Lajmet

Dëshmia e Fatmir Sopit në gjykimin ndaj Mustafës në Hagë

Sopi ka thënë që komandant i njësisë BIA ka qenë Salih Mustafa derisa ka folur për rolin që sipas tij e kishte kjo njësi.

Published

on

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, po dëshmon ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi i cili është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezary Mihailzcuk, rreth njësisë BIA, për çka ka thënë se kjo njësi i është përgjigjur Zonës Operative të Llapit. Sopi ka thënë se komandanti i njësisë BIA ka qenë Salih Mustafa i njohur me nofkën Cali dhe sipas tij roli i kësaj njësie ishte sikur i gjithë njësive të tjera të UÇK-së, çlirimi i vendit nga pushtuesi serb.

Fatmir Sopi ka thënë se kjo njësi e ka marrë emrin në nderim të heronjve Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani dhe se e njëjta është njohur si “Skifterët”.

Ai ka thënë se BIA e ka pasur një vend qëndrimi në fshatin Zllash në një shtëpi pronarët e së cilës nuk banonin më aty.

Sopi ka thënë që komandant i njësisë BIA ka qenë Salih Mustafa derisa ka folur për rolin që sipas tij e kishte kjo njësi.

“Unë nuk kam qenë përgjegjës kush kujt i raporton mirëpo në bazë të organogramit të Zonës Operative të Llapit e kam vërejt se njësitë BIA ju kanë përgjigjur Zonës Operative të Llapit, komandës së Zonës Operative të Llapit…Rolin më specifik të njësitit BIA më së miri e shpjegon vet përfaqësuesi i njësitit BIA, ndërsa unë sa kam mujt me kuptu ka qenë pjesë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur të gjitha njësitet e tjera në Zonën Operative të Llapit. Rolin e çdo ushtari dhe çdo njësie unë nuk mund ta di por e di se kanë punuar në bazë të urdhrave dhe në bazë të rrethanave të kohës që të japin kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e vendit”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari ka thënë se nuk ka informata se ku saktësisht e ka ushtruar aktivitetin njësia BIA.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sopi ka thënë se ka qenë i përfshirë në formimin e Brigadës 153 e cila siç ka thënë ai është themeluar në shkurt të vitit 1999. Ai ka thënë se zyrtarizmi i kësaj brigade është bërë në shtëpinë e tij.

“Kjo ngjarje ka ndodhur në shtëpinë time e cila shërbente aso kohe si shtab i UÇK-së i Brigadës 153. Shtëpia ime ndodhej në Zllash, një lagje e fshatit Mramor…Në shkurt të vitit 1999 në shtëpinë time pikërisht në vendin ku shërbente si shtab i UÇK-së për Brigadën 153 erdhi, që prisnim themelimin e saj, erdhi përfaqësuesi i Zonës Operative të Llapit, zëvendës komandanti i zonës, Kadri Kastrati, i cili bëri inaugurimin solem të Brigadës 153”, ka thënë Sopi.

Dëshmitari tutje ka thënë se Kadri Kastrati ka qenë përfaqësues i zonës ndërsa është urdhëruar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa.

Ai ka thënë se të pranishëm në zyrtarizmin e brigadës kanë qenë edhe Rrahman Dini e Sejdi Veseli.

Sopi ka thënë se atë ditë nuk është emëruar komandanti i brigadës por vetëm zëvendëskomandanti që sipas tij ishte Sejdi Veseli.

“Unë, meqë merresha me organizimin e UÇK në terren, dhe isha vazhdimisht në teren nëpër fshtra të ndryshëm të Gollakut, u caktova të jem përgjegjës komandat i mbrojtjes civile”, ka thënë Sopi.

Pas ofensivës së 18 prillit të vitit 1999, Sopi ka thënë se nga Rrustem Mustafa është emëruar zëvendëskomandant i brigadës.

Tutje, prokurori e ka pyetur atë rreth Rrahman Dinit për të cilin Sopi, në një deklaratë të mëparshme për ZPS-në, kishte thënë se ishte anëtar i komandës së brigadës.

Gjatë dëshmisë së tij nën Hagë, Sopi ka thënë se Rrahman Dini ishte anëtar i shtabit por nuk kishte ndonjë detyrë konkrete meqë kishte probleme shëndetësore.

“Rrahman Dini në fillim ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore kur kemi punuar bashkë në organizimin e radhëve të UÇK-së në pothuajse shumicën e fshatrave të Gollakut mirëpo ndërkohë gjendja shëndetësore e tij u keqësua dhe nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore nga mesi dhe përfundimi i luftës”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se shtabi i brigadës kishte lëvizur pastaj nga shtëpia e tij në atë të xhaxhait dhe më pas në një shtëpi të fqinjëve.

Ndërsa është pyetur për shkollën e Zllashit, Sopi ka thënë se ajo ndërtesë ka shërbyer si qendër stërvitore por që aty nuk ka qenë i vendosur shtabi.

“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore mirëpo shtabi i brigadës e ka pasur aty komandantin e qendrës stërvitore e shumë kush e ka identifikuar se ajo ka shërbyer si shtab, por ka qenë një zyre e komandantit të stërvitjeve, e përgjegjësve që kanë qenë për stërvitje të cilët kanë pasur zyre dhe ka qenë kuzhina për ushtarët të cilët kanë qenë në stërvitje ndërsa në atë kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij, Sopi ka thënë se nuk kishte ndonjë njësi të veçantë të policisë ushtarake por sipas tij në secilin batalion kanë ekzistuar nga tre apo katër ushtarë të cilët e kanë kryer detyrën e policit ushtarak.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11-të i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun.

Ai ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./KP

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara