Dy takimet Kurti-Vuҫiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që kaluan vetëm me akuza dhe kundërakuza, sipas analistëve mund të prodhojnë vetëm konflikt të ngrirë. Marrëveshja përfundimtare nuk duket në sfond.
Partitë politike opozitare e kritikuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për takimin e fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuҫiq, dhe qasjen e tij ndaj dialogut me Serbinë, duke i cilësuar takimet siҫ thonë “takime që nuk po prodhojnë asnjë rezultat”. Kurti dhe Vuҫiq në takimin e fundit që u mbajt në Bruksel më 19 korrik, nuk u pajtuan për asgjë, ndërsa, me një dozë nervozizmi akuzuan njëri-tjetrin duke refuzuar propozimet e ndërsjella që ofruan në takim.
Performancë për konsum të brendshëm
Zëdhënësja e partisë opozitare Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, thotë se “mungesa e platformës së dialogut me Serbinë, me objektiva të qarta të prezantuar në Kuvend para dhe pas çdo takimi, do ta reduktojë Kosovën në nivelin e performancës për konsum të brendshëm të kryeministrit Albin Kurti”.
Sibel Halimi: Kurti bën performancë për konsum të brendshëm
“Procesi i dialogut do të duhet të orientohet në përcaktimin e saktë të vizionit se çfarë në të vërtetë Kosova mëton të arrijë nga ky proces dialogu. Deri tani, ajo çfarë kemi parë nga takimet, nuk janë asgjë tjetër pos një mundësi e jashtëzakonshme e Kurtit drejtuar audiencës së tij për të akumuluar fuqi politike. Turma karakterizohet për irracionalitet, i lëvizur me situatat e përafërta me të ngjashmin e vet, andaj qasja e kryeministrit është pa vizion!”, shkroi Sibel Halimi në Facebook.
Mungesë transparence rreth bisedimeve
Edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë Abelard Tahiri, tha se “procesi i dialogut me Serbinë po përcillet me jo transparencë, ngase qytetarët nuk e dinë se për çfarë temash po diskutohet”. “Këtë dialog Kurti po e përcjell me mostransparencë, pra qytetarët nuk dinë asgjë se çka bisedon Kurti me Vuqiçin. Rreziku ekziston që për herë të parë Kosova të kthehet pala e pa arsyeshme”, tha Abelard Tahiri.
Haradinaj: Takim i kotë i dialogut Kosovë-Serbi
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që udhëheq partinë tjetër opozitare Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) takimin e fundit Kurti-Vuҫiq e cilësoi “një takim kot i dialogut Kosovë-Serbi”. Ai tha se “secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve”.
Ramush Haradinaj
“Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borrelin e Lajçakun është në qorrsokak. Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin! Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?”, shkroi Haradinaj në facebook.
Bisedimet më shumë ligjërata historike sesa propozime konkrete
Ndërkohë disa analistë politikë mendojnë se duke e parë qasjen e deritashme të palëve nga dy takimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi duket e pamundur. Blerim Burjani analist politik i tha DW-së se takimet në Bruksel po ngjasojnë më shumë me ligjërata historike sesa me propozime konkrete.
“Ndërmjetësimi është pozitiv por, sikur t’i shtohet edhe ndikimi më i madh i SHBA-së, ndoshta do të jetë më i lehtë dialogu. Marrëveshja përfundimtare është shumë larg. Në vend të propozimeve që duhet të bëjnë palët dhe të bien dakord me ndonjë opsion të mundshëm për zgjidhje, realisht ata në këto takime në Bruksel po bëjnë debate që më shumë po ngjasojnë në ligjërata për historinë. Nëse vazhdojnë të bëhen debate për marrëdhëniet ndëretnike Kosovë-Serbi, marrëveshje nuk do të ketë, por, stagnim dhe një status-quo”, thotë Burjani. Sipas tij, pa një propozim konkret qoftë nga ndërmjetësuesi i dialogut, debatet Kosovë-Serbi do të vazhdojnë dhe që do të prodhojnë një konflikt të ngrirë dhe jo vullnet për zgjidhje.
Debatet Kosovë-Serbi prodhojnë një konflikt të ngrirë
“Mendoj që pa pasur një dokument të hartuar nga SHBA dhe BE që do t’u jepet palëve për diskutim, duket se është vetëm humbje kohe. BE duhet të mendoj një opsion së bashku me SHBA-të për zgjidhje përfundimtare, ndryshe nuk ka shprese aspak se palët ndonjëherë do të merren vesh për ndonjë marrëveshje përfundimtare. BE si ndërmjetësuese duket shumë latente, ofron vetëm shërbime të mira për palët, dhe ndonjëherë e kam përshtypjen se vetëm organizon takime për palët dhe nuk involvohet në zgjidhje. Pra mendojë se kërkohet një involvim më i madh i ndërmjetësuesit duke përfshirë edhe SHBA-të në këtë proces”, mendon Blerim Burjani.
Akuza dhe kundër akuza
Dy takimet që ndodhën ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, njëri me 15 qershor dhe tjetri me 19 korrik, prodhuan akuza dhe kundërakuza ndërmjet palëve. Pas takimit të fundit, Albin Kurti, tha se ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar nga pala serbe ende pa u lexuar.
“Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar”, tha mes tjerash Kurti. Sipas tij, refuzimi pa lexim për të tregon mungesë gatishmërie nga ana e Serbisë për marrëveshje.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se “me kryeministrin kosovar Albin Kurti, është shumë vështirë të bisedohet”.
Aleksandar Vuçiq: Me kryeministrin Kurti, është shumë vështirë të bisedohet
”Kam folur edhe me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Avdullah Hotin e Ramush Haradinajn, por këto asnjëherë nuk i kam dëgjuar. Gjithmonë kanë kërkuar njohjen nga Serbia, gjithmonë ka qenë vështirë, por të paktën për diçka jemi marrë vesh, si për atë se është ditë, është e hënë, e premte. Por tash me Kurtin nuk mund të merremi vesh as a është ditë e as cila ditë e javës është”, ka thënë Vuçiq, transmeton mediumi publik serb rts. Sipas tij, me Kurtin nuk mund të merresh vesh për asgjë. Mediet në Serbi shkruan se pala serbe është duke e diskutuar mundësinë e ndërprerjes së dialogut me Kosovën, por kjo nuk është konfirmuar nga ndërmjetësuesi i këtij dialogu Bashkimi Evropian. Takimi i radhës Koosvë-Serbi i nivelit të lartë politik, thuhet se do të mbahet në fillim të shtatorit. DW
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.
Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.
Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.
“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.
Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.
Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.
Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.
Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:
“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”
Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”
Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.
Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.
UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.
Në mesin e tyre janë:
Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.
Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.
Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.
Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.
Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.
Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.
Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.
Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.
Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.