Lajmet

Dëshmitari në gjykimin ndaj Mustafës: Më vonë e kam kuptuar që i akuzuari është përgjegjës i BIA-s

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020.

Published

on

Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka thënë se gjatë periudhës së luftës nuk ka qenë në dijeni se kush është në krye të njësisë BIA, por sipas tij më vonë e ka mësuar që ai është Salih Mustafa. Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ka njohur dy persona me emrin “Cali”.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia në përpjekje për të sqaruar deklaratat e dëshmitarit e ka pyetur atë disa herë rreth personit të cilin ai ka thënë se e ka takuar në oborrin e shtëpisë së tij, që sipas tij e mbante nofkën “Cali”.

Sipas dëshmitarit, pas lirimit nga objekti ku pretendon të jetë mbajtur në Zllashë, në oborrin e shtëpisë së tij kanë qenë pjesëtarë të njësisë BIA dhe një person i cili i është prezantuar si “Cali”.

Dëshmitari i ZPS-së ka thënë se nga të tjerët ka dëgjuar se ai e ka emrin Salih dhe sipas tij ai ka thënë se është udhëheqës i atij grupi që ishte në oborrin e shtëpisë së tij.

Gjykatësja Foglia: Sot në mëngjes thatë që personi që erdhi në oborrin tënd ishte Cali që ishte përgjegjës i Zllashit, kjo është ne faqen 95, rreshti 3 deri 7 të transkriptit, a është e saktë kjo?

Dëshmitari: Kam thënë që ai është prezantuar Cali përgjegjës i atij grupit që kanë qenë në oborrin tim, nëse është fjala për atë person të njëjtin.

Gjykatësja Foglia: Ai person që ishte i pranishëm që ishte në oborrin tënd me emrin Cali që ishte përgjegjës i këtij grupit të BIA-s, do ta bëjë tani pyetjen, a ishte ai përgjegjës i BIA-s?

Dëshmitari: Nuk e di, ai tha i këtij grupi jam përgjegjës, nuk e di as kush ka qenë BIA kur ka treguar ai në atë kohë, nuk di më tepër as për atë grup, vetëm e prezantova atë që e kam mbajtur mend. Unë nuk e kam pyetur as çfarë grupi është as çfarë pune kryen se nuk më ka interesuar.

Gjykatësja Foglia: Ai person që erdhi të shtëpia jote me atë grup njerëzish me njerëz të BIA-s ai vet të tha që është Cali dhe ai person pra Cali tha që megjithatë personi që është përgjegjës për BIA-n është një Cali tjetër, këtë po thoni ju, dhe ju iu përgjigjet prokurorit që kjo është e saktë.

Dëshmitari: Po ama unë e kam kuptuar vonë këtë tek vonë që ai është përgjegjës i këtij grupi, dikur shumë vonë e kam kuptuar, jo në atë kohë.

Gjykatësja Foglia: Ka diçka që nuk e kuptoj ndoshta është dhe koincidencë, pra ajo që po thoni ju, personi që erdhi në oborrin tënd ishte Cali dhe ai grup njerëzish ishte prej BIA-s, a është e saktë kjo? Dhe i njëjti person tha që ka edhe një person tjetër të quajtur Cali që është përgjegjësi i BIA-s?

Dëshmitari: E kemi diskutuar me prokurorin këtu që pastaj më vonë unë e kam marrë vesh që ky personi që akuzohet këtu është përgjegjës i BIA-s, se nuk e kam ditur kush është përgjegjës i BIA-s. Ai personi që ka qenë tek unë ka thënë që unë jam përgjegjës për këtë grup të BIA-s, për këtë grup që ka qenë me të aty.

Dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë i cili mban kodin W04669 ka përfunduar me pyetjet e trupit gjykues. Ai pretendon se është mbajtur në një ahur në Zllashë ku sipas tij është rrahur nga disa pjesëtarë të UÇK-së.

Në fund të seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ai ka thënë se për këto ngjarje nuk i ka treguar as familjes së tij.

“Unë as familjes sime nuk i kam treguar për këtë çështje mirëpo ka ardhur koha pas 22 vitesh, që është shqetësuese për Kosovën, në vend se vet t’i zgjidh çështjet në vendin e vet, në një kohë shumë të shpejtë, ata nuk kanë qenë në gjendje dhe ende nuk janë dhe kjo është shqetësuese për mua, për të ardhmen e familjes sime dhe për të ardhmen e personave të drejtë që punojnë për vendin. Ndërsa unë do të jem bashkëpunues çdo herë me ju edhe në të ardhmen për çdo gjë që më kujtohet dhe juve ju nevojitet… Uroj që të kryhet sa më shpejtë, të gjitha rastet të zbardhën, të gjithë personat të marrin dënimin e merituar varësisht se çfarë vepre kanë kryer ata”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të vazhdojë të mërkurën më 17 nëntor.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

Suharekë: Dyshohet se u godit nga rrufeja, vdes një person

Published

on

By

Një person në Suharekë ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga rrufeja.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti po trajtohet si “hetim i vdekjes”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë autoritetet kompetente, si dhe ekipi mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull kosovar.

“Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës mashkull kosovar i cili dyshohet se është goditur nga rrufeja e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, njofton Policia.

Hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse, ndërsa raporti i obduksionit pritet të konfirmojë zyrtarisht shkakun e vdekjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një person në Podujevë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me gjetjen e një trupit të pajetë të një burri në Podujevë. Ngjarja ka ndodhur të martën, më 30 qershor 2026, rreth orës 13:05.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, shtetas kosovar.

Për rastin është njoftuar menjëherë prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit janë ndërmarrë masat e para procedurale për zbardhjen e rrethanave.

“Lidhur me rastin është gjetur trupi i pajetë i viktimës mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, bëhet e ditur në njoftim.

Rasti po trajtohet nga organet e hetuesisë si “hetim mbi vdekjen”, ndërsa rezultatet e autopsisë pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes së viktimës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet për dhunim

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunim”.

Sipas raporti 24-oresh, bëhet me dije se i dyshuari dhe viktima janë të dy shtetas kosovarë.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti tashmë ka kaluar në fazën e hetimeve të mëtejshme në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa i dyshuari mbetet në ndalim policor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

36 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, akti që hapi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës

Published

on

Sot shënohen 36 vjet nga miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, një prej akteve më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe një moment vendimtar në rrugën drejt shtetësisë.

Më 2 korrik 1990, 111 delegatë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë dhe e barabartë në kuadër të federatës, përkatësisht konfederatës së atëhershme jugosllave.

Për shkak se ndërtesa e Kuvendit ishte e rrethuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe, delegatët e shpallën deklaratën jashtë objektit të parlamentit, duke sfiduar presionin e regjimit të kohës dhe duke shënuar një akt të guximshëm politik.

Deklarata e 2 Korrikut konsiderohet si dokumenti i parë institucional që hodhi themelet e procesit të pavarësimit të Kosovës nga Serbia, duke shprehur qartë vullnetin politik për barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Ky akt historik u bë bazë për zhvillimet e mëvonshme politike dhe juridike, përfshirë miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990 dhe referendumin për pavarësi, duke i hapur rrugën shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara