Botë

DASH pas dënimit të Dodikut: Kundërshtojmë çdo veprim që kërcënon sigurinë e Bosnjës

Published

on

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.

Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada për një Bosnje e Hercegovinë stabile. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, shkroi në X, zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.

Dodik është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995.

Më 26 shkurt, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë shqiptoi dënimin ndaj Dodikut për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Llukiq, u lirua nga akuzat.

Ky është vendim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik mund të ankohet.

Dodik është përballur me gjyq nën akuzat se kishte nënshkruar dekrete presidenciale, përmes së cilëve kishte shpallur të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga përfaqësuesi i Lartë.

Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas.

Në Kodin Penal të Bosnjës për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë parashihet dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim si dhe mundësi të shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimi i veprimtarisë politike.

Pas shqiptimit të dënimit, Dodik u tha mbështetësve të tij të mbledhur para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërspka se “nuk ka arsye për shqetësim”.

Ai po ashtu tha se Asambleja e entitetit serb do të ndërmarrë disa vendime, përfshirë atë që të refuzohet procesi në Gjykatën e Bosnjës dhe të “ndalohet puna e Prokurorisë në territorin e Republikës Sërpska”.

Vendimi i dytë është ndalimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Sërpska”, tha Dodiku, duke paralajmëruar po ashtu se do të miratohet një ligj që do të ndalojë veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës dhe të formimit të këtyre institucioneve në nivel entiteti.

Kundër dënimit të Dodikut janë shprehur udhëheqësit në Serbi, të cilët e kanë cilësuar si “sulm ndaj serbëve”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar si “të turpshëm, të paligjshëm dhe jodemokratik” vendimin e Gjykatës së Bosnjës, i cili sipas tij synon “shkatërrimin e Republikës Sërpska dhe rrënimin e pozicionit të popullit serb”.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, deklaroi pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, se ky organ, me propozimin e Vuçiqit ka miratuar shtatë konkluzione, ku ndër të tjera dënohet vendimi i gjykatës, që cilësohet si “jodemokratik dhe i paligjshëm” dhe bëhet thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndalimit të “shkatërrimit të mëtejmë të sistemit” të krijuar nga ky dokument.

Për dënimin ndaj Dodikut ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, që tha se ky vendim është “sulm ndaj serbëve dhe Serbisë”.

lajme

Në UBT nis IFSGC 2026, kongresi ndërkombëtar për ushqimin, shëndetin dhe gastronominë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së ka nisur sot Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Shkencave të Ushqimit, Shëndetit dhe Gastronomisë – IFSGC 2026, një nga aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare akademike që po zhvillohet në Kosovë, duke mbledhur në UBT profesorë, studiues, ekspertë të industrisë dhe studentë nga Kosova, Turqia dhe vende të ndryshme të botës.

Kongresi, i cili do të mbahet nga 7 deri më 9 shtator 2026, organizohet nën temën “Innovating the Future of Food, Health & Gastronomy”, duke trajtuar zhvillimet më të reja shkencore dhe teknologjike në fushën e ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, si dhe ndërlidhjen e tyre me inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital.

UBT është institucioni nikoqir dhe bashkëorganizatori kryesor i IFSGC 2026, në bashkëpunim me Istanbul Nişantaşı University dhe Ondokuz Mayıs University, duke e pozicionuar edhe një herë Kosovën dhe UBT-në në hartën e aktiviteteve akademike me karakter ndërkombëtar.

Në ceremoninë e hapjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkimit të disiplinave shkencore dhe të krijimit të modeleve të reja që lidhin kërkimin me zgjidhjet konkrete për shoqërinë.

Duke folur për zhvillimet e kohës dhe rëndësinë e qasjeve ndërdisiplinore, Rektori Hajrizi tha se bota po hyn në një epokë të re të konvergjencës shkencore, ku disiplinat po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat globale.

“Sot po jetojmë një revolucion të konvergjencës, një epokë ku disiplinat që dikur zhvilloheshin të ndara, tashmë po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat më të mëdha të shoqërisë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi veçoi modelin e UBT Smart City, duke e cilësuar atë si një mjedis real ku teknologjia, arsimi, shëndetësia, energjia, infrastruktura, inovacioni dhe jeta e përditshme mund të studiohen dhe të zhvillohen në mënyrë të integruar.

“UBT Smart City funksionon si një Living Lab, një mjedis real në të cilin sisteme të ndryshme mund të bashkëjetojnë, të ndërveprojnë dhe të studiohen së bashku. Kjo më sjell te një koncept që është thelbësisht i rëndësishëm për këtë Kongres: integrimi i sistemit të ushqimit dhe gastronomisë përmes modelit UBT 5S. Në perspektivën e modelit 5S, ushqimi dhe gastronomia, shëndeti dhe gastronomia nuk mund të kuptohen si sektorë të izoluar, por si një ekosistem i integruar, që ndërlidh arsimin, bujqësinë, mjedisin, kërkimin shkencor, laboratorët, teknologjinë, prodhimin, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, nutricionin, shëndetin, gastronominë, turizmin, kulturën, industrinë”, tha Rektori Hajrizi.

Në ceremoninë e hapjes foli edhe Prof. Dr. Ece Salihoğlu, Zëvendësrektore e Istanbul Nişantaşı University, e cila vlerësoi pjesëmarrjen ndërkombëtare në kongres dhe bashkëpunimin akademik me UBT-në.

Prof. Dr. Salihoğlu u ndal edhe te rëndësia e shkencave të ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, duke theksuar se këto fusha lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe mirëqenien e njeriut. Sipas saj, ushqimi nuk duhet të shihet vetëm si një nevojë ushqyese, por si një faktor që lidhet ngushtë me shëndetin, kulturën, ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe shprehu besimin se partneritetet e krijuara do të shndërrohen në projekte konkrete kërkimore.

“Bashkëpunimi ndërmjet Istanbul University, Istanbul Commerce University dhe UBT-së nuk do të kufizohet vetëm në Kongresin e sotëm. Përkundrazi, ne i kushtojmë rëndësi të madhe që, në një periudhë shumë të shkurtër, ky bashkëpunim të shndërrohet në kërkime të përbashkëta dhe studime shkencore konkrete”.

Ceremonia e hapjes së IFSGC 2026 mblodhi në UBT përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, drejtues universitarë, përfaqësues diplomatikë, profesorë, studiues, profesionistë dhe studentë.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Veysel Erden, Përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, i cili përshëndeti organizimin e kongresit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe Fikrim Damka, Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla ndërkombëtare dhe rolin e universiteteve në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e “Çmimit të Nderit Akademik” për Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në krijimin e mundësive për akademikët dhe profesionistët e diplomuar, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre, si dhe për forcimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pas ceremonisë së hapjes, programi shkencor i kongresit vazhdoi me ligjërata dhe prezantime nga profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarë.

Ndër folësit kryesorë të IFSGC 2026 janë Prof. Dr. H.P. Vasantha Rupasinghe nga Dalhousie University, Prof. Dr. Charis M. Galanakis nga Taif University dhe Prof. Dr. Muhammad Hamid Zaman nga Boston University.

Gjatë tri ditëve të kongresit, pjesëmarrësit do të prezantojnë kërkimet dhe punimet e tyre shkencore, ndërsa diskutimet do të fokusohen në tema që lidhen me sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, teknologjitë ushqimore, nutricionin, shëndetin, gastronominë, qëndrueshmërinë, inovacionin dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Për më shumë informata: www.ifsgc.net

Continue Reading

Botë

Nepali në ditë zie, mbi 1,300 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet

Published

on

Nepali është sot në ditë zie kombëtare, në kujtim të qindra viktimave të përmbytjeve vdekjeprurëse të 26 gushtit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike në vend, në nderim të viktimave të përmbytjeve që autoritetet i kanë cilësuar si të pashembullta.

Sipas të dhënave të përkohshme, të paktën 1 mijë e 398 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5 mijë e 500 persona rezultojnë të zhdukur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Mes të zhdukurve dyshohet se ka turistë, pelegrinë të huaj dhe qindra punëtorë që janë rrëmbyer nga ujërat.

Për të 13-tën ditë radhazi, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në sipërfaqe, nga ajri dhe në tunele, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se operacionet po zhvillohen me të njëjtin intensitet si në ditën e parë./A.K/

Continue Reading

Botë

Pesë të vdekur, pesë të lënduar pasi avioni transportues i Amazon doli nga pista në Miami

Published

on

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi një avion transportues i Amazon doli nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit të dielën pasdite, duke goditur disa automjete dhe më pas duke u përfshirë nga zjarri.

Pesë persona të tjerë u lënduan në aksident, bëri të ditur shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Miami-Dade, Raied “Ray” Jadallah, gjatë një konference për media të dielën në mbrëmje.

Tre prej të lënduarve janë në gjendje kritike dhe janë dërguar në një qendër traumatologjike, ndërsa dy të tjerë janë transportuar në një spital lokal.

Sipas Jadallah, disa nga viktimat kishin mbetur të bllokuara brenda automjeteve që u goditën nga avioni dhe ekipet e shpëtimit u detyruan t’i nxirrnin nga to.

Avioni, një Boeing 767-300 për transport mallrash, po fluturonte nga San Juani i Porto Rikos drejt Miamit. Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara bëri të ditur se fluturakja doli nga pista pasi u ul në Miami rreth orës 14:00.

Ende nuk dihet arsyeja pse avioni nuk arriti të ndalej.

Sipas të dhënave të faqes për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, avioni po lëvizte me shpejtësi prej afro 209 kilometrash në orë kur doli nga pjesa e përdorshme e pistës.

CNN, pas shqyrtimit të komunikimeve ndërmjet pilotëve dhe kontrollit të trafikut ajror, raportoi se ekuipazhi nuk kishte shpallur gjendje emergjente para uljes, transmeton KosovaPress.

Më shumë se 60 njësi të emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, ku gjetën avionin të përfshirë nga flakët, ndërsa një re e dendur tymi të zi ishte ngritur mbi zonë.

“Djema, avioni është në zjarr. Avioni është në zjarr. Bëhuni gati”, dëgjohet duke thënë një pjesëtar i ekipeve të emergjencës në komunikimet e siguruara nga Broadcastify.

Ekipet e shpëtimit raportuan se pilotët ishin nxjerrë nga avioni dhe po merrnin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.

Zyra e Sherifit të Miami-Dade njoftoi se autoritetet po punojnë për konfirmimin e identitetit të personave që humbën jetën. Për familjarët është hapur gjithashtu një linjë e posaçme telefonike për informacione./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Sot nis në UBT – Kongresi Ndërkombëtar IFSGC 2026

Published

on

By

Sot, më 7 shtator, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nis Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Shkencave të Ushqimit, Shëndetit dhe Gastronomisë – IFSGC 2026, i cili do të mbahet deri më 9 shtator.

UBT, si institucion pritës dhe bashkëorganizator kryesor, mirëpret ekspertë, akademikë, studiues, profesionistë të industrisë dhe studentë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, duke e shndërruar Prishtinën në një pikëtakim ndërkombëtar të dijes, inovacionit dhe bashkëpunimit në fushën e ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë.

Nën temën “Innovating the Future of Food, Health & Gastronomy”, kongresi do të sjellë diskutime, prezantime dhe shkëmbim të ideve mbi zhvillimet më të fundit shkencore, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në këto fusha.

Përgjatë tri ditëve, IFSGC 2026 do të krijojë mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare, prezantim të kërkimeve shkencore dhe ndarje të përvojave mes komunitetit akademik dhe profesionistëve të industrisë.

Për më shumë informata: www.ifsgc.net

Continue Reading

Të kërkuara