Lajmet

​Clinton: Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm drejt barazisë gjinore

Clinton iu adresua përmes një videoje Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po zhvillon edicionin e dytë në Prishtinë.

Published

on

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se Kosova ka shënuar “përparim të rëndësishëm” drejt arritjes së “barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë”.

Clinton iu adresua përmes një videoje Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po zhvillon edicionin e dytë në Prishtinë.

Ndër sukseset e Kosovës në fushën e të drejtave të grave, Clinton përmendi reparacionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se “jeni përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e paqes, në zgjerimin e mundësive ekonomike dhe dëshmuat se bashkëpunimi sjell më shumë përftime sesa konflikti”.

“Paqja nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, veçmas tani kur tensionet në rajonin e Ballkanit edhe një herë po përshkallëzohen, teksa lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe forcat antidemokratike në botë nxisin përçarje dhe urrejtje. Prandaj, forume të tilla janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë. Gratë janë promovuese të paqes dhe përparimit”, tha Clinton.

Edicioni i dytë i forumit përqendrohet në temën e dhunës seksuale gjatë konflikteve dhe në sigurinë klimatike.

Clinton tha se ky forum është i rëndësishëm, pasi shfaq vendosmërinë për të amplifikuar zërat e grave dhe për të forcuar pjesëmarrjen e grave në të gjitha sferat e jetës dhe “për të siguruar një balancë gjinor në vendimmarrjen për paqe dhe siguri në Kosovë dhe në mbarë botën”.

Ajo tha se po punon me Departamentin amerikan të Shtetit dhe Institutin Georgetown për krijimin e një qendre rajonale të ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë, që do të ketë selinë në Kosovë.

“Demokracitë tonë janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë janë të përfshira dhe trajtohen të barabarta dhe veçmas kur gratë udhëheqin”, tha Clinton në adresimin e saj.

Forumi dyditor, që zhvillohet nën patronazhin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mbledh përfaqësues nga më shumë se 40 shtete në mbarë botën.

Osmani, gjatë hapjes së punimeve të forumit, tha se në kohën kur në botë po zhvillohen disa konflikte, përfshirë atë në Gazë dhe Ukrainë, “agjenda për siguri dhe paqe të grave është më e rëndësishme se kurrë”.

“Ajo tha se gratë dhe vajzat në zonat e konfliktit përballen me sfida të shumta, por “shpirti i tyre mbetet i pathyeshëm. Ato luftojnë për mbijetesë, luftojnë për liri”, u shpreh Osmani, duke shtuar se derisa ato e kanë të pamundur të përdorin zërin e tyre, e gjithë bota duhet të bëhet zëri i tyre.

Organizimi i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë kishte qenë zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci që u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.

Forumi këtë vit përqendrohet në përpjekjet për të luftuar dhunën seksuale në konflikte, por edhe për të gjetur mënyrat për të ndihmuar gratë dhe vajzat të navigojnë në mënyrë të sigurt teksa përballen me kërcënimet e sigurisë klimatike.

“Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet ndaj sigurisë së grave, teksa po shfaqen sfida të reja të sigurisë, me qëllimin kyç të bashkimit të forcave për të çuar përpara agjendën e forumit”, thuhet në ueb-faqen e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Vendi

Prodhuesit vendorë i bashkohen aksionit të PDK-së te ndërtesa e Qeverisë

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon aksionin e saj për të pestën ditë me radhë, duke bllokuar hyrjen kryesore të ndërtesës së Qeverisë në shenjë pakënaqësie per mosthirrjen e seancës konstituive.

Mëngjesin e sotëm kësaj proteste i janë bashkuar për herë të parë edhe prodhuesit vendorë, të cilët së bashku me deputetët e PDK-së kanë qëndruar para hyrjes së ndërtesës qeveritare.

PDK-ja ka përsëritur thirrjen që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, me qëllim që të formohen institucionet dhe vendi të dalë nga ngërçi politik. Deputetët e këtij subjekti paralajmëruan se do të vazhdojnë me protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke e akuzuar pushtetin për bllokim të procesit./ E,A/

Foto: Ekonomia Online

Continue Reading

Lajmet

Kurti nis takimin me Abdixhikun, në përpjekje për zhbllokimin e institucioneve

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur takimin konsultativ me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Abdixhiku në takim është shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ndërkohë, Kurti ka marrë pjesë në takim së bashku me nënkryetaren e LVV-së, Arbërie Nagavci, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Para takimit, Kurti është shprehur optimist se bisedimet me LDK-në do të mund të kontribuojnë në ecjen përpara dhe në konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

“Do të shohim se si do të mund të ecim përpara bashkë që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive”, ka deklaruar Kurti.

Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të partive politike për tejkalimin e ngërçit institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se shiste diploma profesionale të falsifikuara

Published

on

Një person me inicialet I.Ç. është arrestuar në Prizren nën dyshimin për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të një Qendre për Verifikim të Aftësive Profesionale, dyshohet se ka lëshuar diploma profesionale pa u zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike përkatëse.

Hetimet e deritanishme tregojnë se nga viti 2019 deri më tani janë lëshuar rreth 1 mijë e 679 diploma, ndërsa për një diplomë dyshohet se paguhej rreth 300 euro. Sipas autoriteteve, përfitimi i dyshuar nga kjo veprimtari arrin në rreth 500 mijë euro.

Dyshohet se këto diploma janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.

Gjatë kontrollit të kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy pajisje kompjuterike, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon mobil, 11 fleta me shënime për borxhet dhe pagesat, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita të biznesit.

Sipas hetimeve, subjekti dyshohet se nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria do të vlerësojë kërkesën për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.

Prokuroria dhe Policia u kanë bërë thirrje qytetarëve që dyshojnë se janë mashtruar lidhur me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, të raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor./A.K/

Continue Reading

Vendi

Asociacioni i Komunave paralajmëron protestë para Qeverisë më 1 shtator

Published

on

By

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vendosur që më 1 shtator, në orën 11:00, të organizojë një protestë përballë ndërtesës së Qeverisë në Sheshin “Skënderbeu”.

Përmes një njoftimi zyrtar në Facebook, AKK bëri të ditur se protesta organizohet për mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, si dhe për kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe detyrimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive. Po ashtu, kërkohet zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti qendror, financim i drejtë për komunat dhe ndalimi i ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.

Lidhur me këtë vendim, Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaroi zyrtarisht: “Protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, në mbrojtje të interesave të Komunave dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Vendimi ka nxitur edhe reagime të ndryshme mes krerëve të komunave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë për qasje totalitare dhe për ndëshkimin e komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se komuna e tij nuk do të marrë pjesë në këtë protestë, duke deklaruar se Rama nuk mund të flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara