Lajmet

Çfarë po ndodh me Turqinë: Strategjia e re e Erdogan

‘Zhvlerësim’ i lirës turke mund të jetë duke u bërë qëllimisht.

Published

on

Sa keq është gjendja në Turqi? Varet kë pyet.

Që prej shtatorit, me udhëzimet e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, Banka Qendrore Turke uli normat e interesit për të marrë kredi, edhe pse inflacioni ishte duke u rritur dhe sot gjendet në shifrën marramendëse prej 36%.

Që atherë, lira turke është zhvlerësuar duke humbur plot 44% të vlerës së saj, gjë që ka bërë që çmimet në vend të rriten dhe fuqia blerëse të bie në mënyrë drastike.

Normat e ulta të interesit kanë qenë pjesë e retorikës së presidentit Erdogan që prej vitit 2013, kur ai bënte fushatë për t’u bërë president i Turqisë, duke promovuar këtë model ekonomik kontrovers që ka vënë përballë njëri-tjetrit ekspertë të ekonomisë nga e gjithë bota.

Por si arriti lira turke deri këtu?

Gjithçka lidhet fillimisht me raportin mes inflacionit dhe normave të interesit – të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi vlerën e një valute.

Ekonomistë të shumtë janë të mendimit se kur një shtet kalon periudha të inflacionit të lartë, ai duhet t’i ngrejë normat e interesit, jo t’i uli ato.

Kjo është edhe aryseja pse ata mendojnë se veprimi i bërë nga Erdogan, duke ulur normat e interesit në një kohë kur inflacioni është kaq i lartë, nuk kishte si të rezultonte në diçka tjetër veçse rritjes së mëtejshme të inflacionit dhe detyrimisht zhvlerësimit të valutës vendase – lirës turke.

Por pse i uli Erdogan normat e interesit? Në fund të fundit, presidenti i një vendi kaq të fuqishëm nuk kishte si të bëntë një veprim kaq naiv dhe të pamenduar.

Le ta nisim këtu.

Publikisht, Erdogan ka parapëlqyer të përdorë shpesh argumetin fetar për të mbrojtur këtë strategji të re ekonomike, e cila në pamje të parë mund të duket absurde dhe kontradiktore.

Ai është shprehur se është kundër normave të interesit për arsyeje se feja islame nuk e lejon kredinë apo kamatën, edhe pse ulja e normave të interesit duket se ka një efekt krejt të kundërt, duke qenë se ajo i shtynë debitorët të marrin edhe më tepër para borxh, pasi interesi që do t’i duhet të paguajnë është më i ulët.

Sidoqoftë, feja nuk është katalizatori real i kësaj përpjekjeje të re të Erdogan dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Qëllimi real në fakt është transformimi i ekonomisë vendase. Por me ç’kosto?

Një moment. Po flasim për rritje të ekonomisë vendase në një kohë kur lira turke po zhvlerësohet dita ditës? Pikërisht, por edhe kjo e ka një vijë logjike.

Në fakt, ky ‘zhvlerësim’ i lirës turke mund të jetë duke u bërë qëllimisht.

Ç’do të thotë kjo?

Ky lloj fenomeni në botën e makro-ekonomisë njihet si ‘zhvlerësimi artificial i valutës vendase’, dhe ç’qëllim mund të ketë e gjithë kjo?

Pikërisht rritjen e ekonomisë. Në momentin që vlera e valutës së një shteti bie, kjo e bën këtë shtet më tërheqës në tregun global, pasi shtetet e tjera mund të blejnë produktet, shërbimet, fuqinë punëtore madje edhe të investojnë për shumë më pak para. Diçka e ngjashme është bërë nga shumë shtete në të shkuarën, përfshi këtu edhe Kinën.

Por situata në Turqi është paksa më e ndryshme.

Në fakt, situata në të gjithë botën në këtë kohë është shumë më e ndryshme, gjë që ka bërë shumë vetë ta quajnë këtë lëvizje të Erdogan, asgjë më pak apo më shumë se sa një ‘lojë bixhozi’.

Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Ankarasë, Refet Gurkaynak, kjo që po bën Erdogan është një bast që vë në rrezik fatin e popullit turk, pasi ndërkohë që investitorët e huaj mund të përfitojnë nga ulja e çmimeve për eksportet, vetë populli arrinë në një pikë, ku nuk mund të blejë dot produktet më minimale, çmimet e të cilave janë rritur në mënyrë të tejskajëshme si pasojë e inflacionit.

“Sigurisht, nga njëra anë ky model ekonomik e bën Turqinë më konkurruese dhe atraktive në tregun global dhe kjo mund të rrisë eksportet, por mos të harrojmë. Turqia është një vend i varur nga importet. Ndërkohë që eksportet rriten si pasojë e zhvlerësimit të lirës, importet dhe gjithçka tjetër bëhen më të shtrenjtë. Dhe Turqia është një vend që importon naftën, makineritë industriale etj, dhe në një kohë kur e gjithë bota po vuan nga inflacioni i lartë dhe kriza energjetike, një strategji e tillë nuk mund të funksionojë,” – u shpreh ai për median franceze France24.

Nga ana tjetër, analisti i televizionit turk TRT, Yusuf Erim, kishte një mendim më neutral duke thënë se kjo iniciativë nga Erdogan duhet parë si një ‘transformim ekonomik’ që sado ambicioz, pritet të ketë efekt në një plan më afatgjatë.

Sipas tij, ndërkohë që Turqia bëhet më konkurruese në tregun global dhe eksportet vazhdojnë të rriten, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me prodhimin industrial në vend, investimet e huaja dhe rrjedhimisht edhe vendet e punës.

“I gjithë ky proces ka anët e tij pozitive dhe ato negative. Pavarësisht vështirësimit të jetës për vendasit, synimet janë afatgjata. Dhe në të njëjtën kohë, presidenti Erdogan po ndërmerr masa për t’iua bërë më të thjesht përshtatjen me rritjen e inflacionit qytetarëve turk. Duke qenë se Thesari i Shtetit Turk ka një llogari të bollshme në dollarë amerikanë, Erdogan po e përdor këtë buxhet duke rritur rrogat minimale me 50% dhe të gjithë rrogat e adminsitratës shtetërore janë rritur me 30%. Pra ai po mundohet t’ja lehtësojë barrën qytetarëve turk dhe po përgatitet për efektet afatgjata,” – tha ai.

Sidoqoftë, prof. Refet Gurkaynak, si shumë të tjerë mbetet skeptik duke thënë se një model i tillë ekonomik i bazuar në lehtësimin e kredisë dhe uljen e normave të interesit, do të ishte i suksesshëm nëse normat e inflacionit do të ishin të ulëta, jo në një kohë kur e gjithë bota po vuan nga normat më të larta të inflacionit që kemi parë në dekada të tëra.

Mbetet për t’u parë, nëse kjo që po bën Erdogan do të mbetet në kufijtë e imagjinares, nëse ajo do të jetë një bast që vë në rrezik vendin e tij, apo do të arrijë të jetë një plan gjenial që do ta rrisë vërtetë ekonominë turke.

Erdogan thotë se problemet e lirës janë një rezultat i sabotazhit që duan t’i bëjnë të huajt ekonomisë së Turqisë, si dhe mbështetësve të tyre brenda shtetit turk.

Gjatë një fjalimi të 22 nëntorit, ai u shpreh se do të përgjigjej me një ‘luftë ekonomike për të fituar pavarësinë’ të cilën ai dha fjalën se do ta fitonte Turqia. /Euronews.al

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara