Lajmet

​Çitaku thotë se me PDK-në në pushtet do të ndryshonte marrëveshja e Brukselit

Published

on

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku thotë se nëse kjo parti vjen në pushtet do ta ndryshojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit – të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas saj, kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën pasi nuk e ka njohjen reciproke në qendër dhe se “flet për një autonomi territoriale dhe politike për komunitetin serb në Kosovë”.

Për të gjetur zgjidhje në dialog, zyrtarja e lartë e partisë opozitare thotë se nevojitet komunikim me vendet aleate. Këtë, thotë ajo, PDK do ta bënte menjëherë pas marrjes së mandatit.

Ajo çka kemi në tavolinë është një marrëveshje e cila nuk është as finale, as gjithëpërfshirëse dhe nuk e ka në qendër njohjen reciproke, por mosnjohjen reciproke. Sikurse më nuk flitet për Asociacion, por në thelb është një autonomi territoriale dhe politike. Ne do të trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe menjëherë porsa të marrim detyrën, dialogun do ta nisim me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhje. Nuk është e vërtetë se marrëveshjet nuk kanë ndryshuar ndonjëherë. Në fakt marrëveshjen e ka ndryshuar edhe vet kryeministri Kurti për të keq, por ka pasur raste që marrëveshjet janë ndryshuar pasi janë pranuar edhe për të mirë. Një nga ato është procesi i transformimit të mandatit të FSK-së në ushtri. Është paraparë që të bëhet me Kushtetutë, por ne kemi arritur ta bëjmë me ligj”, thotë Çitaku.

Ajo kritikon kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas saj e ka humbur mundësinë që Kosova të hartojë vet një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç thotë ajo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ofruar ekspertizë dhe këshilltarë profesionalë për të ndihmuar Kosovën që të hartojë një draft-statut që nuk do të cenonte rendin kushtetues.

Ka pasur një kërkesë dhe insistim, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosova të hartojë vet draft-statutin e Asociacionit. Për më tepër SHBA-të kishin ofruar ekspertizë, këshilltarë profesionalë për të ndihmuar Kosovën që të hartojë një draft-statut që nuk do të cenonte rendin kushtetues”, deklaron ajo.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, ajo shprehet e sigurt se PDK-ja do të jetë fituese.

Ne do të kemi ofertën më të mirë për qytetarin e Kosovës. Kandidati ynë është antipodi më i madh i kryeministrit Kurti. Ai [Bedri Hamza] është njëri i fjalës, punës, i përgjegjshëm, profesionist dhe zotimin publik e mban. Për të gjitha këto që po i them ka një histori, pasi zotëri Hamza ka mbajtur pozicione të rëndësishme publike, si ministër, guvernator dhe tani si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Kudo që ka shërbyer ka lënë shenjë të mirë”, thotë sekretarja e PDK-së.

Megjithatë, Çitaku është më e rezervuar sa i përket koalicioneve paszgjedhore.

Sipas saj, PDK-ja është e fokusuar të fitojë zgjedhjet dhe më pas të diskutojë për koalicione me parti të cilat janë më të përafërta edhe ideologjikisht, edhe në program zgjedhor.

Mirëpo, ajo nënvizon se hendeku mes PDK-së dhe partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje – është shumë i thellë “andaj edhe është i vështirë një bashkëpunim në të ardhmen”.

Çështja e koalicioneve është debat i studiove televizive dhe politikanëve. Qytetari i Republikës së Kosovës nuk shqetësohet për koalicione. PDK-ja është në garë për të fituar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe pasi të fitojmë besimin e qytetarëve, do të ndërtojmë koalicione me parti të cilat jemi më të përafërta edhe ideologjikisht dhe në thelb të programit. Të jem shumë e sinqertë, hendeku mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është shumë i thellë. Të gjitha partitë të tjera kanë hendek më të vogël me LVV-në sesa ne. Por për koalicione do të flasim pas zgjedhjeve”, përfundon sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Pavarësisht kësaj dhe takimeve jo të rralla të palëve në nivel të kryenegociatorëve, ende nuk ka nisur zbatimi i saj.

Krahas PDK-së, edhe dy partitë e tjera opozitare – LDK e AAK – e kanë quajtur të dëmshme këtë marrëveshje e cila sipas tyre sjell autonomi për serbët në Kosovë.

Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, por edhe eksponentë të partisë në pushtet, të njëjtën e kanë konsideruar si të dobishme për vendin dhe sipas tyre sjell njohjen de-facto ndërmjet vendeve.

Lajmet

Arrestohen dy persona në Prishtinë, konfiskohen 147.7 gramë substancë e dyshuar si kokainë

Published

on

Hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë kanë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike.

Sipas Policisë së Kosovës, pas një pune operative-hetimore, më 15 korrik 2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë është lokalizuar i dyshuari F.P., i lindur në vitin 1992, i cili ishte duke udhëtuar me veturë.

Gjatë kontrollit në veturë dhe më pas në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, si dhe dëshmi të tjera relevante për rastin.

Policia ka bërë të ditur se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit tjetër, Q.K., i lindur në vitin 1993, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e ndaluar.

Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ministrja serbe kërkon falje pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

Published

on

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje pas reagimeve të shumta ndaj deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, duke pretenduar se fjalët e saj janë nxjerrë jashtë kontekstit.

Në një paraqitje në televizionin serb Informer, Paunoviq tha se nga një emision i gjatë janë shkëputur vetëm disa sekonda dhe se kjo është përdorur si çështje politike.

“Kjo është historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, deklaroi ajo, ndërsa kërkoi falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Paunoviq tha se është krenare për mbështetjen që mori nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS), por u shpreh e zhgënjyer me disa reagime nga brenda partisë.

Më herët, gjatë një paraqitjeje televizive, ajo kishte deklaruar se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, do të kryente pastrim etnik.

Pas kësaj deklarate, autoritetet e Kosovës e shpallën Paunoviqin person “non grata”. Ajo e ka cilësuar këtë vendim si paradoksal, duke pretenduar se bëhet fjalë për një “ndalim të përhershëm”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdes punëtori i KEK-ut, nuk u mbijetoi plagëve nga aksidenti në vendin e punës

Published

on

Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Milazim Binaku, 58-vjeçar, ka ndërruar jetë pasi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra në një lëndim në vendin e punës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, Binaku kishte pësuar lëndime më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj, ku ishte i angazhuar si “Axhustator” në Fabrikën e Pajimeve Xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.

“Pas trajtimit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fatkeqësisht nuk arriti t’u përballojë lëndimeve të marra”, ka njoftuar KEK-u.

Binaku ishte punonjës i KEK-ut për më shumë se 36 vjet, ndërsa kolegët e tij e kanë kujtuar për përkushtimin, përgjegjësinë dhe korrektësinë gjatë punës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 16 korrik 2026, në varrezat e fshatit Lum i Madh në Komunën e Vushtrrisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sabedini: Opozita pa alternativë, Kurti përfituesi kryesor i krizës politike

Published

on

By

Profesori universitar, Musa Sabedini, ka shprehur shqetësimin e tij për ngërçin e zgjatur politik në Kosovë, duke vlerësuar se vendi po përballet me një krizë serioze institucionale, e cila, sipas tij, rrezikon stabilitetin e brendshëm dhe kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Sabedini thekson se klasa politike mban përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar, duke e cilësuar të papranueshme vazhdimin e bllokadës institucionale dhe mungesën e një vullneti real për zgjidhjen e krizës.

Sipas tij, Kosova tashmë po paguan një kosto të lartë politike dhe diplomatike, ndërsa besimi i qytetarëve dhe i partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve të vendit është në rënie.

“Është e lehtë të bllokosh një proces të rregullt institucional, por është krejtësisht e pakuptimtë që kjo gjendje të vazhdojë për një kohë kaq të gjatë. Zgjedhjet e reja nuk do të prodhonin domosdoshmërisht një rezultat ndryshe, sepse opozita nuk ka arritur të krijojë alternativa bindëse dhe të rrisë mbështetjen qytetare. Ndërkohë, Albin Kurti, pavarësisht kritikave dhe zhvillimeve politike, vazhdon të mbetet përfituesi kryesor i kësaj situate”, deklaron Sabedini.

Profesori universitar vlerëson se përgjegjësinë më të madhe për krizën aktuale e mban kryeministri Albin Kurti, ndërsa opozitën e konsideron të pafuqishme për të ofruar vizion dhe zgjidhje konkrete.

Ai rikujton se kishte paralajmëruar më herët zhvillime të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke shtuar se tensionet në këtë subjekt politik, sipas tij, po ndodhin në një moment shumë të ndjeshëm për skenën politike dhe njëkohësisht po i shkojnë në favor pozitës aktuale.

Sabedini thekson se Kosova nuk ka më luksin të vazhdojë me eksperimente politike, në një kohë kur sfidat ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

“Albin Kurti po dëshmohet një negociator i vështirë për kompromis politik, ndërsa opozita po vazhdon të mbetet pasive dhe pa iniciativa serioze. Zgjidhja më e mirë, jo sepse e meriton Albin Kurti, por sepse e meriton Kosova, është që vendi të gjejë rrugën e daljes nga kjo krizë përmes zgjedhjes së një presidenti kredibil dhe ndërtimit të institucioneve funksionale. Në këtë kontekst, unë konsideroj se Ramush Haradinaj i plotëson tiparet e një lideri me besueshmëri, përvojë dhe përgjegjësi politike”, shprehet ai.

Sipas Sabedinit, çdo ditë e humbur pa institucione funksionale reflektohet drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe mbështetjen ndërkombëtare që Kosova ka gëzuar ndër vite.

Ai paralajmëron se zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet ndërmjet fuqive ndërkombëtare, mund të kenë pasoja edhe për Kosovën, duke e bërë edhe më të domosdoshëm stabilitetin e brendshëm politik.

Profesori universitar vlerëson se ngërçi institucional dhe politik do t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, zvarritja e proceseve shtetërore po reflektohet në dobësimin e besimit institucional, në zvogëlimin e mbështetjes financiare dhe në mungesën e donacioneve e investimeve që dikur Kosova i siguronte me përkrahjen e pakushtëzuar të shteteve mike.

“Zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si dhe konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, vendi ka nevojë urgjente për dialog politik, komunikim konstruktiv dhe një marrëveshje që do të rikthente stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve, të cilët sot ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer nga kriza e zgjatur politike. Në këtë fazë, çelësi i zgjidhjes mbetet te kryeministri Albin Kurti. Ai duhet të dëshmojë lidership shtetëror dhe të kuptojë se një kompromis në funksion të interesit publik nuk është dobësi politike, por përgjegjësi ndaj shtetit, rinisë dhe së ardhmes së Kosovës”, ka deklaruar Sabedini.

“Përballë këtyre rrethanave, dialogu, kompromisi dhe përgjegjësia shtetërore janë domosdoshmëri. Shoqëria kosovare ka nevojë për qetësi, institucione funksionale dhe rikthim të besimit qytetar. Çelësi i zgjidhjes, në këtë fazë, mbetet te kryeministri Albin Kurti, i cili duhet të dëshmojë gatishmëri për të vendosur interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi kalkulimet politike”, përfundon profesori universitar Musa Sabedini. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara