Profesori, trajneri e ish futbollisti i njohur Bylbyl Sokoli, në intervistën dhënë për UBTneës, ka folur për disa çështje, me fokus të veçantë për gjendjen e futbollit në Kosovë dhe përfaqësuesen. Sokoli konsideron se zgjedhjet e mbajtura ditë më parë në Federatën e Futbollit, nuk ishin të regullta. Ai vlerëson pozitivisht dy ndeshjet e para të përfaqësueses së Kosovës nën urdhërat e trajnerit të ri Alain Giresse. Kosova, thotë Sokoli, ka kapital të mirë të talentëve të ri, me të cilët, shton se, duhet punuar seriozisht e përcjellur rritjen e tyre. Trajneri shumëvjeçar, flet edhe për veten e për hapin e ardhshëm që do ta ndërmarrë në karierrë. Nuk përjashton përfshirjen e shpejtë në ndonjë skuadër
Intervistoi: Ulis Hamiti, student i vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT
UBTneës: Si fillim më lejoni të ju pyes lidhur me zgjedhjet kontraverse të cilat kanë ndodhur në Federatën e Futbollit të Kosovës. Si i vlerësoni ju ato dhe çfarë mendimi keni?
Bylbyl Sokoli: Zgjedhjet në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk mendoj se kanë qenë legjitime për shkak se Kuvendi u caktua para se të përfundonte afati i kryetarit si dhe nuk është respektuar afati kohor. Si pasojë e gjithë procedura ka qenë e parregullt. Unë e kam cekur edhe më parë në mjete të tjera të informimit, se ky Kuvend nuk është legjitim dhe kur e them këtë, mendoj se kjo mënyrë e zgjedhjes së kryetarit nuk është aspak e shëndetshme për futbollin tonë. Për mua nuk ka rëndësi se kush është në detyrë. Për mua ka rëndësi të ketë një garë të ndershme dhe të drejtë për secilin, me 2 apo 3 kandidatë, ndërkohë rregullorja i lejon 4 kandidatë, por ajo nuk respektohet dhe keqpërdoret duke lejuar vetëm një kandidat. Kur kjo ndodh, nuk ka proces demokratik dhe në këto raste nuk kemi garë apo rivalitet, pra e dëmtojmë veten.
UBTneës: Kur flasim për Federatën, është e rëndësishme ta diskutojmë edhe përfaqësuesen e Kosovës. Çfarë mendimi keni për dy ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri, Alain Giresse?
Bylbyl Sokoli: Dy ndeshjet e para mendoj se janë prezantim mjaft i mirë i lojtarëve dhe trajnerit, por nuk duhet të harrojmë se janë ndeshje miqësore, dhe shërbejnë si njohje mes lojtarëve edhe me trajnerin. Testin e vërtetë do ta shohim kur të luhet për pikë dhe kur rezultati është në plan të parë. Megjithatë mendoj se janë rezultate mjaft të mira të trajnerit dhe lojtarëve dhe premtuese.
UBTneës: Është diskutuar tash e disa vite se Kosova ka një “gjeneratë të artë” të talentëve të cilët luajnë për përfaqësuesen, a mendoni se këta lojtarë kanë kualitet të lartë?
Bylbyl Sokoli: Mendoj se Kosova ka mjaft futbollistë kualitativ jashtë vendit, por edhe këtu brenda. Si rrjedhojë, mendoj se duhet të kërkojmë kualifikim. E kam thënë para 5-6 viteve se Kosova mund të ndeshet me Gjermaninë dhe ta fitojë ndeshjen, përse? Që ta rivalizojë. Sot shohim një Maqedoni të Veriut e cila e mundi Italinë (kampionin aktual të Evropës), ndërkohë që para 1 ose 2 vitesh e kishte mundur edhe Gjermaninë. Kjo tregon që favorit nuk ka dhe secili rezultat mund të ndodhë. Unë jam i sigurt se me këtë ekip që Kosova e ka, nuk duhet të brengosemi dhe se jam i bindur se mund të kualifikohemi.
UBTneës: Duke folur për kualifikim, çfarë mendoni se i nevojitet futbollit të Kosovës për ta dërguar në nivelin tjetër?
Bylbyl Sokoli: Nevojitet organizim më i mirë, planifikim më i mirë, disiplinë më e madhe dhe krijimi i një ambienti që është i domosdoshëm tek ekipet shtetërore, sepse janë skuadra të cilat trajneri nuk i përgatit fizikisht dhe taktikisht. Puna e trajnerit është të shikojë strategjinë dhe nëse mendohet kjo, atëherë duhet të njohë edhe kundërshtarin. Kur njeh skuadrën tënde si dhe kundërshtarin atëherë arritja e rezultateve pozitive është e lehtë.
UBTneës: Pasi u diskutua tema e trajnerëve, për t’iu pyetur ju se përse nuk keni marr një skuadër në drejtimin tuaj për tashmë gati 2 vjet? Për çfarë arsye është ky pushim, nëse mund të konsiderohet i tillë?
Bylbyl Sokoli: Si fillim nuk e kam parë të arsyeshme të shkojë te disa klube të cilat kanë telashe brenda institucionit, qoftë nga ana financiare apo kushteve elementare për punë. Arsyeja e dytë është sepse kam pasur një intervenim për një lëndim të gjurit dhe tashmë jam në fazën përfundimtare të rehabilitimit. Shpresoj që pas shërimit do të kem kontakte dhe do të marr përsipër një sfidë të re.
UBTneës:Ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe faleminderit për kohën tuaj.
Bylbyl Sokoli: Faleminderit, faleminderit edhe juve.
Koreja e Jugut e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës, duke mposhtur Republikën Çeke me rezultat 2:1 në stadiumin “Akron” në Zapopan.
Koreanët dominuan ndeshjen që nga minuta e parë dhe krijuan rastet më të mira gjatë pjesës së parë. Në minutën e 12-të, Lee provoi me kokë, por topi përfundoi mbi portë, ndërsa gjashtë minuta para pushimit Son ishte shumë pranë golit, me goditjen e tij që kaloi ngjitur me shtyllën.
Edhe në pjesën e dytë Koreja e Jugut vazhdoi të ushtrojë presion. Hwang rrezikoi menjëherë pas rifillimit të lojës, ndërsa Lee dhe Son patën raste të tjera të mira, por portieri çek Kovar u tregua i pakalueshëm me disa pritje vendimtare.
Megjithatë, kur pritej goli i koreanëve, ishte Republika Çeke që kaloi në epërsi. Në minutën e 60-të, Krejci realizoi me kokë për 1:0, duke ndëshkuar shpërdorimin e rasteve nga kundërshtari.
Gëzimi i çekëve nuk zgjati shumë, pasi Koreja e Jugut reagoi shpejt dhe arriti të barazojë rezultatin me anë të Hwang, i cili shënoi për 1:1.
Republika Çeke mendoi se kishte rikthyer epërsinë në minutën e 77-të, kur Soucek dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Në vazhdim, koreanët arritën të gjenin golin e fitores, duke vulosur triumfin 2:1 dhe duke siguruar tre pikët e para në fazën e grupeve të Kupës së Botës.
Kombëtarja A e meshkujve e Kosovës ka arritur në Estoni, ku do të zhvillojë ndeshjet e radhës në kuadër të edicionit 2026 të Ligës Evropiane të Volejbollit (CEV Volleyball European League).
Pas përfundimit të turneut të parë në Letoni, volejbollistët kosovarë kanë nisur menjëherë përgatitjet për sfidat e reja, duke zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore në palestrën ku do të luhen ndeshjet e turneut të dytë.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Darko Prebiracevic, së bashku me ndihmësit Habil Ajeti dhe Valon Mustafa, ekipi është ambientuar me kushtet e sallës dhe ka punuar në aspektin tekniko-taktik për të qenë sa më i përgatitur për ndeshjet që e presin.
Sipas njoftimit të Federata e Volejbollit e Kosovës, atmosfera në kampin e Kombëtares është pozitive, ndërsa lojtarët po vazhdojnë me përkushtim dhe motivim të lartë në prag të dueleve të rëndësishme në arenën evropiane.
Kosova do të përballet fillimisht me Estonia më 12 qershor, me fillim nga ora 18:00, ndërsa një ditë më vonë do të luajë kundër Austria, në ndeshjen që nis në orën 16:00.
Federata e Volejbollit e Kosovës i ka uruar sukses Kombëtares dhe shtabit teknik në vazhdimin e garës dhe në përfaqësimin sa më dinjitoz të vendit në Ligën Evropiane 2026.
Meksika e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 2:0 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të turneut.
Takimi i parë i Botërorit, që po organizohet nga Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u zhvillua në stadiumin ikonik “Azteca” në Mexico City.
Kombëtarja meksikane kaloi në epërsi që në minutën e nëntë me golin e Julian Quiñones, ndërsa Raul Jimenez vulosi fitoren në minutën e 67-të. Pjesa e dytë u karakterizua edhe nga tensione në fushë, me arbitrin që ndau tre kartonë të kuq.
Te Afrika e Jugut u përjashtuan Yaya Sithole dhe Themba Zwane, ndërsa te Meksika me karton të kuq u ndëshkua Cesar Montes. Me këtë fitore, Meksika merr kryesimin e përkohshëm në Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe Çekia dhe Koreja e Jugut. /D.L/
Sot nis zyrtarisht Kupa e Botës 2026, turneu më i madh i organizuar ndonjëherë nga FIFA, me ndeshjen hapëse ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City.
Botërori i këtij viti shënon një kapitull të ri në historinë e futbollit, pasi për herë të parë marrin pjesë 48 përfaqësuese, krahasuar me 32 sa ishin në edicionet e kaluara. Turneu do të zhvillohet në tri shtete nikoqire, Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada , dhe do të përfshijë gjithsej 104 ndeshje deri në finalen e 19 korrikut.
Ndeshja hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është një përsëritje e sfidës së parë të Botërorit 2010, e cila kishte përfunduar në barazim 1:1. Këtë herë, meksikanët do të kenë avantazhin e terrenit vendas dhe synojnë ta nisin me fitore aventurën e tyre në Grupin A.
Në Grupin A bëjnë pjesë gjithashtu Koreja e Jugut dhe Çekia, të cilat do të përballen po ashtu në ditën e parë të garave. Formati i ri parashikon që dy skuadrat e para të secilit grup, si dhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta, të avancojnë në fazën eliminatore.
Përveç aspektit sportiv, ceremonia hapëse pritet të sjellë një spektakël të madh artistik para fillimit të ndeshjes, duke shënuar startin e një muaji futbolli që do të mbajë të fokusuar mbarë botën.
Me 48 kombëtare, 104 ndeshje dhe tri vende organizatore, Botërori 2026 pritet të jetë edicioni më i madh dhe më spektakolar në historinë e Kupës së Botës.