Lajmet
Detajet e fundit të negociatave LVV-Nisma
Published
8 months agoon
By
UBTnewsNegociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për një marrëveshje bashkëqeverisëse janë intensifikuar në ditët e fundit. Derisa nuk ka ende një konfirmim zyrtar, përfaqësues të të dy subjekteve kanë dhënë sinjale për afrimin e qëndrimeve.
Në koalicionin LVV-Guxo dhe Alternativa janë optimistë se do të arrihet marrëveshja me Nismën, siç thonë, vetëm për postet në ekzekutiv, pasi nuk lëvizin nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Ndërkaq, në Nismën Socialdemokrate deklarojnë se nuk kanë kushte për bashkëpunim me LVV-në, derisa shtojnë se ditët në vijim do të shohin a do të binden nga oferta e LVV-së për koalicion qeverisës.
Megjithatë, vihet në pah se përkundër kësaj marrëveshje duhet të sigurohet edhe vota e një deputeti për të krijuar shumica parlamentare prej 61 deputetëve.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e kaluar ka paraqitur një ofertë konkrete karshi liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për koalicion qeverisës. Sipas tij, në ditët në vijim do të ketë sërish takime dhe do të shihet nëse do të ketë marrëveshje për formim të institucioneve të reja para afatit obligues të Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit të Kosovës, i cili skadon më 26 korrik.
Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas takimit të fundit Kurti-Limaj ka mundësi të mëdha të arrihet një marrëveshje.
Limaj, në takimet paraprake me Albin Kurtin, është shprehur i interesuar që në kuadër të marrëveshjes me LVV-në të marrë vetëm postin e kryekuvendarit dhe jo të përfshihet në koalicion qeverisës.
Mirëpo, Kusari-Lila deklaron se tashmë është bërë e qartë se grupi i tyre parlamentar nuk ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit, mirëpo po shikohen variantet tjera për pozicionet në ekzekutiv.
“Nuk mund të flas për detaje të diskutimit pasi që në diskutim apo në negociata është vetë kryeministri me zotëri Limaj. Do të thotë që ata janë të dytë që diskutojnë, por përderisa ka diskutime në vazhdimësi dhe ka ende paralajmërime për takim, unë mendoj që ka mundësi të arrihet një marrëveshje. Ajo çka ka qenë e qartë në këtë periudhë të dytë të diskutimeve, gjegjësisht ju e dini që ka pasur takime edhe në fillim të mbajtjes së seancave konstituive me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, zotin Limaj, është se tashmë është e ditur se nga grupi ynë parlamentar i përbërë nga tri parti, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur zotëri Limaj kryetar i Kuvendit. Unë jam e bindur se janë duke u shqyrtuar variantet tjera, gjegjësisht mundësi të tjera, por prapë po them që në këtë fazë është ende herët të thuhet çkado për shkak se nuk është një marrëveshje e finalizuar. Nëse është marrëveshje politike, është marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë duhet të diskutohen pozicionet në ekzekutiv, besoj unë, apo edhe pozicionet tjera në kuadër të Kuvendit”, thekson Kusari-Lila.
Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, thotë për KosovaPress se nuk kanë paraqitur kushte për bashkëpunim me LVV-në. Megjithatë, sipas tij, vazhdojnë të insistojnë në emrin e Fatmir Limajt për kryeparlamentar. Kjo çështje, sipas Matoshit, është ngritur edhe në takimin e javës së kaluar mes Kurtit dhe Limajt.
Ai nuk tregon ofertën që Kurti ia ka bërë Limajt për koalicion qeverisës, mirëpo shton se rezultatet e takimeve në ditët në vijim do të përcaktojnë nëse Nisma do të bindet të jetë pjesë e ekzekutivit me LVV-në.
“Normalisht se ne mendojmë që Fatmir Limaj, kryetar i Kuvendit, është zgjidhja më e mirë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk është veç për Nismën Socialdemokrate, është edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Normalisht që këto ia themi Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kemi një kundërshtim të madh për zonjën Haxhiu nga gjitha subjektet tjera politike. Tema e kryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e bisedave të fundit. Do të jetë prapë pjesë e bisedave që mund të ketë këto dy-tri ditë. Nisma nuk ka paraqitur kushte, nuk vendos kushte. Nuk është e interesuar me ngulë këmbë edhe me kushtëzuar me një pikë të caktuar. Ndërkohë, rezultatet e bisedimeve do ta përcaktojnë nëse ne do të bindemi që të jemi pjesë e një ekzekutivi me Lëvizjen Vetëvendosje”, thekson Matoshi.
Pavarësisht mundësisë së arritjes së marrëveshjes me Nismën, në koalicioninin LVV-GUXO-Alternativa thonë se duhet të sigurohet edhe një deputet për të krijuar shumicën parlamentare që do të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e re.
Sipas Kusari-Lilës, LVV bashkë me partnerët aktualisht ka 57 vota, duke u bazuar në gjashtë tentimet për votim të hapur të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Ndërkaq, për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota. Nga zgjedhjet e shkurtit, LVV-ja ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 25, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë deputetë ndërkaq, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet pakicë – dhjetë për serbët dhe dhjetë për pakicat e tjera.
Kusari-Lila shton se me tri votat e Nismës bëhen gjashtëdhjetë deputetë, mirëpo është e bindur që do të bëhen 61 pas arritjes së marrëveshjes me Nismën, por nuk tregon se si do të sigurojnë votën edhe të një deputeti.
“Jemi në kufij të gjysmës, bëhen gjashtëdhjetë me një matematikë të thjeshtë, por jemi të bindur që mund të bëhen gjashtëdhjetë e një pas arritjes së marrëveshjes me Nismën. Me deputetët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tash kush do të jetë vota e gjashtëdhjetë e një, mbetet të shihet, por jam e bindur se nëse arrijmë deri në diskutim ose marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, atëherë do të mund të kemi edhe votë tjetër për të arritur gjashtë e njëshin”, shton ajo.
Shqetësim të tillë ka edhe anëtari i Kryesisë së Nismës, Fatmir Matoshi, i cili kërkon nga LVV-ja që t’i sigurojë 58 deputetë të tjerë dhe më pas të llogarisë në tri votat e Nismës.
Sipas tij, nëse LVV-ja ka vullnet politik, nuk është e pamundur të sigurohen edhe dy vota nga komunitetet joserbe, të cilët deri tani kanë shprehur rezerva për bashkëpunim me LVV-në: deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, si dhe deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet me i pas edhe pesëdhjetë e tetë të tjera për me kriju shumicë parlamentare. Tani ata janë në bisedime edhe me deputetë të tjerë, edhe nga pakicat joserbe. Nuk është e pamundshme që të arrijmë numrin 58, nëse kanë vullnet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë besoj që kjo gjë është e arritshme dhe nuk do të ishte fare problem”, thekson Matoshi.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë.
Kuvendi nesër do të tentojë për herë të 51-të konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Lajmet
Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi
Published
2 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e misionit të NATO-s, gjeneralmajorin Özkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.
Gjatë këtij takimi, komandanti Ulutaş e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Fokusi kryesor i bisedës ishte stabiliteti i sigurisë në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha globale, të cilat mund të sjellin sfida të reja.
Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me misionin e NATO-s dhe falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në krye të KFOR-it.
Kurti dhe Ulutas rikonfirmuan përkushtimin për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës
Lajmet
Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe
Published
2 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në qytetin e Prizrenit, që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi u vërtetua se të dyshuarit kishin ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një viktimë.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet E.K. dhe A.K., e kishin detyruar viktimën në vazhdimësi që të paguante shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë.
Presioni kishte arritur deri në atë pikë sa të dyshuarit po tentonin t’ia merrnin viktimës pronat e tij në Prizren – një shtëpi dhe dy lokale afariste – vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro.
Arrestimi i dy personave u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur ata po e detyronin viktimën të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe lokaleve në emër të tyre. Pas arrestimit, me urdhëresë të gjykatës, Policia ka bastisur vendbanimet e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë për procedurën penale.
Prokurori i Shtetit në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë të zhvatjes dhe krimit ekonomik.
Lajmet
REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit
Published
3 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.
Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.
Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.
Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.
Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.
“Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.
Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.
Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.
Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.
Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.
Bashkimi Evropian, në një përgjigje më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.
Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.
Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.
Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.
Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”. /REL/
Lajmet
Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj
Published
5 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë alarmin të mërkurën para ligjvënësve në Strasburg, duke bërë të ditur se përshkallëzimi i luftës në Iran ka goditur rëndë ekonominë e bllokut.
Sipas saj, tronditja e tregjeve ka bërë që çmimet e gazit të rriten me 50% dhe ato të naftës me 27%.
“Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë në importe të lëndëve djegëse fosile”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar me prerje se “ky është çmimi i varësisë sonë”.
Gjatë fjalimit të saj, ajo vuri në dukje se për dallim nga tregjet e jashtme, çmimi i energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore evropiane ka mbetur i qëndrueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë energjetike.
Presidentja e KE-së ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër thirrjeve për t’u rikthyer te burimet ruse të energjisë si zgjidhje për krizën aktuale, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e bllokut.
“Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, ka thënë ajo, duke hedhur poshtë çdo mundësi që BE-ja të thyejë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.
Von der Leyen e përfundoi fjalimin duke insistuar se Evropa duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u kthyer pas, pasi rruga e vetme drejt stabilitetit është forcimi i burimeve të veta dhe largimi i plotë nga lëndët djegëse fosile të importuara nga zonat e konfliktit.
Irani kërcënon botën: Nafta do të shkojë në 200 dollarë, vazhdojnë sulmet në det
Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi
Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe
Infantino zbulon bisedën me Donald Trump për Iranin dhe Botërorin
REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit
Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj
Vazhdon kërkimi në malet e Rahovecit për personin e zhdukur
Rilindja e “Piratit”: Vedat Muriqi po kalon sezonin e jetës te Mallorca
REL: Fluturimet misterioze mes Tel Avivit dhe Beogradit ngrenë dyshime për transport armësh
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
