Akulloret, ëmbëlsirat e ngrira dhe pijet e gazuara tepër të ftohta marrin një tërheqje të re në vapën e verës. Ndërsa ndryshimet klimatike sjellin temperatura të larta, amerikanët po i konsumojnë gjithnjë e më shumë, zbulon një kërkim i ri, me pasoja shqetësuese për shëndetin.
Ka mjaft dëshmi që ndryshimet klimatike do të ndikojnë në disponueshmërinë dhe cilësinë e ushqimit, duke çuar në mungesa, rritje çmimesh dhe madje duke ndikuar në vlerën ushqyese, tha Pan He, autore e studimit dhe ligjëruese e shkencave mjedisore dhe qëndrueshmërisë në Universitetin e Cardiff. Por shumë më pak dihet për efektet e tyre në atë çfarë zgjedhim të hamë dhe pijmë, tha ajo për CNN.
Studiuesit analizuan të dhënat e blerjeve ushqimore të familjeve amerikane mes viteve 2004 deri 2019, gjë që u lejoi të ndiqnin të njëjtat familje për një kohë të gjatë. Ata krahasuan vendimet e blerjes me të dhënat rajonale të motit, përfshirë temperaturën dhe lagështinë.
Me rritjen e temperaturave, njerëzit konsumonin më shumë sheqer, në formën e pijeve të ëmbëlsuara me sheqer si pijet e gazuara dhe lëngjet, sipas studimit të botuar në revistën Nature Climate Change.
Për çdo 1.8 gradë Fahrenheit ngrohje, konsumi i sheqerit të shtuar u rrit 0.7 gram për person në ditë, me një rritje të dukshme ndërsa temperaturat arritën mes 68 dhe 86 gradë Fahrenheit.
Moti më i nxehtë bën që trupat të humbin më shumë ujë, duke bërë që njerëzit të duan hidratim dhe freskim. Efekti është i theksuar në familjet me të ardhura më të ulëta ose nivele të ulëta arsimimi.
Grupet më pak të favorizuara kanë prirje të kenë nivele më të larta të konsumit të sheqerit, pasi ky ushqim mund të jetë më i lirë dhe më i arritshëm, duke i bërë më të predispozuar të zgjedhin produkte në vapë. Ata mund të kalojnë më pak kohë në hapësira me ajër të kondicionuar, sipas kërkimit.
Studimi parashikon se konsumi i sheqerit mund të rritet me 3 gramë në ditë deri në vitin 2095, nëse ndotja që ngroh planetin vazhdon pa kontroll, me grupet vulnerabël në rrezikun më të lartë.
Shumë sheqer mund të sjellë një sërë pasojash negative, përfshirë rritje të rrezikut për obezitet, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon kufizimin e sheqernave të shtuara në jo më shumë se 6% të totalit të kalorive që njerëzit konsumojnë: jo më shumë se 36 gramë për burrat dhe 26 gramë për gratë.