteti i Shpëtimit Mbarëkombëtar në mbrojtje të institucioneve demokratike;

Rezolutë e Unionit Kombëtar të studentëve danezë për arsimin në Kosovë;

Komitetit Danez për Kosovën nuk i lejohet vizita në Kosovë;

Rektori i UP-së priti diplomatët gjermanë;

Qeveria Shqiptare hodhi poshtë ultimatumin e rebelëve;

Shehu: Për organet legjitime, e jo komitetet e vetëshpallura;

BE e kushtëzon dërgimin e ndihmave në Shqipëri;

Brengosje për shkak të një vale të re të refugjatëve nga Shqipëria;

De Sharet: Evropianët të gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë;

Tirana kritikon qëndrimin e zëvendësministrit të jashtëm grek në Gjirokastër e Sarandë;

Qeveria analizoi punën dhe detyrat që i dalin SHIK‑ut;

Korçë: Merren masa për stabilizimin e situatës;

Në Shqipëri vazhdon dorëzimi i armëve;

U mor në pyetje një nxënës nga Kamenica;

Dhuna e përditshme në Kosovë;

U lirua nga burgu Halit Rama.

 

 

Autoritetet italiane shpëtuan 400 shqiptarë

 Prishtinë, 20 mars (QIK)

Autoritetet ushtarake të Barit kanë shpëtuar jetën e rreth 400 qytetarëve shqiptare, të cilët gjatë lundrimit për në Itali, kishin mbetur në det të hapur, pasi anija e tyre “Rozafa” pësoi një defekt të rëndë, ndërkohë që deti ishte me dallgë të medha.

Ka qenë një sinjal i Rita Bishës, punonjëse tek firma “Poseidon” në Shëngjin që ka njoftuar pronarin e kësaj firme në Itali, Alfredo Shermino për këtë ndodhi. Shermino mënjëherë ka njoftuar autoritetet ushtarake të Barit, të cilat kane nisur 2 helikopterë dhe 3 anije ushtarake në drejtim të anijes “Rozafa” që po mbytej.

Sipas zotit Shermino, rreth orës 16.00, të gjithë njerëzit janë imbarkuar në anijet ushtarake, duke i shpëtuar kështu tragjedisë.

 

20 mars 1999

Edicioni i orës , 10:00:

Sulme të forcave serbe në disa komuna të Kosovës

Në ditën e parë të largimit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Prishtina dhe qendrat tjera të Kosovës, forcat serbe kanë ndërmarrë aksione në disa anë të Kosovës.

Burime të degëve të LDK-së kanë njoftuar për sulme të ndërmarra nga forcat serbe që në orët e mëngjesit në komunat e Podujevës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Skënderajt e Gllogocit.

Banorët e fshatrave Dumnicë e Epërme dhe Përpellac të komunës së Podujevës, që gjenden afër kufirit Kosovë-Serbi, janë larguar me orët e para të ditës së sotme nga shtëpitë e tyre.

Në këto fshatra ka hyrë një kolonë e madhe e forcave serbe e cila tash një kohë të gjatë qëndronte e stacionuar në afërsi të kufirit. Forca të mëdha dhe automjete të shumta luftarake janë vendosur në vendin e quajtur “Te lisat” në Dumnicë të Epërme dhe në afërsi të objektit të shkollës në Përpellac.

Ndërkohë forcat serbe në orët e mëngjesit kanë granatuar fshatrat Majac, Buricë, Godishnjakë e Sallabajë të Podujevës.

Nga ora 6.30 forcat serbe kanë filluar të granatojnë në drejtim të fshatrave Ashlan, Pantinë e Lkej të Vushtrrisë, të cilat pothuaj tash një muaj me radhë sulmohen e granatohen për çdo ditë.

Një konvoj i madh i forcave serbe, i përbërë prej mbi 50 automjetesh luftarake, ka shkuar sot nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt, prej ku ditëve të fundit gjithashtu ka pasur njoftime për koncentrim të madh forcash dhe për zhvendosje të popullsisë nga frika e aksioneve të mundshme.

Në orën 6.30 forcat serbe kanë filluar granatimet në drejtim të Mikushnicës e Prekazit të Skënderajt.

Nga Mitrovica u njoftua se në rrugën nga Tërrnafci e deri në Skënderaj ka automjete të shumta të forcave serbe, ndërkohë që këmbësoria serbe ka mësyrë Prekazin e Ulët, Prekazin e Epërm dhe Polacin.

Ndërkohë, një burim nga Skënderaj njoftoi se përreth kësaj qyteze ka shumë forca serbe, ndërsa banorët kanë nisur të zhvendosen nga lagjja në afërsi të Fabrikës së Municionit. Gjithashtu, thuhet se rrugëve të Skënderajt po vërehen pjesëtarë të forcave serbe të veshur me uniforma të bardha. Banorët që kanë mbetur nëpër shtëpitë e tyre druajnë për ndonjë aksion të mundshëm kundër popullatës së pambrojtur.

Edhe nga komuna e Gllogocit është njoftuar se forcat serbe në orët e mëngjesit kanë filluar granatimet në drejtim të fshatrave të kësaj komune.

 

 

Edicioni i orës 11:30:

KMDLNJ: Forcat serbe sulmuan sot pesë fshatra të Prishtinës;

Kanë filluar të granatohen shumë fshatra të Drenicës;

Vazhdon gjendja e rëndë në Skënderaj;

Vushtrri: Granatohen disa fshatra shqiptare – stacionime të forcave serbe në Mihaliq;

Në Lipjan kanë mbërritur një konvoj i madh i mjeteve ushtarake;

Deçan: Policia arrestoi një të ri shqiptar;

Mediat serbe njoftojnë për tri sulme në stacionet e policisë serbe.

 

Edicioni i orës , 14:00:

LDK: Të mbrohet populli i Kosovës sa s’është bërë vonë;

Klinton: “Hezitimi për të vepruar është dhënie e lejes për të vrarë”;

Shtetet perëndimore u kërkojnë qytetarëve të tyre të largohen nga “RFJ”-ja;

Thaçi: “Morëm garanci për intervenim ndërkombëtar”;

Komunikatë e Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë;

Vazhdojnë sulmet në fshatrat e Drenicës – mijëra të zhvendosur në Qirez;

Obiliq: Forcat serbe granatuan sot edhe Milloshevën e Breznicën;

Granatat serbe ranë edhe në katër fshatra të Vushtrrisë;

Shumë shtëpi të demoluara në Dumnicë te Epërme të Podujevës;

Podujevë: U varrosën Nazmi Ismajli e Ismet Beqiri;

Kaçanik: Forcat serbe hynë në fshatin Llanishtë, dogjën 2 shtëpi dhe arrestuan 11 shqiptarë;

Nuk dihet për fatin e Shqipe Kacabashit nga Topliçani i Lipjanit;

Ferizaj: Në stacionin e policisë u sollën rreth 20 persona të keqtrajtuar fizikisht;

Rahovec: Të shtëna me armë automatike dhe lëvizje të mëdha të forcave serbe;

Nga Bujanoci në drejtim të Gjilanit shkoi një konvoj i madh i ushtrisë serbe;

Anan: “Shpresoj se serbët do të marrin qëndrim pozitiv”;

Solana: “NATO është e gatshme të marrë gjithë përgjegjësinë”;

Klark: NATO ka disa opcione të gatshme;

KKA i Vushtrrisë ndërpreu procesin mësimor;

Rekomandim i LASH-it dhe organeve arsimore të Kosovës;

Për Moskën të papranueshme sulmet pa pëlqimin e KS të OKB-së;

Partia Socialdemokrate e Serbisë: “Procesi i negociatave nuk bën të mbyllet”.

 

Edicioni i orës , 17:30:

Në fshatin Vranidoll nga shpërthimi i një granate u plagosën babë e bijë;

Rreth 2000 banorë shqiptarë të Breznicës i braktisën shtëpitë e tyre;

Tensionet situata për shkak të lëvizjeve të forcave ushtarake serbe në Kamenicë e rrethinë;

LD në Mal të Zi kërkon kthimin e ushtrisë “jugosllave” në kazerma;

Gjakovë: Lëvizje të shtuara të forcave serbe;

U gjet trupi i Murat Sylajt nga Sllapuzhani i vrarë më 18 mars;

Në drejtim të Drenicës shkuan 12 tanke dhe disa kamionë ushtarakë;

Në fshatin Lubizhdë të Vitisë u arrestua një grup qytetarësh;

Fushë-Kosovë: Civilë të armatosur serbë sulmuan të rinjtë shqiptarë;

Forcat serbe për 10 orë kanë djegur shumë shtëpi në disa fshatra të Vushtrrisë;

Fëmija Gentian Nezir Berisha gjendet në Prishtinë.

 

Continue Reading

Vendi

Mediat irlandeze lartësojnë mikpritjen në Prishtinë

Published

on

By

Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.

Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.

Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.

Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.

“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.

Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.

“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.

Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.

 

Continue Reading

Vendi

BBC Sport: Kosova e mposht Irlandën me meritë në Prishtinë dhe nis mbarë UEFA Nations League

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundur fushatën e saj në Grupin B3 të UEFA Nations League, duke mposhtur Republikën e Irlandës me rezultat 1–0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo fitore e merituar erdhi pas një paraqitjeje dominuese nga dardanët, ndërsa rrjeti prestigjioz britanik BBC Sport raporton se vendasit e mbizotëruan plotësisht kundërshtarin gjatë gjithë 90 minutave.

Kosova tregoi energji të lartë që nga fillimi i takimit, duke e vënë vazhdimisht në presion mbrojtjen irlandeze. Rreziku kryesor erdhi përmes Baton Zabergjës nga krahët dhe sulmuesit Vedat Muriqi, i cili krijoi probleme të njëpasnjëshme për mysafirët.

Vendimi i ndeshjes erdhi vetëm shtatë minuta para fundit. Pas një goditjeje të Ermal Krasniqit që u kthye nga traveza, Muriqi reagoi më së shpejti duke shënuar me kokë për 1–0 dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Edhe pse lojtarët irlandezë pretenduan për një faull gjatë aksionit, goli u konfirmua pas rishikimit nga sistemi VAR.

Në krahun tjetër, BBC e përshkroi paraqitjen e Irlandës si mjaft të dobët në sulm, me vetëm një goditje në kuadrat përgjatë tërë ndeshjes. Rastin më të mirë për mysafirët e shpërdoroi Chiedozie Ogbene në pjesën e parë, kur goditi mbi travezë.

Pas ndeshjes, edhe vetë përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, pranoi superioritetin e vendasve. “Ata e merituan fitoren, po të jam plotësisht i sinqertë. Nuk kishte asgjë që nuk e dinim për mënyrën se si do të luanin, por ishte një ditë e dobët për shumë nga lojtarët tanë,” u shpreh ai.

Me këtë fitore, Kosova merr tri pikët e para në grup, ndërsa Irlanda mbetet pa pikë pas xhiros së parë. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Të kërkuara