Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 16 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

16 prill 1993

Lajm i plotë:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Represioni, represioni dhe vetëm represioni! Kjo është një klithmë që thotë e shpjegon shumë për gjendjen në Kosovë, tha në fillim të konferencës së sotme për gazetarë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Ai tha se po vazhdon ndjekja ndaj deputetëve të rinj të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ndaj aktivistëve të partive politike shqiptare. Policia serbe ndaloi mbajtjen e Kuvendit vjetor të Partisë Parlamentare të Kosovës që ishte thirrur për uikendin e javës së kaluar. Ky represion ndaj deputetëve dhe aktivistëve të partive politike bëhet me qëllim të frikësimit dhe me synim që ata të heqin dorë nga veprimtaria dhe kërkesat e tyre. Po vazhdon largimi nga puna edhe i atyre pak shqiptarëve që kishin mbetur ende në punë dhe largimi i shqiptarëve nga banesat tyre. Shqiptarëve po u kërcënohen me lloj lloj armësh, ndërsa ditëve të fundit kërcënimet po realizohen edhe me një formë të re, me vendosjen e bombave në oborret e shkollave e oborret e shtëpive. Kryetari Rugova tha se ende nuk ka informata të hollësishme se nga vijnë dhe kush po i vendos bombat, por qëllimi i tyre është i qartë: që fëmijtë shqiptarë të pësojnë, siç ishte rasti në Suharekë.

Mbajtja në burg e rektorit të Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovci po iriton studentët dhe arsimtarët e universitetit dhe mbarë opinionin në Kosovë, ndërsa, gazetari Blerim Shala, sipas praktikës së njohur të regjimit serb, u dërgua në burg për herë të dytë, e fatkeqësisht po vazhdon edhe vrasja e njerëzve, siç ndodhi në Vërmicë të Prizrenit, përkatësisht në zonën kufitare me Shqipërinë, ku u vra, në rrethana ende të pasqaruara, Ferid Fanaj, theksoi kryetari Rugova.

Deklaratën e Ministrit serb për drejtësi se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës mund të dënohen edhe deri në 15 vite burg, dr. Rugova e vlerësoi si kërcënim që synon largimin e domosdoshëm të deputetëve të rinjë nga Kosova. Por, mbledhja konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet. Deputetët e njerëzit në Kosovë nuk frikësohen, theksoi kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Ai përsëriti kërkesën që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve, për të cilët janë lënë vendet e zbrazëta. Ndërsa, kërcënimin e Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Serbisë, me pretekst të gjoja mbrojtjes së sovranitetit territorial të Serbisë, kryetari Rugova e quajti krejtësisht të pabazë. Sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë dhe ligjeve ndërkombëtare, Serbia nuk ka pasur sovranitet mbi Kosovën, kurse tash Serbia e ka okupuar Kosovën. Ajo ende mbahet këtu me dhunë, por ajo nuk ka sovranitet mbi Kosovën. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, as Serbia nuk është shtet i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, prandaj kërcënimi nuk ka karakter juridik, por synon të mbulojë përdorimin edhe më të madh të dhunës për ta mbajtur të okupuar Kosovën, theksoi dr. Rugova.

Kryetari Rugova, në kohën e rritjes së frontit të dhunës në Kosovë, edhe njëherë i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që sa më parë të shtrojë çështjen e Kosovës në rend të ditës.

Një pjesë të komenteve, kryetari Rugova ia kushtoi shkeljes së hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë nga ana e aeroplanëve ushtarakë të Serbisë. Ky akt, bashk me vrasjen e Ferid Fanajt dje, si edhe vrasjet e shumta më herët,janë pjesë e planit serb për tensionimin e gjendjes në zonën kufitare. Serbia, siç duket, dëshiron të përsëritet rasti i vitit 1920, kur pas Konferencës së Versajës, ish-Jugosllavia, gjegjësisht Serbia, e sulmoi Shqipërinë me qëllim që të vihej në plan të dytë çështja e Kosovës. Me këto akte, tha kryetari Rugova, synohet tërheqja e vëmendjes nga çështja e Kosovës, e cila pritet se do të shtrohet në rendin e ditës në institucionet ndërkombëtare.

Në vazhdim, ai falënderoi delegacionin e Kongresit Amerikan, me në krye kongresmenin Eliot Engëll, për vizitën që i bëri gjatë javës që shkoi Kosovës me qëllim të njohjes me situatën këtu. I jemi mirënjohës edhe Dhomës së Lartë të Parlamentit të Britanisë së Madhe, në të cilën u debatua në mënyrë shumë reale dhe njerëzore për situatën në Kosovë, si dhe delegacionit të Senatit të Belgjikës që vizitoi Kosovën dhe që, pasi u njoftua me situatën në Kosovë, shfaqi gatishmëri t’u ndihmojë njerëzve, tha dr. Rugova.

Spastrimi i qetë etnik në Kosovë po vazhdon. Njerëzit po largohen për çdo ditë për shkak të represionit. I ftojmë përsëri njerëzit që të mos e braktisin Kosovën. Ne mund t’i sigurojmë njerëzit se me solidaritetin tonë të organizuar nuk do të lejojmë të vdesin nga uria. Serbia synon që në Kosovë të ketë sa më pak shqiptarë, theksoi dr. Rugova.

Ftojmë OKB-në, BE-në, SHBA-të dhe Rusinë që të bëjnë çmos për ndërprerjen e kësaj lufte, e cila kërcënon mbarë rajonin, tha në fund kryetari i Republikës së Kosovës.

Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me elaboratin e avokatëve të Minesotës, sidomos për idenë e vendosjes së protektoratit mbi Kosovën, kryetari Rugova tha se deri tash janë bërë disa elaborate për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Avokatët amerikanë nga Minesota kanë bërë një propozim të tyre. Ky elaborat është paraqitur edhe në Konferencën e Atlantës dhe është një propozim me vend dhe interesant. Edhe ne kemi kërkuar që si hap i parë i zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës të vendoset një protektorat i përkohshëm i OKB-së në Kosovë, sipas sistemit të OKB-së. Kjo do të çonte drejt zgjidhjes paqësore e problemit të Kosovës, tha kryetari Rugova. Duke u përgjigjur në një pyetje që lidhej me ndryshimet eventuale në politikën e jashtme të Francës pas disfatës së socialistëve në zgjedhjet e fundit, kryetari Rugova tha se pret politikë më aktive të Francës lidhur me politikën ndërkombëtare dhe me zhvillimet në ish-Jugosllavi.

 

Lajme të tjera:

Një delegacion i shqiptarëve u takua me përfaqësues të Senatit Amerikan

Java e ardhshme – javë pushimi për institucionet arsimore në Kosovë

Reagime kundër burgosjes së gazetarit Blerim Shala

Theçër për rrezikun e bartjes së konfliktit në Kosovë

“Le Monde”: Shqipëria nën tranfuzion të vazhdueshëm

 

Lajm i plotë:

Kufitarët serbë vranë Ferid Fanajn

Parmbrëmë, rreth orës 23.20, në fshatin Vërmicë të Prizrenit afër kufirit me Shqipërinë, u vra nga ushtria serbe, Ferid Miftar Fanaj. I vrari është i lindur më 1962 në Vërmicë. Ishte baba i tre fëmijëve.

Identifikimi u bë dje pasdite, ndërsa varrimi bëhet sot më 16 prill. Rrethanat në të cilën u vra Fanaj ende nuk dihen.

Gjatë muajve të fundit ushtarët serbë në zonën kufitare me Shqipërinë kanë bërë disa vrasje e plagosje të shqiptarëve.

Gjendja në zonën kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është shumë e tensionuar. Forcat e shtuara ushtarake dhe policore serbe vazhdimisht provokojnë shqiptarët. Veçanërisht ka pasur provokime dhe keqtrajtime të shqiptarëve në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës, Deçanit, Prizrenit dhe Dragashit.

 

Lajme të tjera:

Policia e kërkoi Milazim Abazin

Në Livoç të Ulët të Gjilanit forca të policisë serbe

Bombat shkaktojnë vdekje

Të dhëna të reja për rrethimin e djeshëm të fshatit Çeskovë nga policia serbe

Policia maltretoi një të mitur në Prishtinë

Në Prizren policia konfiskoi revistën “Zëri”

Armata serbe ndjek të rinjtë shqiptarë

Eliot Engëll: Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin Republikën e Kosovës

Shtypi serb hesht shkeljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë nga aeroplanët serbë

 

 

16 prill 1997

Lajmet kryesore:

Kosova në rezolutën e fundit të Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut

Leka I: Kriza duhet të zgjidhet për të mirë e popullit

“Zaman”: Shërbimet sekrete të Greqisë kanë dorë në destabilizimin e Shqipërisë

U promovua libri “Frutat bizare” i Basri Çapriqit

Mbahen në Beograd gjashtë shqiptarë të arrestuar në aeroportin e Prishtinës

Dhuna e përditshme në Kosovë

Njeriu që ka përgatitur atentate kundër shqiptarëve flet për atentatin kundër Stojiçiqit

Murat I. Uka nga Brodi i Shtërpcës gjendet në Bihaq

Moti sot në Prishtinë

 

 

16 prill 1998

Edicioni i parë (15:00)

Lajmet kryesore:

Të shtëna të forcave serbe në zonën kufitare të Gjakovës

Janë dëmtuar urat në Leshan, Rasuj dhe Jabllanicë të Leshanit

Mijëra njerëz morën pjesë në shetitjet protestuese

Armata dhe policia forcojnë rrethin e hekurt rreth Drenicës

Shefi i diplomacisë daneze ka kërkuar prani ndërkombëtare në Kosovë

Kofi Anan: Për Kosovën mbështetem në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare

Rexhep Qosja në krye të Këshillit për organizimin e Lidhjes së Re Demokratike të Kosovës

Shtypi serb shkruan për shpërnguljen e serbëve nga fshatrat e Deçanit

Dom Fran Sopi kërcënohet nga organet komunale serbe

Dhuna e përditshme

Prani e shtuar e forcave serbe në relacionin Mitrovicë – Skënderaj

Provokime të forcave serbe në fshatin Sverkë

 

 

Edicioni i dytë (Ora 16:00)

Lajmet kryesore:

Të rinjtë arrestohen dhe keqtrajtohen te Gryka e Rugovës

Dhunë shtuar e forcave serbe në rrethinën e Landovicës

Avokati Destan Rukiqi kërkon ndihmë për klientin e tij Hafir Shala

Shetitje protestuese edhe në Ferizj e në Klinë

Ferizaj: Dhunë e shtuar e policisë serbe

 

Edicioni i tretë (Ora 17:30)

Lajmet kryesore:

Gjakovë: Kanë pushuar të shtënat – drejt Ponoshecit shkuan forca ushtarake

Gjilan: Vazhdon marrja e qytetarëve në biseda informative

Klinë: Dhunë përmasash të gjera kundër shqiptarëve

Obiliq: Tre arsimtarë u morën në polici

 

 

Edicioni i katërt (19:00)

Lajmet kryesore:

Mbrëmë në Skenderaj e rrethinë pati të shtëna të shumta armësh

  1. Petersen: Referendumi mbi Kosovën “pa vlera reale”

Gligorov: “Federata ballkanike ide jorealiste”

The Christian Science Monitor: “UÇK-ja blen armë në Serbi e Mal të Zi”

Tre të rinj u keqtrajtuan në postbllokun e Shipolit

Foto: Vërmicë, Prizren

Continue Reading

lajme

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

lajme

Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, zhvillimi i qyteteve të qëndrueshme dhe cilësia e shoqërisë ishin në fokus të diskutimeve të ekspertëve ndërkombëtarë gjatë sesionit të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), që po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Sesioni u udhëhoq nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Sesioni beri bashkë përfaqësues të industrisë, ekspertë të cilësisë dhe figura me përvojë në qeverisjen lokale, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në zhvillimin e standardeve të cilësisë dhe në transformimin e shoqërisë.

Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers, në prezantimin me temë “AI, Digital Transformation and Quality in Highly Regulated Industries”, trajtoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në industritë me kërkesa të larta rregullatore. Diskutimi vuri në pah rolin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë në integrimin e teknologjive të reja, veçanërisht në sektorët ku saktësia dhe përmbushja e standardeve janë thelbësore.

Ndërkaq, Ricardo Rio, përfaqësues i GeSI dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bragës, prezantoi temën “Quality, Digitalization and Sustainable Cities: From Local Leadership to Global Impact”, duke trajtuar ndërlidhjen ndërmjet cilësisë, digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme. Ai solli në vëmendje rëndësinë e lidershipit lokal dhe të zgjidhjeve digjitale në përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e ndikimit pozitiv në nivel global.

Një perspektivë afatgjatë mbi zhvillimin e cilësisë u prezantua nga akademiku Juhani Anttila, përfaqësues i International Academy for Quality (IAQ) dhe Venture Knowledgist në Quality Integration. Përmes prezantimit “A Long-Term Research Program on the Quality of Society”, ai trajtoi cilësinë si një koncept që shtrihet përtej proceseve organizative dhe institucionale, duke e lidhur atë me zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe me nevojën për qasje sistematike në kërkim, vendimmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në vazhdim të sesionit, biseda plenare “What Will Quality Mean in 2030?” vuri në qendër të debatit të ardhmen e konceptit të cilësisë dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale, inovacioni, qëndrueshmëria dhe besimi do të ndikojnë në standardet dhe praktikat e saj gjatë viteve të ardhshme.

Diskutimet theksuan se cilësia në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar kërkon integrimin e teknologjisë me përgjegjësinë, sigurinë, transparencën dhe orientimin drejt nevojave të shoqërisë. Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare krijoi një hapësirë të rëndësishme për reflektim mbi sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për industrinë, institucionet dhe komunitetet.

Continue Reading

Vendi

Kurti takohet me kancelarin federal të Austrisë, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik

Published

on

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker.

Përmes, një psotimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë.

“Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Në Vjenë u takuam vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, ndërsa këtë mëngjes në Shën Stefan në detin Adriatik biseda me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, u përqendrua në prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.

Biseduam për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë.

Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti.

Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Nga Ekonomia Online

 

Continue Reading

Lajmet

Marta Kos: Kosova përballë vendimeve vendimtare në rrugën drejt integrimit evropian

Published

on

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian, duke veçuar për Kosovën rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.

Para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, Kos ka përmendur sfidat kryesore me të cilat përballen vendet e rajonit, duke thënë se për Kosovën nevojiten vendime vendimtare për të vazhduar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se për Malin e Zi moment vendimtar është përfundimi i negociatave të anëtarësimit, për Serbinë zgjedhjet e ardhshme, ndërsa për Shqipërinë ruajtja e ritmit të integrimit evropian.

Deklarata e Kos vjen në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Jam gjithmonë e lumtur të kthehem në këtë shtet, i cili është i vendosur të bëhet anëtar i BE-së. Kemi përpara javë dhe muaj me momente vendimtare. Për Malin e Zi, do të jetë vendimtare arritja në vijën e ‘finishit’ të procesit të anëtarësimit në BE; për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme; për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt integrimit evropian; ndërsa për Kosovën, zgjedhja vendimtare për të vazhduar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Prandaj, mendoj se është shumë mirë që liderët e rajonit dhe të gjithë procesit të zgjerimit janë mbledhur sot në Mal të Zi”, tha ajo.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, mirëpo ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe nuk ka nisur negociatat formale për anëtarësim.

Përveç reformave institucionale dhe forcimit të sundimit të ligjit, rruga evropiane e Kosovës ndërlidhet edhe me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./KosovaPress/

 

Continue Reading

Të kërkuara