Lajmet nga UBT

Demokracia konsensuale në Kosovë e rrezikuar nga mungesa e kulturës demokratike

Published

on

Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj

Profesor i Shkencave Politike dhe Juridiko-Administrative

Demokracia konsensuale, sipas politologut Arend Lijphart, është mënyrë e qeverisjes që synon të ruajë dinamikën dhe funksionalitetin e demokracisë në shoqëritë thellësisht të përçara. Për dallim nga demokracia e shumicës, e cila mbështetet në parimin “fituesi i merr të gjitha”, demokracia konsensuale përpiqet të përfshijë të gjitha grupet shoqërore të rëndësishme në procesin e vendimmarrjes. Lijphart e ka zhvilluar këtë model si përgjigje ndaj sfidave qeverisëse në shoqëritë pluraliste, të ndara mbi baza etnike, fetare, gjuhësore apo edhe ideologjike, me ç’rast sundimi i shumicës mund të rezultojë në përjashtim, konflikte dhe paqëndrueshmëri politike.

Në vet thelbin e saj, demokracia konsensuale karakterizohet me mekanizma të fuqishëm të ndarjes së pushtetit, qeveri të gjëra koalicioni, përfaqësim proporcional, garanci për të drejtat e pakicave dhe një kontroll të fortë kushtetues përmes sistemit gjyqësor. Ky model i demokracisë thekson rëndësinë e negocimit, të kompromisit dhe të respektit të ndërsjellë ndërmjet aktorëve politikë dhe grupeve të ndryshme shoqërore.

Shumica e dijetarëve të qeverisjes argumentojnë se demokracia konsensuale është sistemi më i qëndrueshëm dhe më i përshtatshëm për shoqëritë e cilësuara nga diversiteti i madh etnik, fetar, kulturor, gjuhësor apo edhe polarizimet e thella politike. Në kontekste të tilla, sistemet mazhoritare shpërfaqin tendenca të manifestimit të tensioneve shoqërore duke i mundësuar një grupi të vetëm të kontrollojë procesin politik, me çka shkaktohet edhe margjinalizimi i pakicave etnike, fetare, kulturore apo edhe ideologjike. Rrjedhimisht, shkaktohet një shtresëzim i theksuar edhe i vet shoqërisë. Lijphart ka pohuar se demokracia konsensuale ofron një mjedis më gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës, që sjell rritje të legjitimitetit të institucioneve politike dhe ulje të rrezikut për tensione dhe konflikte qytetare.

Pra, fokusi parësor i këtij modeli qëndron në theksimin e dialogut dhe të përfshirjes. Demokracia konsensuale promovon stabilitet afatgjatë, duke e shndërruar bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore në një praktikë të zakonshme. Ky model gjithashtu nxit rritjen e vetëdijes politike të qytetarëve dhe kultivon një kulturë të respektit për pluralizmin dhe kompromisin. Hulumtimet empirike të zhvilluara nga vet Lijphart dëshmojnë se demokracitë konsensuale i përmbushin më mirë indikatorët e cilësisë së qeverisjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Për më tepër, demokracia konsensuale kontribuon fuqishëm në ndërtimin e besimit ndaj institucioneve dhe në procesin e pajtimit në shoqëritë që kanë dalë nga konfliktet ose që ndodhen në tranzicion demokratik. Kjo krijon hapësirë për përfaqësimin e interesave dhe të identiteteve të ndryshme, duke i shndërruar marrëdhëniet potencialisht antagoniste në bashkëpunim konstruktiv, duke ndikuar në pacifikimin e shoqërisë dhe avancimin e proceseve demokratike.

Në shumë vende perëndimore, por edhe të tjera, demokracia konsensuale funksionon në mënyrë efektive. Shembulli më i mirë i modelit të Lijphart-it është sistemi holandez, ku grupet fetare, ideologjike dhe gjuhësore bashkëjetojnë në mënyrë paqësore përmes ndarjes së pushtetit. Zvicra ka arritur të menaxhojë dallimet e saj gjuhësore dhe fetare përmes një federalizmi të decentralizuar dhe një sistemi të demokracisë direkte. Po ashtu, Belgjika ka zhvilluar një sistem të ndërlikuar të ndarjes së pushtetit ndërmjet komuniteteve që flasin gjuhën holandeze, frënge dhe gjermane, çka ka kontribuar në stabilitetin institucional të vendit. Në Afrikën e Jugut pas aparteidit, qeverisja gjithëpërfshirëse ka transformuar një regjim autoritar të bazuar në ndarje racore në një demokraci shumëracore. Sistemi politik i Libanit fillimisht kishte karakter konsociacional, me synimin për të përfaqësuar pluralitetin fetar të vendit, megjithatë, vitet e fundit është përballur me tensione të mëdha. Këta shembuj dëshmojnë se demokracia konsensuale funksionon më së miri në shtete ku ekzistojnë mekanizma të konsoliduar mirë të dialogut ndërshoqëror, elita politike bashkëpunuese dhe forma paqësore të zgjidhjes së dallimeve dhe kundërshtive të shumta sociale.

 

Pavarësisht përparësive të saj, demokracia konsensuale nuk është gjithmonë e suksesshme. Ajo mund të dështojë si rezultat i mungesës së kulturës demokratike, të indiferencës së elitave politike apo i brishtësisë institucionale. Mentalitetet “zero-sum”, klientelizmi dhe oportunizmi politik mund të pengojnë ndarjen e pushtetit në shoqëritë e polarizuara thellësisht ose në ato që kanë dalë nga konflikti, ku mosbesimi është i lartë. Demokracia konsensuale kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi ndërmjet elitave politike, apo siç e quan Lijphart, “sjellje kartelare e elitave”. Dakordimet për ndarjen e pushtetit mund të shndërrohen në demokraci të bllokuara ose formale, në rastet kur elitat politike vënë interesat personale apo partiake përpara konsensusit kombëtar.

Efikasiteti i demokracisë konsensuale është thellësisht i ndërlidhur me shkallën e kulturës demokratike brenda një shoqërie. Kultura demokratike, e cila përfshin respektin për pluralizmin, tolerancën ndaj opozitës, përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe vlerësimin e kompromisit, përbën themelin mbi të cilin duhet të ndërtohet demokracia konsensuale. Në shoqëritë ku normat demokratike janë të dobëta ose të pazhvilluara, konsensusi mund të jetë vetëm sipërfaqësor apo i manipuluar. Demokracia konsensuale kërkon një peizazh politik të sofistikuar, në të cilin të gjithë aktorët politikë e konsiderojnë bashkëpunimin jo si një lëshim, por si një parim themelor të qeverisjes. Në të kundërtën, gjendja mund të përkeqësohet dhe të rezultoj në paralizë institucionale (siç është rasti në Kosovë), rritje të populizmit apo rikthimit të autoritarizmit. Prandaj, për funksionimin e këtij modeli, është thelbësore që si elitat politike, ashtu edhe qytetarët e zakonshëm, të përvetësojnë dhe zbatojnë vlerat demokratike.

Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës shpërfaqin qartë idenë e demokracisë konsensuale të zhvilluar nga Lijphart. Megjithatë, ky model është institucionalizuar në mënyrë të pjesshme dhe është përvetësuar në mënyrë selektive, duke vepruar më shumë si një model i imponuar sesa si një kulturë politike. Kushtetuta e Kosovës e vitit 2008, e hartuar nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe në përputhje me Planin e Ahtisaarit, përfshin karakteristika thelbësore të demokracisë konsensuale, duke përfshirë: vendet e rezervuara për komunitetet jo-shumicë (Nga 120 ulëse në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet jo-shumicë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitete të tjera); Rregulli i shumicës së dyfishtë (nenet 78 dhe 81, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës), me ç’rast ndryshimet kushtetuese dhe ligjet që prekin komunitetet, liritë fetare, të drejtat gjuhësore dhe çështje të ndjeshme kërkojnë shumicë të dyfishtë (shumicën e të gjithë deputetëve dhe shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë); E drejta e vetos nga pakicat, përmes së cilës komunitetet kanë mundësinë të kundërshtojnë legjislacionin që konsiderohet i dëmshëm për interesat e tyre përmes Këshillit Konsultativ për Komunitetet dhe shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese; Përbërja e qeverisë, ku kërkohet të përfshihet të paktën një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera (neni 96); Qeverisja komunale në zonat me shumicë serbe posedojnë kompetenca të zgjeruara dhe decentralizim funksional.

Nga ana tjetër, sistemi zgjedhor i përfaqësimit proporcional me lista të hapura nxit konkurrencën shumëpartiake dhe qeverisjen përmes koalicioneve. Ky model mundëson përfaqësimin e grupimeve etnike dhe ideologjike në jetën politike, në përputhje me kërkesën e Lijphart për proporcionalitet në shoqëritë e ndara.

Pavarësisht nga korniza ligjore, proceset politike në Kosovë nuk po arrijnë të përmbushin standardet e demokracisë konsensuale. Kjo për shkak të: Segmentimi etnik në vend të integrimit, me ç’rast sistemi nuk është duke nxitur bashkëpunim ndëretnik dhe ndarja e pushtetit është më shumë formale sesa thelbësore; Bojkoti politik ose pengesat nga Serbia, ku Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, shpesh pengon qeverisjen qendrore ose tërhiqet nga institucionet, duke minuar mekanizmat konsensualë; Perceptimi i konsensusit si formalitet nga partitë dhe jo si një ideologji qeverisëse.

Pra, parakushti thelbësor i Lijphart-it, bashkëpunimi i elitave politike, mungon në Kosovë për shkak të mungesës së besimit, polarizimit të thellë politik dhe nivelit të ulët të kulturës demokratike.

Sistemi politik i Kosovës ka pasur vështirësi në konsolidimin e një demokracie konsensuale funksionale, ndonëse formalisht i përmbush kriteret e Lijphart-it. Janë disa faktorë që e pengojnë këtë proces. Së pari, mbizotërimi i një kulture politike konfliktuale ku rivalitetet politike udhëhiqen nga patronazhi dhe jo nga debatet programore apo përputhja ideologjike. Mospajtimet mes elitave dhe mungesa e besimit politik pengojnë bashkëpunimin, qoftë brenda shumicës, qoftë me opozitën apo komunitetet jo-shumicë. Së dyti, struktura e imponuar ndërkombëtare përmes Planit të Ahtisaarit, pa i përgatitur aktorët vendorë për bashkëpunim politik të qëndrueshëm. Pastaj, raporti kompleks me komunitetin serb të cilët shpesh e refuzojnë shtetin e Kosovës, duke e bërë të pamundur ndarjen e pushtetit dhe përfshirjen efektive në qeverisje. Së fundi, korrupsioni, sundimi i dobët i së drejtës dhe politizimi i institucioneve, rrisin pakënaqësinë qytetare dhe minojnë debatin politik.

Në kontekstin gjeopolitik aktual të Ballkanit Perëndimor, i cilësuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha, pasiguria rajonale, konsensusi politik në Kosovë është më i rëndësishëm se kurrë. Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm për të negociuar me Serbinë në kuadër të Dialogut të Brukselit dhe të proceseve të ndërmjetësuara nga BE-ja. Fragmentimi politik e bën Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme, manipulimeve dhe paqëndrueshmërisë, veçanërisht në pjesën veriore të saj. Konsensusi politik është i domosdoshëm për qeverisje efektive dhe për forcimin e legjitimitetit diplomatik dhe të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Demokracia konsensuale, siç është konceptuar nga Arend Lijphart, mbetet një model i vlefshëm për qeverisjen e shoqërive të thellësisht të ndara. Ajo nxit bashkëpunim paqësor, vendimmarrje gjithëpërfshirëse dhe stabilitet afatgjatë. Megjithatë, zbatimi i saj kërkon më shumë se arkitekturë institucionale, ai kërkon kulturë demokratike, përkushtim të elitave dhe një vizion të përbashkët për të mirën publike. Konteksti i Kosovës tregon vështirësitë e ngërthimit të këtij modeli në një shoqëri post-konfliktuale dhe me standarde të dobëta demokratike. Kosova ka nevojë për konsensus të brendshëm, ngase sovraniteti, siguria dhe zhvillimi ndërkombëtar varen nga forcimi i kulturës demokratike dhe nga ndërtimi i bashkëpunimit ndërmjet elitave politike.

Korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës përfshin elemente të fuqishme të demokracisë konsensuale, megjithatë, mungesa e konsensusit demokratik kufizon efektivitetin e saj. Për të zbatuar plotësisht qasjen e Lijphart-it, Kosovës i duhet një kulturë demokratike e elitave politike, por edhe i vet qytetarëve të saj, për të kuptuar se gjithëpërfshirja dhe konsensusi janë domosdoshmëri të demokracisë funksionale. Deri sa kjo nuk arrihet për t’u kuptuar dhe zbatuar, vazhdojmë të ballafaqohemi me kriza të fuqishme politike dhe institucionale duke rrezikuar stagnimin e shtetit, dobësimin e subjektivitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe humbjen e besimit të aleatëve tonë se mund të qeverisim me vendin dhe popullin.

Lajmet

Edhe pak vende të lira në UBT: 20% bursë në disa nga programet kryesore

Published

on

By

Të gjithë të interesuarit që synojnë të bëhen pjesë e UBT-së, institucionit lider të arsimit të lartë në Kosovë dhe platformës më të madhe arsimore e inovative në rajon — janë vetëm një hap larg fillimit të rrugëtimit të tyre akademik.

Në UBT kanë mbetur edhe pak vende te lira në disa nga programet me të kërkuara dhe inovative  të momentit, më mundësi zhvillimi në karrierë.

Më qëllim për t’i mbështetur studentët e rinj, UBT ofron 20 për qind bursë studimi për të tri vitet e akademike në programe specifike si: Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore, Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturës (Real Estate), Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukture, Inxhinieri e Energjisë, Artet dhe Mediat Digjitale, si dhe në degën e Gjuhës Angleze.

Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore – një nga sektorët më vitalë e me kërkesë të vazhdueshme globale.

Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturës (Real Estate) – i vetmi program i këtij lloji që përgatit profesionistë për tregun dinamik të punës.

Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturës si dhe Inxhinieri e Energjisë – dy degë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe teknologjik.

Artet dhe Mediat Digjitale – për të gjithë të apasionuarit pas dizajnit, komunikimit vizual dhe teknologjive kreative.

Gjuhë Angleze – program i cili u hap dyert studentëve për karrierë e mundësi ndërkombëtare.

Përveç  në Prishtinë, kërkesë e lartë për regjistrim është shënuar edhe në kampuset rajonale të UBT-së, ku numri i vendeve të mbetura po shkon drejt përmbylljes së plotë të listave.

Veçanërisht në qytetin e Prizrenit, kanë mbetur vetëm edhe pak vende të lira në tre nga programet më të kërkuara: Shkenca Kompjuterike, Juridik, si dhe Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor.

Gjithashtu, procesi i regjistrimeve është drejt fundit edhe për një varg programesh të tjera me karakter të lartë praktik e aplikativ, si: Sistemet e Informacionit, Inxhinieria e Mekatronikës, Studimet e Sigurisë, si dhe në programin unik Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment.

UBT fton të gjithë maturantët dhe studentët e ardhshëm që të shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit, të vizitojnë kampuset e UBT-së apo të aplikojnë online për të siguruar vendin e tyre në një nga universitetet më të meituruara për cilësi, infrastrukturë moderne dhe shkallë të lartë të punësimit të diplomuarve.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve për programin e Kimisë Aplikative në UBT

Published

on

By

Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve nga vendi dhe rajoni për të studiuar në nivelin bachelor Kimi Aplikative në UBT, një program që po tërheq vëmendjen e gjeneratës së re falë mundësive të shumta për zhvillim profesional dhe karrierë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit.

I konceptuar si program bashkëkohor dhe inovativ, Kimia Aplikative në UBT ndërthur njohuritë teorike me punën praktike laboratorike dhe kërkimin shkencor, duke u ofruar studentëve mundësinë të zhvillojnë aftësi të aplikueshme në industri dhe në sektorë të ndryshëm profesionalë.

Një nga veçoritë e programit është stafi akademik i përkushtuar dhe i kualifikuar, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushat kryesore të kimisë. Përmes angazhimit të tyre, studentët kanë mundësi të përfitojnë njohuri nga fusha të ndryshme, duke filluar nga kimia organike, inorganike, analitike dhe fizike, deri te kimia e nanomaterialeve, kimia mjedisore, teknologjia ushqimore, toksikologjia, proceset industriale dhe metodat instrumentale të analizës.

Puna laboratorike, praktika profesionale dhe kërkimi shkencor janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit akademik, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësi në analizë, eksperimentim, interpretim të të dhënave dhe zgjidhje të problemeve reale.

Përmes infrastrukturës moderne dhe hapësirave laboratorike të UBT-së, studentët krijojnë mundësi për të fituar përvojë praktike dhe për t’u përgatitur për kërkesat e tregut bashkëkohor të punës. Programi synon të krijojë profesionistë të aftë për të kontribuar në fusha si industria farmaceutike, industria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, teknologjia e ujit, energjia, inxhinieria e materialeve, laboratorët analitikë dhe institucionet kërkimore e shkencore.

Për të rinjtë që tashmë kanë nisur studimet në këtë fushë dhe dëshirojnë të vazhdojnë në një mjedis akademik modern, UBT ofron edhe mundësinë e transferimit të studimeve, duke krijuar mundësi për të vazhduar rrugëtimin akademik në një program të orientuar drejt praktikës, kërkimit dhe zhvillimit profesional.

Bëhu edhe ti pjesë e Kimisë Aplikative në UBT!

Zgjidh një program inovativ, zhvillo njohuritë dhe aftësitë e tua në laboratorë dhe me staf vendor e ndërkombëtar, dhe përgatitu për mundësi të shumta në tregun e punës.

Regjistrimet vazhdojnë të jenë të hapura.

Fillo ose transfero studimet në UBT.

 

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Profesoreshat e UBT-së, Blertë Zylfiu-Latifi dhe Miranda Sejdiu-Abazi, publikojnë studim të ri shkencor në bashkëpunim ndërkombëtar

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara