Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.
Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.
Jerusalemi ka qenë, në fakt, skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve tash e 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të kontestueshme në botë.
Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.
Të hënën, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite. Protestuesit hidhnin gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit gaz lotsjellës dhe plumba gome. Disa policë u plagosën po ashtu.
Përse Jerusalemi është gjithmonë në prag të shpërthimit?
Kryeqytet i dy popujve
Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tijin “të unifikuar” dhe “të përjetshëm”.
Ai e ka aneksuar Jerusalemin Lindor – i cili përfshin edhe Qytetin e Vjetër – në luftën e vitit 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Palestinezët i duan këto territore për shtetin e tyre të ardhshëm, ndërsa Jerusalemin Lindor e shohin si kryeqytet të shtetit të tyre.
Aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet nga shumica e vendeve të botës dhe fati i kësaj pjese mbetet ndër çështjet më të komplikuara në procesin e paqes, i cili ka ngecur më shumë se një dekadë më parë.
Izraelitët, të hënën, do të shënonin Ditën e Jerusalemit, një festë kombëtare që shënon aneksimin. Në vitet e kaluara, mijëra izraelitë – kryesisht nacionalistë fetarë – marshonin nëpër Qytetin e Vjetër, duke përfshirë edhe Lagjen Myslimane, gjë që shumë palestinezë e konsideronin si provokim.
Në ditët e fundit, izraelitët nacionalistë organizuan ngjarje të tjera në Jerusalemin Lindor, që çuan në grindje të dhunshme me palestinezët.
Maja e shenjtë
Përleshjet e së hënës u zhvilluan në dhe rreth xhamisë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër.
Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe ndodhet në një rrafshnaltë, ku gjendet edhe kupola e artë ikonike. Myslimanët i referohen kompleksit si Shenjtërorja Fisnike.
Rrafshnalta është e shenjtë edhe për hebrenjtë dhe ata i referohen asaj si Mali i Tempullit, sepse ishte vend i tempujve biblikë.
Romakët e shkatërruan Tempullin e Dytë në vitin 70 para erës sonë dhe atje mbeti vetëm Muri Perëndimor. Xhamitë u ndërtuan shekuj më vonë.
Jordania fqinje shërben si kujdestare e lokacionit. Ai është i hapur për turistët në kohë të caktuara, por vetëm myslimanët lejohen të luten atje. Muri Perëndimor është vendi më i shenjtë, ku hebrenjtë mund të luten.
Në vitet e fundit, grupe hebrenjsh fetarë dhe nacionalistë, të shoqëruar nga policia, kanë vizituar kompleksin në një numër më të madh dhe kanë mbajtur lutje në kundërshtim me rregullat e vendosura pas vitit 1967 nga Izraeli, Jordania dhe autoritetet fetare myslimane.
Palestinezët i shohin vizitat e shpeshta të hebrenjve si provokim dhe ato shpesh shkaktojnë përleshje ose dhunë edhe më serioze.
Disa izraelitë thonë se lokacioni duhet të jetë i hapur për të gjithë besimtarët. Palestinezët refuzojnë, nga frika se Izraeli do ta marrë përsipër ose do ta ndajë atë. Zyrtarët izraelitë thonë se nuk e kanë ndërmend ta ndryshojnë status quo-në.
Politikat diskriminuese
Hebrenjtë e lindur në Jerusalemin Lindor janë qytetarë izraelitë, ndërsa palestinezëve nga Jerusalemi Lindor u jepet një formë e qëndrimit të përhershëm, e cila mund të revokohet, nëse ata jetojnë jashtë qytetit për kohë të gjatë.
Palestinezët mund të aplikojnë për shtetësi, por është një proces i gjatë dhe i pasigurt dhe shumica zgjedhin të mos e bëjnë, sepse nuk e njohin kontrollin e Izraelit.
Izraeli ka ndërtuar vendbanime hebraike në Jerusalemin Lindor, ku jetojnë rreth 220,000 njerëz. Ai e ka kufizuar shumë rritjen e lagjeve palestineze.
Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Grupi izraelit i të drejtave të njeriut B’Tselem dhe Human Rights Watch me qendër në Nju Jork, në raportet e tyre të fundit, kanë folur për politika diskriminuese në Jerusalemin Lindor, duke argumentuar se Izraeli është fajtor për krim të aparteidit. Izraeli i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se banorët e Jerusalemit trajtohen në mënyrë të barabartë.
Kërcënimet me dëbime
Përleshjet e fundit nisën në fillim të Ramazanit, kur policia izraelite vendosi barriera jashtë Portës së Damaskut të Qytetit të Vjetër. Atje zakonisht mblidhen besimtarët myslimanë, pas faljeve të mbrëmjes.
Policia më vonë i largoi barrierat, por protestat u përshkallëzuan më pas, për shkak të kërcënimit me dëbim të dhjetëra familjeve palestineze nga lagjja Sheik Jarrah e Jerusalemit Lindor.
Familjet janë përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me të ardhurit hebrenj, që përpiqen të marrin pronë në lagjet palestineze, pranë Qytetit të Vjetër.
Izraeli i paraqet ato si mosmarrëveshje private rreth pasurisë së patundshme, por rasti ka tërhequr vëmendjen globale.(RFE)
Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara operative.
Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar gjithsej 134 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 35 kanë të bëjnë me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresa.
Në kuadër të aktiviteteve të tjera të sigurisë, policia ka sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi të municionit.
Ndërkohë, në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, janë shqiptuar gjithsej 3,814 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor, prej të cilave 567 janë evidentuar nga vetura inteligjente dhe radarët mobilë.
Policia e Kosovës u bën apel qytetarëve në rajonin e Pejës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret.
Duke u bazuar në përvojat e viteve të kaluara, Policia thekson se zjarret paraqesin rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe shkaktojnë dëme të mëdha materiale kudo që shfaqen.
Qytetarët kërkohet të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë tek autoritetet çdo person të dyshuar për zjarrvënie apo veprime të pakujdesshme që mund të shkaktojnë zjarr.
Po ashtu, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo individi që rrezikon jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.
Apeli u drejtohet të gjithë qytetarëve që të jenë maksimalisht të kujdesshëm gjatë përdorimit të mjeteve që mund të shkaktojnë zjarr, si shkrepëset, cigaret, grillat dhe zjarret në natyrë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të merren nga institucionet përkatëse.
Ai theksoi se pas këtyre vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në.
Dy ankesa lidhur me procesin e rinumërimit janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas përfundimit të afatit 48-orësh të ankimimit të dielën në mesditë.
PZAP ka afat prej tre ditësh për të vendosur lidhur me këto ankesa, të cilat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëra të premten dhe tjetra të shtunën.
Në tri raste të ndara në Zubin Potok janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera të dyshuara, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, më 21.06.2026, në një objekt (shtallë për ushqim bagëtish) është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pesë karikatorë të armës së gjatë me gjithsej 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe një bateri ndriçuese. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore.
Në një rast tjetër në të njëjtën zonë dhe datë, në një objekt të ngjashëm janë sekuestruar një armë zjarri, 74 fishekë të kësaj arme dhe 254 fishekë të armës së gjatë. Edhe për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime.
Ndërsa në rastin e tretë, në një objekt të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë dhe një bajonetë, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina për mbushjen e fishekëve të armës së gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe rreth 2 kg sfera për mbushje fishekësh.
Hetimet për të tri rastet po vazhdojnë nga ekipet relevante policore.