Lajmet

Buxheti për vitin 2022 pritet të jetë 2.7 miliardë

Ministri Murati ka thënë po ashtu se Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike dy shifrore.

Published

on

Buxheti për vitin 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar dhe arsyetuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2022 para deputetëve, i cili theksoi se për herë të parë që nga pavarësia, Kosova ka një buxhet të balancuar.

Ministri Murati tha se ka një rritje të buxhetit gati për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, derisa shtoi se me këtë projektligj, kjo qeveri ka buxhetuar edhe mbështetjen për familjen.

Ministri Murati ka thënë po ashtu se Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike dy shifrore.

“Sa i përket projektligjit të buxhetit si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 përqind më i lartë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti kurse tek të hyrat kemi paraparë 2 miliardë e 364 milionë euro apo rreth 15 përqind më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti. Deficit po ashtu parashihet që të rikthehet në normalitet duke zvogëluar trendin rritës po ashtu edhe të borxhet publik, për shkak se këtë vit presim që për herë të parë prej pavarësisë të kemi një buxhet të balancuar. Sa i përket strukturës së shpenzimeve kemi rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me një rritje më të lartë tek investimet kapitale. Po ashtu kemi buxhetuar edhe mbështetjen për familjen dhe për projekte infrastrukturore”, theksoi Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet tha se Qeveria Kurti ka propozuar buxhetin më të mirë dhe më të lartë deri më tani.

Derisa kërkoi mbështetjen tha se ky buxhet është i fokusuar drejt rritjes ekonomike, punësimit dhe drejtësisë sociale dhe rikthimit të rendit dhe ligjit.

“Gjatë shqyrtimit kemi konstatuar se ky ligj I përmban parakushtet bazë sipas ligjit për manaxhimit të financave publike dhe përgjegjësisë dhe për këtë arsye i kemi rekomanduar edhe këtij Kuvendi edhe deputetëve që ta miratojnë në lexim të parë. Ajo çka është interesant të konkludohet është se nga shqyrtimi në lexim të parë vërehet se buxheti i Kosovës i propozuar për vitin 2022 parashihet të jetë 2.7 miliardë që do jetë një nga buxhetet më i madh dhe më i lartë dhe ndoshta më gjithëpërfshirës e Kosovës. Në vitin 2022 buxheti i Kosovës do të jetë 513 milionë euro më i madh sesa në vitin 2020 apo rreth 655 milionë euro më i madh se vitin 2019. Ajo çka është e veçantë në kuadër të projektligjit është tek të hyrat, të hyrat buxhetore të propozuara për vitin 2022 parashihen të jenë 2.3 miliardë euro që është diku është rreth 642 milionë euro më shumë sesa në vitin 2020[…]Qeveria Kurti për herë të parë po propozon që në baza mujore t’i mbledh rreth 200 milionë euro nga tatimet duhet tu rikujtoj që më herët në vitin 2020 qeveria e Kosovës mblidhte rreth 147 milionë në muaj nga tatimi apo në baza ditore I bie që qeveria Kurti po propozon që të mbledh rreth 6.5 milionë euro në ditë”, theksoi ai.

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara