Magazinë

Clooney i prekur emocionalisht nga filmat e tij të hershëm

Published

on

George Clooney ka rrëfyer se është ndjerë i tronditur emocionalisht kur ka parë pamjet e vërteta nga filmat e tij të hershëm të përdorura në filmin e ri “Jay Kelly”.

Gjatë premierës në Los Angeles, aktori fitues i Oscar-it tha se kjo përvojë e befasoi më shumë sesa kishte menduar.

Në një deklaratë për “People”, Clooney pranoi se ngjashmëritë mes historisë së filmit dhe jetës reale ishin “të vështira për t’u përballuar”.

Sipas tij, skena finale ku personazhi i tij sheh një përmbledhje të karrierës në një ceremoni nderimi – ishte aq realiste, sa i shkaktoi një valë nervozizmi të papritur.

Noah Baumbach kishte zgjedhur të përdorte pamje autentike nga rolet e rinisë së Clooney-t, një surprizë që aktori nuk e dinte paraprakisht.

“Nuk kisha asnjë ide se do ta bënin,” tha ai. “Herën e parë që e xhiruan, ishte edhe hera e parë që e pashë. Ajo reagim i parë është pikërisht ajo që shihni në film.”

Një moment tjetër që ka bërë bujë është skena ku Clooney mban dorën e menaxherit të tij, të interpretuar nga Adam Sandler. Aktori zbuloi se ky gjest nuk ishte i shkruar në skenar: “Ndodhi krejt natyrshëm. U habita dhe u ndjeva pak nervoz. Nuk është e lehtë.”

Me humor ai shtoi: “Duhet të kesh shumë vetëbesim për të parë një përmbledhje 40-vjeçare të karrierës tënde. Nuk është gjithmonë e bukur.”

Reflektimi i Clooney-t ka rezonuar me fansat, të cilët e vlerësuan sinqeritetin e tij dhe mënyrën se si përballet me të kaluarën, një rrugëtim që e ka shndërruar prej kohësh në një nga figurat më të dashura të Hollywood-i. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Magazinë

Anulohen zyrtarisht koncertet e Ye në Shën Petersburg

Published

on

By

Dy koncertet e shitura plotësisht të reperit amerikan Kanye West, i cili tashmë performon me emrin Ye, në Shën Petersburg janë anuluar zyrtarisht pas disa javësh pasigurie dhe reagimesh publike.

Ye ishte planifikuar të performonte më 10 dhe 11 tetor në “Gazprom Arena”. Megjithatë, agjencia moskovite “Say Agency” njoftoi përmes Telegramit se koncertet nuk do të zhvillohen në datat e parashikuara.

“Me keqardhje të sinqertë ju njoftojmë se koncertet nuk mund të zhvillohen. Në të ardhmen e afërt do t’ju kontaktojmë me një deklaratë zyrtare lidhur me statusin e projektit dhe planet e ardhshme”, thuhej në njoftimin e organizatorëve.

Sipas tyre, procesi i rimbursimit të biletave të blera do të nisë më 12 tetor.

Fati i koncerteve kishte mbetur në pikëpyetje prej disa javësh. Ndonëse biletat ishin shitur me ritëm rekord, drejtuesit e “Gazprom Arena” njoftuan në gusht se kontrata e qirasë së stadiumit me promovuesit nuk ishte nënshkruar.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e arenës thanë se kishin pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët lidhur me koncertet e planifikuara.

Përveç çështjeve organizative, projekti u përball edhe me kundërshtime nga zyrtarë rusë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i cilësoi koncertet e planifikuara si të papranueshme, duke iu referuar deklaratave dhe veprimeve të mëparshme të reperit në lidhje me Adolf Hitlerin.

Ndërkohë, politikani rus Nikolai Novichkov kërkoi nisjen e një hetimi ndaj muzikantit dhe deklaroi se koncertet duhej të ndaloheshin, përveç rastit kur Ye do të shprehte publikisht “mbështetje morale për Rusinë dhe operacionin special ushtarak”.

Kanye West ka shkaktuar vazhdimisht reagime ndërkombëtare për deklaratat dhe veprimet e tij. Në një prej episodeve më të fundit, ai shiti bluza me simbolin e svastikës dhe publikoi këngën “Heil Hitler”, duke nxitur kritika të forta.

Më vonë, West kërkoi falje publikisht përmes një reklame të publikuar në “The Wall Street Journal”, duke thënë se sjellja e tij ishte ndikuar nga një episod i rëndë maniak, të cilin e lidhi me çrregullimin bipolar.

Planifikimi i vizitës së reperit amerikan në Rusi tërhoqi vëmendje të veçantë edhe për shkak të zhvillimit të saj në një periudhë kur shumë artistë dhe institucione kulturore kanë shmangur Rusinë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Rusia nuk është i vetmi vend ku Ye është përballur me pengesa për zhvillimin e koncerteve. Anulimi i dy performancave në Shën Petersburg vjen pas anulimit të disa koncerteve të tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, të lidhura me çështje vizash dhe reagime publike.

Në korrik, edhe prefekti i qytetit italian Reggio Emilia ndërhyri për të ndaluar një koncert të reperit, pas një kërkese të komunitetit lokal hebre.

Pavarësisht polemikave, West ka vijuar aktivitetin e tij koncertor në kuadër të promovimit të albumit të tij të 12-të solo, “Bully”, të publikuar në mars. Para anulimit të koncerteve në Rusi, reperi kishte performuar në SHBA, Turqi, Holandë, Gjeorgji, Shqipëri, Portugali dhe Kazakistan.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Margot Robbie “rikthehet” në serialin “Neighbours” përmes inteligjencës artificiale

Published

on

By

Aktorja e njohur australiane Margot Robbie do të rikthehet në ekran në rolin e saj të hershëm si Donna Freedman në serialin “Neighbours”, por këtë herë e gjitha do të realizohet përmes inteligjencës artificiale.

Kompania “RoseBerry Media” ka bërë të ditura planet për të ripërpunuar skenat e vjetra të aktores dhe për t’i shndërruar ato në mini-episode për platformën e saj “Epis”. Përmes teknologjisë AI, kompania planifikon të përgatisë rreth 150 minuta përmbajtje të re, duke nisur me dy histori kryesore që osillojnë rreth personazhit të Donnas.

Robbie, e cila sot është një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it me filma si “Barbie” dhe “Suicide Squad”, u bë e njohur për herë të parë práveç këtij seriali australian, ku luajti nga viti 2008 deri në vitin 2011. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Komediani turk Deniz Goktas dënohet me mbi 19 muaj burg për fyerje ndaj Erdoganit dhe fesë

Published

on

By

Komediani turk Deniz Goktas, 32 vjeç, është dënuar me mbi 19 muaj burg nga një gjykatë në Stamboll, pasi u shpall fajtor për fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe vlerave fetare. Pavarësisht dënimit, gjykata ka urdhëruar lirimin e tij të përkohshëm deri në vendimin e shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, Goktas u shpall i pafajshëm për akuzën e tretë, atë të glorifikimit të krimeve, e cila lidhej me një shaka rreth grupit të organizuar kriminal të njohur si “Daltons”.

Çështja gjyqësore rjedh nga shfaqja e tij stand-up “Dead Sea”, e cila u bë virale në internet. Videoja e publikuar në YouTube arriti afro 9 milionë shikime, ndërsa fragmente të saj u shpërndanë gjerësisht në rrjetin social X. Sipas aktakuzës, Goktas e kishte cilësuar presidentin Erdogan si “diktator” në njërën nga batutat e tij, si dhe kishte bërë shaka me Islamin dhe fundamentalizmin fetar.

Sipas organizatës turke Media and Law Studies Association, ndaj komedianit me bazë në Stamboll janë paraqitur më shumë se 500 ankesa zyrtare për këtë performancë.

32-vjeçari u arrestua më 3 korrik, vetëm një javë pas publikimit të shfaqjes në YouTube, dhe ka qëndruar në paraburgim deri me sot.

Seanca gjyqësore u përcoll me mbështetje të madhe nga publiku. Rreth 50 persona u mblodhën përpara gjykatës në Stamboll në shenjë solidariteti, teksa në sallë morën pjesë gazetarë, kolegë humoristë nga klubi “TuzBiber”, si dhe vëzhgues nga Ambasada e Holandës dhe Konsullata e SHBA-së.

 

Continue Reading

Të kërkuara