Lajmet

Dëshmitarja serbe kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për periudhën e korrikut 1998 në komunën e Rahovecit

Dragica Bozhaniq ka thënë prej asaj periudhe nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.

Published

on

Dëshmitarja e shtatëmbëdhjetë kundër Thaçit dhe të tjerëve ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998 në komunën e Rahovecit. Ajo pretendon se UÇK kishte sulmuar familjen e saj dhe banorët përreth për t’i larguar nga shtëpitë e tyre e mbajtur pastaj të ndaluar, sipas saj, burrat veç e gratë veç. Dragica Bozhaniq ka thënë prej asaj periudhe nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.

Në fillim të seancës, prokurori Cezary Michalczuk e ka pyetur dëshmitaren me kodin 00072 rreth deklaratave të saj të mëparshme. Ai ka përmendur një intervistë të 16 dhjetorit të vitit 2016, 10 dhjetor 2005 dhe 17 korrik 2013.

Derisa ka bërë të ditur se në seancën përgatitore të mbajtur me këtë dëshmitare në korrik të këtij viti, prokuroi ka thënë se dëshmitarja ka pasur mundësi të bëjë korrigjime në deklaratat e saj.

Pas kësaj, prokuroi e ka pyetur atë nëse qëndron prapa atyre deklaratave dhe nëse do të përgjigjej njësoj sot para trupit gjykues, për çka dëshmitarja ka pohuar.

Prokurori Cezary Michalczuk ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme në bazë të rregullës 154. Ai ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së kësaj dëshmitare, të cilën ka thënë se ua ka dërguar palëve më 14 gusht 2023.

“Në korrik të vitit 1998 Dragica Bozhaniq jetonte me familje në fshatin e saj në komunën e Rahovecit. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i vitit 1998, dëshmitarja dhe anëtarët e familjes, anëtarët e tjerë të komunitetit serb në fshatin e saj u sulmuan nga UÇK në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998 serbët e fshatit të saj u dorëzuan, ju dorëzuan UÇK-së dhe i çuan me veturë në një fshat afër, ku mbërritën atje UÇK i ndau burrat nga gratë, te burrat ishte djali dhe bashkëshorti i dëshmitarit që çuan në bodrumin e një shtëpie ndërsa gratë ishin në të njëjtën banesë por në aktin e sipërm. Dëshmitarja dëgjonte që burrat serbë i rrihnin, dëshmitaren e morën në pyetje UÇK-së për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe”, ka lexuar ai.

Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe drejtor shkolle. Sipas saj, ai nuk ka qenë asnjëherë në ushtri për shkak të një sëmundje me veshkë. Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj kishte raporte të mira me shqiptarët fshatit.

“Në mëngjesin e 19 korrikut të vitit 1998 ushtarët e UCK-së e çuan dëshmitaren të bashkëshorti që i dhanë një letër me shkrim dore që të ua jepte banorëve serbë të fshatit Zoqishtë, ku thuhej se duhet t’i dorëzoheshin UÇK-së, me atë rast kur e pa bashkëshortin dëshmitarja e pa që ai kishte mavijosje në fytyrë. Të njëjtën ditë, të gjitha gratë serbe nga fshati i dëshmitares u çuan me veturë nga ushtarët e UÇK-së për Zoqishtë, ku dëshmitarja u dha letrën që kishte dhënë bashkëshorti. Burrat serbë i mbajtën të ndaluar ku ishin, gratë i çuan në një manastir ku qëndruan dy ditë derisa filluan luftimet. Më pas UÇK i zhvendosu të gjithë civilët në Semetishtë, dhe i mbajti të ndaluar për një natë në shkollën e fshatit. Disa prej serbëve u morën në pyetje nga UÇK që ishte atje. Të nesërmen dëshmitarja dhe të ndaluarit tjerë u liruan nga Kryqi i Kuq. Dëshmitarja nuk e pa më kurr bashkëshortin dhe djalin”, ka lexuar prokurori.

Pas kësaj, një person është përmendur në seancë private për të cilin, dëshmitarja ka thënë se është shoqëruar me familjen e saj. Sipas saj, raporti me atë person ishte shoqëror dhe i njëjti u kishte vendosur edhe dritaret në shtëpinë e tyre të re.

Me të njëjtin person, dëshmitarja ka thënë se ishin marrë vesh që të ndihmonin njëri tjetrin në rast se do të ndodhte diçka në fshat.

“Ata na morën ne, na sulmuan nga data 17 duke u gdhirë 18 korriku, me 18 korrik na morën nga oborri dhe kur e pash këtë burrin u befasova sepse kishte pasur një marrëveshje përpara që ndryshe rënë dakord. Na morën, hynë në shtëpitë tona me forcë, kërkuan disa gjëra, nuk e dimë se çfarë, na thanë uluni në tokë, ne u ulëm, djalin ma plagosën, se hodhën granatë dore në shtëpi dhe ai u rrëzua, i ranë tullat në fytyrë, i plagosen dhe sytë, kur e pash unë fillova të qaj dhe nuk e dija çfarë të bëja”, ka thënë ajo.

Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj shoqërohej me shumë me shqiptarët sesa me serbët.

Derisa ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998, dëshmitarja ka përmendur ndalimin që sipas saj u ishte bërë atyre.

“Askush nuk na ka thënë asgjë neve nga fshati jonë apo personave nga fshati tjetër, thjeshtë kanë thënë nuk ju kemi marrë me qëllim të ju vrasim sepse po të kishim dashur ta bënim këtë do ta bënim në oborrin tuaj. Megjithatë njerëzit vazhduan të mbaheshin të ndaluar në ato shtëpi”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj dëshmie, dëshmitarja ka thënë se ajo dhe gratë e tjera që sipas saj ishin të ndaluara, ishin liruar nga Kryqi i Kuq.

“Kjo ka ndodhur kur na kanë zënë herën e dytë sepse kanë qenë dy raste, hera ep arë kur e kam dhënë letrën e burrit tim, herën e parë që na kanë marrë, pastaj na kanë dërguar në manastir në Zeqishtë dy netë, pastaj natën e dytë në mëngjes, pas natës është sulmuar manastiri dhe një predhë ra fjetoren e manastirit, të gjithë dolën në oborr, një murg na tha duhet të dorëzoheshim, nxorën një çarçaf të bardhë si dhe një që po dorëzoheshim, përsëri nga kanë grumbulluar dhe nga manastiri na kanë çuar në qendër të fshatit, na kanë vendosur ne autobusë dhe nga aty në një fshat tjetër, në Semetishtë pra, duke kaluar përmes së njëjtës rrugë, qëndruam një ditë e një natë të tërë atje, u morëm në pyetje një nga një, ata ishin vazhdimisht rreth nesh, na ruanin gjithë natën, nuk guxonim të lëviznim dhe disa prej meshkujve u mbajtën gjithë natën, murgun e morën e mbajtën gjithë natën dhe në mëngjes fshihte duart që të mos i shihnim mavijosjet”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj dëshmie ajo ka përmendur edhe disa gra të tjera për njërën prej të cilave, Sllavica Banqiq, pretendon se i kishte parë burrat që mbaheshin të ndaluar në një bodrum.

“Po kjo ka qenë në fshatin Peqan, ajo arriti të shkonte atje, nuk kam kushtuar shumë vëmendje se merrja shumë ilaqe në atë kohë, ajo shkoj në bodrum dhe ka parë meshkujt, tha që ka pasur kashtë aty në tokë, të gjithë ishin të shtrirë në tokë, nuk kishin të drejtë të ngriheshin, ajo shkoj deri te dera dhe i pa që ishin aty. Ka parë burrin e vet aty, djalin tim, aty ishin tetë meshkuj nga fshati jonë”, ka thënë ajo.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja është intervistuar edhe nga avokati i viktimave, Simon Laës. Atij ajo i ka konfirmuar se nuk jeton më në Kosovë derisa ka theksuar se nuk do të kthehej në asnjë mënyrë, sipas saj, për shkak të asaj që ka kaluar.

Seanca po vazhdon me pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, avokatit Gregory Kehoe.

Lajmet

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Lajmet

AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit BUQUKU SH.P.K. nga Peja, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.

Sipas AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe të pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.

Agjencia ka bërë të ditur se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme pritet të sqarojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.

Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te operatori ekonomik, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak.

Njëkohësisht, AUV ka urdhëruar ndalimin e prodhimit të suxhukut dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

Agjencia ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë me deklaracionet.

AUV ka sqaruar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të prodhuesit.

Sipas agjencisë, konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve ushqimore, ndërsa deklarimi i saktë dhe respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore janë detyrim ligjor i çdo operatori ekonomik.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara