Lajmet

Çitaku kritikon Qeverinë: Veprime të paplanifikuara dhe të pakoordinuara

Çitaku tha se vendosja e barrikadave në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm.

Published

on

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për shtyp, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të paplanifikuara mirë dhe të pakoordinuara si duhet.

Çitaku tha se vendosja e barrikadave dhe pengimi i lirisë së lëvizjes në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm.

Sa i përket Qeverisë së Kosovës, aksioni i mbrëmshëm dëshmoi edhe një herë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti që të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë, po krijon një përshtypje që Veriu është i pamenxhueshëm dhe që situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të ndëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti. Ato duhet të mirëmbahen dhe kultivohen me seriozitet”, theksoi Çitaku.

Ajo tha se PDK me shqetësim i ka ndjekur zhvillimet e mbrëmshme në Veri të vendit dhe e konsideron si shumë shqetësuese konfuzionin e krijuar në opinionin publik në lidhje me situatën në veri.

Provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar, të monitorohen dhe të denoncohen edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se situata e tanishme edhe një herë e vërteton faktin që një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e fokusuar në njohjen reciproke, është urgjente. Ne mirëpresim angazhimin aktiv të ShBA-ve dhe BE-së për të de-eskaluar situatën”, tha ajo.

PDK kërkon nga Qeveria të shpjegoj qartë se cili është vendimi i ri dhe çfarë do të ndodhë në këto 30 ditët e ardhshme.

Çitaku theksoi se bashkërendimi i të gjithë akterët relevantë, ndërkombëtarë e vendorë, është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin.

Presim nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të tregoj seriozitet, të sillet përgjegjshëm, të ndërmarr veprime të planifikuara mirë në koordinim gjithmonë me aleatët tanë. Situatat si ajo mbrëmë, ku qytetarët u lanë në ankth dhe huti, mërgimtarët e bllokuar dhe pa informata në kufi, nuk guxojnë të përsëriten me 1 shtator, kur të filloj zbatimi i reciprocitetit të pjesshëm me Serbinë. Sot, nuk është koha për protagonizëm politik, por për pjekuri politike”, tha ajo.

Çitaku ka ftuar edhe një herë  qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit.

Ftojmë edhe një herë  qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë”, tha ajo.

Lajmet

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren

Published

on

By

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.

“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane

Published

on

By

Izraeli thotë se ka vrarë shefin e marinës së Iranit, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.

Alireza Tangsiri u emërua komandant i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 2018, ndërsa më parë kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kësaj marine që nga viti 2010.

Një llogari në rrjetin social X, që i atribuohet atij, ka qenë aktive që nga 10 marsi i këtij viti, me mediat iraniane që citonin postimet e tij. Në këto postime, ai kishte shkruar disa herë për Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.

Tangsiri njihej si një komandant i ashpër, i cili në të kaluarën kishte bërë deklarata të shumta kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse pengoheshin eksportet e naftës së Iranit. Tangsiri u sanksionua nga Thesari i SHBA-së bashkë me komandantë të tjerë të IRGC-së në vitin 2019, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës./BBC/

Continue Reading

Lajmet

Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?

Published

on

By

Një juri në Los Anxhelos ka dhënë një vendim dënues për dy nga platformat digjitale më të njohura në botë, Instagram dhe YouTube, duke konfirmuar se këto aplikacione janë krijues varësie dhe janë projektuar qëllimisht në atë mënyrë.

Gjykata doli në përfundimin se pronarët e tyre kanë qenë neglizhentë në mbrojtjen e fëmijëve që i përdorin ato, duke shënuar një moment të rëndë për Silicon Valley me implikime globale. Gjigantët teknologjikë në këtë rast, Meta dhe Google, tani duhet të paguajnë 6 milionë dollarë dëmshpërblim për një grua të re të njohur si Kaley, viktima në qendër të këtij rasti, e cila pohoi se platformat i shkaktuan dismorfi trupore, depresion dhe mendime vetëvrasëse.

Megjithëse të dyja kompanitë synojnë të apelojnë — me Metën që pretendon se një aplikacion i vetëm nuk mund të jetë përgjegjës për krizën e shëndetit mendor te adoleshentët dhe Google që thotë se YouTube nuk është rrjet social — vendimi do të thotë se “epoka e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, sipas Dr. Mary Franks, profesore e ligjit në Universitetin George Washington.

Ky vendim konsiderohet si një moment kthese që do të ripërcaktojë peizazhin e mediave sociale dhe mund të jetë fillimi i fundit të kësaj epoke ashtu siç e njohim ne. Ndërsa përdoruesit e rregullt mund të mos jenë tronditur, kompanitë teknologjike duket se u kapën në befasi, duke shpenzuar shuma marramendëse për tarifa ligjore.

Dy kompanitë e tjera në gjyq, TikTok dhe Snap, pronar i Snapchat, zgjodhën të bënin marrëveshje jashtë gjykatës para se të niste procesi, mes zërave se nuk mund ta përballonin dot këtë betejë. Pavarësisht prezantimeve të shumta nga rrjetet sociale mbi mjetet që ofrojnë për prindërit për të mbrojtur fëmijët, gjykata vendosi se këto masa nuk ishin të mjaftueshme.

Arturo Bejar, i cili dikur punonte në Instagram, deklaroi se e kishte paralajmëruar Mark Zuckerbergun për rreziqet që u kanoseshin fëmijëve vite më parë, duke thënë se aplikacioni ndryshoi nga “një produkt që e përdorni ju, në një produkt që ju përdor juve”.

Ekspertët e kanë përshkruar këtë vendim si momentin “Big Tobacco” të teknologjisë, duke bërë analogji me industrinë e duhanit, gjë që mund të çojë në paralajmërime shëndetësore në ekrane apo kufizime të reklamave.

Aktualisht, këto kompani mbrohen ligjërisht në SHBA nga “Neni 230”, i cili i liron nga përgjegjësia për përmbajtjen që publikohet në to — një mburojë pa të cilën shpesh thuhet se industria nuk do të mbijetonte. Megjithatë, skeptikët ndaj kësaj mbrojtjeje po shtohen, sidomos pas dëgjimit të fundit në Komitetin e Tregtisë të Senatit të mërkurën. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Nga Veterniku në Vushtrri: Detajet e operacionit “Delivery” ku u zbulua edhe një “Call Center” i dyshimtë

Published

on

By

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka realizuar me sukses operacionin e koduar “Delivery”, i cili rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të drogës dhe pajisjeve teknologjike.

Sipas njoftimit, aksioni nisi pas një pune intensive operative që identifikoi dy persona të dyshuar për shpërndarjen e marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.

Gjatë zbatimit të planit taktik mesditën e së mërkurës në Veternik, të dyshuarit, të cilët po lëviznin me një veturë Golf 8, tentuan t’i shmangen policisë duke nisur një ndjekje me shpejtësi të lartë që përshkoi Fushë-Kosovën, Podujevën dhe përfundoi në hyrje të Vushtrrisë, ku edhe u prangosën nga njësitet policore.

Gjatë kontrollit të veturës dhe përgjatë rrugës ku të dyshuarit kishin hedhur pako me lëndë narkotike gjatë ikjes, policia sekuestroi mbi 3.3 kilogramë marihuanë dhe sasi të kokainës të ndarë në 25 qese.

Operacioni u zgjerua me bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u gjetën edhe dy peshore digjitale, mbi 4 mijë euro para të gatshme, valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona celularë.

Sipas komunikatës, forenzika rajonale ka dokumentuar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

Një detaj i rëndësishëm i këtij operacioni ishte zbulimi i një hapësire të modifikuar si “Call Center” në njërin nga lokacionet e bastisura, ku u sekuestruan pesë laptopë. Për shkak të dyshimeve për krime kibernetike, në rast u përfshinë edhe hetuesit e specializuar të kësaj fushe, të cilët ndaluan një person të pestë të përfshirë në këtë aktivitet.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.

 

Continue Reading

Të kërkuara