Lajmet

Diplomati kosovar: Moszbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi pritet të zgjasë

Ai kërkoi që Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të jenë më të vendosura për shtyrjen përpara të saj.

Published

on

Ish-zëvendësambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj, thotë se zvarritja e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi pritet të zgjasë edhe më tutje, derisa Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të jenë më të vendosura për shtyrjen përpara të saj.

Megjithëse dje u arrit dakordimi për krijimin e Komitetit të përbashkët monitorues, i cili do të monitorojë dhe mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, diplomati Canaj thotë se ndonjë destabilizim i mundshëm në veri për shkak të zgjedhjeve të 23 prillit do të çrregullonte dinamikën e dialogut.

“Serbia në njërën anë e ka çështjen e Asociacionit si prioritet të të gjitha prioriteteve. Po e shohim se dy palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për mos zbatim dhe shpeshherë edhe për shkelje të marrëveshjes. Kjo do të zgjasë edhe më tutje derisa të fillojë njëra palë apo tjetra të zbatojë marrëveshjen. Kësisoj do të ballafaqohemi me një lojë të pingpongut edhe më tutje. Tash varet sa do të jetë e vendosur edhe bashkësia ndërkombëtare që të shtyjë zbatimin e marrëveshjes”, thotë ai.

Vonesat në zbatimin e marrëveshjes, Canaj i ndërlidh me mosbesimin e palëve ndaj njëra-tjetrës.

“Ka një shkallë të mosbesimit prej të dyja palëve. Edhe Kurti ka të drejtë kur kërkon një lloj garancie, pasi tek e fundit është diçka nga e cila ne si Kosovë duket që pak kemi përfituar edhe pse prej fillimit kemi thënë se do të ketë vështirësi në implementim të kësaj”, shton Canaj.

Krahas kësaj, diplomati Canaj, sugjeron kryeministrin Kurti që të përgatisë draft-statutin për formimin e Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes do të shtyjë përpara edhe procese të tjera për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Është dashur të bëjë shumë më herët, të përgatisë ndonjë draft-statut se si pala kosovare e sheh asociacionin, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e kemi marrë si obligim atë dhe jo prej tash. Ajo çka ka ndodhur tek Kurti është se nuk ka mbajtur një premtim që ka thënë se ‘s’ka asociacion’, dhe tash po e shohim se ka një asociacion. Por, përndryshe një status për asociacionin e kemi obligim, pasi është një marrëveshje të cilës duhet t’i qëndrojmë përpara. Por edhe për hir të ecjes përpara të proceseve të tjera, pasi zbatimi i marrëveshjes me siguri do të shtyjë disa procese përpara, sidomos kur është fjala për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës. Duhet të shkojmë me një projekt ide apo draft se si do të duket statusi, por duhet të jemi të kujdesshëm në detaje”, thekson ai.

Në anën tjetër, Canaj shpreh brengën se zgjedhjet në veri më 23 prill mund të prodhojnë një destabilizim të situatës atje, e cila mund të ndryshojë dinamikën e dialogut.

“Nëse e shohim prej anës ligjore, mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Por duhet të jemi të kujdesshëm që mos të bëjmë politika populiste në emër të asaj sikur që ka ndodhur me çështjen e targave… Destabilizimi do të hapte tema të tjera. Me vet faktin në rast të ndonjë destabilizimi po mendoj se do të hapet tema s’i ta stabilizojmë prapë është ndikim në rrjedhën e marrëveshjes. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe çdo veprim duhet të bëjmë me partnerët tanë strategjikë”, përfundon ai.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 2 maj në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes bazë, derisa pritet të nënshkruhet edhe dakordimi për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për marrëveshjen bazë mes tyre, e cila ka ardhur si derivat i planit franko-gjerman për dialogun. Pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar sërish për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Mirëpo, një muaj pas arritjes së marrëveshjes ende nuk ka filluar diçka në terren për implementimin e saj.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara