Aktualisht, mediat gjenden në një udhëkryq dy kahësh: nga njëra anë, për shkak të internetit dhe teknologjisë, janë më të lira se kurrë, e që u japin zë individëve dhe mediave alternative; nga ana tjetër, ato janë edhe më të ekspozuara ndaj kontrollit politik, ekonomik dhe algoritmik.
Shkruan: Dr. Ferid Selimi
Në shumë vende, presioni mbi gazetarët dhe ndërhyrjet në politikat editoriale, janë në rritje, ndërsa platformat digjitale ndikojnë fort në atë, që shihet dhe shpërndahet.
Duke konsideruar Lirinë e shtypit si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike, dilema, nëse ajo duhet të ketë kufij mbetet e debatueshme. Në parim, liria e shprehjes dhe e informimit duhet të jetë sa më e gjerë, por kufijtë bëhen të nevojshëm kur cenohen të drejtat e të tjerëve, si privatësia, siguria kombëtare apo nxitja e urrejtjes dhe e dhunës. Pra, nuk bëhet fjalë për censurë arbitrare, por për balancim të përgjegjshëm në mes të lirisë dhe përgjegjësisë publike.
Aktualisht, mediat gjenden në një udhëkryq dy kahësh: nga njëra anë, për shkak të internetit dhe teknologjisë, janë më të lira se kurrë, e që u japin zë individëve dhe mediave alternative; nga ana tjetër, ato janë edhe më të ekspozuara ndaj kontrollit politik, ekonomik dhe algoritmik.
Dezinformimi është shndërruar në një nga kërcënimet më serioze ndaj lirisë së shtypit, sepse minon besimin e publikut tek informacioni i saktë.
Kur lajmet e rreme përhapen më shpejt se faktet, publiku bëhet më skeptik ndaj mediave në përgjithësi, duke i vendosur edhe mediat profesionale në një pozitë të vështirë. Dhe, kështu, vetvetiu krijohet një mjedis ku e vërteta relativizohet dhe manipulimi bëhet më i lehtë.
Konsumi i informacionit të shpejtë, mungesa e verifikimit të burimeve dhe përhapja e lajmeve pa kontroll, kontribuojnë në dobësimin e standardeve mediatike.
Për më tepër, presioni i opinionit publik në rrjetet sociale shpesh çon në autocensurë të gazetarëve, të cilët shmangin tema të ndjeshme për të mos u përballur me reagime të ashpra.
Gazetaria e pavarur përballet me sfida të mëdha ekonomike, pasi modeli tradicional i financimit është dobësuar nga konkurrenca e platformave digjitale.
Megjithatë, forma të reja si abonimet, donacionet dhe gazetaria jofitimprurëse ofrojnë shpresë për ruajtjen e pavarësisë editoriale.
Sa i përket rregullimit të rrjeteve sociale, debati është kompleks. Nga njëra anë, këto platforma kanë ndikim të madh në shpërndarjen e informacionit dhe për këtë arsye duhet të mbajnë një nivel përgjegjësie të ngjashëm me mediat tradicionale. Nga ana tjetër, rregullimi i tepërt mund të rrezikojë lirinë e shprehjes dhe të krijojë forma të reja kontrolli.
Sfida qëndron në gjetjen e një ekuilibri, që mbron publikun pa kufizuar zërat e lirë.
(Paraqitur gjatë shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në UBT)