Lajmet

Disa të vrarë dhe të plagosur në protestat kundër puçit në Sudan

Gjendje e jashtëzakonshme në Sudan.

Published

on

Së paku tre persona raportohet se kanë vdekur dhe rreth 80 janë plagosur, pasi ushtarët qëlluan mbi turmat që kundërshtonin grushtshtetin ushtarak në Sudan.

Protestuesit dolën në rrugë, pasi forcat e armatosura shpërndanë të hënën sundimin civil, arrestuan liderët politikë dhe shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

Trupat raportohet se shkojnë shtëpi më shtëpi në kryeqytetin Kartum, për të arrestuar organizatorët lokalë të protestave.

Udhëheqësi i grushtshtetit, gjenerali Abdel Fattah Burhan, tha se aksioni ushtarak është bërë si pasojë e luftimeve të brendshme politike.

Burhan tha se forcat e armatosura duhet të mbrojnë sigurinë dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve në korrik të vitit 2023, për t’ia dorëzuar pushtetin qeverisë së zgjedhur civile.

“Ajo që po kalon vendi tani, është një kërcënim dhe rrezik real për ëndrrat e të rinjve dhe shpresat e kombit”, tha ai.

Udhëheqësit civilë dhe homologët e tyre ushtarakë janë në mosmarrëveshje qëkur sundimtari veteran i Sudanit, Omar al-Bashir, është rrëzuar nga pushteti, dy vjet më parë.

Grushtshteti u dënua në të gjithë botën, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të pezullojnë 700 milionë dollarë ndihma për Sudanin.

SHBA-ja i dënon fuqishëm veprimet e forcave ushtarake sudaneze, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke bërë thirrje për lirimin e kryeministrit të Sudanit, Abdallah Hamdok, dhe të liderëve të tjerë civilë.

Blinken tha se veprimet e ushtrisë së Sudanit kanë potencial “të prishin tranzicionin e këtij vendi drejt demokracisë dhe janë një tradhti ndaj revolucionit paqësor të Sudanit”.

Ai tha se arrestimi i udhëheqësve civilë “është i papranueshëm” dhe se forcat ushtarake “duhet të garantojnë sigurinë e tyre dhe t’i lirojnë menjëherë”.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm të drejtën e popullit sudanez për t’u tubuar në mënyrë paqësore, në mbështetje të demokracisë. Ai shtoi se SHBA-ja është “shumë e shqetësuar” nga raportet se forcat sudaneze të sigurisë kanë përdorur municion të vërtetë kundër protestuesve paqësorë.

Ministria e Kulturës dhe Medias e Sudanit, në një deklaratë në Facebook, iu referua të shtënave fatale me armë zjarri, por nuk e specifikoi numrin e të vdekurve.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar të paidentifikuar të Ministrisë së Shëndetësisë në Sudan të ketë thënë se shtatë persona janë vrarë në protesta.

Demonstruesit i bllokuan rrugët me grumbuj tullash dhe goma të djegura.

Aeroporti i Kartumit është mbyllur dhe fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar. Interneti dhe shumica e linjave telefonike janë ndërprerë gjithashtu.

Stafi i Bankës Qendrore të Sudanit thuhet se ka hyrë në grevë, ndërsa mjekët në të gjithë vendin raportohet se refuzojnë të punojnë në spitalet ushtarake, përveç rasteve urgjente.

Sudani ka qenë në një rrugë të brishtë drejt demokracisë qëkur protestat popullore, të udhëhequra nga Shoqata e Profesionistëve sudanezë, kanë çuar në përmbysjen ushtarake të autokratit shumëvjeçar, Omar al-Bashir, në vitin 2019.

Pas rënies së Bashirit, udhëheqësit ushtarakë dhe civilë kanë rënë dakord për ndarjen e pushtetit – një marrëveshje që do të çonte në tranzicion drejt sundimit të plotë civil dhe zgjedhjeve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë me dyer të mbyllura për Sudanin, gjatë ditës së martë./REL

Vendi

United Hospital hap dyert për ekspertizën ndërkombëtare: Dr. Yoel Har Even sjell përvojën e tij në radiologji

Published

on

By

United Hospital po zgjeron bashkëpunimin me profesionistë ndërkombëtarë me përvojë dhe reputacion të afirmuar në fushën e mjekësisë, me synim forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe ngritjen e mëtejshme të standardeve të shërbimeve shëndetësore.

Në kuadër të kësaj qasjeje, United Hospital ka pritur sot Dr. Yoel Har Even (Ph.D), figurë e njohur në mjekësinë ndërkombëtare dhe në menaxhimin e krizave shëndetësore. Sipas njoftimit të spitalit, raporti i tij me Kosovën daton që nga misionet e para mjekësore humanitare, ndërsa tashmë ai shpreh interesimin për të kontribuar edhe në vend si mjek radiolog.

Vizita në ambientet e United Hospital u përqendrua në diskutime profesionale lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve diagnostikuese, aplikimin e praktikave bashkëkohore në radiologji dhe iniciativat e ardhshme të institucionit.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor, kur Dr. Har Even do t’i bashkohet sërish ekipit të United Hospital në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.

Gjatë kësaj periudhe, eksperienca e tij profesionale pritet të vihet në shërbim të aktiviteteve që synojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta.

United Hospital

Hapja e dyerve për kuadro ndërkombëtare me përvojë të dëshmuar paraqet një tjetër dimension në strategjinë e United Hospital për të sjellë ekspertizë të specializuar dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me profesionistë të mjekësisë nga jashtë Kosovës.

Me këtë qasje, institucioni synon që njohuritë dhe përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë të ndërthuren me kapacitetet e stafit vendor, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve moderne diagnostikuese dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt pacientit.

United Hospital e përmbyll mesazhin e tij me një thirrje për më shumë kujdes, parandalim dhe ndërgjegjësim për shëndetin.

Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Lokacioni: M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Kanë mbetur edhe pak ditë kur ekipi i Kosovës do të niset për të përfaqësuar vendin në skenën botërore të robotikës. Në mesin e ekipeve më të mira nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon të Koresë së Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation”. Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e zjarreve të egra dhe ndikimit të tyre në natyrë, biodiversitet e komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës i është besuar ekipit të UBT-së, i cili përbëhet nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj.

Duke folur për përgatitjet intensive teknike e strategjike që po bëhen, mentorja e ekipit Elita Hajrizi theksoi përkushtimin e nxënësve.

“Ekipi ka filluar me përgatitjet që prej qershorit dhe përgatitjet e fundit po vazhdojnë edhe këtë javë. Që nga fillimi, ekipi ka treguar një angazhim, vullnet e pasion të madh për punën dhe besoj shumë se rezultatet e kësaj pune do të shihen edhe në garë në Kore. Sigurisht, synimi ynë kryesor është përfaqësimi i denjë i Kosovës dhe fitorja është pjesë e këtij synimi”, shprehet Hajrizi.

Përfaqësimi i këtij edicioni vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar në Panamá, ku Elita Hajrizi u vlerësua me çmimin “Best Mentor” në nivel botëror. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, UBT vazhdon të mbetet lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM dhe në promovimin e potencialit të të rinjve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Prishtina sonte sërish në protestë, tubimi nis në orën 21:00

Published

on

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë vazhdojnë edhe sonte.

Në ditën e tretë të protestave, qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 21:00. Thirrja është bërë me moton “Jo në emrin tim!”.

Gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, në të njëjtin shesh u mbajt protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku morën pjesë mijëra qytetarë. Tubimi përfundoi rreth orës 12:40, pa incidente.

Protesta e mbrëmjes pritet të nisë në orën 21:00, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se do të jetë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike./A.K/

Continue Reading

lajme

Mijëra qytetarë në protestë masive në Prishtinë kundër dënimit të ish-drejtuesve të UÇK-së

Published

on

By

Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të premte në sheshet e Prishtinës për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas dënimit me burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Protesta vjen si reagim i menjëhershëm ndaj aktgjykimit të 16 shtatorit, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte lidhur me periudhën e luftës kundër forcave serbe gjatë viteve 1998-1999.

Ish-drejtuesit e UÇK-së i kanë hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme akuzat, ndërsa kanë paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit pranë Speciales.

Vendimi i Gjykatës Speciale ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik dhe skenën politike në Kosovë, ku katër ish-drejtuesit vazhdojnë të konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë të luftës për çlirim.

Continue Reading

Të kërkuara