Pas deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje për “ndërrimin e qëndrimit” të kryeministrit shqiptar, Edi Rama për Gjykatën Speciale, ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (OVL UÇK). Kjo e fundit vlerëson e “LVV po përpiqet të politizojë dhe zbeh qëllimin e protestës së madhe” që do të mbahet nesër në Tiranë.
Lëvizja Vetëvendosje në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se “politikanët duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën” dhe se “një shembull i qartë është vet kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.
Karshi kësaj reagoi vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje kësisoj tregoi se i ka ngatërruar marrëdhëniet institucionale të Kosovës me të Shqipërisë.
E për OVL UÇK deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, “tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor”.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.
Po aty thuhet po ashtu se, OVL UÇK nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake.
“Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë. Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive. Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë”.
Veç tjerash, OVL UÇK ka shprehur mirënjohje për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin ka thënë se i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë./KP