Lajmet

Çfarë janë raketat Patriot dhe për çfarë mund të shërbejnë?

Patriotët janë krijuar për t’u përballur me një sërë kërcënimesh ajrore.

Published

on

Sistemi i mbrojtjes ajrore ka për qëllim të ofrojë siguri shtesë në Poloni, shtet ky i cili ndan një kufi me Ukrainën. Patriotët janë krijuar për t’u përballur me një sërë kërcënimesh ajrore.

Që nga pushtimi i Ukrainës në fillim të këtij viti, anëtarët e NATO-s janë angazhuar në një lloj karrige muzikore të pajisjeve ushtarake. Kjo ndodhë shpesh kur një aleat dërgon armë në Ukrainë, një proces i njohur si mbushje, por edhe brenda vetë aleancës perëndimore.

Njoftimi i Gjermanisë gjatë kësaj jave se i ka ofruar Polonisë raketa të llojit Patriot, është i fundit në atë zhvendosje të burimeve të NATO-s, kryesisht drejt krahut lindor të saj përballë Rusisë.

“Polonia është mik, aleat dhe fqinj i yni, veçanërisht i ekspozuar”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, pas një telefonate me homologun e saj polak.

Patriotët: mbrojtja ajrore me një ndalesë

Ekspozimi i Polonisë ndaj luftës u ndje në fillim të këtij muaji, kur një raketë ra brenda kufijve të saj. Mund të jetë një raketë e humbur ukrainase, e jo një predhë e lëshuar nga Rusia, kanë thënë zyrtarë polakë dhe të tjerë të NATO-s. Por incidenti, i cili la të vdekur dy persona, shënon herën e parë që armët e përdorura në konfliktin nëntëmujor godasin një vend të tretë.

Në varësi të llojit dhe trajektores së raketës që ra, sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot mund të kishte kapur atë.

Raketa Patriot ka një histori të gjatë. U konceptua në fillim të viteve 1960, por emrin dhe formën e mori thuajse një dekadë më vonë. Ushtria amerikane filloi të vendosë sistemin – një koleksion radarësh, njësish komandimi dhe kontrolli dhe interceptorë të ndryshëm raketash – në vitet 1980.

Gjiganti amerikan i armëve, Raytheon, prodhon Patriot dhe ka përmirësuar aftësitë e tij disa herë që atëherë. Kompania thotë se planifikon të vazhdojë me zhvillimet teknike deri në të paktën vitin 2048. Patriot mund të mbrohet kundër raketave balistike taktike, raketave të lundrimit, dronëve, avionëve dhe “kërcënimeve të tjera” që Raytheon nuk i specifikon.

Këto janë disa nga objektet ajrore me të cilat Rusia synon Ukrainën, dhe ato për të cilat NATO shqetësohet në lidhje me territorin e saj. Megjithatë, forcat ruse përdorin gjithashtu pajisje më të vogla, të tilla si mini-dronë që qëndrojnë më afër tokës, të cilat janë më të vështira për sistemin Patriot për t’u gjurmuar dhe përgjuar.

Patrioti nuk është i huaj për Poloninë. Është një nga 18 vendet që përdorin ose kërkojnë të blejnë sistemin e mbrojtjes ajrore. Shtetet e Bashkuara dërguan njësi në Poloni menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe Polonia ka kërkuar të blejë edhe më shumë./UBTNews/

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kalon Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave

Published

on

Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votimin për amandamentet e propozuara nga Lista Serbe për këtë projektligj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

 15 tetor 1993

 Policia serbe shtoi represionin në komunën e Pejës

 

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së së Pejës, njofton se gjatë javës së fundit në këtë komunë, keqtrajtimet dhe represioni policor serb ndaj popullatës shqiptare, po rritet gjithnjë e më tepër.

Pardje, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, kërkoi në shtëpinë e tij në Dobërdol të Pejës, Din Kastratin, kryetar i Forumit Rinor të LDK-së së Pejës. Pasi që Dini nuk ishte në shtëpi, policët i lanë ftesën që të paraqitet për dje në organet e policisë në Pejë.

Merret vesh se Din Kastrati, shkoi në stacionin e policisë dhe aty u keqtrajtua fizikisht.

Ftesë për t’u lajmëruar në organet e policisë në Pejë, mori dje edhe Sadik Morina nga fshati Logjë i Pejës. Nga Sadiku, policia serbe kërkoi një pushkë dhe një revole. Pas deklarimit të tij se nuk disponon armë, policët e keqtrajtuan fizikisht.

Me pretekst të dorëzimit të armëve, policia serbe arrestoi në shtëpinë e tij edhe Kamber Bytyçin nga Poqesta e Pejës dhe e keqtrajtoi fizikisht.

Po ashtu pardje, në rrugën Poqestë-Dobërdol të Pejës, policët serbë rrahën Ukë dhe Malush Bytyçin nga fshati Poqestë, nga të cilët aty për aty kërkuan armë. Ukë Bytyçi u keqtrajtua për të pestën herë nga ana e policisë serbe, të cilit herën e fundit iu kërcënuan edhe të shpërngulet.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së së Pejës, gjithashtu njofton se nga fshati Poqestë u shpërngulën familjet e Rrahim dhe Mustafë Bytyçit, për shkak të represionit të vazhdueshëm të policisë serbe mbi to.

Në Dobërdol, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Brahim Novajt dhe kërkuan armë nga vëllai i tij, Mehmeti. Policët u sollën me vandalizëm, rrahën nënën e Brahimit dhe djalin e tij, Malushin. Gjatë bastisjes policia demoloi orenditë, dyshemetë dhe gjtihçka që gjetën në këtë familje. Merret vesh se pas torturave të vazhdueshme, Brahim Novaj dhe anëtarët e familjes së tij, u detyruan që ta braktisin shtëpinë.

 

 

15 tetor 1994

 

 

Në Mitrovicë inspektorët serbë plaçkitën dhe mbyllën disa firma private të shqiptarëve

 

Dje, inspektorët serbë, plaçkitën dhe mbyllën disa firma private shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Firmës “Holidaj”, pronar i së cilës është Eset Shaqiri, në emër të tatim-qarkullimit, inspektorët serbë ia konfiskuan mall në vlerë prej 3.150 markash gjermane dhe 1.000 dinarë.

Krundet e konfiskuara në këtë firmë u transportuan me dy kamionë dhe u dërguan në depot e ndërmarrjes “Lux” në Mitrovicë.

Ndërsa firmës “Xhafi”, pronar i së cilës është Shefqet Muharremi, iu plaçkit mall me vlerë prej 6.800 marka gjermane.

Agim Habibit, pronar i një dyqani tregtar në Mitrovicë, inspektorët ia kërkuan në emër të tatim-qarkullimit 4.140 DM dhe 1.380 dinarë kamatë. Pasi ai nuk mundi të paguante, iu mbyll dyqani.

Merret vesh se ka propozime që për shkak të plaçkitjeve të mëdha, pronarët e firmave dhe dyqaneve private t’i mbyllin lokalet e tyre.

 

 

15 tetor 1997

 

Aksion dhune e terrori i forcave policore serbe në Bardhaniq e Zhabel të Gjakovës

 

Një ekspeditë e madhe ndëshkimore e forcave policore serbe dje që nga orët e mëngjesit ushtroi dhunë e terror në fshatrat Bardhaniq dhe Zhabel, me pretekst të kërkimit të armëve dhe të gjoja përgjegjësve për një sulm në stacionin e policisë serbe ne Çollopek, rreth 7 km. larg këtyre dy fshatrave.

Banorët e Bardhaniqit dhe Zhabelit thanë se në aksionin e terrorit të forcave serbe kundër tyre merrnin pjesë mbi 100 policë të armatosur dhe të shoqëruar me autoblinda, autovetura e me helikopterë.

Aksioni kishte filluar herët në mëngjes me bllokimin e hyrje- daljeve nga fshtrat. Pastaj filloi operacioni i torturimit dhe i bastisjes së shtëpive e oborreve.

Policia serbe së pari aksionin e filloi në fshatin Bardhaniq, ku u bastisën 22 shtëpi. Gjatë bastisjeve të egra e brutale policët demoluan çdo gjë para vetes. Pastaj ata filluan në mënyrë barbare të rrahin dhe të maltretojnë të gjithë burrat e këtyre familjeve dhe në prani të grave e fëmijëve. Burrat i lidhën në pranga dy nga dy dhe i detyruan të shtriheshin përtokë. Pastaj policët filluan t’i rrahin në prani të grave e fëmijëve.

Njoftohet se lëndime të rënda kanë pësuar 8 veta, kurse 10 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.

Policia serbe disa persona i ka marrë dhe i ka dërguar në stacionet e policisë në Deçan e në Pejë.

Një tmerr të vërtetë gjatë aksionit të djeshëm të forcave serbe e përjetuan banorët e fshatit Zhabel, ku u bastisën 33 familje. Madje në këtë fshat janë maltretuar edhe gratë e fëmijët që ishin dëshmitarë të skenave trishtuese. Lan Ibrahimin, 37 vjeçar, baba të 12 fëmijëve, policia e vuri pesë herë me kokë ose me duar në cung, duke iu kërcënuar në prani të fëmijëve se do t’ia prente kokën e duart. Në momentet e këitj tmerri fëmijët u dolën policëve përpara me vaj e bërtima, në përpjekje që të shpëtonin prindërit e të afërmit e tyre. Gjatë torturimit të Lanit, është keqtrajtuar edhe e shoqja e tij Ajmanja.

Mal Delinë, inxhinier të bujqësisë, policia e ka qëlluar në kokë me makinën e tij të shkrimit dhe pastaj e ka hedhur me dhunë lumë. Policia e ka detyruar atë të notojë, duke shtënë në drejtim të tij me revole. Një plumb i ka kaluar afër trupit.

Burim Ukajt, 27 vjeçar ia kanë thyer këmbët e duart. Ai gjendet në mjekim në Pejë.

Njoftohet se në këtë fshat janë torturuar rëndë 56 veta, kurse 18 të tjerë kanë lëndime më të lehta.

Banorët e këtyre dy fshatrave i thanë Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Gjakovë se policët kërkonin armë dhe pyetnin: “Kush ka shtënë me armë në stacionin e policisë në Çollopek?; ku i keni fshehur terroristët?; pse keni lindur kaq shumë fëmijë?”, e tjera.

Thuhet se policët që morën pjesë në këtë aksion nuk ishin nga stacioni i policisë serbe në Gjakovë, por nga stacioni në Pejë e në Deçan.

Ekspedita e forcave serbe u tërhoq nga fshati Zhabel pa gjetur armë e “terroristë”, por duke lënë pas vete vajin e fëmijëve e të shumë nënave, dhe banorët e këtyre fshatrave me lëndime të rënda trupore. Të lënduarve u ndihmoi mjeku i SHBH “Nëna Tereze” të Gjakovës, Pal Leka, kurse disa të lënduar janë dërguar për kurim në Gjakovë.

Dje pasdreke, fshatrat Bardhaniq dhe Zhabel i vizituan mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe mr. Abdyl Ramaj, anëtar i Kryesisë, si edhe udhëheqja e Degës së LDK-së në Gjakovë.

Me qëllim që të njoftonin për përmasat e këtij aksioni të dhunës së politikës serbe dhe për situatën e tensionuar në Gjakovë e rrethinë, funksionarët e lartë të LDK-së – z. Sejdiu e Ramaj – u takuan sot në Zyrën Amerikane në Prishtinë me drejtorin e saj Riçard Hëkëbi.

Njoftohet se në Bardhaniq e Zhabel janë torturuar e keqtrajtuar: Elez Rexhepi, Malë Rexhepi, Mujë Rexhepi, Sadri Ismaili, Shkëlzen Berisha (mysafir), Feim Panxha, Fatlind Alia, Smajl Thaçi, Canë Delia, Qerim Ramadani (mysafir), Vesel Neziri, Naim Neziri, Mustafë Neziri, Hajdin Neziri, Fatmir Neziri, Fatmir Haxha (mysafir), Binak Maliqi, Ali Haziri, Rrustem Haziri, Ukë Haziri, Ramiz Haziri, Musa Delia, Ali Delia, Malë Delia, Rrustem Delia, Hasan Delia, Burim Ukaj, Ahmet Ukaj, Rremë Musaj (mysafir), Gëzim Rrahimaj, Talë Brahimaj, Aziz Brahimaj, Lanë Brahimaj (i maltretuar me 12 fëmijë dhe bashkëshorten), Fatime Qelija, Brahim Brahimaj, Bajram Brahimaj, Rasim Haziri (i sëmurë psikikisht), Mujë Haziri, Lush Marku, Hysen Ibrahimi, Xhevdet Alia (Gërgoc), Agron Plava (Cërmjan), Rasim Brahimi (Jabllanicë – është marrë në stacionin policor).

Në këtë listë nuk përfshihen personat që kanë “shpëtuar” me ndonjë shuplakë apo nga ndonjë goditje me shkop gome e druri.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se në sigurimin serb në Gjakovë sot është marrë Lanë Brahimi nga Zhabeli.

Ndonëse disa njoftime nga Gjakova shprehnin dje drojën se aksioni i forcave serbe kishte përfshirë edhe fshatin Jabllanicë, për fat kjo nuk kishte ndodhur.

Ndërsa nga Peja njoftohet se pas shpërthimit të pasqaruar në postkomandën e policisë serbe në Çallapek, policia serbe ka keqtrajtuar disa kalimtarë shqiptarë në këtë lokalitet. Ndër të keqtrajtuarit është edhe Vahid D. Kelmendi (19) nga Kosuriçi, i cili u keqtrajtua derisa po udhëtonte me traktorin e tij.

 

 

15 tetor 1998

 

Mitrovicë: Në Rashan, nga shpërthimi i një granate vdiqën dy të rinj shqiptarë

 

Pardje në vendin e quajtur “Livadhi i Rrudhanëve” në fshatin Rashan, të rinjët Rifat Faik Smakolli (18) dhe Driton Abit Smakolli (20), nga i njëjti fshat, hasën në një granatë të paeksploduar të armatës serbe dhe mbetën në vend, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se kufomat e këtyre dy të rinjëve u varrosën në vendlindjen e tyre në Rashan.

 

 Foto: Peja

 

 

Continue Reading

Lajmet

“Netflix” synon të ulë kostot, shkurton rreth 1000 vende pune

Published

on

Gjiganti i transmetimit të filmave dhe serialeve, Netflix, planifikon të shkurtojë rreth 6 për qind të vendeve të punës, në një kohë kur po përballet me ngadalësimin e rritjes së biznesit, raporton revista “Variety”.

Lajmi u bë i ditur nga bashkëdrejtuesit ekzekutivë të kompanisë, Greg Peters dhe Ted Sarandos.

Në fund të vitit të kaluar, Netflix kishte rreth 16 mijë punonjës, çka do të thotë se shkurtimet mund të prekin afërsisht 1.000 vende pune. Sipas raportimeve, masat do të përfshijnë disa sektorë, mes tyre burimet njerëzore, shërbimet ligjore dhe teknologjinë.

Disa javë më parë, Sarandos kishte pranuar se kompania po rritej më ngadalë sesa do të dëshironte.

Megjithatë, Netflix vazhdon të jetë një nga platformat kryesore globale të transmetimit. Sipas të dhënave të kompanisë, në fund të vitit 2025 shërbimi kishte më shumë se 325 milionë familje abonente.

Ndërkohë, gara në industrinë e transmetimit po intensifikohet. Pasi oferta e Netflix për të blerë aktivitetet e prodhimit të filmave dhe serialeve të Warner Bros u tejkalua nga Skydance, kjo e fundit synon të bashkojë platformën Paramount+ me HBO Max, duke krijuar një konkurrent më të fuqishëm në treg.

Pavarësisht shkurtimeve të planifikuara, drejtuesit e Netflix kanë theksuar se kompania do të vazhdojë të investojë në fushat me potencial të lartë rritjeje. Rezultatet e ardhshme financiare tremujore pritet të japin më shumë detaje për ecurinë e biznesit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara