Lajmet

​Çitaku thotë se me PDK-në në pushtet do të ndryshonte marrëveshja e Brukselit

Published

on

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku thotë se nëse kjo parti vjen në pushtet do ta ndryshojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit – të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas saj, kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën pasi nuk e ka njohjen reciproke në qendër dhe se “flet për një autonomi territoriale dhe politike për komunitetin serb në Kosovë”.

Për të gjetur zgjidhje në dialog, zyrtarja e lartë e partisë opozitare thotë se nevojitet komunikim me vendet aleate. Këtë, thotë ajo, PDK do ta bënte menjëherë pas marrjes së mandatit.

“Ajo çka kemi në tavolinë është një marrëveshje e cila nuk është as finale, as gjithëpërfshirëse dhe nuk e ka në qendër njohjen reciproke, por mosnjohjen reciproke. Sikurse më nuk flitet për Asociacion, por në thelb është një autonomi territoriale dhe politike. Ne do të trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe menjëherë porsa të marrim detyrën, dialogun do ta nisim me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhje. Nuk është e vërtetë se marrëveshjet nuk kanë ndryshuar ndonjëherë. Në fakt marrëveshjen e ka ndryshuar edhe vet kryeministri Kurti për të keq, por ka pasur raste që marrëveshjet janë ndryshuar pasi janë pranuar edhe për të mirë. Një nga ato është procesi i transformimit të mandatit të FSK-së në ushtri. Është paraparë që të bëhet me Kushtetutë, por ne kemi arritur ta bëjmë me ligj”, thotë Çitaku.

Ajo kritikon kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas saj e ka humbur mundësinë që Kosova të hartojë vet një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç thotë ajo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ofruar ekspertizë dhe këshilltarë profesionalë për të ndihmuar Kosovën që të hartojë një draft-statut që nuk do të cenonte rendin kushtetues.

“Ka pasur një kërkesë dhe insistim, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosova të hartojë vet draft-statutin e Asociacionit. Për më tepër SHBA-të kishin ofruar ekspertizë, këshilltarë profesionalë për të ndihmuar Kosovën që të hartojë një draft-statut që nuk do të cenonte rendin kushtetues”, deklaron ajo.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, ajo shprehet e sigurt se PDK-ja do të jetë fituese.

“Ne do të kemi ofertën më të mirë për qytetarin e Kosovës. Kandidati ynë është antipodi më i madh i kryeministrit Kurti. Ai [Bedri Hamza] është njëri i fjalës, punës, i përgjegjshëm, profesionist dhe zotimin publik e mban. Për të gjitha këto që po i them ka një histori, pasi zotëri Hamza ka mbajtur pozicione të rëndësishme publike, si ministër, guvernator dhe tani si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Kudo që ka shërbyer ka lënë shenjë të mirë”, thotë sekretarja e PDK-së.

Megjithatë, Çitaku është më e rezervuar sa i përket koalicioneve paszgjedhore.

Sipas saj, PDK-ja është e fokusuar të fitojë zgjedhjet dhe më pas të diskutojë për koalicione me parti të cilat janë më të përafërta edhe ideologjikisht, edhe në program zgjedhor.

Mirëpo, ajo nënvizon se hendeku mes PDK-së dhe partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje – është shumë i thellë “andaj edhe është i vështirë një bashkëpunim në të ardhmen”.

“Çështja e koalicioneve është debat i studiove televizive dhe politikanëve. Qytetari i Republikës së Kosovës nuk shqetësohet për koalicione. PDK-ja është në garë për të fituar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe pasi të fitojmë besimin e qytetarëve, do të ndërtojmë koalicione me parti të cilat jemi më të përafërta edhe ideologjikisht dhe në thelb të programit. Të jem shumë e sinqertë, hendeku mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është shumë i thellë. Të gjitha partitë të tjera kanë hendek më të vogël me LVV-në sesa ne. Por për koalicione do të flasim pas zgjedhjeve”, përfundon sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Pavarësisht kësaj dhe takimeve jo të rralla të palëve në nivel të kryenegociatorëve, ende nuk ka nisur zbatimi i saj.

Krahas PDK-së, edhe dy partitë e tjera opozitare – LDK e AAK – e kanë quajtur të dëmshme këtë marrëveshje e cila sipas tyre sjell autonomi për serbët në Kosovë.

Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, por edhe eksponentë të partisë në pushtet, të njëjtën e kanë konsideruar si të dobishme për vendin dhe sipas tyre sjell njohjen de-facto ndërmjet vendeve.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara