Lajmet

Delta dhe ritmet e ngadalshme të vaksinimit shtojnë rastet

Rritja pason heqjen e pothuajse të gjitha kufizimeve dhe rihapjen e klubeve të natës.

Published

on

Delta – variant më ngjitës i koronavirusit – dhe ritmet e ngadalshme të vaksinimit kanë bërë që numri i rasteve të reja me koronavirus të rritet në disa vende të botës, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Kolumbia, Indonezia, Britania, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara regjistruan më 13 korrik më shumë se 30,000 raste të reja secila.

Zyrtarët vazhdojnë t’u bëjnë thirrje njerëzve që të vaksinohen, duke thënë se shumica e rasteve u raportuan në zonat ku nivelet e vaksinimit mbeten të ulëta.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, infeksionet e konfirmuara në SHBA janë dyfishuar në një mesatare prej rreth 23,600 në ditë, më 11 korrik.

Rastet në Shtetet e Bashkuara janë ende nën kulmin e tyre prej rreth 250,000 në ditë, sa ishte në janar, por zyrtarët vazhdojnë të paralajmërojnë për përhapjen e shpejtë të variantit Delta.

Qarku Llos Angjelles regjistroi të martën më shumë se 1,000 raste të reja – për të pestën ditë me radhë. Zyrtarët shëndetësorë thanë se Delta vazhdon të përhapet me shpejtësi në mesin e njerëzve të pavaksinuar në Kaliforni.

Një numër shtetesh në SHBA, që kanë norma relativisht të ulëta të vaksinimit, po përjetojnë trende shqetësuese. Alabama, ku vetëm 31 për qind e popullsisë së shtetit është vaksinuar plotësisht, ka parë një rritje të shtrimeve në spital për 75 për qind që nga 20 qershori.

Qytetet e tjera nëpër botë, përfshirë Xhakartën, Sidnein, Seulin dhe Kualla Llampurin, gjithashtu po përjetojnë rritje të numrit të rasteve, që ia atribuojnë variantit Delta.

Indonezia ka regjistruar më 13 korrik rekord prej 47,899 rasteve të konfirmuara të koronavirusit, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.

Spitalet i kanë tejkaluar kapacitetet dhe furnizimet me oksigjen po u mbarojnë, thanë zyrtarët në Indonezi.

Autoritetet në Australi zgjatën sot izolimin e qytetit më të populluar të vendit, Sidnei, deri më 30 korrik, pasi regjistruan rritje të numrit të rasteve të reja. Australia po lufton me një shpërthim të variantit Delta tash e sa javë.

Izolimi i Sidneit do të mbaronte më 16 korrik, por shteti Nju Sauth Uells e zgjati atë, pasi konfirmoi 97 raste të reja më 14 korrik. Numri është më i lartë se një ditë më parë, kur u regjistruan 89.

“Gjithmonë dhemb kur e thua këtë, por duhet ta zgjasim izolimin për së paku dy javë të tjera”, tha kryeministrja e shtetit, Gladys Berejiklian.

Për pasojë, shumë biznese jothelbësore janë mbyllur, shumica e nxënësve qëndrojnë në shtëpi, ndërsa banorët lejohen të dalin jashtë vetëm për aktivitete thelbësore dhe stërvitje.

Në Turqi, autoritetet thanë se numri i rasteve me variantin Delta është rritur për më shumë se dyfish brenda një jave. Mbi 750 raste të reja u raportuan atje më 13 korrik.

Në Holandë po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik tha se infeksionet me koronavirus janë rritur më shumë se 500 për qind gjatë javës së fundit.

Rritja pason heqjen e pothuajse të gjitha kufizimeve dhe rihapjen e klubeve të natës në fund të qershorit.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik në Holandë tregojnë për afro 52,000 raste të konfirmuara si pozitive javën e kaluar, krahasuar me rreth 8,500 nga java paraprake.

Varianti Delta i koronavirsuit është zbuluar për herë të parë në Indi, në tetor të vitit 2020.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë “variant shqetësues” në muajin maj. Sipas OBSH-së, një variant klasifikohet si i tillë kur duket se është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave ose trajtimeve aktuale.

OBSH-ja ka konfirmuar se vaksinat aktuale janë efektive edhe kundër variantit Delta.

Lajmet

REL: LDK-ja kërkon Presidencën: Abdixhiku ose Haziri

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.

Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.

Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.

Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.

Nga LVV-ja kanë thënë se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjen e krijimit të institucioneve të reja, pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas Kushtetutës, për themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë kërkohet vota e së paku 61 deputetëve.

Fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.

Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë. /REL//A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Published

on

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2026.

Kjo emergjencë ishte shpallur për herë të parë me urdhër ekzekutiv më 2001, por sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit të këtij viti shkaku i gjendjes në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe gjendja e tanishme në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

“Për këtë arsye… emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor, duhet të vazhdojë përtej qershorit 2026”, thuhet në njoftim.

Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në këtë rajon.

Më pas, më 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.

Ky vendim mund të jetë sinjal se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si shqetësim për sigurinë dhe stabilitetin, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, cilat shihen si vende ende të cenueshme.

Në një raport në maj, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e paraqiti Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Raporti i DASH-it identifikoi Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Gjendja e sigurisë në Kosovë ka qenë e qetë në vitet e fundit, por vendi është përballur me një krizë institucionale duke mbajtur zgjedhjeve të njëpasnjëshme në gati dy vjetët e fundit për shkak të mungesës së konsensuseve politike brenda partive partiake.

Në anën tjetër, NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do ta bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.

Ndërkohë, Bosnje e Hercegovina është ende në pritje të emërimit të një përfaqësues të ri ndërkombëtar, pasi Christian Schmidt njoftoi dorëheqjen më herët këtë muaj.

Kjo çështja ka shkaktuar përplasje në Bosnje lidhur me zyrën ndërkombëtare që mbikëqyr zbatimin e paqes.

Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, miratoi në maj deklaratënpër mbylljen e zyrës së përfaqësuesit të lartë, gjë që u kundërshtua nga partitë politike nga entiteti tjetër, Federata e Bosnje e Hercegovinës, të cilat thanë se ajo duhet të mbetet në Bosnje me kompetenca të plota. /REL//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci pranon përfaqësues të Shoqatës “Skënderbej” nga New Yorku

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” nga New Yorku, Faton Zogiani dhe Rrustem Berisha.

Gjatë takimit u diskutua për aktivitetet e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë, si dhe për forcimin e lidhjeve të vazhdueshme me Kosovën.

Po ashtu, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në projekte dhe iniciativa të përbashkëta kulturore.

Ministrja Bogujevci vlerësoi përkushtimin e shoqatës në promovimin e vlerave kulturore dhe kombëtare shqiptare, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

MINT dënon KEDS-in edhe me 25 mijë euro gjobë për njehsorët elektrikë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon aksionin për mbikëqyrjen dhe verifikimin e njehsorëve elektrikë në territorin e Kosovës.

Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi, inspektorët kanë identifikuar pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për shkak të kësaj shkeljeje, ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh.

MINT dhe AMK kanë bërë të ditur se verifikimet e matësve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të rrymës, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të ligjit.

“Institucionet përgjegjëse mbeten të përkushtuara për të siguruar që çdo njehsor elektrik në përdorim të jetë i verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri në procesin e matjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë dyshime apo dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve të tyre elektrikë, t’i adresojnë ankesat përmes numrit të telefonit +383 46 311 000 (në Viber) ose në adresën elektronike: [email protected]. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara