Lajmet

Dialogu Kosovë-Serbi, ​Scholz: Së shpejti do të përfundojë me sukses

Ai shtoi se në dialog është bërë përparim i madh dhe se gëzohet për rezultatet konstruktive që do të arrihen.

Published

on

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se plani i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi është i mirë dhe duhet të zbatohet nga të dyja palët. Ai shtoi se në dialog është bërë përparim i madh dhe se gëzohet për rezultatet konstruktive që do të arrihen.

Pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin, Scholz në konferencë të përbashkët për medie, nënvizoi se dialogu Kosovë-Serbi do të përfundojë së shpejti dhe me sukses në bazë të propozimit të tyre dhe Francës, i cili ka mbështetjen e Bashkimit Evropian në tërësi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë dhe Francës dhe që mbështetët nga Bashkimi Evropian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe që e gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Këshillit Evropian në Bruksel. Në këtë kuadër unë besoj se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses… Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikosh deklaratat publike të Vuçiq dhe Kurtit, ky është një përparim. Mendoj se ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Prandaj unë jam i gëzuar kur ne arrijmë rezultatet konstruktive dhe të mira. Ndjesia ime është se tani mund të bëhet realitet ajo që deri tani nuk ishte e mundur. Do të ishte e mirë për zhvillimin e rajonit dhe Kosovës dhe Serbinë”, tha ai.

Mbështetje absolute këtij plani i dha edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Shqipëria, qeveria jonë dhe unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë është një plan absolutisht shumë përmbajtjesor dhe realist, i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe shumë pritur që dy palët duhet të trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe gjithë kurajon e domosdoshme”, tha ai.

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë takuar më 27 shkurt në Bruksel, ku sipas ndërmjetësit të dialogut, Josep Borrell, palët janë pajtuar për propozimin e BE-së për dialogun, i cili përmban 11 nene. Megjithatë, të njëjtit nuk e kanë nënshkruar dokumentin, kryeministri Kurti, pas takimit ka thënë se Vuçiq nuk ishte i gatshëm për ta nënshkruar atë.

Takimi i radhës ku diskutohet sërish për marrëveshjen dhe aneksin e zbatimit të saj pritet të mbahet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Vendi

Policia nis fushatën “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, apel për kujdes në trafik gjatë sezonit veror

Published

on

Policia e Kosovës ka nisur fushatën vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, me synim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve dhe i udhëtarëve është më i madh, si dhe për t’u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve që vijnë për pushime.

Në kuadër të kësaj fushate, Policia do të shpërndajë broshura informuese me këshilla dhe udhëzime praktike për pjesëmarrësit në trafik, të cilat duhet të merren parasysh menjëherë pas hyrjes në Kosovë.

Sipas Policisë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve rrugore mbeten tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi në vende të ndaluara, pakujdesia, lodhja, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Për të rritur sigurinë në rrugë, Policia ka bërë të ditur se, përveç shtimit të patrullave dhe pikave të kontrollit, do të përdorë edhe automjete të pajisura me teknologji inteligjente, kamera, radarë mobilë dhe dronë për identifikimin e shkeljeve në trafik.

Sipas njoftimit, kundërvajtjet si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi i ndaluar, mosvendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, qarkullimi me automjete të paregjistruara dhe shkelje të tjera do të evidentohen edhe pa ndalimin fizik të automjetit. Në këto raste, gjobat do t’i dërgohen me postë pronarit të mjetit.

Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë që pushimet verore të kalojnë në mënyrë të sigurt.

“I lodhur? Pushoni! Më mirë vonë në destinacion, sesa kurrë”, është mesazhi kryesor i kësaj fushate./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet e edicionit 2026

Published

on

By

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet, duke finalizuar një program katërditor të pasur me ligjërata shkencore, diskutime profesionale, punëtori praktike dhe aktivitete akademike të fokusuara në zhvillimet më të fundit në fushën e biokimisë, bioteknologjisë dhe shkencave biomjekësore.

Dita e katërt e Akademisë Verore solli në fokus rolin e biofizikës, biokimisë dhe diagnostikës bashkëkohore në mbrojtjen dhe avancimin e shëndetit, duke theksuar rëndësinë e integrimit të kërkimit shkencor, teknologjive moderne dhe praktikës klinike në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.

Gjatë gjithë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të shkëmbejnë përvoja dhe ide, si dhe të angazhohen në diskutime profesionale mbi sfidat dhe zhvillimet më të reja në fushën e diagnostikës laboratorike, bioteknologjisë dhe shkencave të jetës.

Në ceremoninë përmbyllëse, Dekani i Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Fisnik Laha, në emër të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ndau certifikata për anëtarët e Komitetit Organizativ, ligjëruesit dhe folësit kontribuues, si dhe për studentët pjesëmarrës, në shenjë vlerësimi për angazhimin, kontributin profesional dhe pjesëmarrjen aktive gjatë gjithë Akademisë Verore.

Përmes kësaj Akademie Verore, Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë konfirmoi edhe një herë përkushtimin e tij për promovimin e arsimit bashkëkohor, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik, duke krijuar një platformë që lidh dijen, praktikën laboratorike dhe inovacionin në funksion të zhvillimit të shkencave shëndetësore.

Continue Reading

Vendi

KPK refuzoi ankesën e Atdhe Demës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Published

on

Me një votë për dhe pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema.

Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material si dhe mospërputhje ndërmjet pikëzimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli vlerësues.

Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli vlerësues ta rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.

Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, tha se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë. Sipas tij, kandidati nuk ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e ngritura dhe ankesa nuk tregon se cili element i vlerësimit duhet të ndryshohet.

“Kam kërkuar dokumente shtesë në ankesë, por nuk kam arritur ta gjej interesin e kandidatit në fjalë, se çfarë ka kërkuar të ndryshohet, pasi të drejtën që e ka kërkuar e ka fituar. Mendoj se diskrecioni ka qenë në përputhje me rregulloren. Ankesa nga kandidati duhet të mbështetet në prova. Ankesën e kemi pranuar vetë, i kam dëgjuar intervistat, por nuk mund të shkojmë tutje nëse nuk kemi interes juridik se çfarë duhet të ndryshohet, ngase ajo për të cilën është atakuar, ajo e drejtë është e fituar. Unë qëndroj në argumentimin tim që e njëjta ankesë të refuzohet”, tha ai.

Vuniqi shtoi se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por shpreh vetëm mospajtim me pikëzimin e marrë.

Gjatë diskutimit, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se Këshilli duhet ta vlerësojë ankesën vetëm mbi bazën e kritereve dhe shtyllave të përcaktuara në procesin e vlerësimit.

“Sa i përket barrës së provës, konsideroj se është duke u bërë një interpretim i gabuar, sepse kandidati, jo vetëm ky, por edhe të tjerët, nuk kanë se si të sigurojnë prova se çfarë ta mbështesin. Konsideroj se sa i përket barrës së të provuarit nuk mund të kërkohet që kandidatët të dorëzojnë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre. Duhet të bazohemi në tri shtylla: vlerësimin e kryer nga paneli, të cilin nuk e kemi sot para vetes, intervistën, ku mund të shohim më së miri kandidatët, dhe e treta është kundërshtimi. Mbi këto baza mund të dalim në një vlerësim më të qartë”, tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se për të është me rëndësi të kuptohet se në çfarë mase KPK-ja ka pasur mundësi të ushtrojë kontroll efektiv mbi vlerësimin e bërë nga Paneli vlerësues.

Në të njëjtën mbledhje, me gjashtë vota për u miratua edhe autorizimi i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin para Gjykatës Kushtetuese si dhe për dorëzimin e komenteve lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës./Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Themelohet grupi punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm 2026–2027

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm për periudhën 2026–2027.

Sipas ministrisë, programi do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe mekanizmat e nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e masave që synojnë mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse.

Ministria thekson se ky program synon të krijojë politika të qëndrueshme që mbrojnë qytetarët më të cenueshëm dhe garantojnë qasje më të drejtë në shërbime dhe mbështetje institucionale.

Sipas njoftimit, puna e grupit do të fokusohet në hartimin e një kornize që do të forcojë mbrojtjen sociale dhe do të përmirësojë qasjen e kategorive në nevojë ndaj mekanizmave të mbështetjes shtetërore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara