Kronikë e zezë

Caktohet masa e paraburgimit ndaj 11 personave në Prizren

Ndër ta katër shtetas të Kosovës tre të Sirisë, dy të Algjerisë, një i Irakut dhe një i Palestinës.

Published

on

Është caktuar masa e paraburgimit ndaj 11 të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: kontrabandimi me migrantë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Artan Sejrani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 27.09.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 27.10.2021, ndaj të pandehurve:

– B.Sh., (shtetas i Republikës së Kosovës )

– R.I., (shtetas i Republikës së Kosovës )

– M.V., (shtetas i Republikës së Kosovës )

– S.J., (shtetas i Republikës së Kosovës )

– S.G., (shtetas i Algjerisë)

– A.H., (shtetas i Sirisë)

– S.M., (shtetas i Sirisë)

– M.R., (shtetas i Sirisë), për shkak të dyshimit se ka kryer edhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

– H.H., (shtetas i Irakut)

– S.R., (shtetas i Palestinës) dhe

– A.B., (shtetas i Algjerisë)

Nëpërmjet një komunikate për medie thuhet se “Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: Nga muaji qershor në vazhdimësi deri në shtator 2021, në cilësinë e bashkëkryerësve, të pandehurit, merren me kontrabandë të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake në mes tyre, të pandehurit S.G., A.H., S.M., M.R., H.H., S.R., dhe A.B., (shtetas të Algjerisë, Sirisë Irakut dhe Palestinës) grupet e organizuara të migrantve i kanë marrë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke i drejtuar të njëjtit, i fusin në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë vijës kufitare Morinë – Vërmicë, me të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës migrantët i kanë pritur të pandehurit B.Sh., R.F.,, M.V., dhe S.J., (shtetas të Republikës së Kosovës), të cilët duke përdorë automjetet e ndryshme, transportojnë secilën herë nga 25 deri 30, migrantë sirian dhe të shteteve tjera aziatike të cilët në mënyrë ilegale i kishin futur në Kosovë, të njëjtit i kanë vendosur në një Hotel, nga ku i kanë transportuar në afërsi të pikës kufitare të Jarinjes dhe për këtë shërbim nga secili prej tyre marrin një shumë të caktuar të të hollave, ndërsa me datë 27 shtator 2021 gjatë kontrollit të Hotelit janë hasur 92 migrantë, e duke u transportuar janë hasur mbi 30 migrantë. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”.

Tutje thuhet se “Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe mënyrat dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale ku të pandehurit në bashkëkryerje kanë organizuar në vazhdimësi kontrabandimin e migrantëve të huaj, si dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurve B.Sh., R.I., M.V., dhe S.J. (shtetas të Republikës së Kosovës), të cilët janë kryerës të regjistruar edhe të veprave tjera penale e që lidhen kryesisht me vepra që kanë për qëllim përfitimin e dobisë pasurore”.

Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurit është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale si dhe ka për qëllim pengimin e ikjes së të pandehurve e sidomos shtetaseve të huaj të pandehur, pengimin e dëmtimit të provave si evitimin e rrezikut të përsëritjes edhe të ndonjë vepre tjetër penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Lajmet

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Published

on

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një i mitur në Kaçanik nën dyshimin për dhunim

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një të mitur në Kaçanik, pasi ekziston dyshimi se i njëjti ka kryer veprën penale të dhunimit ndaj një viktime gjithashtu të mitur.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 16:00. Viktima e mitur është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe zyrtarëve kompetentë, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rasti është duke u hetuar nga organet e rendit për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara