Mbi 30 000 euro llogaritet të jetë vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në “Lagjen e Boshnjakëve”. Po ashtu dëme të ngjashme ka pasur edhe në pjesë të tjera të Mitrovicës
Dalja e lumit Ibër nga shtrati si pasojë e vërshimeve ka bërë që shtëpitë afër tij të bëhen të pabanueshme. E këtë “fat” pati shtëpia e 21-vjeçares ngjitas lumit Ibër në “Lagjen e Boshnjakëve”.
“Lagjja e Boshnjakëve”, shtëpia e 21-vjeçares brenda
Tmerrin e 19 janarit, 21-vjeçarja e cila nuk pranoi t’i përmendet emri, e përshkruante si diçka që kishte lënë shumë pasoja.
“E tërë shtëpia është dëmtuar nga vërshimet. Pasojat janë të mëdha për arsye se ne nuk mundemi të kthehemi në shtëpinë tonë”, deklaroi ajo.
Mimikat e fytyrës së vajzës të bënin të kuptoje se asgjë në shtëpinë e saj nuk është si më parë.
“Për momentin ne jemi duke banuar në një banesë në jug sepse në shtëpi nuk ka mundësi jetese”, tha ajo.
21-vjeçarja tha se sipas inspektoriatit që ka vlerësuar dëmet, vlera monetare e tyre është afro 30000 euro.
Ndihmat e vetme që iu kanë ofruar kësaj familjeje kanë qenë nga shoqatat humanitare
“Shteti nuk ka ndihmuar asgjë, po ashtu deri më tani nuk ka asnjë ndihmë as nga komuna. Ndryshe, shoqatat humanitare të cilat ishin “Inciativa” dhe “Bereqeti” na kanë ndihmuar me pako ushqimore dhe higjenike”.
Ajo shtoi se Lindrit Misini, i cili udhëheq shoqatën humanitare “Djemtë e Mitrovicës”, ka ofruar ndihmë për rregullimin e shtëpisë. Mirëpo më pas ai ka hequr dorë me pretekstin se shuma është e madhe.
“Lagjja e Boshnjakëve”, shtëpia sot
Ndryshe, 21-vjeçarja shpreson se komuna do të marrë inciativën për t’iu ndihmuar.
“Lagjja e Boshnjakëve”, shtëpia sot
Shenjat nga vërshimet vërehen edhe në lagjen “2 Korriku”. Rrugët nga hyrja e deri në dalje ishin të gjitha të baltosura. Lumi Sitnica kishte goditur pothuajse çdo shtëpi të kësaj lagjeje.
Malsor Peci banor i “2 Korrikut” tha se vërshimet e fundit kishin depërtuar brenda shtëpisë.
“Dëmet brenda shtëpisë kanë qenë kryesisht në kuzhinë, korridor dhe në banjo. Në aspektin monetar shuma e këtyre dëmeve arrin afro 2000 euro”, theksoi ai.
Lagjja “2 Korriku”, shtëpia e Malsor Pecit gjatë vërshimeve
Peci theksoi se shuma e premtuar nga komuna për kompensimin e demeve nuk i kanë rënë në dorë familjes së tij.
“Përkrahje nga shteti dhe komuna nuk kemi pasur. Megjithëse ne kemi aplikuar në komunë me shpresën që do t’i marrim 2500 euro të premtuara nga komuna. Mirëpo ne si familje ende nuk i kemi marrë, por thuhet që një pjesë e familjeve të prekura nga vërshimet në ketë lagje i kanë marrë”, tha ai.
Lagjja “2 Korriku”, shtëpia e Malsor Pecit gjatë vërshimeve
Ai përfundoi se banorët e kësaj shtëpie janë ndjerë keq emocionalisht sepse e njëjta situatë kishte ndodhur para dy viteve, mirëpo asokohe dëmet ishin më të vogla.
Shtëpia e Malsorit, sot
Familja e Azem Alilit hapi dyert për UBTNews, familje kjo që i përkiste komunitetit ashkali. Si të gjthë banorët e kësaj lagjeje edhe kjo familje kishte dëme materiale. Motra e kryefamiljarit shprehet se të gjitha këto dëme të cilat iu shkaktuan kryesisht te orenditë shtëpiake, në pamundësi riparimi, janë detyruar t’i hudhin.
Ngjashëm me parafolësit, ajo pohoi se ndihmat kryesisht ishin nga shoqatat humanitare (“Iniciativa” dhe “Bereqeti”) dhe jo nga shteti apo komuna.
Në lidhje me ndihmën e ofruar për këto familje, kompensimin e dëmeve të cilat arrijnë shumën prej mijëra eurove si dhe strehimin e familjeve që kanë pasur dëme ekstreme si pasojë e këtyre vërshimeve, komuna nuk ka pranuar të jep përgjigje.
Ndryshe, vërshime të mëdha sikurse në Mitrovicë pati edhe në komunën e Skenderajit. Ndërsa vendet e tjera të prekura nga vërshimet ishin: Peja, Istogu dhe Drenasi./UBTNews/
(Arbnora Pllana dhe Florinda Kelmendi, studente të vitit të tretë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në ceremoninë hapëse të “SAHA EXPO 2026”, një prej platformave më të mëdha ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes dhe teknologjisë.
Pjesëmarrja e ministrit Maqedonci erdhi pas një ftese personale nga Haluk Bayraktar, çka sipas ministrit, dëshmon rritjen e besimit dhe forcimin e marrëdhënieve në sektorin e sigurisë. Gjatë këtij panairi, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë institucionalë dhe drejtues të kompanive lider në teknologjinë ushtarake.
Në njoftimin e tij, Ministri Maqedonci theksoi se ky angazhim është në funksion të rritjes së kapaciteteve të Kosovës përmes partneriteteve globale.
“Pjesëmarrja ime në ceremoninë hapëse të këtij panairi thekson rëndësinë e angazhimit tonë në thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me partnerët ndërkombëtarë. Kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të ndërsjellë dhe një dëshmi të marrëdhënieve në rritje në sektorin e mbrojtjes”, njofton Maqedonci.
Më tej, ai shtoi se fokusi kryesor do të jetë identifikimi i mundësive konkrete për partneritete që adresojnë sfidat e sotme të sigurisë.
“SAHA EXPO 2026 mbetet një platformë kyçe për avancimin e bashkëpunimit strategjik dhe adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë,” deklaroi ministri Maqedonci.
Ky panair mbledh qindra ekspozues nga mbarë bota, duke ofruar një dritare të rëndësishme për Kosovën që të njihet me inovacionet më të fundit në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë të ditur se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u njohur zyrtarisht nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (CHEA).
Me këtë vendim, i cili është i vlefshëm deri në fund të vitit 2033, Kosova bëhet shteti i parë dhe aktualisht i vetmi në Evropë që mban këtë status të lartë nga SHBA-të. Ky arritje vjen pas anëtarësimit të agjencisë në Regjistrin Evropian EQAR, duke e pozicionuar Kosovën si lider në rajon për nga standardet e cilësisë.
Sipas Kryeministrit, ky rezultat është fryt i reformave dhe profesionalizmit, duke rritur kredibilitetin e diplomave tona dhe duke krijuar mundësi të reja ndërkombëtare për studentët dhe stafin akademik të Kosovës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Romën dhe Vatikanin nga data 6 deri më 8 maj.
Zyrtarët e përshkruajnë këtë si përpjekje për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara me partnerët kyç evropianë, në kohën kur lufta me Iranin po thellon përçarjet përtej Atlantikut.
Sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit, udhëtimi do të shërbejë “për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe”.
Rubio do të takohet me udhëheqjen e Selisë së Shenjtë për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme dhe interesat e ndërsjella në Hemisferën Perëndimore.
“Takimet me homologët italianë do të përqendrohen në interesat e përbashkëta të sigurisë dhe shtrirjen strategjike”, tha zëdhënësi Tommy Pigott më 4 maj.
Një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se koha e udhëtimit tregon për rëndësinë e tij.
“Udhëtimi i sekretarit Rubio është një hap i rëndësishëm në diplomaci”, tha ai, duke shtuar se fakti që vizita zhvillohet në këtë kohë, tregon se sa shumë rëndësi u kushton administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, marrëdhënieve me Italinë dhe Selinë e Shenjtë.
Vizita zhvillohet në një kohë të tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë, si për shkak të konfliktit me Iranin, ashtu edhe për mosmarrëveshje më të gjera politike, përfshirë tregtinë dhe angazhimet ushtarake./REL/
Sot është bërë funksionalizimi i Gjykatës Administrative, institucioni i parë i specializuar në Kosovë për trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës në sektorin publik.
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, u shpreh se kjo gjykatë është një mekanizëm i ri i shtetit ligjor që do të rrisë profesionalizmin dhe llogaridhënien në administratën publike. Edhe pse fillon punën me një barrë prej mbi 10 mijë lëndësh të bartura, Gërvalla theksoi se specializimi i kësaj gjykate do të sjellë efikasitet dhe vendime më të shpejta për qytetarët.
“Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do të kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike”, është shprehur ministrja Gervalla
Nga sot, qytetarët dhe zyrtarët publikë do të kenë një adresë të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në raport me vendimet e institucioneve shtetërore.