Lajmet

Depresioni mund të paraqitet në 11 forma

Të kuptuarit e llojit të depresionit që një person po përjeton, ndihmon mjekët të përcaktojnë trajtimin e duhur.

Published

on

Depresioni mund të shfaqet në disa mënyra. Mund të jetë i lehtë ose i rëndë, jetëshkurtër ose kronik. Rrethanat e veçanta, si lindja e një fëmije ose ndryshimi i stinëve, mund të shkaktojnë simptoma depresive.

Të kuptuarit e llojit të depresionit që një person po përjeton, ndihmon mjekët të përcaktojnë trajtimin e duhur.

Ndërsa për njerëzit e diagnostikuar, marrja e informacionit të duhur rreth këtij çrregullimi, mund t’i japë atyre një përgjigje rreth gjendjes që po përjetojnë.

Çrregullimi i madh depresiv

Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni duhet të ketë të paktën pesë simptoma që zgjasin për dy javë ose më shumë.

Ato mund të përfshijnë: trishtim, boshllëk, mungesë shprese, ndjesi e fajit, humbje energjie, gjumë i shtuar ose i reduktuar, oreks i pakët ose i shtuar, rënie e interesit për aktivitete, mendime rreth vdekjes dhe vetëvrasjes.

Ky çrregullim ka dy nëntipe: “depresioni atipik” dhe “melankolik”.

Njerëzit në kategorinë e parë priren të flenë dhe të hanë shumë. Ata kanë reagim të ashpra dhe ndihen shumë të shqetësuar.

Personat në kategorinë e dytë kanë probleme me gjumin dhe priren të kenë mendime të mbushura me faj. Kjo shihet më shpesh tek të moshuarit.

Depresioni rezistent ndaj trajtimit

Ndonjëherë njerëzit me çrregullim të madh depresiv nuk i përgjigjen lehtësisht trajtimit. Kjo mund të jetë diçka gjenetike ose lidhet me mjekimin.

Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni, ai duhet të ketë kaluar dy prova të pasuksesshme të trajtimit me ilaçe.

Çrregullimi i shkurtër periodik depresiv

Këtu bëjnë pjesë ata që shfaqin vetëm disa nga simptomat e depresionit të madh dhe mund të përjetojnë depresion për më pak se dy javë.

Çrregullimi periodik depresiv

Njerëzit me këtë çrregullim kanë një humor të errët ose janë vazhdimisht të trishtuar. Ata shfaqin të paktën dy simptoma të depresionit të madh që zgjasin për dy ose më shumë vjet.

Çrregullimet para-menstruale

Deri në 10% e grave në fazë riprodhuese përjetojnë çrregullim disforik premenstrual (PMDD). Kjo mund të shkaktojë depresion, trishtim, ankth ose nervozizëm, si dhe simptoma të tjera, një javë para menstruacioneve.

Shkencëtarët besojnë se këto gra mund të kenë një ndjeshmëri jonormale ndaj ndryshimeve hormonale gjatë ciklit të tyre menstrual.

Depresioni për shkak të çrregullimit bipolar

Ndryshimet e mëdha në humor dhe energji, që variojnë nga ngazëllimi dhe përfundojnë në mungesë shprese, janë shenjat e episodeve depresive të çrregullimit bipolar.

Çrregullimi i menjëhershëm i humorit

Të bërtiturat dhe nervozizmi mund të jenë tipare të këtij çrregullimi.

Një lloj depresioni i diagnostikuar zakonisht tek fëmijët që kanë vështirësi në përballimin e emocioneve të tyre. Ata kanë shpërthime të forta emocionale dhe nuk janë në gjendje të përmbajnë emocionet e tyre.

Depresioni pas lindjes (ose perinatal)

Lindja e një fëmije sjell gëzim të madh, por ndonjëherë mund të çojë në depresion pas lindjes, një lloj që prek më shpesh gratë, por edhe burrat.

Tek gratë ka të ngjarë të shkaktohet nga ndryshime hormonale, lodhja dhe faktorë të tjerë. Tek meshkujt, nga ndryshimi i roleve dhe ndryshimet në stilin e jetës.

Mund të fillojë në çdo kohë në vitin e parë pas lindjes, por zakonisht shfaqet menjëherë pas lindjes dhe nuk zgjat shumë.

Depresioni sezonal

Një lloj depresioni i përsëritur që zakonisht shfaqet në vjeshtë ose dimër. Së bashku me një ndryshim në humor, individët priren të kenë më pak energji, të hanë e të flenë më tepër, të shtojnë peshë ose të tërhiqen nga ndërveprimi shoqëror.

Depresioni psikotik

Njerëzit me këtë gjendje kanë depresion të rëndë të shoqëruar me psikozë, e cila përkufizohet si humbje e kontaktit me realitetin.

Simptomat përfshijnë halucinacione (duke parë ose dëgjuar gjëra që nuk janë në të vërtetë) dhe deluzione (besime të rreme për atë që po ndodh).

Depresioni për shkak të një sëmundjeje

Përballja me një sëmundje serioze kronike, si sëmundjet e zemrës, kanceri, skleroza e shumëfishtë dhe HIV/AIDS, mund të jetë tejet dëshpëruese.

Inflamacioni i lidhur me sëmundjen gjithashtu mund të luajë një rol në shfaqjen e depresionit.

Shënim i rëndësishëm

Në shumicën e rasteve depresioni është diçka që mund të trajtohet me medikamente, me terapinë e të folurit dhe ndryshime në stilin e jetesës.

Ndaj është tepër e rëndësishme të kërkoni ndihmë sa më parë të mundeni.

lajme

Projekti fitues i studentes së UBT-së merr jetë në “Tirana School Mural Fest”

Published

on

By

Studentja e vitit të dytë në programin e Dizajnit të Modës në UBT, Erza Fejza, ka shënuar një sukses të rëndësishëm krijues, pasi projekti i saj është përzgjedhur fitues në konkursin “Tirana School Mural Fest” dhe tashmë është realizuar në fasadën e Gjimnazit “Bedri Lagami” në Tiranë.

Konkursi, me temën “Ngjyrat dhe simbolet e traditës etnografike shqiptare”, u ka dhënë mundësi të rinjve të interpretojnë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes një gjuhe artistike bashkëkohore, të frymëzuar nga ngjyrat, motivet dhe ornamentet e veshjeve popullore dhe tekstileve tradicionale shqiptare.

Pas përzgjedhjes si projekt fitues dhe përshtatjes grafike sipas kërkesave specifike të artit mural, ideja kreative e Erzës u realizua nga artistët profesionistë të Bashkisë së Tiranës. Përzgjedhja e projektit fitues u konfirmua nga Helidon Gjergji, drejtor artistik i festivalit.

Tashmë, murali është bërë pjesë e mjedisit shkollor dhe e përditshmërisë së nxënësve, duke sjellë një interpretim artistik të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe duke dëshmuar se krijimtaria e të rinjve mund të shndërrohet në vepra me ndikim të drejtpërdrejtë në hapësirat publike.

Kjo arritje dëshmon potencialin krijues të studentëve të UBT-së dhe rëndësinë e ndërthurjes së edukimit artistik me projekte praktike që lidhin artin, identitetin kulturor dhe komunitetin.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

UBT kontribuon në zhvillimin e programit të përbashkët ndërkombëtar Master në Siguri Kibernetike dhe Forenzikë Digjitale

Published

on

By

UBT vazhdon të dëshmojë ekspertizën dhe rolin e tij të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në zhvillimin e programeve inovative akademike.

Në kuadër të projekteve Erasmus+, Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Dr. Besnik Qehaja, morën pjesë në një punëtori ndërkombëtare të organizuar në Universitetin Teknik të Sofjes, në Bullgari, së bashku me përfaqësues të universiteteve partnere.

Punëtoria u fokusua në zhvillimin e një programi të përbashkët ndërkombëtar të studimeve Master në Siguri Kibernetike dhe Forenzikë Digjitale (Cybersecurity and Digital Forensics). Gjatë saj u trajtuan struktura e programit, harmonizimi i kurrikulave dhe përcaktimi i kompetencave profesionale, në përputhje me standardet evropiane dhe kërkesat e tregut të punës.

Përmes angazhimit aktiv dhe ekspertizës së përfaqësuesve të tij, UBT rikonfirmoi rolin e tij si partner i besueshëm në iniciativat akademike ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, avancimin e ndërkombëtarizimit dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Media dhe Komunikimit në UBT realizojnë vizitë studimore në Reporting House

Published

on

By

Studentët e të tri viteve të programit Media dhe Komunikim në UBT realizuan një vizitë studimore në Reporting House, ku vizituan ekspozitën që dokumenton historinë e Kosovës përmes gazetarisë, fotografisë, videove, dëshmive personale dhe artit bashkëkohor.

Përmes materialeve të ekspozuara, që pasqyrojnë ngjarjet nga represioni politik dhe rezistenca paqësore deri te lufta e viteve 1998–1999, dëbimi dhe kthimi i refugjatëve, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me rolin e gazetarëve në dokumentimin e historisë dhe me sfidat e profesionit në rrethana të jashtëzakonshme.

Studentët u shoqëruan nga Prof. Dr. Gjylije Rexha, asistentët: Jehona Kapllani Ilazi, Edona Sulejmani dhe Driton Hyseni, si dhe gazetarja e UBTNews, Ernesa Aliu.

Për studentët e Media dhe Komunikimit, kjo vizitë përbënte një mundësi të rëndësishme për ta lidhur njohurinë teorike me përvojat dhe dëshmitë konkrete të profesionit. Ajo shërbeu gjithashtu si një reflektim mbi përgjegjësinë e gazetarit, rëndësinë e lirisë së medias dhe rolin e informimit të saktë, veçanërisht në situata kur puna e gazetarëve bëhet më sfiduese dhe më e rrezikshme.

Përveç materialeve që dokumentojnë historinë e gazetarisë dhe të Kosovës, Reporting House përmban edhe punime artistike nga artistë të vendeve të ndryshme, duke ndërthurur gazetarinë, historinë dhe artin në një hapësirë të veçantë edukative dhe kulturore.

 

(Punuan: Eliza Hoti, Adile Muli, Julida Rexhbeqaj, Arbereta Sada, studente të vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim)

Continue Reading

Lajmet

KPK pezullon edhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, inicohet procedurë disiplinore

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për suspendimin e prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila ka qenë e ngarkuar me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Ndaj saj, e cila shërbente edhe si koordinatore për dhunë në familje, tashmë është inicuar edhe procedurë disiplinore.

Vendimi është marrë me rekomandim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, pas dështimit të institucioneve për t’i ofruar mbrojtje viktimës, e cila kishte kërkuar ndihmë vazhdimisht dhe kishte paralajmëruar rrezikun që i kanosej.

Kjo masë pason suspendimin e mëparshëm të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. Arlinda Zekaj u vra të dielën me sëpatë nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua dy ditë pas kryerjes së krimit./E.A/

Continue Reading

Të kërkuara