Të martën, Shtëpia e Bardhë hapi zyrtarisht një llogari në TikTok, në një kohë kur Donald Trump vazhdon të lejojë funksionimin e platformës kineze në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht ligjit që kërkon shitjen e saj.

Në postimin e parë, një video 27-sekondëshe, shkruhej: “Amerikë, jemi kthyer! Çfarë ke TikTok?”.
Një orë pas publikimit, llogaria kishte mbledhur rreth 4,500 ndjekës. Ndërkohë, profili personal i Trump në TikTok numëron 110.1 milionë ndjekës, megjithëse postimi i tij i fundit daton më 5 nëntor 2024 – dita e zgjedhjeve.
Trump ka shprehur simpati për TikTok, duke e konsideruar një mjet të rëndësishëm për të fituar përkrahje tek votuesit e rinj gjatë garës së tij kundër Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024.
“Administrata Trump është e përkushtuar të ndajë sukseset historike të presidentit me sa më shumë audienca dhe platforma që është e mundur”, deklaroi Karoline Leavitt, zëdhënësja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e hapjes së llogarisë.
Ligji federal që kërkon ndalimin ose shitjen e TikTok për arsye sigurie kombëtare ishte parashikuar të hynte në fuqi një ditë para inaugurimit të Trump më 20 janar. Por presidenti republikan e pezulloi zbatimin e tij, duke theksuar rëndësinë e platformës në fushatën e tij.
TikTok, me 170 milionë përdorues në SHBA, është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, e cila në prill bëri të ditur se po diskutonte me autoritetet amerikane për një marrëveshje, duke theksuar se çdo vendim do të duhej të miratohej nga autoritetet kineze.
Në qershor, Trump shtyu afatin për TikTok me 90 ditë, duke dhënë kohë për të gjetur një blerës jo-kinez. Ky afat pritet të skadojë në mes të shtatorit.
Iniciativa për ndalimin e TikTok u shfaq fillimisht në vitin 2020 nën drejtimin e Trump, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë kombëtare. Kjo u kthye në një çështje me mbështetje dypartiake dhe në vitin 2024, Kongresi votoi me shumicë për ndalimin e platformës – vendim që më vonë u mbështet edhe nga Gjykata Supreme. Afati fillestar për ndalimin ishte 19 janari.
Trump e rishikoi qëndrimin e tij ndaj TikTok gjatë fushatës presidenciale, ku arriti të tërheqë rreth 15 milionë ndjekës në platformë. Ai madje priti CEO-n e TikTok, Shou Zi Chew, në Mar-a-Lago, dhe ky i fundit mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit.
Trump, i cili dikur ishte për ndalim ose shitje të platformës, tani shprehet se do ta mbrojë atë, duke e konsideruar si një faktor të rëndësishëm për mbështetjen që mori nga votuesit e rinj në zgjedhje.
Ndërkohë, në rrjetin X, llogaria e tij ka 108.5 milionë ndjekës, ndërsa në Truth Social, rrjetin e tij personal, ka 10.6 milionë ndjekës. Për krahasim, llogaritë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në X dhe Instagram numërojnë përkatësisht 2.4 milionë dhe 9.3 milionë ndjekës.