Pas disa udhëtimesh në vende të ndryshme, çifti Robin Lachhein dhe Judith Schneider, të dy nga Frankfurti i Gjermanisë, deshën të bënin diçka shumë të veçantë. Ata diskutuan shumë ide para se t’i dhënë jetë idesë që i entuziazmoi ata më së shumti – ajo që të shkonin në lokacionet ku ishin xhiruar disa filma dhe t’i rikrijonin skenat e filmave.
Në vitin 2014, ata vizituan Pragën dhe rikrijuan një pjesë nga filmi “Mission: Impossible” i vitit 1996, që ta dokumentonin këtë përmes pamjes.
Vite më vonë ata vizituan Romën dhe Islandën, Nju Jorkun dhe madje edhe shtetin Utah për të rikrijuar skenat apo klipe të shkurtra nga filmat sikurse “Thelma and Louise”, “The Hunger Games”, “Eat Pray Love”, “The Devil Wears Prada”, “Game of Thrones” dhe “Downton Abbey”.
Në vitin 2018, çifti krijoi një llogari në Instagram, “Secret Famous Places”, ku ata shpërndajnë klipet e shkurtra nga filmat që u inspiruan. Tani kanë gati 40 mijë ndjekës.
Lachhein, 32-vjeçar dhe Schneider, 31-vjeçar, u takuan në një festë ditëlindjeje para 11 vitesh. Ata thanë se nuk menduan që ky pasion i pazakontë do të fitonte kaq shumë vëmendje, meqë ata nuk kishin planifikuar t’i ndanin këto fotografi me botën.
“Fillimisht ne deshëm që këto fotografi t’i ruanim vetëm në dhomën e ndejës, duke ruajtur kështu kujtimet e bukura që i kemi nga vendet që i vizituam. Por njerëzit çdoherë e më shumë po reagonin ndaj këtyre fotografive”, deklaroi Lacchein.
Ai shtoi se miqtë e tyre kishin menduar se fotografitë ishin edituar me photoshop, por më vonë e kuptuan se në të vërtetë ishin realizuar në këto vende.
Pavarësisht se kanë rikrijuar rreth 100 filma dhe skena televizive, ata synojnë edhe më shumë.
Shpresojnë se do ta vizitojnë Londrën muajt e ardhshëm, ashtu edhe Nju Jorkun dhe Australinë./UBTNews
BFI dhe Galeria Kombëtare e Portreteve do të shënojnë 100-vjetorin e lindjes së yllit të filmit me “the summer of Marilyn”, shkruan The Guardian.
Për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së saj, Monroe po festohet nga institucionet kryesore kulturore britanike si një interpretuese me inteligjencë të mprehtë komike, një arkitekte e zgjuar e imazhit të saj dhe një grua që riformësoi mundësitë për famën femërore në ekran.
Një sezon gjithëpërfshirës dy-mujor në Institutin Britanik të Filmit (BFI) do të rishikojë filmografinë e saj, ndërsa një ekspozitë historike në Galerinë Kombëtare të Portreteve harton ndërtimin e imazhit të saj.
“Marilyn Monroe ishte me shumë mundësi ylli më i madh që kinemaja pa dhe do të shohë ndonjëherë”, tha Kimberley Sheehan, programuesja kryesore e BFI-së, e cila kuroi sezonin. “Ajo ishte kërcënimi i trefishtë origjinal dhe meriton shumë merita për krijimin e imazhit dhe famës së saj.”
Organizatorët e Eurovision 2026 kanë publikuar renditjen zyrtare të paraqitjes për dy gjysmëfinalet që do të zhvillohen në Vjenë, Austri.
Sipas njoftimit, gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 12 maj, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj, ndërsa finalja e madhe është planifikuar më 16 maj 2026.
Shqipëria do të performojë në Gjysmëfinalen e dytë, në pozicionin e 13-të, e përfaqësuar nga këngëtarja Alis me këngën “Nân”.
Një nga risitë e këtij edicioni është rikthimi i jurive profesionale edhe në gjysmëfinale, krahas votimit të publikut, një praktikë që nuk aplikohej në këtë fazë që nga viti 2022. Në dy netët gjysmëfinale do të performojnë edhe vendet e mëdha të njohura si pesëshja e madhe – Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – si dhe Austria si vend pritës.
Këto shtete kualifikohen automatikisht në finale, por do të ngjiten në skenë edhe gjatë gjysmëfinaleve. Publikimi i renditjes së performancave pritet të ndikojë në dinamikën e garës dhe interesimin e publikut, ndërsa Eurovisioni po afrohet drejt një tjetër edicioni të shumëpritur në skenën evropiane të muzikës.
Galeria e Arteve e Prishtinës ka njoftuar hapjen e ekspozitës kolektive “Gjurmët e Grafikës -Imprints of Graphics”, e kuruar nga Genc Rezniqi, e cila do të hapet më 8 prill.
Kjo ekspozitë prezanton një përzgjedhje të veprave grafike nga artistë të ndryshëm, duke sjellë qasje dhe shprehje të larmishme të artit grafik bashkëkohor.
Shfaqja “Unë jam vetë grua” është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës mbrëmë, ndërsa do të vazhdojë të luhet edhe sot dhe nesër, duke filluar nga ora 20:00
Vepra sjell në skenë jetën e jashtëzakonshme të Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore gjermane që arriti të mbijetojë në dy prej sistemeve më shtypëse të shekullit të kaluar: nazizmin dhe regjimin e Stasit. Përmes një rrëfimi të fuqishëm dhe emocional, publiku përballet me sfidat, zgjedhjet morale dhe qëndrueshmërinë e individit përballë historisë.
E bazuar në intervistat e autorit Doug Wright dhe në autobiografinë e Charlotte-s, kjo shfaqje është vlerësuar ndërkombëtarisht, duke fituar çmimet prestigjioze Pulitzer dhe Tony.
Një element i veçantë i kësaj shfaqjeje është interpretimi i aktorit Adrian Morina, i cili sjell në skenë rreth 30 role të ndryshme, duke dëshmuar një transformim të jashtëzakonshëm artistik.
Shfaqja është shkruar nga Doug Wright dhe është vënë në skenë nën regjinë e Kushtrim Koliqit.