Lajm në përditësim:
Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.
Trupi gjykues: Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve
Trupi gjykues konstatoi se Kadri Veseli mori pjesë në kryerjen e krimeve dhe inkurajoi kryerjen e tyre.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte një nga anëtarët kyç në realizimin e tij.
Trupi gjykues: Thaçi kishte dijeni për krimet dhe nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Charles Smith konstatoi se Hashim Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër personave që konsideroheshin kundërshtarë.
Sipas gjykatësit Smith, përpos se nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin apo ndëshkimin e këtyre krimeve, Thaçi mori pjesë personalisht në to. Më tej, gjykata theksoi se ai përhapi ose ndihmoi në përhapjen e informacioneve të rreme lidhur me këto ngjarje, duke kontribuar kështu në krijimin e një politike të pandëshkueshmërisë.
Kush ishin personat e shënjestruar?
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.
Në këtë grup përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë serbë dhe romë.
Trupi Gjykues: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave dhe keqtrajtimi i tyre
Gjatë vazhdimit të leximit të aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të vërtetojë kryerjen e krimit të luftës të arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.
Gjykatësi Smith përshkroi gjetjet e trupit gjykues lidhur me keqtrajtimet e të ndaluarve nga pjesëtarë të UÇK-së, duke theksuar se atyre u ishin shkaktuar vuajtje të rënda fizike e psikologjike. Sipas konstatimeve të gjykatës, shumë prej të ndaluarve u ishin nënshtruar rrahjeve barbare deri në pikën sa nuk mund të qëndronin në këmbë, ndërsa disa prej tyre kishin ndërruar jetë si pasojë e këtyre dhunimeve.
Më tej, gjykata evidencoi raste ekstreme të dhunës, duke përmendur se disa të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët. Trupi gjykues theksoi se pasojat e këtij keqtrajtimi mbeten afatgjata, pasi shumë dëshmitarë vuan nga depresioni e problemet me gjumin, ndërsa disa vazhdojnë të kenë dhimbje fizike apo pamundësi për të ecur edhe sot e kësaj dite.
Gjyqtari Smith: Gjykimi ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë individuale, jo me legjitimitetin e UÇK-së
Gjyqtari Charles Smith III theksoi se kjo çështje gjyqësore lidhet vetëm me veprimet, sjelljen dhe përgjegjësinë penale individuale të katër të akuzuarve, duke u bazuar rreptasisht në faktet dhe rrethanat e akuzave.
Ai sqaroi se ky proces nuk gjykon legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo synimin e saj për një Kosovë të pavarur, e as nuk merret me krimet që forcat ushtarake serbe kanë kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sipas Dhomave të Specializuara, fokusimi i vetëm i gjykatës është nëse janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë — ndaj serbëve, romëve dhe veçanërisht ndaj disa shqiptarëve të Kosovës — dhe nëse të akuzuarit mbajnë përgjegjësi penale individuale për to.
Hagë: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së
Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë leximit të aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka arritur të vërtetojë ekzistencën e një sulmi të përhapur apo sistematik kundër popullatës civile, gjë që përbën kushtin kryesor për kualifikimin e kësaj vepre penale.
Hagë: Gjykatësi Charles Smith po lexon përmbledhjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Seanca për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith.
Në pjesën hyrëse të seancës, gjykatësi Smith po paraqet një përmbledhje të profileve që katër të akuzuarit kishin gjatë periudhës 1998/1999, si dhe pretendimet kryesore të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj tyre. Ai po ashtu po bën një rezyme të ecurisë së procesit gjyqësor, i cili nisi zyrtarisht më 3 prill 2023 dhe po përmbyllet sot pas më shumë se tri vitesh shqyrtimi gjyqësor.
Nis seanca në Hagë: Pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur zyrtarisht seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Transmetimi publik i seancës realizohet me një vonesë të protokolluar prej 10 minutash, për çka pamjet e drejtpërdrejta nga salla e gjyqit do të bëhen të qasshme për publikun nga ora 10:10.
Konjufca nga Haga: Presim aktgjykim lirues
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i cili po qëndron në Hagë, ka thënë se sot presin vendim lirues për katërshen e UÇK-së.
“Ne presim vetëm një vendim, aktgjykim lirues”, ka thënë ai.
Kongresisti amerikan paralajmëron Hagën para verdiktit: Anshmëria politike nuk ka vend këtu
Pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — kongresisti amerikan Keith Self ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me ndikimet e mundshme politike në proceset e drejtësisë në Hagë.
Përmes një postimi në platformën X, Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, theksoi se nga Haga po shfaqet një linjë shqetësuese ku anshmëria politike ndikon në vendimmarrje. Ai apeloi që një praktikë e tillë të mos ndikojë në vendimin final ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Më tej, kongresisti Self e ndërlidhi këtë proces gjyqësor me stabilitetin rajonal, duke e cilësuar Ballkanin si një “fuçi baruti”. Ai paralajmëroi se në rajon ka ende regjime shtypëse që synojnë të nxisin përçarje e ndarje të reja, në vend që të punojnë drejt paqes dhe pajtimit.
Dita e Verdiktit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së
Gjykata Speciale në Hagë shpall sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky vendim shënon fundin e procesit më të madh gjyqësor të zhvilluar deri më tani nga Dhomat e Specializuara. Seanca transmetohet në Kosovë pas orës 10:00, derisa interesi i publikut dhe mediave është i jashtëzakonshëm, me vende të kufizuara në galerinë e gjykatës që u janë rezervuar kryesisht familjarëve të të akuzuarve.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar pafajësi dhe lirim të plotë. Zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle, sqaroi se seanca përbëhet kryesisht nga leximi i përmbledhjes së vendimit. Ai po ashtu specifikoi se në rast pafajësie, Hashim Thaçi nuk do të lirohej menjëherë, pasi ndaj tij ka një masë tjetër paraburgimi lidhur me procedurën për pengim të administrimit të drejtësisë, e cila do të kërkonte rishikim të veçantë nga gjyqtari i asaj çështjeje.
Ngjarja ka nxitur mobilizim të madh në Kosovë, ku seanca do të ndiqet drejtpërdrejt në ekranet e mëdha të vendosura në sheshet kryesore. Në Prishtinë dhe qytete të tjera janë paralajmëruar tubime, ndërsa Policia e Kosovës ka marrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit. Si rrjedhojë e këtyre organizimeve, ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre për kujdes dhe shmangie të vendeve ku ka grumbullime masive.
Në rrafshin politik, Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur pritjen për një verdikt lirues për të gjithë të akuzuarit, duke kërkuar që kjo ditë të kthehet në festë. Ndërkohë, përfaqësues të kësaj partie kanë bërë të ditur se në rast të një vendimi dënues, do ta kundërshtojnë atë dhe presin reagim qytetar për mbrojtjen e të vërtetës së luftës së UÇK-së.