Lajmet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 1 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
6 months agoon
By
UBTNews1 prill 1993
Lajm i plotë:
Bisedimet për arsimin shqip nuk mund të vazhdohen
Delegacioni i Kosovës për çështje të arsimit shqip brenda Konferencës së Gjenevës për ish-Jugosllavinë, mori një letër, në të cilën thuhet se më 7 dhe 8 prill është caktuar vazhdimi i bisedave.
Merret vesh se delegacioni i Kosovës nuk do të shkojë në vazhdimin e këtyre bisedimeve, pasi njëri nga anëtarët e delegacionit, dr.Ejup Statovci, rektor i Universitetit të Prishtinës, është burgosur nën akuzën se ka kërkuar nga rektori i dhunshëm serb hapjen e objekteve universitare edhe për studentët dhe profesorët shqiptarë.
Pasi kërkesa e dr.Ejup Statovcit për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare për shqiptarët është edhe kërkesë themelore e delegacionit shqiptar, kërkesë kjo e inkriminuar nga Serbia me këtë burgosje, delegacioni nuk mund të marrë pjesë në vazhdimin e caktuar të bisedave.
Tituj të tjerë:
Institucionet arsimore pushojnë për festa fetare
Kërkohet ndihmë për kryerjen e praktikës profesionale të nxënësve
U shtrenjtua mielli, buka, qumështi…
U ndërpre uji në tri komuna
Në fshatrat e Prishtinës lëvizje të ushtrisë serbe
Në autobusin që qarkullonte për Mitrovicë u plaçkitën disa udhëtarë
Minatorit Fejzullah Ahmetit iu thye banesa
Policia serbe pengon mësimin në shkollat shqipe
Në fshatin Zhabar të Mitrovicës u bastisën katër familje
Mitrovicë: Policia serbe arrestoi të riun Nasuf Ademin
Një i ri u arrestua në Gadime të Lipjanit
U miratua Rezoluta për ndalimin me dhunë të fluturimeve mbi Bosnjë
“Nju-Jork Tajms”: Bosnja duhet të zvogëlohet që të mund të shpëtojë
Serbët e Kosovës në frontin e luftës në Kroaci
Marioneta serbe Basri Pllana i kërcënohet dr. Rugovës
Dobrica Qosiqi: Nëse Perëndimi përkrahë shqiptarët në Kosovë do të ketë luftë
Një zyrtar i Jugosllavisë së vetëshpallur i kërcënohet dr.Rugovës
1 prill 1994
Lajm i plotë:
Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova
Në Kosova vazhdon represioni. Gjatë javës vazhduan ekspeditat e bastisjet në komuna dhe në rrethinat e tyre, sidomos në Podujevë, Skënderaj, Vushtrri, Gjilan Lipjan, Obiliq, Istog, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gllogovc, Viti, Shtimje, Kamenicë, Klinë, e të tjera. Në qytete janë bërë 33 bastisje, ndërsa nëpër fshatra mund të jenë rreth 60 raste, e vetëm në dy fshatra të komunës së Podujevës, më 24 mars u bastisën 22 familje, tha në fillim të konferencës së sotme për gazetarë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Ky represion po bëhet larg syve të botës nëpër periferi të komunave dhe qyteteve, ndërsa bastisjet që bëhen me pretekst të kërkimit të armëve dhe që synojnë shtypjen e frikësimin e njerëzve, përcillen me demolime të mëdha, me keqtrajtimin e njerëzve dhe me arrestimin e tyre. Kryetari Rugova saktësoi se represioni është koncentruar në kohët e fundit më shumë në Kosovën lindore, në vijën Kaçanik – Mitrovicë, duke përfshirë edhe Drenicën.
Edhe gjatë javës që shkoi vazhdoi represioni mbi aktivistët politikë, sidomos kundër veprimtarëve të LDK-së dhe kundër deputetëve. Persona civilë, për të cilët nuk dihej se çka ishin, morën Jetish Jasharin, sekretar i FR të LDK-së dhe e dërguan në stacionin e policisë, ndërsa Bajram Mulaku, drejtor i Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë, kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri dhe deputet i Parlamentit të Kosovës u burgos nën akuzë se ka organizuar mësimin në gjuhën shqipe, theksoi dr. Rugova dhe shtoi se këtyre ditëve u aktualizua ndalimi i qarkullimit të njerëzve. Akademik Rexhep Qosjes, nën pretekst se ka qenë në Shqipëri pa vizë dalëse iu ndalua pasaporta për disa vite. Dëshirohet që intelektualëve shqiptarë t’u kufizohet liria e qarkullimit me qëllim që të mos komunikojnë me botën dhe që të mos e përhapin të vërtetën për Kosovën, tha ai dhe vlerësoi se represioni i ngrit tensionet politike dhe njerëzore në Kosovë.
Kosova ishte në qendër të vëmendjes së opinionit dhe të forumeve ndërkombëtare gjatë javës që shkoi tha kryetari i Kosovës. Ai përshëndeti raportin e AI-së për burgosjet e torturat në kohën e fundit në Kosovë, si një raport shumë ekzakt dhe objektiv që ndihmon të njihet e vërteta për represionin. Ai përshëndeti edhe raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit të Kongresit Amerikan për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, si një raport real dhe mjaft objektiv.
Në vazhdim ai përshëndeti projektligjin e kongresmenëve amerikanë, Molinari e Engëli që u paraqit këtyre ditëve dhe në të kërkohet ndalimi i represionit dhe kërkohet zgjidhje për çështjen e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që kongresmenët amerikanë angazhohen në Kongres për çështjen e Kosovës.
Kryetari Rugova i vlerësoi si shumë të rëndësishme tubimet e shqiptarëve nëpër vendet e ndryshme të Evropës, siç ishte tubimi i rreth 40.000 shqiptarëve në Bern të Zvicrës të shtunën e kaluar. Shqiptarët i treguan opinionit zviceran për kërkesat e tyre, po ashtu ata treguan se shqiptarët në Zvicër janë punëtorë të mirë dhe njerëz që respektojnë rregullat e vendit. Natyrisht, në secilin popull ka individë që mirren edhe me punë të tjera. Shqiptarët edhe me këto tubime a afirmuan veten, theksoi ai dhe i shprehu mirënjohje Qeverisë së Zvicrës për mirëkuptimin që ka treguar deri tash për shqiptarët.
Vizitën e presidentit Berisha në Britaninë e Madhe, kryetari Rugova e vlerësoi si shumë të rëndësishme sa u përket marrëdhënieve bilaterale Shqipëri – Britani e Madhe dhe për shtruarjen e çështjes së Kosovës në të gjitha nivelet dhe në të gjitha takimet që pati në Angli presidenti Berisha.
Kryetari i Republikës së Kosovës përsëriti edhe njëherë qëndrimin e njohur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bazë të rezultateve të e referendumit për pavarësinë e Kosovës, i cili përkrahet nga të gjitha partitë dhe institucionet në Kosovë.
Duke pasur parasysh situatën në Kosovë, kryetari Rugova përsëriti kërkesën për mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën.
Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve serbë që lidhej me spekulimet në disa gazeta për kinse fillimin e shpejtë të dialogut në mes të përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës, kryetari Rugova tha: “Shtypi shkruan në mënyrën e vet edhe për mundësinë eventuale të fillimit të bisedimeve. Tash për tash nuk ka indikacione se do të fillojnë bisedimet. Qëndrimi ynë dihet, ne jemi për dialog. Dëshirojmë që të fillojnë bisedimet dhe që çështja e Kosovës të zgjidhet me bisedime”.
Gazetari i gazetës “Veçernji List”, kërkoi koment për vizitën dhe deklaratat provokuese të një delegacioni të Parlamentit rus në Kosovë. “Këto janë takime ekstremistësh. Më vjen keq që në Parlamentin rus ka asi zërash ekstremistësh, të cilët dëshirojnë edhe të provokojnë edhe këtu në Kosovë, siç ishte ajo deklarata për gjoja gatishmërinë e ekstremistëve rus për të intervenuar edhe ushtarakisht në Kosovë, e të tjera. Këto kërcënime nuk janë serioze, por bëhen me qëllim që të frikësojnë shqiptarët në përgjithësi në Ballkan. Pavarësisht prej vështirësive me të cilat po ndeshet kryetari Jelcin, te rusët, në një komb të madh dhe në Rusi, do të sundojë arsyeja”.
Baahkëpunëtorja e “Zërit të Amerikës” kërkoi koment lidhur me marrëveshjen në mes të Kroacisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Krainës, si dhe për ngjashmëritë eventuale të tyre me problemin e Kosovës. “Nuk mund të tërhiqet ndonjë paralele në mes të Kosovës e Krainës serbe në Kroaci. Kosova është çështje në vete. Siç dihet, Kosova ka qenë një prej konstituentëve të ish-federatës së Jugosllavisë, me territor të vetin. Ndërsa marrëveshjen e kroatëve e serbëve për ndërprerjen e luftës ne e përshëndesim dhe dëshirojmë që ajo marrëveshje të ketë sukses”, përfundoi kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Tituj të tjerë:
Sali Berisha: Britania e Madhe është thellësisht e shqetësuar për situatën në Kosovë
Sali Berisha viziton Turqinë
Kryetari Rugova uroi festën e Pashkëve
Edhe një proces gjyqësor i paralajmëruar kundër nëntë shqiptarëve
Represioni i policisë serbe në Kosovë
Polici serbe arrestoi tre persona në Gllarevë të Klinës
Shaip Beqirit iu ndërpre vuajtja e dënimit
KMDLNJ në Prishtinë u shkruan asociacioneve ndërkombëtare për situatën në Kosovë
U themelua Oda Ekonomike e Kosovës
“Mjekëve pa kufij” iu vazhdua afati i qëndrimit në Kosovë
Të respektohen të drejtat e njeriut në Kosovë
1 prill 1995
Lajm i plotë:
Në Kongresin Amerikan u paraqit Projektligji për njohjen e mëvetësisë së Kosovës
Kongresisti Eliot Engel në demonstratën e shqiptarëve në Uashington paralajmëroi se ai do ta paraqesë projektligjin për mëvetësinë e Kosovës.
Mirëpo zyra e tij në Uashington i deklaroi korrespondentit të “Rilindjes” se Projektligjin do ta paraqesë kongresisti Benxhamin Gilman.
Sipas shpjegimit të zëdhënësit për shtyp të zyrës së kongresistit Engël, paraqitja nga kongrësti Gilman është sinjifikative, meqë ai ka pozitë me peshë në politikën e jashtme amerikane, duke qenë kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, njofton sot “Bujku”.
Bashkësponsorë primarë të projektligjit do të jenë edhe kongresistët Eliot Engel dhe Susan Molinari. Këta të dy, gjatë marsit të kaluar, patën paraqitur një projektligj të ngjashëm, të ashtuquajtur “Projektligj Paqësor dhe Demokratik për Kosovën 1994”.
Megjithëse projektligji pat fituar mjaft bashkësponsorë (gjithësej 26), nuk u paraqit për votim, sepse hartuesit e tij konsideronin se nuk do të mund të kishin vota të mjaftueshme për ta kaluar. Me fitoren e republikanëve në Kongres, nga radhët e të cilëve ka më tepër në pozita udhëheqëse, anëtarë që janë dashamirës dhe miq të Kosovës, vlerësohet se projektligji i sivjemë do të ketë më shumë fat në rrugën e miratimit dhe të hyrjes në fuqi si ligj.
“Për një gjë jam i sigurt. Këtë vit do të kemi më shumë sponsorë se sa kishim vitin e kaluar”, tha përfaqësuesi për shtyp i kongresistit Engel, Jason Steinbaum.
Steinbaum tha se që ditën e parë projektligjit iu bashkëngjitën edhe dy kngresistë, Peter King (nga Nju-Jorku) dhe Dana Rohrabasher nga Kalifornia, që të dy nga radhët e republikanëve.
Në vazhdim po e japim të plotë tekstin e “Projektligjit për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë 1995”, të përkthyer nga korrespondenti i “Bujkut” në Nju-Jork, Sylejman Gashi.
- Kushtetuta e Republikës Socialiste Federative e Jugoslavisë e miratuar më 1946, si dhe tjetra e vitit 1974, së cilës iu shtuan disa amendamente, e njihte statusin e Kosovës si njërin nga tetë njësitë territoriale konstituese të federatës jugosllave.
- Të drejtat politike të shumicës shqiptare në Kosovë në mënyrë të paligjshme u shkelën kur u ndërrua kushtetua serbe më 23 mars 1989, pa pëlqimin e popullit të Kosovës, me ç’rast u revokua autonomia e Kosovës.
- Më 1990 me amendamente të tjera të paligjshme u revokuan Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës.
- Në shtator 1991 u mbajt Referendumi për pavarësinë e Kosovës, me ç’rast 87 për qind të qytetarëve që morën pjesë në votime 99 për qind u deklaruan për pavarësinë e Kosovës;
- Në maj 1992, u zgjodh Parlamenti kombëtar i Kosovës, ndërsa dr.Ibrahim Rugova me shumicë absolute votash u zgjodh president i Republikës së Kosovës.
- Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës nuk iu lejua të mblidhet.
- Raporte të besueshme kanë informuar për politikën serbe të spastrimit etnik në Kosovë – Raporti i raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, ndërkaq në janar 1995 Serbia paralajmëroi një politikë të re, atë të kolonizimit të tokave shqiptare në Kosovë.
- Mbi 100 mijë shqiptarë të punësuar në administratën qeveritare, në organet e gjyqësisë, në polici, në ndërmarrje, në mjetet e informimit, në institucione arsimore dhe në spitale në Kosovë, janë larguar nga vendet e tyre të punës dhe janë zëvendësuar me serbë.
- Qeveria e Beogradit ka kufizuar në mënyrë të vrazhdë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës në të gjitha nivelet e arsimit, në veçanti arsimimit në gjuhën shqipe, vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
- Ekzistojnë raporte të përditshme mbi arrestimet dhe rrahjet brutale, kryesisht nga policia serbe, që shpeshherë kanë shkaktuar edhe vdekjen e shqiptarëve, vetëm e vetëm pse kanë shfaqur pikëpamjet e tyre kundër atyre të autoriteteve serbe.
- Mbikëqyrësit e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian të vendosur në Kosovë më 1991 janë larguar nga qeveria e Beogradit në korrik 1993.
- Qeveria e Beogradit ka injoruar rezolutën 855 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të miratuar në gusht 1993, me të cilën i bëhej thirrje Beogradit që të vazhdojë misionin e mbikëqyrësve të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian si dhe t’ua garantojë atyre siguri dhe mbikëqyrje të lirë dhe të gjithanshme.
- Pas largimit të këtyre mbikëqyrësve, disa organizata të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, Human Rights Ëatch/Helsinki dhe Federata e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kanë dokumentuar shtimin masiv të shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
- Kongresi, me sesionin 223 të Aktit mbi autorizimin për marrëdhënie të jashtme për vitin fiskal 1992 ka miratuar hapjen e Qendrës Kulturore të Agjencisë Informative të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, mirëpo Stejt Departamenti deri tash nuk e ka bërë këtë me arsyetim se çështja e sigurisë (së personelit amerikan) e ka penguar një hap të tillë.
- Presidenti në mënyrë eksplicite ia ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Serbisë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të reagojnë po qe se do të shkallëzojë konflikti në Kosovë i shkaktuar nga Serbia.
- Më 4 janar 1995, presidenti Klinton tha se “ekziston një numër çështjesh, përfshirë edhe Kosovën, të cilat duhet të shqyrtohen para se Beogradi të lirohet nga sanksionet e Kombeve të Bashkuara dhe të kthehet në bashkësinë ndërkombëtare… Vendimi ynë për suspendimin e sanksioneve do të ndërmerret pas konsultimeve të afërta me Kongresin”.
- Më 15 shkurt, presidenti Klinton paralajmëroi, pa konsultime paraprake me Kongresin, një sërë kushtesh, por pa përfshirë përmirsimet në Kosovë, të cilat po qe se do të përmbusheshin nga Serbia dhe Mal i Zi do të rezultonin me heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.
Çfarë duhet të jetë politika e SHBA?
- Situata në Kosovë duhet të zgjidhet para se Beogradi të lirohet nga sanksionet ndërkombëtare dhe t’i mundësohet kthimi në bashkësinë ndërkombëtare.
- Nuk duhet të mohohet e drejta e popullit të Kosovës të vetëqeverisë dhe të themelojë identitet të mëvetësishëm.
- Në Kosovë duhet të rikthehen mbikëqyrësit ndërkombëtarë.
- Qeverisë së zgjedhur të Kosovës duhet t’i lejohet të veprojë dhe të ushtrojë mandatin e saj legjitim, si përfaqësuese e zgjedhur nga populli i Kosovës.
- Të gjithë individëve të cilëve u është mohuar e drejta për punë mbi bazë etnike duhet të rikthehen në pozita (vendet e tyre të punës) e mëparshme.
- Sistemi i edukimit në Kosovë duhet të hapet për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe popullatës shumicë shqiptare duhet t’i lejohet e drejta për arsimim të të rinjve në gjuhën amtare.
Të mos hiqen sanksionet derisa të mos jenë përmbushur disa kushte.
Asnjë nga sanksikonet ndaj Serbisë dhe Malit të Zi të sanksionaur a me aktet relevante nuk mund të hiqen përderisa:
- të mos ekzistojë përparim substancial drejt:
- a) realizimit të mëvetësisë së Kosovës për vetëqeverim;
b( vendosjes së një protektorati ndërkombëtar për Kosovën.
- përderisa të mos ketë përmirësime përmbajtësore në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë;
- përderisa të mos kthehen mbikëqyrësit ndërkombëtarë në Kosovë dhe;
- përderisa të mos i lejohet qeverisë së zgjedhur të Kosovës që të konstituohet dhe të ushtrojë mandatin e saj legjitim si përfaqësuese e zgjedhur nga populli i Kosovës.
Jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i këtij projektligji, presidenti duhet të përgatisë dhe t’ia përcjellë Kongresit një raport në të cilin do të vlerësohet:
- Situata në Kosovë, përfshirë mënyrën dhe format me të cilat politika e Serbisë ka afektuar ekonominë, gjendjen sociale dhe të drejtat kulturore, të popullatës shumicë të Kosovës;
- Masat që janë ndërmarrë për ndihma humanitare popullsisë së Kosovës, si dhe refugjatëve kosovarë, të cilët janë shpërngulur, si dhe efektin e sanksioneve të SHBA ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, pas shpërndarjes së ndihmave humanitare Kosovës;
- rekomandimet (duke marrë parasysh pikëpamjet e anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe anëtarëve të Unionit Evropian) se çfarë modalitetesh duhet të ndiqen, përfshirë edhe vendosjen e një protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën bashkë me anëtarët e tjerë e të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe anëtarët e Unionit Evropian në mënryrë që të jetësohen të drejtat ndërkombëtare të popullit të Kosovës; të rivendoset prezenca ndërkombëtare në Kosovë në mënyrë që të mbikëqyret në mënyrë më të efektshme situata në Kosovë, si dhe të sigurohet e drejta e popullit të Kosovës për vetëqeverim demokratik;
- të ritheksohen përpjekjet aktuale të Shteteve të Bashkuara për krijimin e Qendrës Kulturore të Agjencisë Informative të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, siç është miratuar me sesionin 223 të Aktit mbi autorizimin për marrëdhënie të jashtme për vitin fiskal 1992 dhe 1993, duke vlerësuar në hollësi kushtet e sigurisë dhe të të gjithë faktorëve të tjerë që pengojnë krijimin e kësaj qendre;
- prezencën e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, para se të krijohet Qendra Kulturore e Agjencisë Informative të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përfshirë numrin, shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e vizitave në Kosovë të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd gjatë 12 muajve të fundit nga data e miratimit të këtij projektligji.
Tituj të tjerë:
Në Oslo u mbajt tubimi për pavarësinë e Kosovës
Duke u kthyer nga tubimi në Uashington, humbi jetën Ali Dinë Lajçi
“Bujku”: Defetizmi është faktikisht i paqëndrueshëm dhe politikisht i dëmshëm
Në Gjilan ish-punëtorët shoqëroro-politik ende po mbahen në arrest
Maqedoni: U ngrit aktakuza kundër dr. Fadil Sylejmanit dhe Milaim Fejziut
Kryetari i Nëndegës së LDK-së në Bajgorë u dënua me 20 ditë burg
Radio “Evropa e Lirë” për “kuvendin gjithëserb”
Ekstremistët serbë paralajmërojnë tubimin e tyre më 29 prill në Prishtinë
Në Prishtinë po mbahet një tubim serb për popullsinë
Të gjithë kriminelët i dorëzohen Hagës
1 prill 1997
Lajmet kryesore:
U mor në bisedë informative Lulzim Peci
U liruan veprimtarët Ismail Mehmeti e Sylejman Hasani
Në Osllo organizata norvegjeze me emrin “Aksioni antifashist” sulmoi Ambasadën italiane
Agjencia serbe e lajmeve kritikon Uashingtonin
Arriti në 83 numri i të vdekurve në anijen shqiptare
Heshtja zyrtare në Itali për tragjedinë e refugjatëve shqiptarë
Vlorë: U plaçkit dhe u shkatërrua Dega e Bankës Bujqësore
Të martën rifillojnë lidhjet detare midis Italisë dhe portit shqiptar të Durrësit
SHBA do të ndihmojnë nëse kërkohet ndihma e tyre
1 prill 1998
Edicioni i parë (Ora 15:30)
Lajmet kryesore:
- Riçardson: Gjendja në Kosovë kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare
Forca policore shkuan nga Gllogoci drejt Skënderajt
Në Brojë më nuk ndodhet askush, pos policisë e ushtrisë
Ekspeditë e policisë në Lajthishtë të Obiliqit
- Bërdë: Policia keqtrajtoi një inkasant
Lajm i plotë:
Ora e mësimit pas masakrës
Dje në mesin e nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës fillore “Petro Marko” të Skënderajt mbretëroi një atmosferë dhembjeje e pikëllimi të thellë. Të gjithë nxënësit dhe arsimtarët qanin pandërprerë për dhjetë nxënësit e kësaj shkolle të lagjes së Jasharajve në Prekaz, që u vranë para 27 ditësh nga okupatori serb. Në bankat ku ndodheshin të ulur nxënësit e vrarë sot u vunë lule të kuqe. Ndër nxënësit e vrarë janë: Valdete Rifat Jashari (14), nxënëse e klasës VIII, Lirie Hamëz Jashari (14), nxënëse e klasës VIII, Kushtrim Adem Jashari (13), nxënës i klasës VII, Igball Rifat Jashari (11), nxënës i klasës VI, Blerim Hamëz Jashari (11), nxënës i klasës V, Igballe Rifat Jashari (13), nxënëse e klasës VI, Fatime Hamëz Jashari (8), nxënëse e klasës II, Blerim Hamëz Jayshari (7), nxënës i klasës I, Bujar Zenë Jashari (12), nxënës i klasës VI dhe Makfirete Bajram Gashi (3), nxënëse e klasës VII, thuhet në një raport të korrespondentit të “Bujkut” nga Skënderaj.
Lajm i plotë:
Skënderaj: Deri tash 19 të zhdukur
Nënkëshilli për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Skënderaj shpalli dje listën e 19 të zhdukurve, shumica nga lagja e Jasharajve të Prekazit të Poshtëm, e këta janë: Sadik Hysni Jashari (65), Hafie Jashari (60), Hamdi Sadik Jashari (33), Elfie Sadik Jashari (28), e martuar në Qirez, Fatime Sadik Jashari (26), Ramiz Sadik Jashari (24), Mihrie Jashari (53), Sabrie Zymer Jashari (20), Hanife Zymer Jashari (16, Smajl Asllan Jashari (48), Shaban Qerim Jashari (25), Ukshin Qerim Jashari (21), Hajrie Jashari, Ajvaz Kajtaz Jashari (18), të gjithë nga Prekazi i Poshtëm, si dhe Fatime Bazaj (21) e Smajl Bazaj (18) motër e vëlla nga Tërsteniku, Bashkim Ali Sadiku (22), Tushilë, Ilmi Kastrati (28), Brojë, dhe Idriz Rexhep Idrizi (46), Prekaz. Këshilli i lut të gjithë ata që për personat e shënuar kanë ndonjë dijeni të lajmërojnë NKMDLNJ-në në Skënderaj në tel. 028/82-330 ose në NKMDLNJ-në më të afërt.
Lajm i plotë:
Gjakovë: Një tetëvjeçare, e dhunuar dhe e mbytur në rrethana të pasqaruara
Prishtinë, 1 prill (QIK)
Mbrëmë në morgun e spitalit të Gjakovës, policia serbe solli trupin e vdekur të fëmijës 8 vjeçar Drane Gjergj Perlaskaj nga fshati Smaq afër Bishtazhinit, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Sipas pohimeve të anëtarëve të familjes, Dranja, pasditen e datës 30 mars, së bashku me të vëllanë, kishte dalur me bagëti dhe më vonë, në kërkim të një lope të humbur ajo hyri në malin e fshatit.
Anëtarët e familjes e kërkuar ata tërë ditën, por arritën ta gjejnë vetëm dje, në mes të malit, të vdekur dhe të dhunuar, në rrethana tani për tani të panjohura.
Në spitalin e Gjakovës sot u bë obduksioni i kufomës së saj, ndërsa varrimi do të bëhet pasdite.
Edicioni i dytë (Ora 16:00)
Lajm i plotë:
Nga të shtënat serbe në Brojë të Skënderajt u plagos dje Violetë Hoti
Gjendja në Skënderaj dhe fshatrat përreth është edhe sot tepër e rëndë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së. Forca të mëdha policore-ushtarake edhe më tej janë të fortifikuara në kondrinat që ndajnë Skënderajn me Llaushën. Në këtë hapësirë janë të vendosur armë të shumta artilerike, me të cilat kontrollohet Llausha dhe Skënderaj.
Burimet e LDK-së në fshatin Marinë, sot janë shtuar shumë forcat e armatosura, të cilat sot po hapin llogore të reja. Kërcënimi për shatin Marinë, Rezallë, Polac etj. është evident dhe janë shumë reale mundsitë e një sulmi të afërt.
Se sa janë të izoluara disa fshatra, flet shembulli i foshnjës së vdekur 14- muajshe, Marigonë Vojvoda, nga Llausha. Foshnja ishte bashkë me prindërit në një fshat të afërm,mirëpo prindërit nuk patën mundsi të varrosnin në Llaushë, prandaj e varrosën në Polac, edhepse këto dy fshatra janë fare pranë njëri-tjetrit.
Dje, përveç në Marinë e Llaushë, ku në orët e hershme të mëngjesit ka pasur të shtëna të shumta. Të shtëna ka pasur edhe në fshatin Brojë, ku si pasojë është plagosur Violeta Hoti, 18 vjeçe.
Sot është dita e dytë e rifillimit të mësimit në dhjetë shkolla fillore. Numri i nxënësve që ndoqi sot mësimin, në krahasim me dje, është solid.
Ndihmat nga Këshilli Qendror i Emergjencës dhe asociacione tjera humanitare kanë arritut edhe dje, mirëpo në sasi jo të mjaftueshme. Ato ndihma që kanë arritur janë shpërndarë në terren, thuhet në njoftimin ditor të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Skënderaj.
Tituj të tjerë:
Gjendje e rëndë në Deçan
Të shtëna me armë nga shtëpia e një serbi në fshatin Dobresh
Edicioni i tretë (Ora 20:00)
Titujt kryesorë:
Kryetari Rugova priti një delegacion të Asamblesë Nacionale të Francës
Forcat serbe tentojnë t’i frikësojnë shqiptarët e komunës së Skënderaj
Foto: Kongresi Amerikan
You may like
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 shtator 1993-1998
Published
3 hours agoon
September 19, 2026By
UBT News
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
19 shtator 1994
The Guardian: Serbët terrorizojnë shqiptarët etnikë
Shtypi botëror vazhdon të shkruajë në mënyrë të gjithanshme për Kosovën dhe gjendjen e rëndë në të. Pas publikimit të një Raporti të organizatës ndërkombëtare Amnesty International për gjendjen në Kosovë, gazetat autoritative britanike “The Guardian” dhe “The Independent” në numrat e tyre të sotëm (19 shtator) sjellin dy artikuj të gjerë, në të cilët përfolet Raporti i fundit i Amnesty International i publikuar po ashtu sot.
Iën Trejnor, korrespondent i “The Guardian” nga Vjena, shkruan në artikullin e tij me titull “Serbët terrorizojnë shqiptarët etnikë” se “terrori policor serb dhe dhuna kundër shumicës shqiptare në krahinën jugore të Kosovës po ushqejnë shkallën eksplozive të tensioneve etnike në rajon”. Artikulli në vazhdim bën fjalë për raportin e publikuar sot të organizatës Amnesty International dhe citon: “Mijëra shqiptarë e kanë përjetuar dhunën policore serbe në lëkurën e vet… Rrahjet brutale me kërbaç janë forma të zakonshme të dhunës, ndërsa edhe shoku elektrik përdoret shpesh”. “The Guardian” shkruan se “derisa kryetari serb Slobodan Milosheviq, autor i luftërave në Bosnjë dhe në Kroaci, pret zbutjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Serbisë si shpërblim për ‘rolin e tij konstruktiv’, dhuna policore në Kosovë vazhdon papengueshëm”.
Në vazhdim të artikullit në “The Guardian” jipen dëshmi të Amnesty International për dhunën serbe në Kosovë. “Inspektorët e policisë shprehin urrejtje etnike ndaj viktimave të tyre. Një rast në veçanti brutal ishte ai kur një polic gdhend një simbol serb në gjoksin e një shqiptari 18-vjeçar”. Në raportin e Amnesty International thuhet se “policia serbe ka vrarë një amvise shqiptare, derisa po qëndronte në ballkonin e saj në Deçan.
“Marrëdhëniet ndërmjet komunitetit shqiptar, i cili numëron 2 milionë në Kosovë dhe autoriteteve serbe kanë qenë të tendosura me dekada. Tendosja është rritur në mënyrë dramatike nga fundi i viteve ’80, kur Milosheviqi përdori çështjen e Kosovës për të ngjallur nacionalizmin serb. Milosheviqi ka bllokuar përpjekjet ndërkombëtare për përfshirjen e Kosovës në negociatat për ish-Jugosllavinë. Vitin e kaluar ai përzuri ekipin vëzhgues të KSBE-së”.
Në fund artikulli bën fjalë për mundësinë dhe gjasat e një dialogu shqiptaro-serb dhe transmeton shtypin e Beogradit të ketë cituar kryetarin Rugova “se është i gatshëm të bisedojë me Milosheviqin”, por kërkesa e tij për ndërmjetësimin e palës së tretë në këto bisedime do të refuzohet nga Milosheviqi, i cili këmbëngul se Kosova është një çështje e ‘brendshme e Serbisë'”.
Gjithnjë në këtë frymë, edhe artikulli me titull “Amnesty dënon terrorin në Kosovë” i botuar në “The Independent” të sotëm (19 shtator) denoncon, në saje të Raportit të fundit të Amnesty International-it, dhunën e autoriteteve serbe në Kosovë.
“Autoritetet serbe e kanë shtuar në mënyrë të ndieshme shtypjen e shqiptarëve etnikë në krahinën jugore të Kosovës gjatë këtij viti”, thuhet në artikull, i cili në vazhdim citon pjesë të Raportit të Amnesty International-it, të cilat në mënyrë ekzemplare pasqyrojnë dhunën serbe në Kosovë.
“Amnesty beson se policët serbë janë posaçërisht të vrazhdë gjatë bastisjeve për armë në shtëpitë shqiptare… Ato janë shtuar në mënyrë dramtike gjatë vitit të kaluar… Bastisjet për armë janë të përditshme, ndonëse shqiptarët kanë hequr dorë nga përdorimi i forcës në lëvizjen e tyre për vetëvendosje”, thuhet në mes të tjerash në artikullin e Toni Barberit në “The Independent”.
19 shtator 1995
Kolonët ngrisin tensionin në Ferizaj
Më 18 shtator, duke filluar nga ora 19:00 e deri në orët e pasmesnatës, nga kazerma ushtarake e Ferizajt, janë vërejtur lëvizje të mëdha të automjeteve dhe qytetarëve serbë. Gjatë kësaj kohe ata këndonin këngë shovene raciste e sidomos antishqiptare, duke fyer posaçërisht personalitetin e nënës shqiptare si dhe kryetarin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe atij të Shqipërisë dr.Sali Berisha, njofton KI i Degë së LDK-së në Ferizaj.
Gjatë kësaj kohe, policia serbe vetëm qëndroi anash dhe nuk ndërmorri asgjë ndaj veprimit të grupit të qytetarëve serbë, që përbëhej nga kolonë dhe nga serbë vendës dhe ndaloi e maltretoi shqiptarët, të cilët kalonin me vetura nëpër atë pjesë të qytetit.
Po ashtu, edhe më 19 shtator, në kazermën ushtarake serbe në Ferizaj janë vërejtur lëvizje të qytetarëve serbë.
Ndërsa sot ata nga kazerma dolën edhe të armatosur me rroba civile dolën nëpër qytet deri rreth orës 12:00.
Provokimet e djeshme dhe të sotshme si dhe informata e djeshme për ekzistimin e një grupi të “paramilitarësh”, kanë shkaktuar pezm dhe shqetësim tek popullata shqiptare dhe tërheqin vëmendjen për ndonjë ekces më të madh të mundshëm.
Ndërsa nga palestra sportive “Rinia” në Ferizaj, mirret vesh se gjatë javës së kaluar, kolonët serbë janë transferuar në lokacione të tjera në qytet, si në lokalet e shkollës së mesme “Zenel Hajdini”, në hotelin “Luboteni”, në barakat e punëtorëve, etj., njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Nga Ferizaji janë larguar 5 kolonë të pakënaqur me kushtet dhe kanë shkuar në Maqedoni.
Bëhet me dije se në Ferizaj po mbahet edhe një grup i paramilitarëve serbë nga Kroacia.
Sipas disa shënimeve mund të konkludohet se deri tash në Ferizaj janë vendosur 185 kolonë serbë, ndërkohë që organet e instaluara serbe deklarohen se janë të gatshëm të pranojnë edhe 100 kolonë të rinj.
19 shtator 1997
Në Baballoq të Deçanit u vendosën 122 familje refugjatësh serbë nga Shqipëria
Dje në lokalitetin Baballoq afër Deçanit u vendosën 122 familje refugjatësh serbë nga Shqipëria. Atje kishte shkuar vetë ministri serb i të ashtuquajturës federatë serbo-malazeze, Mirosllav Ivanisheviq, për t’ua dorëzuar çelsat. Ai u kishte premtuar refugjatëve të tjerë serbë se do të ndërtohet një lokalitet i ri me 66 shtëpi.
Krahas shtëpive në pronësi të përhershme, refugjatët serbë kanë marrë edhe dy deri më katër hektarë tokë të uzurpuar nga regjimi serb.
19 shtator 1998
Podujevë: Nuk dihet për fatin e së paku 9 vetave
Pas sulmit mbi fshatin Dobratin të Podujevës, prej ku forcat serbe granatuan edhe fshatrat e Shalës së Bajgorës, në fshat u gjetën dy të vrarë, Fetah Sefer Behrami (i masakruar) nga Kaçanolli dhe Maksut Islam Rekaliu nga Dobratini.
Fshati gjithashtu është dëmtuar në masë shumë të madhe, janë plaçkitur e janë djegur shtëpitë.
Por, përmasat e plota të këtij sulmi ende nuk dihen, pasi deri tash nuk ka njoftime për fatin e disa banorëve.
Sipas njoftimeve të KI të Degës së LDK-së në Podujevë, nuk dihet për fatin e Jashar Fetah Behramit (26), Ramadan Behramit (60), Muhamet Fazliut (36), Rrahim Ramadanit (16), Ejup Sejdiut (36), Beqir Lepajës (26), Rrahim Lepajës (28), Haki Rekaliut (35) dhe Xhafer Ajvazit.
Nuk dihet gjithashtu as për fatin e tetë fëmijëve të tjerë të të ndjerit Fetah Behrami, të cilit edhe i është djegur shtëpia.
Shtime: 23 të vrarë, 20 të plagosur, 11 fshatra të djegura
Gjatë ofensivës së forcave serbe në fshatrat e Shtimes, që nga 14 qershori e deri sot, janë vrarë 23 shqiptarë dhe janë plagosur 20 të tjerë.
Sipas shënimeve të KI të Degës së LDK-së në Shtime, janë vrarë:
Sabri Ahmeti (65), nga Carraleva, i vrarë më 17 qershor, Nesret Abazi (22), nga Belinci, i vrarë më 25 korrik, Ruzhdi Salihu (34) nga Zborci, i vrarë më 26 korrik, Osman R. Halimi (48), nga Belinci, i vrarë më 30 korrik, Feriz Sabit Xhema (37) nga Carraleva, i vrarë më 27 korrik, Xhemë Sabit Xhema (45), nga Carraleva, i vrarë më 9 gusht, Selim Rexhepi (85), nga Petrova, i vrarë më 2 gusht, Arsim LimanHysenaj (15) nga Petrova, i vrarë më 10 gusht, Mejreme Liman Hysenaj (2), nga Petrova, e vrarë më 10 gusht, Haki Ilazi (85), nga Zborci, Skënder Salihu (25) nga Mollopolci, Jalldyze Asllani (65), Halide Asllani (37), Ajshe Asllani (27), Burim Asllani (13), Lumni Asllani (11), Ejup Asllani (9), Luljeta Asllani (7), Shpend Asllani (5), Xhafer Asllani (3), Antigona Asllani (1), Albiana Asllani (6-muajshe), të gjithë nga fshati Rancë dhe të vrarë më 23 gusht, si dhe Zeqir Asllani (95) nga fshati Rancë, i vrarë më 29 gusht.
Janë plagosur: Isak Asllani (40), Musa Asllani (27), Bekim Asllani (20), Mevlude Kadriu (47), Nazmi Dauti (28), Sabit Nuredini (33), Ibrahim Ibrahimi (47), Haxhi Komorani (53), Bedri Maksuti (21), Arsim Hasami (20), Mehdi Limani (39), Zaim Selmani (36), Nesret Zymeri (12), Ajshe Pajaziti (17), Nexhmije Hysenaj (47), Fatmir Duga (15), Halit Luma (13), Bujar B. Beqaj (15), Abedin Beqaj(12), Osman Guri (60).
Po gjatë kësaj periudhe në fshatrat e kësaj komune janë djegur 11 fshatra, janë granatuar 6, në të cilat janë djegur 799 e janë granatuar 379 shtëpi.
Nga fshatrat e sulmuara të kësaj komune janë zhvendosur 14.200 banorë.
Lajmet
Protesta në Prishtinë vazhdon edhe në mbrëmje kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së
Published
17 hours agoon
September 18, 2026By
UBTNews
Mijëra qytetarë po vazhdojnë të qëndrojnë në sheshet e Prishtinës edhe gjatë orëve të mbrëmjes, në shenjë proteste kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta e organizuar nga OVL-UÇK pason aktgjykimin ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Pjesëmarrësit po vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Policia e Kosovës po vazhdon të jetë prezente në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa situata në kryeqytet po vijon e qetë dhe pa incidente.
Lajmet
United Hospital hap dyert për ekspertizën ndërkombëtare: Dr. Yoel Har Even sjell përvojën e tij në radiologji
Published
22 hours agoon
September 18, 2026By
UBTNews
United Hospital po zgjeron bashkëpunimin me profesionistë ndërkombëtarë me përvojë dhe reputacion të afirmuar në fushën e mjekësisë, me synim forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe ngritjen e mëtejshme të standardeve të shërbimeve shëndetësore.
Në kuadër të kësaj qasjeje, United Hospital ka pritur sot Dr. Yoel Har Even (Ph.D), figurë e njohur në mjekësinë ndërkombëtare dhe në menaxhimin e krizave shëndetësore. Sipas njoftimit të spitalit, raporti i tij me Kosovën daton që nga misionet e para mjekësore humanitare, ndërsa tashmë ai shpreh interesimin për të kontribuar edhe në vend si mjek radiolog.
Vizita në ambientet e United Hospital u përqendrua në diskutime profesionale lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve diagnostikuese, aplikimin e praktikave bashkëkohore në radiologji dhe iniciativat e ardhshme të institucionit.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor, kur Dr. Har Even do t’i bashkohet sërish ekipit të United Hospital në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.
Gjatë kësaj periudhe, eksperienca e tij profesionale pritet të vihet në shërbim të aktiviteteve që synojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta.
Hapja e dyerve për kuadro ndërkombëtare me përvojë të dëshmuar paraqet një tjetër dimension në strategjinë e United Hospital për të sjellë ekspertizë të specializuar dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me profesionistë të mjekësisë nga jashtë Kosovës.
Me këtë qasje, institucioni synon që njohuritë dhe përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë të ndërthuren me kapacitetet e stafit vendor, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve moderne diagnostikuese dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt pacientit.
United Hospital e përmbyll mesazhin e tij me një thirrje për më shumë kujdes, parandalim dhe ndërgjegjësim për shëndetin.
Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Lokacioni: M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë./rajonipress/
Lajmet
Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026
Published
22 hours agoon
September 18, 2026By
UBTNews
Kanë mbetur edhe pak ditë kur ekipi i Kosovës do të niset për të përfaqësuar vendin në skenën botërore të robotikës. Në mesin e ekipeve më të mira nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).
Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon të Koresë së Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation”. Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e zjarreve të egra dhe ndikimit të tyre në natyrë, biodiversitet e komunitete.
Përfaqësimi i Kosovës i është besuar ekipit të UBT-së, i cili përbëhet nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj.
Duke folur për përgatitjet intensive teknike e strategjike që po bëhen, mentorja e ekipit Elita Hajrizi theksoi përkushtimin e nxënësve.
“Ekipi ka filluar me përgatitjet që prej qershorit dhe përgatitjet e fundit po vazhdojnë edhe këtë javë. Që nga fillimi, ekipi ka treguar një angazhim, vullnet e pasion të madh për punën dhe besoj shumë se rezultatet e kësaj pune do të shihen edhe në garë në Kore. Sigurisht, synimi ynë kryesor është përfaqësimi i denjë i Kosovës dhe fitorja është pjesë e këtij synimi”, shprehet Hajrizi.
Përfaqësimi i këtij edicioni vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar në Panamá, ku Elita Hajrizi u vlerësua me çmimin “Best Mentor” në nivel botëror. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, UBT vazhdon të mbetet lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM dhe në promovimin e potencialit të të rinjve kosovarë në skenën ndërkombëtare.
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 shtator 1993-1998
Protesta në Prishtinë vazhdon edhe në mbrëmje kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së
Derbi i zjarrtë ndez startin e edicionit të ri: Sigal Prishtina mirëpret Pejën në kryeqytet
United Hospital hap dyert për ekspertizën ndërkombëtare: Dr. Yoel Har Even sjell përvojën e tij në radiologji
Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026
Prishtina sonte sërish në protestë, tubimi nis në orën 21:00
Qindra mijëra iranianë marshojnë në Teheran pas thirrjeve për mobilizim ushtarak
Franco Foda Publikon Listën e Kosovës për Ligën e Kombeve
Lista Rezervë e Franco Fodës
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport2 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet2 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet2 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë

