Lajmet
DITARI 18 mars 1999: Delegacioni i Kosovës nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë për statusin kalimtar të Kosovës
Published
3 weeks agoon
By
UBTNewsLajmi kryesor i datës 18 mars 1999 sjell njoftimin se delegacioni i Kosovës ka nënshkruar në Paris “Marrëveshjen e Rambujesë për statusin kalimtar të Kosovës”
Lajmi kishte këtë përmbajtje:
“Sonte në orën 18:30, Delegacioni i Republikës së Kosovës, me një ceremoni rasti, ka nënshkruar në Paris Marrëveshjen për statusin kalimtar trevjeçar për Kosovën, të arritur me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në Rambuje të Francës më 23 shkurt të këtij viti.
Këtë Marrëveshje në prani të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë Kritofer Hill, Volfgang Petriç dhe Boris Majorski e nënshkruan Kryetari i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi”.
Këtij lajmi i bëri jehonë e gjithë bota. Po afrohej dita për sulmet e paralajmëruara në NATO-s kundër Serbisë.
Për ta pasqyruar gjendjen e asaj dite, po sjellim disa nga lajmet kryesore, si nga zhvillimet në terren ashtu edhe nga zhvillimet politike.
Lajmet më poshtë janë renditur sipas kronologjisë së publikimit, gjatë ditës:
Ora 11:00:
Sërish të shtëna drejt fshatrave të Mitrovicës e Vushtrrisë
Ragip Bajrami vdiq në një spital të Beogradit
Plaçkiten shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve në fshatrat e Vushtrrisë
Verifikuesit të gatshëm për t’u larguar në rast të mossuksesit të bisedimeve paqësore për Kosovën
Raportuesi special i OKB-së Jizhi Dinstbir situatën në Kosovë e vlerësoi si shumë të keqe
Reagimet e partive opozitare serbe lidhur me konferencën për Kosovën në Paris
Lajm i plotë: Plaçkiten shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve në fshatrat e Vushtrrisë
Kamionë të shumtë me targa civile janë vërejtur ditëve të fundit duke bartur gjësende të plaçkitura nga shtëpitë e braktisura shqiptare në fshatrat e Vushtrrisë që janë sulmuar ditëve të fundit nga forcat serbe.
KI i Degës së LDK-së në Vushtrri njofton gjithashtu se në fshatrat rrëzë Qyqavicës po mbretëron gjendje shumë e rëndë, ndërsa gjatë natës së shkuar të shtëna të kohëpaskohshme jkanë dëgjuar në fshatin Beçuk.
Lajm i plotë: Verifikuesit të gatshëm për t’u larguar në rast të mossuksesit të bisedimeve paqësore për Kosovën
Misioni verifikues i Kosovës po e kryen punën normalisht, por ai është i gatshëm për t’u larguar në rast të mossuksesit të bisedimeve paqësore për Kosovën në Paris. Zëdhënësi i këtij misionoi Volter Ebenberger tha se verifikuesit janë të gatshëm ta braktisin Kosovën nëse kjo është e domosdoshme. Misioni gjendet në shkallën e parë të gatishmërisë, që do të thotë se çdo verifikator në shtëpi e ka të gatshëm bagazhin e rëndë 15 kg. Shkalla e tretë parasheh që të gjithë verifikatorët të vijnë në vendin e punës me bagazh, të gatshëm për evakuim.
Ebenbergeri tha se ka qenë e paraparë që në terren të jenë 2000 verifikatorë, dhe se tani aktualisht ka 1381. Një diplomat i huaj deklaroi në Prishtinë se në qoftë se arrihet marrëveshja dhe në Kosovë vijnë forcat ndërkombëtare, anëtarët e Misionit Verifikues do të integroheshin në këto forca për shkak të përvojës dhe të njohjes së terrenit.
Ora 12:00:
Dita e katërt e konferencës në Paris – pa program të përcaktuar
U granatuan katër fshatra të Llapit
Në Sibofc të Obiliqit forcat serbe plagosën një shqiptar
Obiliq: Në fshatin Hamidi forcat serbe kidnapuan vëllezërit Krasniqi
Policia serbe keqtrajtoi një civil shqiptar
Lajm i plotë: Dita e katërt e konferencës në Paris – pa program të përcaktuar
Paris, Prishtinë, 18 mars (QIK) – Delegacioni ynë hyri sot dikund rreth orës nëntë në ndërtesën e konferencës për Kosovën pa ndonjë program të veçantë për ditën e sotme, të katërtën që kur konferenca e Rambujesë i vazhdoi punimet në Paris.
Delegacioni i Kosovës do të takohet me negociatorët ndërkombëtarë, pasdite edhe me bashkëkryetarët e konferenës, ministrat e jashtëm britanikë e francezë, Robin Kuk dhe Yber Vedrin.
Anëtarë të delegacionit tonë kanë veneruar se sot është dita e dyzet që kur është hyrë në këtë proces intensiv negociator me fillimin e konferencës së Rambujesë. “Të gjitha mjetet dhe mënyrat diplomatike janë shpenzuar. Koha tani është për veprime konkrete ushtarake”, ka thënë një anëtar, duke aluduar në zotimet e Perëndimit, në radhë të parë të NATO-s, për sulme ndaj caqeve serbe në rast të vazhdimit të agresionit në Kosovë dhe mospajtimit me planin paqësor të Rambujesë.
Delegacioni i Kosovës shpalli të hënën se do të nënshkruante marrëveshjen e përkohshme për Kosovën të negociuar në Rambuje, më 23 shkurt.
Nëse do të ketë nënshkrim të dokumentit nga kosovarët – serbët nuk e kanë ndërmend ta bëjnë këtë gjë – ai do të ndodhë qoftë sot pasdite, kur të vijnë ministrat, qoftë nesër paradite, thonë burime të afërta me konferencën.
Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se do të ftonte anëtarë të delegacionit negociator të Kosovës në bisedat në Paris për një vizitë në Uashington.
Sekretarja e Shtetit Ollbrajt dërgoi zëdhënësin e Departamentit Xheimz Rubin në Paris për ta bërë ftesën për vizitë, theksoi CNN.
Ollbrajt kërkoi nga Rubini që të takohet me udhëheqësin e delegacionit negociator të Kosovës, Hashim Thaçin, dhe “t’i bëjë në emër të saj një ftesë që anëtarë të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës të udhëtojnë në Uashington, gjë që presim të ndodhë në fund të këtij raundi të bisedave në Paris”, tha zëvendësi i zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Xheimz Foulli të mërkurën.
“Ne duam të zhvillojmë marrëdhënie të mira me ta (UÇK-në), ndërsa transformohen në një organizatë me orientim politik në një Kosovë që jeton në paqe, simbas dispozitave të marrëveshjes së përkohshme”, deklaroi Foulli.
Ora 13:30:
Pritet që delegacioni i Kosovës ta nënshkruajë marrëveshjen sot pasdite
Intervistë e Kryetarit të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova dhënë radios “Evropa e lirë”
Suharekë: Një trup pa jetë u gjet në malin Biraç
U gjetën edhe dy të vrarë në Malësinë e Kaçanikut
Nëntë pjesëtarë të vrarë të UÇK-së u varrosën dje në Pagarushë të Malishevës
Një konvoj i forcave serbe shkoi drejt Mihaliqit të Vushtrrisë
Vushtrri: Policia serbe keqtrajtoi fizikisht 3 civilë shqiptarë
Vetura e një shqiptari me targa të armatës jugosllave
Presidenti Meidani falënderon angazhimet e SHBA-ve dhe Francës për Kosovën
Georgijevski: Në Maqedoni gjenden rreth 12.000 ushtarë të NATO-s
Në Gjakovë u varros Yll Morina, pjesëtar i UÇK-së
Në Bradash u bë varrimi i Hazbi Veliut
Nuk dihet për fatin e Enver Osmanit nga Lajthishta e Obiliqit i arrestuar nga policia serbe
Lajm i plotë: Pritet që delegacioni i Kosovës ta nënshkruajë marrëveshjen sot pasdite
Delegacioni i Kosovës në Paris po vazhdon kontaktet me negociatorët dhe me institucionet që do të merren me implementimin e marrëveshjes për Kosovën.
Merret vesh se mbrëmë delegacioni i Kosovës pati përsëri takim me përfaqësuesit e NATO-s, por edhe një takim me negociatorët ndërkombëtarë. Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka marrë një ftesë që të vizitojë nesër selinë e NATO-s në Bruksel.
Një pjesë e delegacionit të Kosovës, siç konfirmohet sot, ka marrë ftesë që të vizitojë SHBA-të dhe se takimet me zyrtarë të lartë amerikanë pritet të bëhen nga dita e hënë.
Po ashtu pritet që në orët e mbrëmjes delegacioni i Kosovës ta nënshkruajë marrëveshjen, në prani të përfaqësuesve të SHBA-ve, Unionit Evropian dhe Rusisë.
Pala serbe vazhdon të jetë jokooperative, duke refuzuar jo vetëm nënshkrimin e marrëveshjes, por duke injoruar atë në tërësi.
Njoftohet se konferenca në Paris mund të përfundojë punimet gjatë mbrëmjes.
Lajm i plotë: Suharekë: Një trup pa jetë u gjet në malin Biraç
Një trup pa jetë u gjet sot, në orët e mëngjesit, në malin Biraq, pranë rrugës Suharekë-Duhël, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Suharekë.
Në vendin ku u gjet trupi pa jetë ka dalë organet policore serbe dhe ekipi i Misionit Verifikues të OSBE-së. Identiteti i viktimës, e cila është gjinisë mashkullore, me moshë rreth 35 vjeç, mbetet ende i panjohur.
I njëjti burim bën të ditur se banorët e fshatrave Grejkoc e Korishë kanë filluar sot të kthehen në shtëpitë e veta. Dje ata ishin të detyruar të largoheshin, për shkak të sulmeve të forcave serb në këto fshatra.
Lajm i plotë: Nëntë pjesëtarë të vrarë të UÇK-së u varrosën dje në Pagarushë të Malishevës
Në fshatin Pagarushë të Malishevës, dje në orët e vona të pasdites u bë varrimi i nëntë pjesëtarëve të UÇK-së, të vrarë gjatë luftimeve në fund të javës së kaluar në fshatin Jeshkovë të Prizrenit.
Varrimi u bë në praninë e mijëra banorëve të fshatrave të Prizrenit, Suharekës e Malishevës, si dhe të shumë eprorëve e ushtarëve të UÇK-së.
Për herë të fundit nga dëshmorët u ndanë ushtarakët e UÇK-së, Sadik Halit Jaha e Ramadan Basha.
Lajm i plotë: Në Gjakovë u varros Yll Morina, pjesëtar i UÇK-së
Ora 14:30:
Hollësi rreth ndërhyrjes së djeshme të forcave serbe në Babaj Bokës
Një predhë ra në oborrin e një shtëpie në qendër të Gjakovës
Të shtëna në fshatin Bellacerkë
Tash tri ditë nuk dihet asgjë për fatin e 4 të rinjve shqiptarë nga Peja
Në Radavc policia serbe arrestoi 2 shqiptar – nuk dihet për fatin e një shqiptari nga Raushiqi
Vushtrri: Luftime të ashpra në Zhilivodë – forcat serbe po ua vënë zjarrin shtëpive shqiptare
Pejë: Një shqiptar u dënua me 3 vjet burg
Edhe më tej prani e madhe e forcave serbe në Han të Elezit e rrethinë
Gjilan: Ripozicionime të forcave serbe
Lajm i plotë: Tash tri ditë nuk dihet asgjë për fatin e 4 të rinjve shqiptarë nga Peja
Pejë, 18 mars (QIK) – Që nga 15 marsi i këtij viti, ende nuk dihet asgjë për fatin e 4 nxënësve shqiptarë të Shkollës së Mesme Ekonomike në Pejë, njofton NKDMLDNJ në Pejë.
Nuk dihet asgjë për fatin e Dëfrim R. Tiganit (1983), Astrit M. Drenit (1983), Ylli M. Krasniqit (1983) dhe Artan C. Berishës (1983) që të gjithë nga Peja.
Dyshohet se katër nxënësit shqiptarë janë kidnapuar nga persona të panjohur.
Ora 16:30:
Mbrëmë në Peran të Podujevës u gjetën dy kufoma
Forcat serbe kanë bombarduar sot malin Zmiq të Mitrovicës
Forcat serbe rrethuan sot fshatin Radavc të Pejës dhe demoluan disa shtëpi shqiptare
Policia financiare serbe ka konfiskuar gjithë tirazhin e “Gazetës së Re Shqiptare”
Policia serbe po i keqtrajton banorët e fshatrave të Mitrovicës
Forcat serbe pasi demoluan shtëpinë e Nysret Shehut në Doganaj të Ferizajit e morën atë në polici
Misionarët e OSBE-së vizituan sot Degën e LDK-së në Ferizaj
Forcat serbe kanë liruar 80 shqiptarë të fshatit Laç të Kaçanikut por nuk dihet për fatin e Qamil Abazit
Gjykata serbe në Prishtinë dënoi me dy vjet burg Nazmi Halilin nga fshati Dremjak i Ferizajt
Gjykata serbe e Pejës dënoi me 3 vjet burg Ibër Gërgocin nga Kosuriqi
Ende nuk dihet asgjë për fatin e e katër nxënësve shqiptarë të Pejës
Gjendje pak më e qetë në Korishë të Prizrenit
Policia serbe nuk po i lejon familjet shqiptare të marrin as kufomat e të afërmve të tyre
Policia serbe arreston dhe kidnapon shqiptarët e fshatrave të Vushtrrisë
Lajm i plotë: Mbrëmë në Peran të Podujevës u gjetën dy kufoma
Mbrëmë në fshatin Peran të Podujevës janë gjetur dy kufoma, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.
I njëjti burim bën të ditur se kufomat janë të prishura nga koha, ndërsa pritet që identifikimi i tyre të bëhet sot në bashkëpunim me vëzhguesit e Misionit të OSBE-së.
Lajm i plotë: Forcat serbe kanë liruar 80 shqiptarë të fshatit Laç të Kaçanikut por nuk dihet për fatin e Qamil Abazit
Familja e Qamil Abazit (1965) nga fshati Laç i Kaçanikut, ka njoftuar se dje është marrë nga policia serbe Qamil Abazi së bashku me 80 persona të tjerë të cilët më vonë janë liruar, por nuk dihet asgjë për fatin e Qamilit. Njoftohet se ai deri të premten ka qenë në qendrën e sigurimit serb të Ferizajt dhe se atë ditë është dërguar në burgun e Prishtinës.
####
Data 18 mars ishte me plot zhvillime edhe njw vit mw herwt, nw vitin 1998. Le tw shohim cilat ishin zhvillimet kryesore tw kwsaj dite:
18 mars 1998
Ora 11:45:
Lajmet kryesore:
Protesta gjithëpopullore në Kosovë
Në Kamenicë policia ka bllokuar rrugët për të ndalur protestën
Policia ndaloi hyrjen e qytetarëve në Vushtrri
Konferencë për shtyp e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve
Këshilli Koordinues i Kuvendeve të Komunave të Kosovës i përkrah zgjedhjet e 22 marsit
Një delegacion nga Gjakova bisedoi në Zyrën Amerikane në Prishtinë me Nikollas Hillin
Demaçi priti deputetin e Parlamentit turk Ahmet Prishtina
Në vend për haxh – 4000 DM ia dedikuan banorëve të Drenicës
Lidhja Hungarezëve të Vojvodinës tërhoqi përfaqësuesin e saj nga delegacioni serb
Ora 12:30:
Lajmet kryesore:
Me votën e tij, elektorati shqiptar do ta bëjë më të realizueshme pavarësinë e Kosovës
Në Gjakovë u mbajt protestë e fuqishme gjithëpopullore
Anan dhe Kinkel dënojnë dhunën serbe në Kosovë
Mejdani: “Zgjedhjet në Kosovë janë shprehje e vullnetit të popullit”
Ora 13:45:
Lajm i plotë: Në Pejë u vra Qerim Ukë Muriqi
Në protestat gjithëpopullore në Pejë, policia serbe shtiu në protestues dhe vrau Qerim Ukë Muriqin (50) nga Peja.
- Muriqi u vra në rrugën e Hekurudhës në Pejë me ç’rast u plagosën edhe protestues të tjerë emrat e të cilëve tash për tash nuk dihen.
Lajmet e tjera:
Mbi 100 mijë pjesëmarrës protestuan sot në Prishtinë
Gelbard arriti në Prishtinë
Protestë e grave shqiptare në Nju Jork
Përballë Llaushës u vendosën dy autoblinda
Emisioni i lajmeve nga Kosova në RTSH bën fushatë kundër zgjedhjeve
Jelcini i shkroi Milosheviqit rreth Kosovës
Konferenca islamike bën thirrje për dialog me ndërmjetësim ndërkombëtar
Policia ia plaçkiti një qytetari 260 DM
Ora 14:45:
Pejë: Një i vrarë, disa të plagosur dhe shumë të rrahur
Në protestat gjithëpopullore në Pejë, policia serbe shtiu në protestues dhe vrau Qerim Ukë Muriqin (50) nga Peja.
- Muriqi u vra në rrugën e Hekurudhës në Pejë me ç’rast u plagosën edhe protestues të tjerë emrat e të cilëve tash për tash nuk dihen, thuhet në raportin për protestën e sotme në Pejë.
Në vazhdim të njoftimit të KI të Degës së LDK-së në Pejë për rrjedhën e protestës thuhet:
Përkundër masave të rrepta të policisë serbe, sot në Pejë u organizuan protesta të shqiptarëve në të cilat muarën pjesë afro 70.000 veta, nga të gjitha fshatrat e komunës.
Manifestimi kryesor u mbajt në pjesën afër Hamam Xhamisë. Ndër pankarta të shumta që mbanin mbanin në duar protestuasit dominonin: “Liri, demokraci”, “Nuk jemi terroristë”, “Drenicë jemi me ju” e të tjera, ndërsa në brohoritje i jepej përkrahje e fuqishme politikës paqësore të kryetarit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, dhe ftoheshin për unitet të gjitha subjektet politike të Kosovës.
Që në orët e hershme të mëngjesit, në hyrje të qytetit, në të gjitha rrugët që vijnë nga fshatrat ishin stacionuar forca të mëdha të policisë serbe, të cilat me dhunë zbritnin udhëtarët nga automjetet dhe i urdhëronin që të ktheheshin mbrapa. Me këtë rast në shumë vendstacionime të policisë u rrah një numër i madh i qytetarëve, pa dallim moshe e gjinie.
Megjithatë, rreth orës 10,00, në sheshin afër Hamam Xhamisë, u grumbullua numër i madh qytetarësh. Rreth orës 10,30 aty arritën forca të shtuara policore dhe filluan të rrahin dhe të ndjekin turmën në drejtim të tregut të gjelbërt.
Gjatë intervenimit të policisë në pjesë të ndryshme të qytetit u rrahën shumë qytetarë shqiptarë.
Deri tani arritëm të sigurojmë vetëm emrat e disa prej tyre:
Cufe Lajqi (22) nga Brezheniku, Selim Nezir Gjuraj (59) nga Radavci, Zenun Brahim Shala (56) nga Fusha e Pejës, Mentor Morina (30) nga Loxha, Halil Sylë Shala (41) nga Drelaj, Vesel Ibish Kurbogaj dhe Skender Ibish Kurbogaj nga lagja Dardania, Behadin Mehmet Mahmutaj (50) nga Peja, Rrahman Mehmet Jashraj (33) nga Peja, Shaqir Beqë Mujaj (54) nga Peja, Bekë Rrustem Demaj (48) nga Tërsteniku dhe Ali Krasniqi (40) nga Bërzheniku.
Numri i të rrahurve nga polcia është shumë më i madh.
Ora 16:00:
Lajm i plotë: Pejë: U plagosën pesë protestues shqiptarë
Gjatë protestës së sotme në Pejë, siç njoftuam më herët, policia serbe vrau Qerim Muriqin. Po nga të shtënat e policisë, u plagosën Sadri Adem Beqiri (58) nga Lutogllava, Mejreme Ismet Avdiaj (18) nga Pogragja e Klinës, Rexhep Shkreli (48) nga Treboviqi, Faton Avdi Muriqi (19) nga Peja dhe Bekim Isa Muriqi (23) nga Peja.
Lajmet e tjera:
Sot u protestua edhe në qendrat tjera të Kosovës
Rreth dy mijë serbë protestuan në Prishtinë
Unioni Evropian do të emërojë përfaqësuesin e vet special për bisedimet Kosovë – Serbi
Tallbot: “Nëse Millosheviqi deri në fund të javës nuk e tërheq policinë nga Kosova do të pasojnë sanksione të reja”
Konferenca islamike bën thirrje për dialog me nërmjetësim ndërkombëtar
Ora 18:00:
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti Robert Gelbardin
Deklarata e Robert Gelbardit dhe e kryetarit Rugova
Mitrovicë: Lëvizje të policisë dhe keqtrajtim të qytetarëve
Policia konfiskoi një sasi të barnave të Kryqit të Kuq të Kosovës
You may like
Vendi
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Published
3 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.
Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.
Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.
Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
Kurti ka paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.
Por, sipas një komunikate të cituar nga mediat lokale në Kosovë, Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim, duke i kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që për këtë temë të diskutohet në organet e partisë dhe më pas të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për EkonomiaOnline se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re për takim. Ajo tha se subjekti i saj politik nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit mbetet te Kurti, partia e të cilit ka shumicën në Kuvend.
LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.
Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL/
Lajmet
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Published
3 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Në një treg global ku kufijtë mes krijimtarisë vizuale tradicionale dhe teknologjisë po zbehen, programi Bachelor – Arti dhe Mediat Digjital në UBT po shndërrohet në një epiqendër për zhvillimin e talentit dhe inovacionit vizual.
Ky drejtim është projektuar si një përgjigje strategjike ndaj nevojave të industrisë kreative, e cila përfaqëson një nga sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike, duke synuar përgatitjen e kuadrove që jo vetëm zotërojnë mjetet e epokës digjitale, por edhe visionin artistik për të lënë gjurmë në shoqëri.
Në kontekstin e Kosovës, ku potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë kërkon hapësira të specializuara për t’u profilizuar, ky program ofron një platformë ndërdisiplinore që lidh dizajnin grafik, animacionin, videoproduksionin dhe kuratorinë digjitale në një cikël të vetëm studimi.
Përmes një kurrikule të pasur, studentët nisin udhëtimin e tyre me bazat e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, për t’u avancuar më tej në fusha komplekse si modelimi 3D, fotografia profesionale, efektet vizuale (VFX) dhe arti i performancës.
Ky formim i gjithanshëm u mundëson të rinjve të mos jenë thjesht ekzekutues teknikë, por artistë të pavarur me mendim kritik që kuptojnë thellësisht marrëdhënien midis artit dhe platformave emergjente të komunikimit.
UBT synon që përmes këtij programi të rritet jo vetëm shkalla e të punësuarve, por edhe cilësin e shprehjes vizuale në vend, duke krijuar profesionistë që operojnë me përgjegjësi sociale dhe ndjeshmëri të lartë kulturore.
Përtej shkathtësive praktike, programi nxit një qasje kërkimore ndaj sfidave të shoqërisë moderne, duke i inkurajuar krijuesit e rinj të transformojnë mjedisin ku jetojnë përmes inovacionit dhe kreativitetit.
Objektivi kryesor mbetet edukimi i një gjenerate që është e gatshme të sfidojë normat ekzistuese dhe të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe reflektuese.
Në fund të rrugëtimit të tyre akademik, të diplomuarit në Arti dhe Mediat Digjitale dalin si liderë të gatshëm për të eksploruar dhe riformësuar peizazhin mediatik dhe kulturor, duke dëshmuar se UBT mbetet udhërrëfyesi kryesor për karrierat e suksesshme në artin e shekullit të 21-të.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
lajme
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
Published
4 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Gjatë qëndrimit të tij në Hungari për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u shpreh i bindur se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Teherani përpara skadimit të afatit të fundit.
Sipas tij, objektivat ushtarake amerikane në këtë luftë janë arritur në masë të madhe dhe tashmë topi është në fushën e Iranit.
Uashingtoni kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo ku kalon rreth 20% e naftës botërore.
Bllokada e tanishme ka paralizuar trafikun detar dhe ka shkaktuar rritje të paprecedentë të çmimeve të karburanteve në mbarë botën, prandaj administrata Trump po këmbëngul që lundrimi i lirë të rikthehet pa vonesa të mëtejshme.
Lajmet
UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës
Published
5 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Arkitekturës në UBT, i njohur për standardet e larta akademike dhe qasjen inovative, ka bërë një hap të madh drejt fuqizimit të studentëve të tij duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK).
Ky partneritet strategjik synon të forcojë lidhjen mes edukimit akademik që ofron UBT dhe kërkesave rigoroze të tregut profesional. Përmes kësaj kornize, studentët e UBT-së do të kenë një qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit profesional dhe avancimin e standardeve etike e bashkëkohore në fushën e arkitekturës.
Marrëveshja e nënshkruar krijon një platformë afatgjatë që do të fokusohet në disa shtylla kryesore; avancimi i standardeve profesionale në arkitekturë; përgatitja e studentëve për tregun profesional dhe proceset e integrimit në profesion; shkëmbimi i njohurive dhe përvojës ndërmjet akademisë dhe profesionit; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; bashkëpunimi në zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në edukimin profesional të vazhdueshëm (EVP).
Për Fakultetin e Arkitekturës në UBT, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm dije teorike, por edhe mundësi konkrete për t’u bërë pjesë e elitës profesionale.
Bashkëpunimi me OARK-në shërben si një platformë që nxit zhvillimin e arkitekturës moderne në vend, duke i dhënë zë gjeneratave të reja të arkitektëve.
Oda e Arkitektëve, gjithashtu shpreh gatishmërinë që përmes këtij partneriteti me UBT-në, të kontribuojë në ndërtimin e një profesioni të fortë dhe bashkëkohor, duke siguruar që dija akademike të përkthehet në zgjidhje praktike për mjedisin e ndërtuar në Republikën e Kosovës.
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Trump paralajmëron masa ekstreme nëse Irani nuk pranon marrëveshjen
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës
Irani sfidon Trumpin: Nuk ka tërheqje para kërcënimeve
Një muaj paraburgim për ish-policin serb të dyshuar për krime lufte në Kaçanik
Bayern Munich arrin kuotën e 100 golave, thyen çdo rekord në Evropë
Rama: Kush thotë se sot ka më shumë korrupsion, flet përçartë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
