Lajmet

Danimarka ende në pritje të huazimit të qelive nga Kosova

Dy vendet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021.

Published

on

Kosova nuk e ka ratifikuar ende Traktatin për strehimin e qindra të burgosurve nga Danimarka, edhe pse dokumenti për këtë qëllim parasheh që transferimi i tyre të bëhet në tre muajt e parë të këtij viti.

Dy vendet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit të kaluar, dokumenti është shndërruar në Traktat.

Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Nazlie Bala, këshilltare politike në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimet për përshtatjen e burgut të Gjilanit me kërkesat e Danimarkës nuk kanë filluar ende, por se të gjitha planet investuese janë përgatitur.

Këto plane, sipas saj, janë bërë gati nga ekipet teknike nga Danimarka dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Por, punimet nuk mund të fillojnë pa ratifikimin e Traktatit në Kuvendin e Kosovës.

“Traktati, i cili është nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Danimarkës e ka pjesë të veten edhe Marrëveshjen për Energji të Gjelbër, dhe pa nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nga dy ministritë përgjegjëse [v.j. ministritë e Financave të të dyja shteteve], ne nuk mund ta procedojmë tutje Traktatin, në Qeveri dhe Parlament, për ratifikim”, thotë Bala.

Ministria e Financave e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë se kur pritet të nënshkruhet Marrëveshja për Energji të Gjelbër.

Parlamenti danez, në anën tjetër, e ka ratifikuar Traktatin në fjalë vitin e kaluar.

Bala shpreh bindjen se ai pritet të finalizohet më së largu në fillim të muajit shkurt, prej kur, siç thotë ajo, do të mund të nisin edhe investimet në burg.

Objekti i burgut në Gjilan – qytet në pjesën lindore të Kosovës – është ndërtuar në vitin 2015.

Bala thotë se ai, kryesisht, i plotëson nevojat dhe standardet ndërkombëtare dhe se dhënia në shfrytëzim e qelive të tij për Danimarkën nuk do të marrë shumë kohë.

“Besoj se ky proces do të jetë me dinamikën e planifikuar nga ekipet teknike nga Danimarka dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thotë Bala.

REL kontaktoi edhe Qeverinë daneze, zyrtarë të së cilës thanë se presin që të dërgojnë të burgosur në Institucionin Korrektues të Gjilanit në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rasmus Meldgaard, këshilltar për media dhe komunikim në Ministrinë daneze të Drejtësisë, tha se Traktati parasheh që Danimarka të nisë ta shfrytëzojë kapacitetin e burgut në Gjilan nga tremujori i parë i vitit 2023.

“Për nisjen e shfrytëzimit të burgut në Gjilan, aktualisht jemi në pritje të ratifikimit të Traktatit [nga Kosova] dhe zbatimit të masave ndërtimore të nevojshme, për t’u siguruar se objekti është në gjendje të funksionojë në përputhje me kriteret daneze dhe detyrimet ndërkombëtare të Danimarkës”, tha Meldgaared.

Çka parasheh Traktati ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës?

Shteti pritës – Kosova – do t’i bëjë rregullimet e nevojshme në ambientet e burgut, për të siguruar se i plotëson kërkesat e shtetit dërgues – Danimarkës.

Kapaciteti i burgut duhet të jetë i përshtatshëm për 300 të burgosur. Kapaciteti duhet të jetë në formën e qelive të vetme ose të qelive të përbashkëta. Qelitë e vetme duhet të kenë sipërfaqe jo më të vogël se 6 metra katrorë, kurse qelitë e përbashkëta jo më pak se 8 metra katrorë.

Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Shteti i Danimarkës do t’i shfrytëzojë qelitë për pesë vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit dhe mund t’i vazhdojë edhe për pesë vjet shtesë.

Udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Çka përfiton Kosova?

Nga zbatimi i këtij Traktati, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro – 30 milionë euro do të shkojnë për energji të ripërtrishme dhe pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Me hyrjen e tij në fuqi, shteti dërgues – Danimarka – do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Kurse, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, pagesa do të bëhet në norma tremujore, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Shuma për 12 muajt e parë të përdorimit të burgut nuk duhet t’i kalojë 8.750.000 euro.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë kanë thënë më herët për REL-in se nuk ka vend për t’u shqetësuar për situatën e sigurisë nga ardhja e të burgosurve nga Danimarka. Por, përfaqësues të disa organizatave joqeveritare kanë thënë se ky transferim mund të ndikojë në standardin e të burgosurve lokalë.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015./REL

Vendi

Caktohet seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar për sot mbajtjen e seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj.

I dyshuari Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan, pas kërkimeve nga Policia e Kosovës.

Ai akuzohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Vendi

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara