Lajmet

Çfarë rreziku kanë për zemrën temperaturat e larta?

Published

on

Kur temperatura e ambientit është më e lartë se temperatura e trupit, djersitja është i vetmi mekanizëm efikas ftohës në dispozicion të trupit të njeriut.

Mirëpo kjo përkthehet në humbjen e lëngjeve, e për pasojë uljen e presionit të gjakut.

Ky proces nuk përbën as njëlloj problemi për shumicën e individëve për sa kohë që konsumojnë lëngje për t’u mbrojtur nga dehidrimi.

Megjithatë, kujdes!

Në rast se keni probleme kardiake, nxehtësia ekstreme mbart një sërë rreziqesh të shtuara që mund të vështirësojnë punën e zemrës dhe qarkullimin e gjakut, prandaj është veçanërisht e rëndësishme të tregoni kujdes të veçantë sidomos në rastet kur vuani apo jeni të prekur nga:

Hipertensioni

Pacientët që vuajnë nga hipertensioni shpesh përjetojnë tensione të ulëta pasi prania e temperaturave të larta shkakton zgjerimin e enëve të gjakut si dhe humbjen e lëngjeve (dehidrim).

Për pasojë kjo kategori pacientësh ka nevojë për reduktim të dozës së medikamenteve dhe shtim të sasisë së kripës së konsumuar në dietën ushqimore.

Megjithatë duhet treguar kujdes i veçantë pasi dehidrimi i lartë mund të bëhet shkak për kriza hipertensive.

Angina pectoris (dhimbja e kraharorit)

Në stinën e verës, enët e gjakut janë më të relaksuara & më të gjera se zakonisht.

Prandaj, duhet treguar kujdes i veçantë në rastin e pacientëve të cilët përdorin spraj glyceryl trinitrate për të lehtësuar dhimbjen e kraharorit për arsye se spraji glyceryl trinitrat e zgjeron për një kohë mjaft të shkurtër enët e gjakut, e për pasojë ul në mënyrë të menjëhershme presionin arterial duke shkaktuar debulesë & lodhje.

Infarkti imiokardit

Në rastet kur pacienti ka pësuar më parë infarkt të miokardit, zemra nuk arrin të pompojë gjak me të njëjtin intensiet si të një zemre të shëndetshme & kemi të bëjmë me një gjendje e cila quhet insuficiencë kardiake.

Kjo patologji e vendos pacientin përballë rrezikut të akumulimit të fluideve sidomos në mushkëri, situatë kjo e cila nëse ndodh, mund të jetë fatale për jetën e pacientit. Prandaj, në të tilla raste mjekët kardiologë rekomandojnë kufizimin e konsumit të lëngjeve apo edhe marrjen e medikamenteve diuretike. Mirëpo, humbja e lëngjeve sidomos gjatë stinës së verës shkakton dehidrim dhe humbjen e kripërave mineraleve e për pasojë rëndimin më tej të gjendjes së pacientit.

Për menaxhimin sa më efektiv të kësaj situate, është me mjaft rëndësi të minimizohet ekspozimi ndaj temperaturave të larta po aq sa dhe konsultat periodike me mjekët kardiologë.

Goditja nga i nxehti (Stroke)

Dehidrimi. Humbja e një sasie të konsiderueshme të lëngjeve të trupit) rrit temperaturën e brendshme të trupit dhe në rast se nuk trajtohet, mund të përbëjë kërcënim për jetën e pacientëve.

Ndër simptomat e goditjes nga i nxehti mund të përmendim debulesë, djersitje, marramendje, humbje ndjenjash, dhimbje muskulore, edemë (ënjtje) të kyçeve, vështirësi në frymëmarrje, nauzea apo të vjella.

Kjo situatë sigurisht që përbën rrezik të shtuar dhe mund të jetë fatale për pacientët me probleme kardiake pasi rëndon më tej gjendjen e tyre.

Këshilla për pacientët kardiakë – Si të mbroheni nga temperaturat e larta?

Në rast se bëni pjesë në kategorinë e pacientëve të grupmoshës mbi 50 vjeç si dhe vuani nga obeziteti & patologji kardiake, nevojitet të merrni një sërë masash paraprake për të minimizuar ndikimin e temperaturave të larta në gjendjen tuaj shëndetësore dhe përkatësisht:

– Kryeni kontrolle periodike me mjekët kardiologë pavarësisht faktit nëse jeni të shëndetshëm, por dëshironi të filloni të merreni me aktivitet fizik si dhe veçanërisht në rast se vuani nga patologji kronike apo ankoni nga prania e simptomave karakteristike të sëmundjeve të zemrës.

– Nëse ekspozoheni ndaj temperaturave të larta është e rëndësishme të konsumoni ujë pavarësisht nëse nuk keni etje.

– Disa medikamente të tilla si diuretikët, beta-bllokuesit, frenuesit e ACE si dhe bllokuesit e kanalit të kalçiumit mund të rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj nxehtësisë, por pavarësisht kësaj është mjaft e rëndësishme të mos ndërprisni marrjen e medikamenteve pa u konsultuar me mjekët specialist si dhe të vijoni të jeni rigorozë në respektimin e orëve të marrjes së tyre.

Këshilla për të gjithë

Specialistët rekomandojnë të shmangni ekspozimin ndaj temperaturave të larta sidomos gjatë orëve të pikut (nga mes dita deri rreth orës 17:00 të pasdites) si dhe të qëndroni të hidratuar pasi rrezikoni të prekeni nga problemet shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Në rast se keni vendosur të ushtroni aktivitet fizik mjekët kardiologë rekomandojnë:

-Kryerjen e një kontrolli paraprak për të konfirmuar gjendjen shëndetësore pavarësisht presences ose jo të problemeve shëndetësore.

-Zgjidhni veshje të përshtatshme që trupi të qëndrojë sa më freskët

Rekomandohen përdorimi i veshjeve të lehta & higjienike të tilla si:veshje pambuku, me ngjyra të çelëta, si dhe mos harroni të aplikoni kremin kundra diellit, të vendosni kapelë & size te diellit në rast do të ushtroheni në natyrë.

-Qëndroni të hidratuar

Rekomandohet të konsumoni ujë para, gjatë dhe pas stërvitjes. Shmangni pijet që përmbajnë kafeinë si dhe pijet alkoolike.

-Bëni interval pushimi gjatë aktivitetit fizik

Gjithmonë zgjidhni vende të freskëta për kryerjen e aktivitetit fizik, beni interval pushimi disa minutëshe, pini ujë dhe mund të filloni përsëri./shendeti.com.al

Alket Koroshi, mjek nefrolog

Lajmet

FIFA flet pas triumfit të Kosovës: Një hap larg Kupës së Botës

Published

on

By

Fitorja spektakolare e Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 nuk ka kaluar pa u vënë re as në skenën ndërkombëtare, teksa edhe vetë FIFA ka reaguar pas ndeshjes, duke e cilësuar Kombëtaren e Kosovës vetëm një hap larg kualifikimit për Kupën e Botës.
Në një postim zyrtar, FIFA theksoi se “është vetëm edhe një hap për Kosovën drejt Botërorit”, duke e shoqëruar mesazhin me imazhe nga festa e lojtarëve pas një ndeshjeje dramatike.

Kosova arriti këtë fitore pas një përballjeje të vështirë, ku Sllovakia e nisi më mirë dhe mori epërsinë, duke e vendosur në presion ekipin kosovar. Megjithatë, “Dardanët” reaguan me karakter, duke barazuar dhe më pas duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë me një lojë të organizuar dhe efikase në sulm. Edhe pse vendasit tentuan të rikthehen në fund dhe e bënë rezultatin të ngushtë, Kosova arriti ta menaxhojë avantazhin dhe të sigurojë një fitore shumë të rëndësishme.

Ky triumf jo vetëm që i mban gjallë shpresat për kualifikim, por e vendos Kosovën shumë pranë një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare. Tashmë, gjithë vëmendja është te sfida e radhës ndaj Turqisë, një ndeshje që mund të vulosë fatin e Kosovës dhe ta dërgojë drejt Botërorit, aty ku do të ishte një moment historik për futbollin kosovar.

Continue Reading

Lajmet

Kosova përmbys Sllovakinë në një dramë të çmendur, tani gjithçka vendoset ndaj Turqisë

Published

on

By

Kosova ka marrë një fitore të madhe dhe plot emocion ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3, në një ndeshje ku “Dardanët” treguan karakter dhe kthyen gjithçka në favorin e tyre pas një nisjeje të vështirë.

Vendasit e filluan më mirë takimin dhe kaluan të parët në epërsi, duke goditur herët dhe duke marrë kontrollin e lojës, ndërsa para pushimit arritën ta rikthejnë avantazhin edhe një herë pas barazimit të Kosovës.

Megjithatë, pjesa e dytë foli krejtësisht për Kosovën. Ekipi reagoi fuqishëm, barazoi shpejt rezultatin dhe më pas mori kontrollin e ndeshjes duke realizuar dy gola të tjerë që e çuan drejt një epërsie të rëndësishme. Kur u duk se gjithçka po mbyllej qetë, Sllovakia ngushtoi rezultatin në fund dhe rihapi dramën, por Kosova arriti ta ruajë avantazhin dhe të dalë me një fitore të madhe.

Ky triumf i jep një shtysë të fortë Kosovës në garën për kualifikim, ndërsa tani vëmendja kalon te sfida e radhës ndaj Turqisë, një përballje që pritet të jetë vendimtare për ëndrrën e “Dardanëve” drejt Botërorit.

Continue Reading

Lajmet

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren

Published

on

By

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.

“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane

Published

on

By

Izraeli thotë se ka vrarë shefin e marinës së Iranit, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.

Alireza Tangsiri u emërua komandant i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 2018, ndërsa më parë kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kësaj marine që nga viti 2010.

Një llogari në rrjetin social X, që i atribuohet atij, ka qenë aktive që nga 10 marsi i këtij viti, me mediat iraniane që citonin postimet e tij. Në këto postime, ai kishte shkruar disa herë për Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.

Tangsiri njihej si një komandant i ashpër, i cili në të kaluarën kishte bërë deklarata të shumta kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse pengoheshin eksportet e naftës së Iranit. Tangsiri u sanksionua nga Thesari i SHBA-së bashkë me komandantë të tjerë të IRGC-së në vitin 2019, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës./BBC/

Continue Reading

Të kërkuara