Lajmet

Caktohet data për gjyqin kundër ish-presidentit Trump

Gjykatësi e njoftoi datën në një seancë ku zoti Trump mori pjesë përmes videos.

Published

on

Një gjykatës caktoi të martën 25 marsin 2024, si datë paraprake për një gjyq ndaj ish-presidentit Donald Trump, e cila do të përkonte me kulmin e sezonit për zgjedhjet për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane.

Gjykatësi e njoftoi datën në një seancë ku zoti Trump mori pjesë përmes videos. Ai kishte deklaruar muajin e kaluar se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Në seancën e së martës, gjykatësi i Manhatanit, Juan Merchan shqyrtoi një urdhër që ndalonte ish-presidentin Trump të shpërndante publikisht disa prova të dorëzuara nga prokurorët, shkruan voa. 

Zoti Trump u lejua të mos paraqitej personalisht në gjykatë, për të shmangur sfidat e mëdha të sigurisë dhe logjistikës që shoqëruan shpalljen e akuzës ndaj tij muajin e kaluar.

Ish-presidenti republikan mund të flasë publikisht për çështjen penale, sipas urdhrit të gjykatësit Merchan, por ai mund të mbajë përgjegjësi për shpërfillje të gjykatës, nëse përdor provat e dhëna nga prokurorët kundër dëshmitarëve ose personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Zoti Trump deklaroi se ishte i pafajshëm më 4 prill për 34 akuza lidhur me falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen.

Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e zotit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore. Zoti Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.

Urdhri i gjykatësit Merchan ndalon zotin Trump dhe avokatët e tij të shpërndajnë prova te palët e treta ose t’i postojnë ato në mediat sociale dhe kërkon që disa materiale të ndjeshme të shpërndara nga prokurorët të mbahen vetëm nga avokatët e zotit Trump, jo vetë ai.

Prokurorët kërkuan urdhrin nga gjykata menjëherë pas arrestimit të zotit Trump, duke përmendur atë që ata thonë se është prirja e tij për të bërë “deklarata ngacmuese, që vënë njerëzit në pozitë dhe kërcënuese” për njerëz me të cilët është angazhuara në mosmarrëveshje ligjore.

Gjykatësi Merchan, duke vënë në dukje statusin “të veçantë” të zotit Trump si ish-president dhe kandidat aktual, e ka bërë të qartë se urdhri mbrojtës nuk duhet të interpretohet si një urdhër për t’i mbyllur atij gojën dhe se zoti Trump ka të drejtë të mbrohet publikisht.

Avokatët e ish-presidentit Trump po kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Derisa të vendoset nëse një gjë e tillë do të pranohet, ajo do të vazhdojë në gjykatën shtetërore.

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara