Lajmet

Çfarë dimë për origjinën e pandemisë?

Published

on

A ka pasur një aksident në laborator? Çfarë e dallon SARS CoV-2 nga viruset e tjera të Coronës? Shërbimet sekrete amerikane po hetojnë mbi origjinën e pandemisë, Kina kritikon.

Në të gjithë botën janë vërtetuar si të infektuar me SARS CoV-2 rreth 170 milionë vetë dhe më shumë se 3,4 milionë kanë humbur jetën. Por nga vjen ky vírus kaq ngjitës që paralizoi me muaj ekonomitë në botë dhe shkatërroi ekzistencën e kushedi sa të tjerëve? Deri më tani ka pasur vetëm më shumë supozime se fakte, se ku e ka origjinën pandemia botërore.

Për një aksident të mundshëm në Institutin e Virologjisë në Vuhan, Kinë, raportoi së fundmi “Wall Street Journal” duke iu referuar një raporti të një shërbimi sekret amerikan, sipas të cilit në nëntor 2019 tre punonjës të institutit, të cilët u sëmurën rëndë me simptoma të njëjtja si ato të Covidit, kishin qenë në një klinikë. Shërbimet sekrete amerikane duan të mbledhin tani fakte të besueshme në vend të supozimeve për një aksident të mundshëm laboratori në Kinë dhe do të paraqesin një raport brenda 90 ditësh, këtë e ka urdhëruar presidenti Biden. “SHBA do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerët me të njëjtat synime për të rritur presionin ndaj Kinës, që të marrë pjesë në një hetim ndërkombëtar të bazuar në fakte, të plotë, transparent dhe të lejojë qasjen në të gjitha të dhënat e provat e nevojshme”, tha presidenti Biden.

Kina akuzoi SHBA, se po politizon kërkimet dhe do t’ia japë Kinës fajin për pandeminë. Në të njëjtën kohë ky vend me gjasë vend origjine i virusit bllokon një hetim të hapur dhe hedh poshtë çdo lloj përgjegjësie.

Çfarë dihet për virusin?

Që në janar 2020, studiuesit kinezë gjetën shkakun për një shpeshtim të një sëmundjeje të mushkërive të panjohur më parë, nga e cila në qytetin Vuhan kishin humbur jetën shumë vetë. Në qelizat e tyre të rrugëve të frymëmarrjes ata gjetën gjenet e një virusi ARN nga familja e viruseve të Coronës, që u kategorizua në nëngrupin B (Betacoronavirus).

Ky vírus, që ishte definitivisht plotësisht i ri, kishte megjithatë ngjashmëri të madhe me virusin Corona, që solli shpërthimin e pandemisë SARS në vitet 2002-2004: SARS-CoV. Ky vírus i ri nga Kina jugore u përhap brenda pak javësh gati në të gjitha kontinentet. Në të gjithë botën u sëmurën 8096 persona – të testuar- dhe 774 vetë ndërruan jetë nga sindromi i një sëmundjeje të rëndë të rrugëve të frymëmarrjes. Edhe pse shifrat krahasuar me pandeminë e tanishme ishin shumë më të pakta, pandemia e atëhershme tregoi, se sa tmerrësisht shpejt përhapet një sëmundje ngjitëse në një botë të globalizuar.

Sars-CoV-2 – ilustrim

Ku u zbulua për herë të parë virusi?

Disa studime japin të dhëna, se virusi ishte përhapur disa javë, ndoshta edhe disa muaj më parë, pra para se të zbulohej në dhjetor në Vuhan. Në Kinë sipas të dhënave të gazetës “South China Morning Post” ka pasur që në mesin e nëntorit një infektim të parë të testuar me SARS CoV-2. Kjo nuk do të thotë patjetër që ky infeksion e ka edhe origjinën në Kinë. Studiues të Universitetit Cambridge kishin publikuar në prill 2020 një studim, në të bazë të të cilit pandemia me shumë gjasa filloi në mes të shtatorit dhe fillim dhjetorit 2019, ose në Kinë ose në një vend kufitar. ( https://www.pnas.org/content/117/17/9241 )

Nga ana tjetër gjurmë të virusit të ri u gjetën në prova të ruajtura të ujërave të bardha në Itali dhe Brazil, që ishin marrë që në dhjetor, ose në nëntor 2019. Në Itali u gjetën madje në provat e gjakut të një testimi me pjesëmarrës të skanerit për kancerin e mushkërive antitrupa kundër SARS-CoV-2,- provat e gjakut ishin marrë që në shtator 2019 dhe shkurt 2020.

Që virusi mund të jetë përhapur që në vjeshtën e vonë 2019 në Europë dhe prej mesit të nëntorit në Kinë nuk lejon përfundime të sakta për origjinën e pandemisë. Ai tregon vetëm se sa shpejt mund të përhapet një virus kaq agresiv në botë.

Nga cila kafshë vjen virusi?

Si skenari më i mundshëm konsiderohet një origjinë zoologjike përmes një kafshe ndërmjetës. Sipas skenarit, një kafshë e ka pasur virusin në fillim dhe e ka kaluar tek një kafshë tjetër. Por deri më tani as nuk është identifikuar saktë një kafshë potenciale si origjinë dhe as kafsha ndërmjetëse. Po ashtu të dyja viruset Corona SARS nuk janë identifikuar saktësisht në botën e kafshëve. Por se të dy këto viruse Corona janë të vërtet të ngjashëm me viruset Corona që gjenden tek lakuriqët e natës, që gjenden në Azinë Juglindore. Sekuenca gjenetike e SARS-CoV-2 aktual përputhet 96,2% me virusin Corona RaTG13 – që u gjet në një lloj lakuriq nate. Kjo tingëllon shumë, por është vetëm një pikë e parë, sepse përputhshmëria e viruseve me kafshë të tjera si pangolinët nuk është më e vogël.

Për shkak se shumica e njerëzve nuk kanë kontakt direkt me lakuriqët e natës apo pangolinët, ekspertët kërkojnë për kafshë ndërmjetësuese, që kanë kontakt më të ngushtë me njerëzit, si psh vizonët.

A vjen virusi nga një laborator?

Ajo që dihet është se në Institutin e Vuhanit për virologji është eksperimentuar me virusin Corona RaTG13 dhe me RmYN02, sekuencat gjenetike të të cilëve përputhen 93,3% me SARS-CoV-2.(Current Biology, 2020; DOI: 10.1016/j.cub.2020.05.023). Nga kjo rrodhën dy skenarë: SARS CoV-2 mund të jetë prodhuar artificialisht si një armë kimike dhe/ose ka dalë gabimisht për shkak të një aksidenti.

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i quajnë të dy skenarët si “shumë pa gjasa”. Por ata nuk mundën të ishin plotësisht bindës, sepse me hetimet e tyre shumë të kufizuara ata nuk mund të bënin inspektime të pavarura apo të siguronin prova, sepse Kina nuk e lejoi këtë. Në vend të kësaj ata duhet të merrnin të dhëna të publikuara dhe të dhëna të partnerit kinez. Madje vetë kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi më vonë që të paktën hipoteza e një aksidenti në laborator të hetohet më tej.

Çfarë flet për një „armë biologjike”?

Prodhimin artificial të SARS-CoV-2 në një laborator në Vuhan shumë vetë e quajnë si shumë pa gjasa. Kështu një ekip i profesores së mikrobiologjisë, Kristian Andersen nga “Scripps Research Institute” në La Jolla, Kaliforni hulumtoi proteinën Spike në sipërfaqen e virusit, Në segmentin e genomit u panë dy dallime të mëdha mes SARS-CoV-2 dhe viruseve të ngjashme Corona. Proteina ka një ndërtim ndryshe, e vërtet që virusi mund të depërtojë më shpejt qelizat e njeriut, por për të qenë një “armë biologjike” struktura e virusit, sipas këtyre ekspertëve në La Jolla nuk është e rafinuar sa duhet.

Ekspertë të OBSH në Vuhan, 31 janar 2021

Aksident laboratori?

Mbetet teoria se studiuesit kinezë kanë eksperimentuar me viruset e rrezikshme Corona si psh. RaTG13 apo RmYN02, dhe se SARS CoV-2 gabimisht për shkak të një aksidenti ka dalë nga laboratori. Udhëheqja kineze e hedh poshtë kategorikisht këtë teori.

Edhe ekspertët e OBSH e shohin si me shumë pak gjasa këtë në bazë të të dhënave që iu ofruan. Kundër kësaj flet evoluimi i virusit, dhe tjetra, Instituti i Vuhanit për Virologjinë ka laboratorë të sigurisë së lartë. Tek të dhënat e ofruara nuk ka asnjë shenjë për aksident në laborator apo sëmundje të punoënjësve.

Pikërisht kjo pikë nuk përkon me atë që ka publikuar “Wall Street Journal” duke iu refereruar shërbimeve sekrete, ku tre punonjës në nëntor 2019 treguan simptoma të afërta me Covid. Kina e hedh poshtë edhe këtë.

Deri tani ka supozime në vend të fakteve dhe refuzime në vend të transparencës – mbetet e hapur, nëse dikur ne do ta dimë se ku e pati origjinën kjo pandemi botërore. Dhe sidomos si të mos lejojmë që të përhapen pandemi të tjera.

Lajmet

United Hospital me Pakon Mikrobiologjike për Fëmijë: Niseni vitin shkollor me më shumë kujdes dhe siguri për shëndetin Avatar photo RajoniPress

Published

on

Prishtinë – Fillimi i vitit të ri shkollor sjell emocione, energji dhe ritëm të ri për fëmijët, por njëkohësisht shton edhe ekspozimin ndaj virozave dhe infeksioneve, për shkak të qëndrimit në ambiente të përbashkëta dhe kontaktit të vazhdueshëm me bashkëmoshatarët.

Për t’u ardhur në ndihmë prindërve dhe për të kontribuar në një fillim sa më të shëndetshëm të vitit shkollor, United Hospital ka prezantuar një ofertë të veçantë: Pakon Mikrobiologjike për Fëmijë, e dedikuar për kontrolle bazë dhe vlerësimin e disa infeksioneve të zakonshme te fëmijët.

Pakoja përfshin tri analiza:

Strisho të fytit
Strisho të hundës
Analizë të fecesit për parazitë – një herë
E gjithë pakoja ofrohet me çmim promocional prej vetëm 11 euro, duke u mundësuar prindërve një mënyrë praktike dhe të përballueshme për t’i kushtuar vëmendje shëndetit të fëmijëve në prag të sezonit shkollor.

Në një periudhë kur virozat dhe infeksionet mund të përhapen më lehtë në mjediset kolektive, kujdesi i hershëm dhe konsultimi me profesionistët shëndetësorë mbeten pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë prindërore.

Me këtë ofertë, United Hospital synon të jetë pranë familjeve në një nga periudhat më të rëndësishme të vitit për fëmijët, duke e vendosur shëndetin dhe mirëqenien e tyre në qendër të vëmendjes.

📞 Rezervoni terminin në: 046 60 70 70
📍 United Hospital, M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

United Hospital – sepse një vit shkollor i mbarë nis me kujdesin për shëndetin./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, tha se se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, tha Policia.

Sipas këtij institucioni, varësisht nga aktivitet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, “andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të qetë.

Shpallja e aktgjykimit në Hagë do të bëhet vetëm katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet nga detyra zyrtari policor në Aeroportin e Prishtinës: Paratë e gjetura i hodhi në kutinë e bamirësisë

Published

on

By

Më 14 shtator, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar informacionin për një rast të ndodhur në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Rasti lidhet me humbjen e një shume prej 105 eurosh, e raportuar nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator.

Gjatë këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit konstatuan se paratë i kishte gjetur një udhëtare (shtetase e Kosovës me banim në Gjermani), e cila ia kishte dorëzuar menjëherë zyrtarit policor në detyrë.

Pas veprimeve hetimore të IPK-së, zyrtari policor pranoi marrjen e parave, por pranoi se nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave ligjore e institucionale. Në vend të dorëzimit zyrtar, paratë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse brenda hapësirave të aeroportit.

Për të garancuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BQK përfshihet në mekanizmin EUREP të BQE-së për likuiditet në euro

Published

on

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka konfirmuar përfshirjen e saj në mekanizmin e Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, EUREP, të themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Sipas BQK-së, kjo përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kornizës për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro.

Aktualisht, BQK-ja ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në EUREP, sipas bankës qendrore, paraqet kalimin drejt një kornize më të qëndrueshme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.

Në kuadër të EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka cilësuar përfshirjen në EUREP si një avancim të rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Kosovës.

“Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar”, ka deklaruar Ismaili.

Sipas tij, ky mekanizëm përbën një shtresë shtesë mbrojtjeje krahas pozitës së fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit bankar në Kosovë, si dhe rezervave dhe mekanizmave ekzistues të stabilitetit.

Ismaili ka theksuar se përfshirja në EUREP është edhe një sinjal për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare se sistemi financiar i Kosovës është stabil, likuid dhe i mirëkapitalizuar.

BQK-ja ka vlerësuar gjithashtu se ky zhvillim pasqyron forcimin e bashkëpunimit institucional me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara