Lajmet

Delta nuk kursen as të vaksinuarit, disa të infektuar edhe në Kosovë

Published

on

Shumë shtete në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën, po raportojnë për raste të infektimeve me koronavirus te personat që janë vaksinuar kundër tij. Infektimet e të vaksinuarve, kryesisht po i atribuohen variantit Delta të koronavirusit, që po përhapet me shpejtësi.

Në Kosovë, deri më tani, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se dhjetë persona të vaksinuar plotësisht janë infektuar me koronavirus, por kanë shtuar se gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

The New England Journal of Medicine më 28 korrik ka publikuar një studim, ku janë analizuar të dhënat e pothuajse 11.500 punonjësve shëndetësorë, të vaksinuar plotësisht me vaksinën Pfizer, të cilët punojnë në Qendrën Mjekësore Sheba, në afërsi të Tel Avivit në Izrael.

Studimi ka gjetur se personat e vaksinuar, që kanë nivele më të larta të antitrupave, kanë më pak gjasa që të infektohen me koronavirus.

Pas testimeve të vazhdueshme prej fundit të janarit deri në fund të prillit, janë identifikuar 39 punonjës të infektuar, pavarësisht se ishin plotësisht të vaksinuar. Studimi gjeti se të gjithë kanë pasur simptoma të buta ose nuk kanë pasur fare simptoma, por 19 për qind e tyre kishin përjetuar simptoma edhe gjashtë javë pas diagonistikimit.

Nga 39 punëtorët e infektuar, në 22 prej tyre, autorët e studimit kanë gjetur se kanë pasur antitrupa në ditën e infektimit ose një javë më pas. Më pas studiuesit kanë analizuar nivelin e antitrupave të personave të infektuar, ku është parë se niveli i antitrupave ka qenë më i ulët.

Ndërkaq, sipas një studimi të kryer nga Qendrat e Kontrollit për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) të publikuar në fund të korrikut, janë analizuar infektimet që kanë ndodhur në Barnstable. Rreth 74 për qind – apo 346 raste – e të infektuarve kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Nga këto raste, 79 për qind kanë e pacientëve kanë pasur simptoma. Sipas analizave të kryera, varianti Delta ka qenë përgjegjësi kryesor i këtyre infektimeve.

Përhapja e variantit Delta, që është variant më ngjitës se varianti origjinal i koronavirusit, ka bërë që shumë shtete të përballen me rritjen e rasteve dhe disa prej tyre kanë rikthyer edhe mbajtjen e maskave, siç është edhe rasti i SHBA-së.

Sipas ekspertëve amerikanë, vaksinimi kundër COVID-19 ul gjasat që personat e vaksinuar të infektohen me koronavirus, por ata që infektohen me Delta pas vaksinimit, kanë tendencë ta shpërndajnë virusin sikurse personat e pavaksinuar.

“Niveli i lartë i ngarkesave virale sugjeron për rrezik të transmetimit dhe rrit shqetësimet se, për dallim nga variantet tjera, njerëzit e vaksinuar, që infektohen me variantin Delta, mund ta transmetojnë virusin”, tha më 30 korrik, drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky, raportoi CNN.

Para shfaqjes së variantit Delta të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi në tetor të vitit të kaluar, vaksinimi u tha si parandalues i përhapjes së transmetimit të virusit. Jo vetëm që njerëzit e vaksinuar kishin më pak ngarkesa virale, por gjithashtu personat e vaksinuar, që infektoheshin me virus, kishin simptoma më të buta të sëmundjes dhe e kalonin më shpejt atë.

Por, hulumtimet tregojnë se Delta përhapet në mënyrë më agresive. Në korrik, shembull, shkencëtarët kinezë thanë se varianti Delta kishte pothuajse ngarkesë virale 1.000 herë më shumë se variantet e mëhershme.

Sipas raportit të CDC-së, varianti Delta është më i transmetueshëm se variantet e tjera, të cilat thuhet se e kanë fuqinë e transmetimit po aq sa edhe gripi sezonal. Kjo nënkupton se në kushte të caktuara, një person i infektuar me variantin fillestar të COVID-19 mesatarisht mund të infektojë dy deri në tre persona të tjerë. Por, një person i infektur me variantin Delta mund të infektojë deri në nëntë persona të tjerë.

“Ky është një prej viruseve më të transmetueshme që ne njohim”, ka thënë për CNN Walensky.

Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), ka thënë se personat e moshuar janë më të rrezikuarit që të infektohen me koronavirus edhe pas vaksinimit.

“Infektimet në mesin e personave të vaksinuar plotësisht priten, veçanërisht në mesin e të moshuarve ose personave që kanë sëmundje. Vaksinat parandalojnë në masë të madhe sëmundjen e rëndë, megjithatë ne ende shohim se raste që përfundojnë në spital apo edhe në vdekje në mesin e këtyre popullatave”, ka thënë ECDC-ja./rel

Lajmet

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

 

 

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Vendi

Teknologji moderne dhe shërbime të shumta mjekësore nën një çati në United Hospital

Published

on

By

Me një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, pajisje moderne diagnostikuese dhe kujdes shëndetësor gjatë 24 orëve, United Hospital synon të ofrojë qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore për qytetarët e Kosovës. Nga diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve, deri te ndërhyrjet kirurgjike dhe kujdesi intensiv, institucioni ofron shërbime në disa fusha të mjekësisë, duke vënë në fokus nevojat e pacientëve.

Qasja në shërbime shëndetësore cilësore, diagnostikimi në kohë dhe trajtimi profesional janë ndër faktorët më të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Në këtë drejtim, United Hospital ofron shërbime të shumta mjekësore, duke synuar t’u mundësojë pacientëve qasje në diagnostikim dhe trajtim të specializuar në një institucion të vetëm.

Me lokacion në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, në kilometrin e shtatë, spitali ofron shërbime emergjente, diagnostikuese, terapeutike dhe kirurgjike, me synimin për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme shëndetësore të qytetarëve

Një ndër fushat me rëndësi të veçantë është diagnostikimi mjekësor, ku përmes shërbimeve të radiologjisë dhe tomografisë së kompjuterizuar (CT), pacientëve u ofrohen mundësi për ekzaminime të specializuara. Sipas informacionit të publikuar nga spitali, pajisjet CT mundësojnë kryerjen e ekzaminimeve me deri në 40 për qind më pak rrezatim, varësisht nga lloji i ekzaminimit dhe protokolli i përdorur.

Krahas diagnostikimit, United Hospital ofron shërbime në disa specialitete mjekësore, përfshirë kardiologjinë, hematologjinë, nefrologjinë, gastroenterologjinë dhe pulmologjinë. Këto shërbime synojnë të mbështesin diagnostikimin, trajtimin dhe përcjelljen e pacientëve me probleme të ndryshme shëndetësore.

Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e spitalit zënë edhe shërbimet kirurgjike. Sipas të dhënave të publikuara nga institucioni, ato përfshijnë kirurgjinë e përgjithshme, kardiokirurgjinë, ortopedinë, kirurgjinë vaskulare, pediatrike, gjinekologjinë, urologjinë, otorinolaringologjinë (ORL), kirurgjinë maksilofaciale dhe atë torakale.

Përveç shërbimeve për të rriturit, spitali ofron edhe shërbime të neonatologjisë dhe pediatrisë, të dedikuara për kujdesin ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve. Këto fusha kërkojnë vëmendje të veçantë profesionale, pajisje të përshtatshme dhe qasje të individualizuar ndaj nevojave të pacientëve më të vegjël.

Disponueshmëria e shërbimeve emergjente, laboratorike dhe e kujdesit intensiv gjatë 24 orëve përbën një element të rëndësishëm të ofertës së institucionit. Në rastet kur nevojitet vlerësim i shpejtë mjekësor, qasja në shërbimet përkatëse dhe koordinimi ndërmjet ekipeve shëndetësore mund të jenë vendimtare për trajtimin e pacientit.

Çmime të përballueshme dhe qasje më e lehtë në shërbime shëndetësore
Përballueshmëria financiare është një çështje e rëndësishme për qytetarët që kanë nevojë për kontrolle, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostikuese apo trajtime të specializuara. Në këtë kontekst, ofrimi i shërbimeve me çmime të përballueshme mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare për pacientët dhe familjet e tyre.

United Hospital e paraqet ofrimin e shërbimeve shëndetësore me çmime të arsyeshme si një nga përparësitë e tij. Për pacientët, rëndësi të veçantë ka që kostot e ekzaminimeve dhe trajtimeve të jenë të qarta, në mënyrë që ata të mund të informohen dhe të marrin vendime të përgjegjshme për shëndetin e tyre.

Në të njëjtën kohë, cilësia e kujdesit shëndetësor nuk përcaktohet vetëm nga çmimi apo teknologjia. Ajo lidhet edhe me profesionalizmin e personelit, sigurinë e pacientit, saktësinë e diagnostikimit, komunikimin me mjekun dhe vazhdimësinë e kujdesit gjatë trajtimit.

Për këtë arsye, zhvillimi i shërbimeve të specializuara dhe krijimi i mundësive për diagnostikim e trajtim në kohë janë elemente me rëndësi për përmirësimin e qasjes së qytetarëve në kujdesin shëndetësor.

Kontributi në shëndetin e popullatës

Institucionet shëndetësore që investojnë në shërbime diagnostikuese, trajtim të specializuar dhe kujdes të vazhdueshëm mund të luajnë rol të rëndësishëm në plotësimin e nevojave shëndetësore të popullatës. Në këtë aspekt, gama e shërbimeve të ofruara nga United Hospital synon t’u mundësojë pacientëve që të gjejnë zgjidhje për nevoja të ndryshme mjekësore brenda të njëjtit institucion.

Një qasje e tillë mund të lehtësojë organizimin e kontrolleve, koordinimin ndërmjet specialiteteve dhe përcjelljen e gjendjes shëndetësore të pacientëve. Veçanërisht e rëndësishme është që qytetarët të kenë qasje në informata të sakta për shërbimet, çmimet, përgatitjen e nevojshme për ekzaminime dhe procedurat e trajtimit.

Përtej trajtimit të sëmundjeve, kujdesi shëndetësor përfshin edhe ndërgjegjësimin për parandalimin, kontrollet e rregullta dhe kërkimin me kohë të ndihmës mjekësore. Identifikimi i hershëm i problemeve shëndetësore mund të ndikojë në mundësitë e trajtimit dhe në ecurinë e sëmundjeve, prandaj qytetarët inkurajohen që të mos i neglizhojnë simptomat dhe kontrollet e rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë.

Duke ofruar shërbime në fusha të ndryshme të mjekësisë, United Hospital synon të jetë një adresë ku pacientët mund të informohen për mundësitë e diagnostikimit dhe trajtimit, sipas nevojave të tyre individuale.

United Hospital, në shërbim të pacientëve 24 orë në ditë

Përmes shërbimeve emergjente, diagnostikuese, laboratorike, kirurgjike dhe të specialiteteve të ndryshme, United Hospital synon t’u përgjigjet nevojave shëndetësore të qytetarëve në çdo kohë.

Për informata rreth shërbimeve, termineve dhe çmimeve, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin në numrat e telefonit ose ta vizitojnë në lokacionin e tij në Prishtinë.

Telefonat: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, kilometri i shtatë, Prishtinë, Kosovë.

Shërbimet: Emergjencë, laborator, radiologji dhe CT, specialitete mjekësore, kirurgji, neonatologji, pediatri dhe kujdes intensiv.

United Hospital – kujdes shëndetësor, diagnostikim dhe shërbime të specializuara, me fokus te nevojat e pacientëve./rajonipress/

Continue Reading

lajme

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara