Lajmet
Çfarë pas Merkelit?
Published
5 years agoon
By
Betim GashiManifesti i paraqitur nga partitë që garojnë për të formuar Qeverinë e ardhshme të Gjermanisë, përcakton vizione shumë të ndryshme për të ardhmen e këtij vendi dhe të Evropës, pas zgjedhjeve federale të shtatorit.
Në lojë është drejtimi që Gjermania – ekonomia më e madhe e Evropës – do të marrë pas largimit të Angela Merkelit nga posti i kancelares.
Në pushtet qysh në vitin 2005, Merkel planifikon të tërhiqet pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.
Konservatorët, në manifestin e tyre, u premtojnë votuesve “stabilitet dhe ringjallje”. Rivalët e tyre kryesorë janë Të Gjelbrit, të ndjekur nga Social-Demokratët dhe Demokratët e Lirë.
Cilat janë çështje të mëdha të fushatës?
Besimi. Kujt mund t’i besojnë gjermanët pas Merkelit, e cila i ka udhëhequr ata gjatë krizës së Eurozonës, krizës së migrantëve në vitin 2015 dhe tani pandemisë së koronavirusit?
Kandidati konservator për kancelar, Armin Laschet, nxjerr në pah përvojën e tij në qeverisjen e landit më të populluar të Gjermanisë, Norderhajn-Vestfallen.
Kandidatja e Të Gjelbërve, Annalena Baerbock, e ka kundërshtuar atë me premtimin për një “fillim të ri”.
Kreu i Demokratëve të Lirë, Christian Lindner, thotë se Gjermania nuk mund të mbetet në të kaluarën, por i duhet të përshtatet me një botë që po ndryshon shpejt.
Olaf Scholz i Social-Demokratëve – ministër i Financave në “koalicionin e madh” të Merkelit – e prezanton veten si palë me “duar të sigurta”.
Dallimet në politikë
Pjesa më e madhe e debatit politik ka marrë formë kur një gjykatë e lartë, në fund të prillit, ka vendosur se Gjermania duhet të azhurnojë ligjin e saj të klimës deri në fund të vitit të ardhshëm, për të përcaktuar se si do t’i reduktojë emetimet e karbonit në pothuajse zero deri në vitin 2050.
Konservatorët duan të arrijnë neutralitetin e gazrave serë në vitin 2045, ashtu si edhe Social-Demokratët.
Të Gjelbrit janë më ambiciozë dhe duan të arrijnë neutralitet brenda 20 vjetësh, përmes “zgjerimit masiv të burimeve të ripërtëritshme”. Demokratët e Lirë, ndërkaq, synojnë ta arrijnë këtë qëllim deri më 2050.
Politika e klimës dhe mënyra se si të paguhet për rregullimin e një mjedisi më të pastër, është e lidhur ngushtë me ndarjet rreth financave publike dhe taksave, dhe ka ndikim në politikat ndaj Bashkimit Evropian.
Si të balancohen librat?
Konservatorët premtojnë lehtësim gradual të taksave, por është e paqartë se si do ta lehtësojnë këtë barrë dhe si do të mbajnë kapakun mbi borxhet. Ky premtim i harmonizon ata me Demokratët e Lirë.
Të Gjelbrit duan të ulin pragun për ata që paguajnë nivelin më të lartë të taksave prej 45% dhe ta rrisin nivelin në 48% për fituesit ultra të mëdhenj. Ata gjithashtu duan t’i reformojnë frenat e borxhit, për të nxitur investimet publike.
Social-Demokratët thonë se duan t’i ndihmojë ata me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Çka në lidhje me Evropën?
Si konservatorët, ashtu edhe Demokratët e Lirë kundërshtojnë “bashkimin e borxhit” dhe duan të sigurojnë se huazimet e përbashkëta të BE-së për të financuar paketën e rimëkëmbjes së bllokut nga koronavirusi, do të mbeten një gjë e njëhershme.
Të Gjelbrit, për dallim, favorizojnë një politikë të përbashkët fiskale evropiane, për të mbështetur investimet në mjedis, kërkime, infrastrukturë dhe arsim.
Social-Demokratët e shohin paketën e rimëkëmbjes si bazë për ndërtimin e besimit të ri në Evropë dhe kanë folur për ndërmarrjen e hapave drejt bashkimit fiskal.
Kush mund të qeverisë?
Asnjë parti nuk është në rrugën e duhur për një shumicë më vete, kështu që Gjermania pritet të qeveriset edhe një herë nga një koalicion pas-zgjedhor, megjithëse Social-Demokratët kanë thënë se nuk duan të jenë sërish partner i vogël i konservatorëve.
Konservatorët dhe Demokratët e Lirë – partnerë në të kaluarën dhe të lidhur në çështje të rëndësishme – do të donin t’i bashkonin forcat, por sondazhet e opinionit sugjerojnë se atyre do t’u mungojnë numrat për të formuar Qeverinë.
Konservatorët dhe Të Gjelbrit mund të kenë mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur, por janë në kundërshtim me njëri-tjetrin për një mori çështjesh.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, mund të ketë nevojë t’iu bëjë presion për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.
Të Gjelbrit më me qejf do të drejtonin një qeveri me Social-Demokratët dhe Demokratët e Lirë.
Një lidhje midis konservatorëve, Të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë është gjithashtu e mundur, ndonëse bisedimet për një koalicion të tillë kanë dështuar pas zgjedhjeve të fundit, më 2017.
Nëse konservatorët fitojnë shumicën e votave, Laschet ka të ngjarë të jetë kancelar./REL
Lajmet
Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në Merdare
Published
3 hours agoon
February 24, 2026By
UBTNews
Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar në pikëkalimin kufitar Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas Doganës se Kosovës, automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar pas analizës së riskut. Gjatë skanimit me rreze X u identifikuan dyshime për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e veturës.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kontrolli u thellua dhe u konfirmua se në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit ishin fshehur mjete monetare të padeklaruara.
Vlera e dyshuar e shumës arrin rreth 1,000,000 euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore.
Lajmet
Haxhiu pret ambasadorin italian, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike
Published
4 hours agoon
February 24, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot ne takim Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.
Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishin zhvillimet aktuale në vend.
Gjithashtu, Kryetarja Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, në cdo fazë të zhvillimit të shtetësisë.
“Kryetarja Haxhiu nënvizoi ecurinë pozitive në funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe rritjen e angazhimit për realizimin e agjendës së punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe fuqizim të partneritetit mes Kosovës dhe Italisë, duke përfshirë zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve në nivel parlamentar.
Lajmet
UBT shënon 25 vite si institucioni me ndikimin më të madh ekonomik në arsimin jopublik
Published
6 hours agoon
February 24, 2026By
UBTNews
Në jubileun e 25-vjetorit të themelimit, UBT po konfirmon edhe një herë pozicionin e tij si institucioni me numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat të arsimit të lartë në Kosovë, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Për një çerek shekulli, UBT ka ndërtuar jo vetëm një institucion arsimor modern, por një ekosistem të fuqishëm zhvillimi që gjeneron vende pune, inovacion dhe stabilitet ekonomik. Nga një fillim modest me pak akademik, sot UBT përfshin qindra profesorë, doktorë shkencash, ekspertë dhe profesionistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë.
Rritja e vazhdueshme e stafit gjatë këtyre viteve reflekton vizion të qartë strategjik dhe investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor. Ky zgjerim nuk përfaqëson vetëm sukses institucional, por një kontribut konkret në uljen e papunësisë dhe fuqizimin e tregut të punës në Kosovë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se arritja e këtij jubileu përkon me një moment të rëndësishëm zhvillimor për institucionin.
“25 vjet më parë nisëm me një vizion për të ndërtuar një institucion që do të ndikonte realisht në zhvillimin e vendit. Sot, kur UBT është punëdhënësi më i madh në arsimin e lartë privat, mund të themi me bindje se kemi krijuar një model të qëndrueshëm që gjeneron dije, punësim dhe zhvillim ekonomik”, theksoi rektori Hajrizi.
Përgjatë këtij rrugëtimi, UBT ka investuar vazhdimisht në zgjerimin e kapaciteteve akademike, teknologjike dhe kërkimore, duke krijuar një mjedis profesional ku promovohen barazia gjinore, meritokracia dhe zhvillimi i vazhdueshëm.
Në 25-vjetorin e tij, UBT nuk feston vetëm historinë e suksesit, por konfirmon angazhimin për të vazhduar të jetë një shtyllë e ekonomisë së dijes dhe një motor i fuqishëm i punësimit në Kosovë.
Lajmet
5 milionë euro për gratë ndërmarrëse dhe zhvillimin e zonave rurale në Kosovë
Published
6 hours agoon
February 24, 2026By
UBTNews
Agjencia Franceze për Zhvillim, përmes Proparco, ka nënshkruar një marrëveshje financimi me Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK) në vlerë prej 5 milionë eurosh, me qëllim fuqizimin e grave dhe komuniteteve rurale.
Nga kjo shumë, 3 milionë euro janë të destinuara për gratë ndërmarrëse, ndërsa 2 milionë euro të tjera për projektet në zonat rurale.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, vlerësoi se këto kredi do të ndihmojnë në rritjen e përfshirjes së grave në biznes dhe zhvillimin e sipërmarrësve në komunitetet rurale. Ai shtoi se sa më shumë gra të jenë të përfshira në biznes dhe sektorin publik, aq më e fortë bëhet Kosova.
Drejtori ekzekutiv i AFK-së, Xhevdet Spahija, theksoi se bashkëpunimi me Proparco do të fokusohet kryesisht në kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi. Ai gjithashtu kujtoi se që nga viti 1999, AFK ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.
Drejtori Regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon, u shpreh se partneriteti synon të bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës, duke fokusuar mbështetjen tek gratë sipërmarrëse dhe bizneset në zonat rurale, ku qasja në financa është më e kufizuar.
/Kosovapress/
700 mijë euro të paqarta, Sigal Prishtina: Nuk dorëzohemi
Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në Merdare
Haxhiu pret ambasadorin italian, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike
UBT shënon 25 vite si institucioni me ndikimin më të madh ekonomik në arsimin jopublik
5 milionë euro për gratë ndërmarrëse dhe zhvillimin e zonave rurale në Kosovë
Kosova publikon listën e futbollisteve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2027
REL: Kosova dhe Ukraina: Kur historia përsërit pamjet e saj
Ylli i Javës-Ruben Silva Richards
Arrestohen katër persona për mashtrim mbi 1.5 milion euro, paraburgim 30 ditësh
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
