Lajmet

Cila janë gjuhët më të vjetra në botë?

Gjuhët mund të transmetohen nga brezi në brez me shekuj, por bien në harresë, nëse nuk kanë lënë gjurmë me shkrim.

Published

on

Njohuritë e grumbulluara mund të humbasin shpejt, për shembull për shkak të metodave të vjetëruara të regjistrimit, që nuk i përdor më sot askush. Informacioni në një disketë apo në një disk mbetet i padobishëm, kur mungojnë pajisjet përkatëse për t’i dëgjuar.

Kësaj i shtohet edhe fakti që gjuha dhe shkrimi zhvillohen vazhdimisht, saqë edhe informacioni i një libri – që gjithsesi mund të hapet – bëhet i pakuptueshëm. Është gati e pamundur të arrish në informacione, që nuk janë të shkruara askund dhe të jenë ruajtur për pasardhësit.

Prandaj është aq e vështirë, t’i përgjigjesh pyetjes, se cila është gjuha më e vjetër e botës. Gjuhët mund të transmetohen nga brezi në brez me shekuj, por bien në harresë, nëse nuk kanë lënë gjurmë me shkrim.

Vetëm gjuha e shkruar lë gjurmë që dokumentohen. Dhe vetëm kur është shkruar mbi një material, që i ka rezistuar kohës. Shkrimet mbi materiale organike, si për shembull lëvore, kryesisht kanë humbur, ndërsa tekstet mbi gurë ose argjilë ndonjëherë janë ruajtur për mijëra vjet.

Nëse ne jemi sot në gjendje edhe t’i lexojmë dhe t’i kuptojmë, është diçka tjetër.

Dëshmitë më të vjetra të shkruara

Si dokumentet më të vjetra të gjuhës së shkruar cilësohen shkrimet kuneiforme, ku shenjat në formë pyke janë shtypur mbi pllaka të buta argjili. Shkrimet më të vjetra të njohura kuneiforme rrjedhin nga sumerët, që u zhvilluan prej shekullit të katërt p.e.s. në Mesopotani, në “territorin ndërmjet lumenjeve” Eufrat dhe Tigër (në Irakun e sotëm).

Tekstet datojnë nga periudha rreth vitit 3.200 p.e.s. Eposi i Gilgameshit është vepra më e njohur e gjuhës sumere. Gjuhët kuneiforme kanë qenë vendimtare edhe për zhvillimin e mëvonshëm të shkrimeve evropiane.

Pothuajse aq të vjetra janë edhe hieroglifet egjiptiane, që janë shkruar në varrin e faraonit Seth-Peribsen, 2775-2650 p.e.s duke u ruajtur kështu për pasardhësit.

Fjalia e gjetur aty: “Ai ka bashkuar të dy vendet për djalin e tij, mbretin e dyfishtë Peribsen” konsiderohet nga ekspertët si fjalia më e hershme e shkruar plotësisht.

Shkrimi është ruajtur, por ne vetëm mund të imagjinojmë, se si kanë tingëlluar gjuhët më të vjetra të shkruara, sumerishtja, akadishtja dhe gjuha e Egjiptit të lashtë. Sepse të tria gjuhët janë zhdukur, ato nuk përdoren më dhe nuk kanë pasardhës të gjallë.

Diversiteti gjuhësor në mbarë botën

Në mbarë botën sot ka 7.100 gjuhë, nga të cilat 40% janë të rrezikuara të zhduken. Disa gjuhë fliten nga më pak se 1.000 vetë dhe ekziston rreziku që ato të zhduken pas disa brezash. Kjo do të nënkuptonte humbjen e një pjesë të qenësishme të identitetit kulturor.

Nga ana tjetër ka 23 gjuhë, të cilat i përdor më shumë se gjysma e popullsisë së botës. Dhjetë gjuhët më të folura në mbarë botën janë anglishtja, gjuha kineze (mandarin), spanjishtja, hinduishtja, arabishtja, frengjishtja, bengali, rusishtja, portugalishtja, urdu. Në vendin e dymbëdhjetë vjen gjermanishtja.

Ndërsa gjuhët më të vjetra të shkruara janë zhdukur, disa gjuhë shumë të vjetra vazhdojnë të jetojnë ende sot, si për shembull gjuha tamile, e cila nga shumë gjuhëtarë konsiderohet si gjuha më e vjetër në përdorim.

Gjuha tamile është njëra nga  22 gjuhët zyrtare të Indisë dhe flitet në Indinë jugore dhe Sri Lanka nga afro 85 milionë vetë. Shkrimet e hershme tamile datojnë nga shekulli V p.e.s.

Megjithatë analiza e Tolkāppiyam, një teksti gramatikor në gjuhën tamile, lë të kuptosh se gjuha tamile duhet të jetë së paku 5.000 vjeçare, por sot thuajse nuk flitet. Shënimet më të vjetra në Sanskritishte ekzistojnë prej më shumë se 3000 vjetësh, janë tekste hinduiste të përpiluara midis viteve 1.500 dhe 1.200 p.e.s. të shkruara si veda, përmbledhje tekstesh fetare.

Ajo ka qenë kryesisht një gjuhë dijetarësh, e përdorur në tekstet e vjetra indiane, në shkrimet fetare dhe në veprat letrare. Megjithatë nga sanskritishtja e kanë origjinën shumë gjuhë moderne të Indisë dhe si dialekte rajonale.

Gjuha kineze është një nga gjuhët më vjetra në botë e folur në vazhdimësi dhe që përdoret sot nga më shumë se një miliardë vetë. Rrënjët e gjuhës mund të gjurmohen deri në mijëra vjet më parë.

Ajo supozohet të ketë dalë rreth 4.500 vjet më parë nga Proto-Sino-Tibetianishtja, e cila konsiderohet si paraardhëse e gjuhëve birmaneze dhe tibetiane.

Gjetjet më të vjetra të gjuhës së shkruar kineze konsiderohen mbishkrimet mbi guaskat e breshkave dhe eshtrat e kafshëve, të cilat janë rreth 3.300 vjeçare.

Ndër gjuhët më të vjetra, që fliten ende, bën pjesë edhe hebraishtja dhe arabishtja.

Rrënjët gjuhësore të këtyre dy gjuhëve afro-aziatike shkojnë në 10.000 deri 20.000 vjet më parë, megjithëse gjetjet më të hershme të shkruara të këtyre dy gjuhëve datojnë “vetëm” rreth 3000 vjet më parë.

A ka pasur një gjuhë të parë të përbashkët?

Edhe pse nuk mund të gjenden prova të shkruara, njerëzit kanë pasur sisteme komplekse komunikimi, që i kanë lejuar ata të komunikojnë për mijëra vjet.

Ekzistojnë teori të ndryshme gjuhësore për origjinën e gjuhës njerëzore, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetuar plotësisht.

Gjuha njerëzore mund të ketë lindur nga një kombinim faktorësh, duke përfshirë zhvillimin kompleks të trurit, ndërveprimin social dhe nevojën për bashkëpunim në gjueti dhe mbledhjen e ushqimit.

Gjuha mund të ketë dalë me kalimin e kohës nga kombinimi i gjesteve të duarve dhe lëvizjeve të trupit.

Ekziston edhe teoria se dikur ka ekzistuar një e ashtuquajtur “protogjuhë”, një gjuhë e përbashkët parahistorike, nga e cila kanë rrjedhur të gjitha gjuhët moderne me kalimin e kohës.

lajme

REL:Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?

Published

on

By

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023, u hoqën përfundimisht vetëm në mars të këtij viti, ani pse drita e gjelbër u dha në fund të dhjetorit të vitit 2025. Kosova ka insistuar për kohë të gjatë se masat ishin të padrejta dhe që i kishte plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre. Kush saktësisht ua sheh hairin fondeve evropiane për Kosovën?

Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Autoritetet në Kosovë i kanë cilësuar masat vazhdimisht si të padrejta, pasi deklaronin me bindje se i kishin plotësuar kohë më parë kërkesat e BE-së për heqjen e tyre: uljen e tensioneve dhe zvogëlimin e pranisë policore afër objekteve të katër komunave në veri të Kosovës.

Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

 

Përfitimet kryesore

Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se në dhjetor të vitit 2025 u liruan 216 milionë euro që lidheshin kryesisht me arsimin, sikurse është skema e bursave Young Cell dhe projekte infrastrukturore e mjedisore.

Young Cell ofron bursa për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në vendet evropiane. Këtë muaj, kjo skemë përmbylli aplikimin për 37 bursa të plota pasuniversitare. BE-ja i ka ndarë 3 milionë euro, ndërsa Kosova 1 milion shtesë.

Te projektet infrastrukturore përfshihet ndarja e 12 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosovën B, mbështetja për ngrohjen qendrore me 17.6 milionë euro si dhe projekte të tjera.

“Pjesa e mbetur prej 205 milionë eurosh që u lirua këto ditë përfshin kryesisht fonde të IPA-s dhe të WBIF-it dhe do të programohen për të mbështetur reforma të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushat thelbësore siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, dhe arsimi”, thotë Arifi për REL-in.

Për Rrona Zhurin, koordinatore e hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, heqja e masave mundëson rikthimin e normalitetit në raportet me BE-në.

“Lirimi i fondeve pritet të ketë një ndikim të gjerë pozitiv në disa dimensione të zhvillimit. Në aspektin ekonomik dhe të punësimit, rifillimi i projekteve kapitale dhe investimeve pritet të gjenerojë vende të reja pune dhe të rrisë aktivitetin ekonomik në vend. Njëkohësisht, në fushën e shërbimeve publike, sektorë si energjia, mjedisi dhe infrastruktura do të përfitojnë drejtpërdrejt, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët”, thotë Zhuri.

Sipas saj, ndikimi i lirimit të fondeve shtrihet edhe në reformat strukturore, pasi fondet e Bashkimit Evropian zakonisht lidhen me kushte të caktuara reformash, duke nxitur përparim në fusha të rëndësishme sikurse sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

E, Arifi beson se pikërisht këto reforma e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Prandaj përfitues të këtyre fondeve natyrisht që janë qytetarët e Kosovës, në përgjithësi. Si të tilla, ndihmojnë vendin për të shënuar progres në rrugën evropiane, duke mbështetur procese reformuese që ndërlidhen ngushtë me parakushtet për anëtarësim në BE”, thotë ajo.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi që ka bërë vendi më 2022, nuk është shqyrtuar ende nga institucionet e bllokut evropian.

 

Pasojat e masave

Përveç bllokimit të fondeve, masat e prekën edhe aspektin politik, meqë pati kufizime të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë dhe në nivelin e nënkomiteteve të lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Megjithatë, Brukseli ka sinjalizuar se synon riangazhim të plotë me autoritetet në Kosovë.

Arifi beson se kështu do të krijohet momentum i ri në dialogun e ndërsjellë me BE-në, pasi masat patën “ndikim negativ në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

Edhe Rrona Zhuri beson se masat i humbën shumë mundësi Kosovës.

“Çdo vonesë apo pezullim i projekteve nënkupton shtyrje apo humbje e mundësive për zhvillim, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, forcim institucional dhe vonesë në procesin e integrimit evropian”.

Sipas një hulumtimi të GAP-it të vitit 2025, masat financiare rezultuan me 613.4 milionë euro projekte të pezulluara apo të shtyra, dhe sektori më i goditur ishte ai i mjedisit me 350 milionë euro.

Sipas njohëseve të këtyre çështjeve, realiteti i ri duhet të shërbejë si shtysë për përparim në fusha që lidhen me integrimin evropian.

“Mbetet shumë e rëndësishme që Kosova ta shfrytëzojë këtë moment pozitiv për t’i përshpejtuar proceset integruese, duke shmangur bllokimet e mëtutjeshme nga krizat e brendshme politike”, porosit mes tjerash Njomza Arifi. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Sllovakia shpall listën kundër Kosovës: Skriniar e Lobotka në dyshim

Published

on

By

Përzgjedhësi i Sllovakisë, Francesco Calzona, ka publikuar këtë të enjte listën e lojtarëve për ndeshjen vendimtare kundër Kosovës, e cila do të luhet më 26 mars në Bratislavë.

Kjo përballje është gjysmëfinalja e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, ku sllovakët kanë përfshirë dy yjet kryesorë, Milan Skriniar dhe Stanislav Lobotka, pavarësisht problemeve të tyre fizike.

Kapiteni Skriniar nuk ka luajtur fare që nga lëndimi me Fenerbahçen më 19 shkurt në Ligën e Evropës, por stafi teknik po shpreson në rikuperimin e tij të shpejtë për sfidën ndaj “Dardanëve”.

Krahas tij, në dyshim mbetet edhe gjendja e mesfushorit me përvojë, Stanislav Lobotka, duke krijuar pasiguri në formacionin e Calzonës para këtij takimi jetik që do të zhvillohet në Stadiumin Nacional.

 

Continue Reading

lajme

Kamberi: Provokimet e Serbisë në Bujanoc rrezikojnë sigurinë, NATO të ndërhyjë

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur alarmin për rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës, duke deklaruar se stërvitjet e fundit ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një kërcënim serioz për mjedisin e sigurisë në rajon.

Sipas Kamberit, këto aktivitete që përfshijnë kapacitete ajrore dhe zhvillohen afër zonave të banuara, ndikojnë negativisht në perceptimin e sigurisë te komuniteti shqiptar dhe ulin besimin ndërmjet aktorëve lokalë, duke u interpretuar si faktorë që nxisin destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka theksuar se përballë provokimeve të vazhdueshme të regjimit të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës, është bërë i domosdoshëm reagimi i bashkësisë ndërkombëtare për të inkurajuar transparencën dhe për të shmangur veprimet provokuese që shkelin normat ndërkombëtare.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese”, shkruan Kamberi

Në këtë kuadër, Kamberi ka bërë thirrje urgjente për shtimin e forcave të KFOR-it si një masë të rëndësisë primare për ruajtjen e paqes, duke i kërkuar NATO-s që të rishikojë vendimin për Zonën Toksore të Sigurisë me qëllim parandalimin e krizave të mundshme dhe garantimin e një mjedisi të qëndrueshëm e të parashikueshëm në këtë pjesë delikate të rajonit.

Lidhur me këtë situatë, sot ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, i cili gjatë mbledhjes së Qeverisë i dënoi fluturimet e helikopterëve dhe lëvizjet e parashutistëve mbi zonat e banuara me shqiptarë si një shfaqje të rrezikshme agresioni.

Kreu i ekzekutivit bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtyre njësive ushtarake dhe sulmit terrorist në Banjskë, duke theksuar se Beogradi po përdor armatimin rus e kinez për të shantazhuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në interes të aleatëve si Rusia dhe Irani. Pavarësisht kësaj trysnie, Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve në Luginë që të mos bien pre e provokimeve, duke vlerësuar se këto veprime vijnë nga dëshpërimi i Serbisë pas dështimit të strukturave të saj ilegale brenda territorit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Bëhu lider në sektorin e energjisë: Studime me standarde ndërkombëtare në UBT

Published

on

By

Programi Bachelor në Inxhinieri të EnergjisëUBT është hartuar si një rrugëtim profesional për të gjithë ata që synojnë një karrierë të sigurt dhe me ndikim në industrinë e të ardhmes.

Ky drejtim fokusohet në përgatitjen e ekspertëve të rinj që do të merren me prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin efikas të energjisë, duke kombinuar metodat tradicionale me ato moderne dhe miqësore me mjedisin.

Nevoja për inxhinierë të rinj në Kosovë është mjaft e lartë, sidomos kur merret parasysh se në institucionet tona si KEK-u, mosha mesatare e punonjësve është rreth 60 vjeç. Kjo tregon se tregu i punës ka një kërkesë të madhe për kuadro të reja që zotërojnë njohuri kreative dhe teknike për të zgjidhur sfidat e sotme të sistemit energjetik.

Gjatë tri viteve të studimit, studentët fitojnë njohuri të plota që nga bazat e fizikës dhe matematikës e deri te teknologjitë më të avancuara si energjia solare, ajo e erës dhe sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive.

Ky program është i harmonizuar plotësisht me Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022-2031, e cila parasheh investime të mëdha në burime të rinovueshme dhe në rrjete inteligjente të njohura si “Smart Grid”. Kjo u mundëson të diplomuarve që të jenë të gatshëm për t’u përfshirë në projekte të rëndësishme, qofshin ato shtetërore apo private, duke menaxhuar sisteme komplekse dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit.

Si një risi e rëndësishme për këtë vit, të gjithë studentët që bëhen pjesë e këtij programi do të kenë mundësi të përfitojnë një bursë prej 20% për të tri vitet e studimeve.

Ky është një lehtësim i konsiderueshëm që u mundëson studentëve të përkushtohen maksimalisht në ngritjen e tyre profesionale. Në përfundim të studimeve, ata do të jenë të aftë të projektojnë sisteme energjetike, të analizojnë faktorët ekonomikë dhe të udhëheqin ekipe multidisiplinare.

Ky program në UBT mbetet një pikë referimi për krijimin e liderëve të nesërm në njërin prej sektorëve më strategjikë të vendit dhe rajonit.

Continue Reading

Të kërkuara