Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka siguruar një sasi të mjaftueshme serumi kundër helmimeve nga pickimi i gjarprit dhe ka furnizuar me to të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë paraqitur kërkesë për furnizim.
Rritja e temperaturave gjatë verës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e aktivitetit të gjarpërinjve, të cilët mund të shfaqen në hapësira të ndryshme, veçanërisht në zonat rurale, fusha, pyje, e madje edhe pranë shtëpive apo banesave. E, kjo situatë ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve, të cilët shpesh ndihen të pasigurt dhe të frikësuar për mundësinë e një kontakti të papritur me këto zvarranikë, sidomos gjatë lëvizjeve në natyrë apo në ambientet përreth shtëpisë.
“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasi të mjaftueshme të serumit kundër helmimeve nga kafshimi i gjarprit dhe IKSHPK ka furnizuar me to të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë bërë kërkesë për furnizim. Gjithashtu, IKSHPK ka njoftuar të gjitha qendrat në nivel vendi dhe u ka bërë thirrje të përsëritur që të furnizohen me serum, duke qenë se ka sasi të mjaftueshme dhe të siguruara me kohë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë shtoi më tej se serumet janë siguruar edhe nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfshirë Klinikën Infektive, ndërsa ato janë në dispozicion edhe për repartet infektive të spitaleve të përgjithshme (rajonale).
Nëse shihni një gjarpër:
– MOS u përpiqni ta vrisni ose të afroheni shumë!
– Qëndroni të qetë dhe largohuni ngadalë
– Edukojini fëmijët të shmangin gjarpërinjtë dhe të njoftonjnë një të rritur nëse hasin në një gjarpër
Nëse kafshoheni nga një gjarpër (sidomos një nepërkë):
– Qëndroni të qetë – paniku rrit rrahjet e zemrës dhe përhap helmin më shpejt
– Imobilizoni gjymtyrën e kafshuar
– MOS thithni helmin dhe mos e preni plagën
– Telefononi menjëherë Shërbimet e Urgjencës (112) ose shkoni në spitalin më të afërt
– Nëse mundeni, kini parasysh pamjen e gjarprit (për trajtim), por mos rrezikoni sigurinë tuaj duke u përpjekur ta kapni ose fotografoni atë
Gjithashtu, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, madje nepërkat kafshojnë vetëm nëse kërcënohen. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në ekosistem – duke kontrolluar brejtësit dhe dëmtuesit. /Telegrafi