Lajmet

COVID-19 ua mori jetën 23 profesionistëve shëndetësorë në Kosovë

Published

on

Pandemia COVID-19 nuk i kurseu as mantelbardhët, por përkundër kësaj ata i qëndruan besnikë betimit të tyre se do të jenë gjithmonë në shërbim të pacientëve. Si ushtarët e parë në front me armikun e padukshëm, shumë prej tyre u infektuan, por 23 mjekë e infermierë e humbën betejën me virusin.

Thonë se nuk ka luftë pa dhimbje e humbje, por vdekja e këtyre profesionistëve shëndetësorë në Kosovë po konsiderohet zbrazëti e madhe për sistemin shëndetësor në vend, i cili edhe ashtu ballafaqohet me mungesa të mëdha të profesionistëve shëndetësorë. Nga marsi e deri më tani nuk i mbijetuan COVID-it, 17 mjekë dhe 6 infermierë.

Gëzim Berisha, mjeku i cili shërbeu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, si pasojë e infektimit me COVID-19, në fillim të dhjetorit e humbi betejën me këtë virus. Berisha i cili edhe gjatë luftës kishte shëruar plagët e shumë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk arriti të fitojë përballë COVID-19 dhe të ngritet sërish në këmbë për t’iu shërbyer atyre që kishin nevojë për të.

“Ra viktimë vetë për të shëruar të tjerët”, është thënia që e përsërisin familjarët e të ndjerit.

Musa Krasniqi, daja i doktorit, thotë se përkundër që specialisti i pediatrisë, Gëzim Berisha kishte telashe me mushkëritë, ai asnjëherë nuk hezitoi t’u dalë në ndihmë atyre që kërkuan mjekimin nga ai. Ai në një rrëfim për KosovaPress, ka shpalosur sakrificën e nënës së mjekut, Gëzim Berisha për ta shkolluar atë.

“Betejën e humbi në moshën 52-vjeçare. E ka pasur një ftohje të mushkërive dhe duket si pikërisht ajo ka qenë shkaktari kryesor që nuk mundi t’ia dalë kësaj sëmundje për ta fituar betejën. Humbje jashtëzakonisht e madhe për arsye se nëna e ka shkolluar me thonjtë e duarve si themi në zhargonin popull duke punuar me punë të ndryshme artizanale e të tjera. Ndërsa babai i ka vdekur menjëherë pas luftës, kështu shkollimin e ka pasur mjaftë të vështirë, por për familjen është humbje shumë e madhe. Edhe për sistemin shëndetësor për ato 13 fshatra e kemi pasur një shpresë të madhe se ku do të drejtohemi e tash e kemi goxha vështirë pa doktor Gëzimin”, tha ai.

Për 40 vite iu kishte shërbyer si mjek qytetarëve të komunës së Dragashit, por Minafir Beshiri nuk arriti ta mposhtë koronavirusin. Muhamer Beshiri, djali i mjekut të ndjerë, thotë se deri në momentet e fundit besuan se babai i tyre do ta mposhtë sëmundjen COVID-19.

“Prej vitit 1980 ku ka diplomuar si mjek i ka shërbyer Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dragash, diku në vitet ‘83-‘84, ka specializuar në mjekësi të përgjithshme tash i bie sikur në Mjekësi Familjare, dhe ka kontribuar deri në vitin 2019, deri në pensionim në QKMF të Dragashit. Ka pasur kërkesa vazhdimisht dhe ka shkuar edhe në shtëpi dhe në ordinancën private vazhdimisht, asnjë pacient nuk e ka refuzuar, pavarësisht a ka qenë me COVID apo pa COVID. Deri në moment të fundit personalisht, por edhe të gjithë familjarët kemi menduar se do ta tejkalojë por nuk e pati fatin. Duke pasur parasysh situatën që ka qenë edhe pritje për ngushëllime nuk kemi pasur për shkak të situatës, por ka pasur shumë pacientë dhe shokë që edhe përkundër rrethanave kanë ardhur për ngushëllime. Edhe për pacientët ka qenë shumë një lajm tragjik për ta. Megjithëse ky ka qenë nga Dragashi dhe Dragashi është një vend i vogël ku të gjithë njihemi mes vete, ka pasur shumë pacientë atje dhe shumë e kanë pritur si lajm tragjik”, tha ai.

Muaji korrik ishte tragjik edhe për familjen Macula. Në këtë muaj kur vendi u goditë nga vala e dytë e pandemisë, ndër të prekurit me koronavirus ishte edhe tekniku i dhëmbëve nga Mitrovica, Kujtim Macula, i cili në këtë profesion kishte shërbyer për një kohë shumë të gjatë.

Me shumë dashuri e mallëngjim kujtimin për të atin e shpalos para mikrofonit të KosovaPress, Diellza Macula, vajza e të ndjerit. Ajo thotë se kur e morën vesh që babai i tyre ishte infektuar, asnjëherë nuk e kanë menduar se ky virus do ua merrte nga jeta më të dashurin e tyre, pasi ai gëzonte shëndet të mirë.

“Babai shëndetin e ka pasur të mirë, ka qenë aktiv, mirëpo simptomat e para kanë qenë të lehta, jo edhe shumë të rënda dhe se kemi menduar më të keqen. Nuk ka shkuar menjëherë tek mjeku, nuk e ka menduar se e ka COVID-in, por vetë fakti se si ka ardhur në ordinancë dhe ka ardhur me pacientë nuk iu kanë lajmëruar shenjat e para dhe e kemi kuptuar se e ka marrë. Humbjen e babit, pacientët e kanë parë si humbje të madhe, ka qenë profesionist i pashoq, ka qenë i afërt dhe mbi të gjitha ka qenë i qeshur. Familjarëve iu ka munguar shumë, na mungon dhe do na mungojë gjithmonë”, theksoi Macula.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se nga fillimi i pandemisë e deri tani rreth 1130 mjekë u infektuan nga koronavirusi, e 17 prej tyre nuk arritën ta mposhtin atë. Sejdiu në një intervistë për KosovaPress, thotë se vdekja e këtyre profesionistëve shëndetësorë, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët por edhe për gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Kjo është humbje e madhe së pari për familjen, por edhe humbje e madhe për komunitetin tonë, por edhe për vetë institucionet ku kanë dhënë shërbime, duke marrë parasysh se nuk jemi shumë, edhe ashtu kemi mungesa, dhe kur flasim se që të gjithë pa përjashtim kanë qenë mjekë me përvojë të specialiteteve dhe profesioneve dhe ekspertiza e tyre e establuar e vërtetuar, atëherë është humbje edhe më e madhe”, tha ai.

E kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli përmes një shkrese elektronike për KosovaPress, ka treguar se nga fillimi i pandemisë e deri tanë me koronavirus janë infektuar mbi 1 mijë e 200 infermierë, laborantë e mami. Sipas tij, gjashtë nuk arritën të mbijetojnë këtë luftë shëndetësore.

“Mbi 1 mijë e 200 infermierë, mami, laborantë dhe profesionistë shëndetësorë janë prekur nga COVID-19, që nga 13 marsi i viti 2020. Vetëm në muajin korrik dhe gusht kanë qenë të prekur 400 deri në 500. 6 infermierë, laborantë e mami e kanë humbur betejën me koronavirus duke u infektuar në vendin e punës”, thuhej në shkresën e tij.

Mjeku i parë në Kosovë i cili vdiq si pasojë e infektimit me COVID-19, ishte mjeku nga Vitia, Fadil Zuka. Nga radhët e punonjësve shëndetësorë i dyti që humbi betejën me COVID-19 ishte kirurgu nga Gjakova, Ali Tolaj. Internisti-Reumatologu po ashtu profesor, Sylejman Rexhepi ishte mjeku i tretë që u bë viktimë e koronavirusit në moshën 67-vjeçare.

Lulzim Kolgjeraj ishte viktima e radhës nga mjekët, pasi u infektua me këtë virus. Pandeminë nuk arrit ta mposhtë as Kujtim Zarari, i cili ishte drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, e të tjerë.

Për të nderuar kontributin e tyre në luftën me pandeminë dhe gjithë punën që e kanë bërë në shërbim të pacientëve, gjatë muajit dhjetor ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani me medaljen e meritave i ka dekoruar profesionistët shëndetësorë që humbën betejën me COVID-19.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara